17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Rexhep Qosja: 78 vitet e mia, mes luftërash, dhune e padrejtësish

Rexhep QosjaProfesor Rexhep Qosja ka qenë dje në Tiranë për të festuar 78-vjetorin e lindjes dhe për të marrë pjesë në shfaqjen e dokumentarit kushtuar jetës së tij. “Rexhep Qosja, rilindësi i kohës sonë” titullohet filmi me autore Rudina Xhungën, një prodhim i “Digitalb”.

Premiera u shfaq në Muzeun Historik Kombëtar me pjesëmarrjen e emrave të njohur të politikës e kulturës shqiptare. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama me bashkëshorten, ministrja Eglantina Gjermeni, historianët Paskal Milo e Pëllumb Xhufi, ish-presidentët Rexhep Mejdani e Alfred Moisiu, etj. Pas përshëndetjes së autores së filmit, Rudina Xhungës, fjalën e mori vetë akademiku nga Kosova, i cili uroi Shqipërinë dhe kryeministrin për marrjen e statusit kandidat në BE.

Filmi nxjerr në pah anën e panjohur të profesorit, marrëdhënien me vëllain, fëmijërinë, pasionin e tij për pingpongun, tregohet radioja e parë që bleu, muzika që dëgjonte, vendi ku u rrit, zyrat dhe më pas janë miqtë e kolegët që flasin për të dhe veprat e tij. Në fund, ka një çast, kur akademiku është tejet i ndjeshëm, është çasti kur ai flet për bashkëshorten, Shpresën, të cilën e njohu shumë herët, kur të dy studionin në Normalen e Prishtinës.

“Nuk punoj më siç punoja kur ishte ajo. Më mungon! Isha i qetë kur dëgjoja hapet e saj nëpër shtëpi dhe punoja më shumë e isha më i suksesshëm. Sot, pa të, nuk punoj dot siç punoja në kohën kur ishte ajo. Po të mos kishte qenë ajo, unë nuk do i kisha shkruar veprat e mia. Ajo e ka lehtësuar jetën time”, u shpreh profesori në filmin dokumentar, për bashkëshorten që ka humbur dy vite më parë. Më poshtë po botojmë fjalën e tij të plotë, mbajtur dje para prezantimit të filmit të tij.
Fjala e plotë
TË FALEMINDERIT SHQIPËRI
Kam kënaqësi të veçantë që t’ju përshëndes të gjithëve. Dhe t’ju falënderoj që më keni nderuar me ardhjen tuaj në këtë përurim të dokumentarit për mua. Dhe të falënderoj “Dixhitalb”-in, institucionin e madh kombëtar, që la trashëgim i pavdekshmi Dritan Hoxha, për krijimin e këtij dokumentari. Dhe, të falënderoj shkrimtaren, publicisten dhe gazetaren gjithëkombëtare, Rudina Xhunga, autoren e dokumentarit në fjalë. Dhe, të falënderoj shtëpinë botuese “Toena” dhe Institutin e librit dhe të promocionit për rolin në organizimin e këtij përurimi. Sot i kam mbushur 78 vjet. 78 vjet janë shumë për t’u numëruar e lëre më për t’u jetuar: për t’u jetuar nga një i lindur në Bjeshkët e Nemuna e i rritur në Rrafshin e Kosovës. 78 vjet, për shkak se janë aq shumë, pashmangshëm më kanë sjellë shumë përjetime, shumë mendime e shumë ndjenja në jetë – të gjithfarëllojshme.

Gjatë këtyre 78 vjetëve më ka takuar të përjetoj një luftë botërore – Luftën e Dytë Botërore; rënien e një rendi politik e shoqëror – që i thonë komunist dhe ngritjen e një rendi tjetër politik e shoqëror dhe kushtetutar e juridik – që i thonë demokratik; shkatërrimin e një shteti federativ që i thoshin Jugosllavi dhe krijimin prej tij të shtatë shteteve të reja kombëtare. Në fillimet e pleqërisë më ka takuar të përjetoj edhe një luftë: luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit të Serbisë, ndërhyrjen në këtë luftë të Forcave të NATO-s dhe krijimin e shtetit ku jetoj – të shtetit të Kosovës, të cilit i kam dhuruar shumë përkushtim mendor dhe ndjenjor, sidomos para se të krijohej.
Të gjitha këto ngjarje, të quajtura historike, i kanë lëvizur fort mendimet dhe ndjenjat e mia: i kanë lëvizur duke i bërë kur të gëzuara e kur të dëshpëruara.

Mendimet dhe ndjenjat e mia tani po i lëvizin shumë dhe në vazhdimësi sjelljet, veprimet, të bërat dhe mendimet kurrë më të ballafaquara të bashkëkohësve. Mendimet dhe ndjenjat e mia, tani, më së shpeshti e më së shumti, ndërkaq, po i zgjojnë sjelljet, veprimet, të bërat e një numri të dukshëm të njerëzve të pushtetshëm, në njërën anë, kurse heshtja, pajtimi, kur e kur edhe me pabarazinë e dinjiteteve, i një pjese të madhe të njerëzve të papushtetshëm. Të gjitha këto përjetime, të kundërta e të shpeshta, kanë bërë që më në fund të mos më dëshpërojnë më të këqijat. Dhe të mos më gëzojnë më të mirat. Nuk do të isha i sinqertë ndaj jush sikur të mos e pranoja se nderimi e kjo domethënë e mira që po më bëhet sot me dokumentarin në fjalë dhe me praninë tuaj në përurimin e tij këtu, në këtë sallë të Muzeut Kombëtar të Shqipërisë, ma ka shuar atë pandjeshmëri të panatyrshme ndaj të mirës dhe të keqes dhe më ka gëzuar shumë.

Pse më ka gëzuar? Më ka gëzuar shumë sepse po më nderon Shqipëria: po më nderon një institucion shumë i rëndësishëm politik e kulturor i shtetit amë dhe shumë bashkëkombës të tij, domethënë po më nderon Shqipëria. Dhe ky nderim, nuk është nderimi i parë. Sado mund të jetë i fundit, që po më bëhet prej Shqipërisë – prej Shqipërisë, që sot po rilind në pikëpamje politike, ekono-mike, arsimore, kulturore, juridike dhe etike, duke frymëzuar, madje, edhe ndjenjat me rëndësi historike të qytetarëve të saj dhe të shqiptarëve në përgjithësi, që të jenë çka ishin ftuar të jenë në kohën e Rilindjes sonë të madhe kombëtare të Pashko Vasës, të Jani Vretos e të Naim Frashërit: që të jenë të gjithë njëkohësisht edhe katolikë, edhe ortodoksë edhe myslimanë.

Shqipëria, e cila në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, që pas vitit 1912 do të mbesin dhunshëm, padrejtësisht, jashtë kufijve të saj, quhej Nëna Shqipëri, deri sot më ka nderuar me disa çmime: me çmimin ‘Anëtar nderi’ i Akademisë së Shkencave, me çmimin ‘Nderi i Kombit’, me shpalljen ‘Qytetar Nderi’ i disa qyteteve: i Gjirokastrës, i Tepelenës, i Ballshit, i Rrëshenit, i Tropojës dhe i Vlorës – i Vlorës së 28 Nëntorit 1912, dhe tani, me filmin dokumentar të bërë prej Rudina Xhungës dhe “Dixhitalb”-it. Por, ta them për Shqipërinë, të parafrazuar, atë fjalinë që për Amerikën ka thënë kryetari i lavdishëm Xhon Kenedi.

Nuk kam menduar kurrë çka do të bëjë Shqipëria për mua, por kam menduar çka mund të bëj dhe çka di të bëj unë për të. Dhe, kam bërë me mendje e me zemër çka kam mundur e çka kam ditur për historinë, për kulturën dhe për të përtashmen e saj. E Shqipëria më ka shpërblyer për këto të bëra: më ka shpërblyer me çmime e nderime dhe me ndjenja të vazhdueshme. Mendja dhe zemra ime, as në vitet e dhunës më të madhe ndaj shqiptarëve në Jugosllavi kurrë nuk i kanë ndarë Kosovën dhe Shqipërinë. Në mendjen e në zemrën time ishte e përjetshme bindja se ato që janë dhunshëm të ndara, ato doemos vullnetshëm do të bashkohen. Të faleminderit Shqipëri!

Më Shumë

Ushtron dhunë ndaj bashkëjetueses, arrestohet i dyshuari në Rahovec

Në Rahovec të martën është arrestuar një person i dyshuar pasi raportohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare me...

“Beteja 3” në fundjavë

Fundjava pritet të jetë edhe më e ‘zjarrtë’ në basketbollin e Kosovës. Në këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e treta gjysmëfinale të “Play-offit” në...

Lajmet e Fundit