8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Sterjo Spasse, një portret i panjohur nga mikesha ruse

stero spasseShkrimtari e mban kokën mënjanë, në të djathtë. Është mbështetur në dorën e mbledhur grusht, ndërsa gishtërinjtë e tij shtrëngojnë fort një libër. Një këmishë e verdhë, jelek në ngjyrë më të errët, një palë pantallona të kafta dhe një kravatë ngjyrë vere. Flokët kishin marrë tashmë ngjyrë të grinjtë. Është viti 1959 dhe ai sapo ka prekur të 45-at e tij. Gjendet në Moskë. Ky, është portreti i Sterjo Spasses, vepër e piktores ruse Raisa Nikolaevna Zelinskaya – Plate, njëherazi mike e shkrimtarit në ato kohë. Sot, kur si piktorja, edhe shkrimtari, janë ndarë nga jeta, duket se gjithë ç’e përjetëson miqësinë e tyre, janë ata penela mbi pëlhurë. Prej ditës së djeshme, ky kujtim i është bërë dhuratë Galerisë Kombëtare të Arteve. Piktura titullohet “Albanian writter Sterio Spasse”, është në teknikën vaj në kanavacë dhe ka përmasat 81×66 cm.

Akti i dhurimit
Vepra e piktores që iu dhurua vendit tonë nga Felix Plate (i biri i artistes), iu dorëzua dje drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, nga përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Rusi, diplomati Shkëlzen Logu. Në fjalën e rastit, krahas falënderimeve për të birin e artistes (që pati dëshirën dhe vullnetin e mirë për t’i dhuruar këtë vepër GKA-së), ambasadorin z. Sokol Gjoka (i cili mundësoi gjithë procedurën, duke përfshirë edhe kostot financiare të udhëtimit të veprës nga Moska në GKA) dhe përfaqësuesin e Ambasadës, z. Shkëlzen Logu, Shabani u shpreh se mbi të gjitha duhet të çmojmë dhe vlerësojmë këtë gjest, i cili duhet të shërbejë edhe si një sensibilizim për çdo artist apo trashëgimtar koleksionesh, që të ndjekin të njëjtin shembull. “Kjo nuk është hera e parë që Galerisë Kombëtare i dhurohen vepra. Emra si Jan Dibets, Omer Kaleshi, Artur Tashko, Lika Janko, Fondacioni ‘Lin Delia’, së fundmi Peter Pocs etj., i kanë dhuruar vepra dhe koleksione këtij institucioni”, – u shpreh drejtori i GKA-së. Vlera monetare e veprës, e vendosur nga vetë dhuruesi, është 3 mijë euro. “Në këndvështrimin tonë, kjo është një vlerë e shtuar që i bëhet koleksionit të GKA-së, ndërsa akti i dhurimit, është një vlerësim më tepër për institucionin, në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit”, – deklaroi Shabani.

Ndërkaq, diplomati Logu vërejti se “ky është një portret që është realizuar gjatë vizitës së fundit të shkrimtarit Sterjo Spasse në Moskë, ku ka takuar edhe miken dhe kolegen e tij të fakultetit, piktoren Raisa Nikolaevna Zelinskaya – Plate”. Ai nuk e fshehu kënaqësinë që më në fund u bë e mundur sjellja e pikturës në atdheun e shkrimtarit. “Artistja ka qenë një mike e Shqipërisë, ashtu siç vazhdon të jenë edhe familjarët e saj. Unë uroj që ky rast të mos jetë i fundit dhe të pasohet nga gjeste të tilla”, -përfundoi Logu.

Vepra
Pas ceremonisë, i pyetur mbi vlerat e veprës, drejtori i GKA-së, piktor në profesion, u shpreh se “kjo është një pikturë ku shkrimtari pozon, e realizuar me dashuri e që përçon një lloj aristokracie. Do thosha që është një kompozim ku Spase shpërfaq edhe gjendjen e tij shpirtërore e psikologjike. E gjitha kjo është realizuar me mjeshtëri”. Shabani tha se ka qenë dëshirë e artistes që vepra të vinte në Shqipëri dhe këtë e realizoi i biri. “Piktura hyn në fondin gjeneral të GKA-së. Mbas testimit të gjendjes fizike, ajo do të restaurohet, do t’i vihet kornizë dhe më pas do të ekspozohet me një kavaletë të veçantë enkas për publikun shqiptar, si shenjë përkujtimore për 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, për t’i dhënë dinjitet veprës dhe gjestit të dhurimit, gjest që është për t’u vlerësuar”, – u shpreh drejtori i GKA-së, duke kujtuar se shumë donatorë kanë mbushur muzeumet me donacione nga koleksionet e tyre. “Sigurisht, jo me sforco, nuk është një pretendim i yni si institucion. Kjo, lind nga dëshira e mirë, nga kultura dhe nga ndjeshmëria që ka individi apo shoqëritë për të pasuruar institucionet e kulturës me kulturë”, – përfundoi prononcimin e tij për “GSH”, Artan Shabani.

Familja e Spasses
Nga ana tjetër, gazeta kontaktoi edhe të birin e shkrimtarit Sterjo Spasse, Ilinden Spassen. I pyetur mbi miqësinë e të atit me piktoren, ai tha se “im atë, ma kishte përmendur këtë pikturë. Më kishte thënë se një artiste ruse i ka bërë një portret. Jam i lumtur që ajo është tashmë në Tiranë dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve”, – u shpreh Spasse.

Një histori më të plotë të njohjes së Spasses me piktoren, miqësisë mes tyre dhe rrugëtimin e gjatë të veprës nga Moska në Shqipëri, na e tregon nipi i shkrimtarit, Arjan Spase. “Historia e portretit, për mua, është shumë interesante. Në fund të 2010-ës, shërbeja pranë Ambasadës tonë në Ëashington D.C.. Një koleg i nderuar, z. Ligor Cullufe, i cili punonte pranë Ambasadës në Moskë, më shkruan se kishtë parë një portret të Sterjo Spasses në një ekspozitë me piktura të autores Raisa Zelinskaya. Ekspozita ishte hapur nga i biri i autores, Felix Plate, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Ligori më tha se portreti mund të blihej dhe me ndihmën e tij u lidha me z. Plate. Ky i fundit me tregoi se në fund të viteve ’50-te, Zelinskaya me një grup piktorësh nga Moska vizituan Shqipërinë dhe aty u njoh me Spassen. Më pas u ritakuan në Moskë, ku Sterjo studionte në Institutin Gorki. Gjatë kësaj kohe ai pozoi për portretin, që besoj se nuk arriti ta shihte të përfunduar. Zelinskaya nuk e vizitoi më Shqipërinë dhe as Sterjo Moskën”-tregon nipi i shkrimtarit.

Arjan Spasse, mandej kujton se me Platen qe rënë dakord për çmimin, por nuk arriti ta merrte portretin. Problemi sipas tij, kishte të bënte me procedurat e komplikuara të Ministrisë ruse të Kulturës për shitjen dhe nxjerrjen jashtë vendit të veprave artistike më të vjetra se 50 vjet, të cilat konsiderohen si antikuare. “Nuk u bëra mbarë të vizitoj Moskën dhe, mesa duket, ‘sosi’ edhe durimi i mikut tim Plate”, thotë me të qeshur nipi i Spasses, Arjani.

Por, djali i piktores ruse, Felix Plate, me një gjest të jashtëzakonshëm bujarie vendosi t’ia dhurojë Galerisë Kombëtare të Arteve portretin e Spasses, pa e ditur se këtë po e bënte në vitin e 100-të të lindjes se tij. “Ceremonia e dhurimit përmes Ambasadës sonë në Moskë, u bë me 15 maj, në shtëpinë e të madhit Anton Çehov, ku Feliks Plate dhe Ambasadori ynë Sokol Gjoka nënshkruan kontratën e dhurimit. Ndonëse ndjej pak keqardhje që nuk munda ta blej portretin, ndihem mirë që ai do të jetë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare dhe do t’i ekspozohet publikut. Për më tepër, kam edhe një histori të bukur për t’ua treguar fëmijëve të mi”, -shprehet Spasse.

Piktorja
Raisa Zelinskaya (1910 – 2001) lindi dhe jetoi në Moskë. Ajo ishte e bija e një shkencetari të njohur rus, Nikolai Zelinsky (1861-1953), i cili shpiku kundragazin në Luftën I Botërore, dhe e pjanistes Evgeniya Kuzmina-Karavaeva (1881-1934). Zelinskaya studjoi muzikë dhe pikturë, por në fund vendosi të bëhej piktore. Mësuesit e saj ishin mjeshtrit e piktures ruse F.Rerberg, I.Grabar, A.Osmerkin, A.Yoganson. Në vitin 1946 u be anëtare e Bashkimit të Piktorëve Sovjetike.

Punimet e saj përfshijnë natyra të qeta, panorama, grafika, por më shumë preferonte të bënte portrete, ku konsiderohet mjeshtre e tyre. Ka punuar portretet e shumë shkencetarëve, shkrimtarëve, aktorëve dhe muzikantëve ruse. Punimet e saj më të mira janë ekspozuar në Galerinë Tretiakov të Moskës, në Muzeun Rus të Shën Petërburgut, në muzeume të disa qyteteve të Federatës Ruse, si dhe në Gjermani, Japoni dhe Moldavi.

Më Shumë

Kush është 29-vjeçarja shqiptare që përplasi për vdekje vëlla e motër në Kroaci!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Koraci dy ditë më parë, ku si pasojë e një aksidenti humbën jetën vëlla e motër, 21...

Moti sot: Me rrebeshe shiu dhe shkarkime rrufesh

Të enjten mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.   Sipas Meteo Kosova, gjatë orëve të para...

Lajmet e Fundit