13.8 C
Prizren
E diel, 12 Maj, 2024

Rrëfehet Tahiri: Santo nuk më telefonoi para vrasjes, hetimet e vështira

Saimir tahiriMinistri i Brendshëm, Saimir Tahiri, foli dje publikisht për çështjet më të diskutuara të sigurisë dhe rendit në Shqipërisë. Gjatë emisionit “Debati” në “Channel One”, të gazetarit Roland Qafoku, Tahiri e cilësoi Shqipërinë një vend më të sigurtë pas një viti qeverisjeje të PS-së. Lidhur me vrasjen e bankierit të njohur, Artan Santo, Tahiri tha se është një ngjarje e vështirë për t’u hetuar, pasi mungon totalisht informacioni. Tahiri foli edhe për marrëdhëniet me kolegët e tij deputetë në Partinë Socialiste, duke thënë se pavarësisht takimeve me ta, ai do të vijojë luftën ndaj kriminalitetit. I pyetur nëse do të kandidojë për kreun e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet që vijnë, Tahiri e mohoi duke thënë se është i fokusuar në detyrën që kryen.

A i keni realizuar të gjitha ato objektiva që kishit vënë që në 15 shtator 2013, kur morët detyrën?
Unë nuk mund të them se kemi realizuar gjithçka. Sigurisht, objektivat që vumë brenda një viti u realizuan, madje kemi kaluar edhe përtej. Dua të theksoj këtu se, Shqipëria ka më pak punonjës policie për banorë se në vendet e tjera. Ky shkon në raportin 1 me 460, ka zona ku shkon 1 me 3000. Për nga mosha, kemi policinë më të vjetër në Evropë, pavarësisht se ne kemi marrë masa për ta rinovuar Policinë e Shtetit. Na duhet domosdoshmërisht ta ngremë policinë në nivel të atillë, për t’i rënë pas parasë së krimit dhe mundësitë që ka sot bota e krimit për të kërcënuar deri diku edhe vendimmarrjen publike.

Zoti ministër, pas një viti Shqipëria është një vend më i sigurt?
Është absolutisht një vend më i sigurtë. Shifrat flasin vetë, krimet kundër personit janë ulur. Goditjet kundër grupeve kriminale janë rritur. Lufta dhe rezultatet kundër drogës janë rritur në mënyrë spektakolare dhe besimi i qytetarëve te Policia e Shtetit është rritur. Në mënyrë eksponenciale është rritur sot informacioni që ndan qytetari me Policinë e Shtetit. Sot Policia e Shtetit është një institucion që besohet. Nëse ka një gjë që kemi dështuar në 23 vjet për ta ngritur në nivelin e duhur është besimi te Policia e Shtetit. Nuk mjafton policia për të luftuar krimin. Nuk janë të pakta rastet kur policia ka arrestuar keqbërësit dhe gjykata i ka kaluar. Unë jam ministri i parë që ia kam drejtuar këtë shqetësim Presidentit të Republikës, me emra konkretë. Kjo nuk është kthyer kurrë në një çështje publike, me emra konkretë personi dhe kam gjykuar që është në interes të publikut që lufta kundër krimit nuk ndalon dot te policia. Janë qytetarët, janë institucionet, janë gjykatat, por për të ndërtuar besimin e qytetarëve duhet parë produkti.

Ju e keni me gjykatën, apo me prokurorinë?
Jo, nuk e kam me gjykatën. Problemi ynë i përbashkët është kapaciteti për të dhënë drejtësi në këtë vend.
Gjykatësit mendojnë se nuk mund t’i ndërhyni dot në punën e tyre, zoti ministër?
Unë di të them që sot qytetarët nuk marrin drejtësi. Gjykata tregohet e dobët përballë atij që ka lekë dhe e blejnë drejtësinë. Janë mbi 100 çështje dhe janë raste fatale, nuk mund të tolerohet. Unë s’kam se si ta besoj që policia të arrestojë një njeri me armë në brez, me armatim të rëndë dhe gjykata ta lirojë me detyrim paraqitje. Nuk kuptoj asnjë nga ata 100 që kam denoncuar. As sot s’kam një përgjigje nga Presidenti i Republikës.

Çfarë duhet të bëjë presidenti?
Unë nuk jam këtu për t’i çfarë të bëjë Presidentit të Republikës. Unë di të them çfarë nuk shkon. Policia po e bën detyrën, por shpeshherë puna e policisë sabotohet nga gjyqtarët që riciklojnë në shoqëri kriminelët.
Gjyqtarët thonë që policia kërkon të futet në kompetencat e tyre…
Do ta bëj deri në minutën e fundit që do të ushtroj detyrë publike. Kjo nuk është ndërhyrje në punën e askujt, por detyrë ndaj publikut.

A ka mbështetje politike krimi në Shqipëri?
Është e sigurtë që krimi dhe politika janë ndihmuar në mënyrë reciproke. Deri në momentin që kjo do të kthehet në fakt. Në 8 vitet e fundit politika diktonte Policinë e Shtetit për të bërë detyrën, por jo vetëm kaq, por duke diktuar edhe gjykatën e prokurorinë për të bërë detyrën, për të mos folur për degradimin e opozitës sot në një zëdhënëse të krimit. Unë e kuptoj që ka ngjarje kriminale që shqetësojnë publikun.

Në 2007 ka qenë numri më i ulët i vrasjeve në Shqipëri.. Pse nuk e thoni…?
Ne kemi tërhequr vëmendjen e qeverisë kur gjendja e rendit ka qenë e rëndë. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur qeveria e kaluar ka qenë palë edhe në korrupsion. Siç nuk kanë qenë të pakta rastet që qeveria e kaluar e drejtonte policinë me urdhra politikë. Sot kjo nuk ndodhur. Ka fakte të forta që dëshmojnë se Policia e Shtetit bën detyrën, pavarësisht ngjyrave politike. Sot të paktën kemi arritur një standard, sipas të cilit Policia e Shtetit nuk njeh më politikë, kufizimet e diktuara nga politika. Fatkeqësisht opozita vazhdon të synojë rrënimin e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit, sepse nuk arriti që t’i bënte në kohën që drejtonte vetë, aksionin e Lazaratit, aksionin e Dukagjinit, arrestimet e funksionarëve të lartë publike për korrupsion.

Mbështetje të politikës ndaj krimit, a bëni dallim majtas-djathtas?
Unë ua thashë nuk ka rëndësi politika në këtë histori. Ne kemi folur me fakte dhe po flasim përditë. Na vjen keq që opozita është katandisur në këtë nivel. I kam ftuar të bëhen pjesë e reformimit të policisë. I ftoj përsëri të heqin dorë nga vajtimet publike dhe t’i rikthehen rrugës për të shëndoshur institucionet. Opozita këtë punë nuk e bën dot. Opozita nuk tha një fjalë për aksionin e Dukagjinit.

Me opozitën nuk i keni punët mirë, po me deputetët e PS-së?Si komunikoni tani me zotin Doshi?
S’kam ndonjë koment specifik për sa më pyet. Marrëdhëniet e mia me kolegët deputetë janë ato që dihen. Kam marrëdhënie miqësore dhe institucionale.
Nuk kam asnjë merak për asgjë që kam bërë gjatë çdo sekonde në detyrën time dhe do vazhdoj të bëj gjatë gjithë ushtrimit të saj.
Ankesa më e madhe e deputetëve te kryeministri është që ju nuk u hapni telefonin atyre?
E keni gabim.. Jeni keqinformuar.

A keni ju të gjithë mbështetjen e deputetëve të PS-së?
Nuk është pyetja e duhur: a kam unë personalisht mbështetjen, siç besoj nuk do ishte pyetja e duhur t’i drejtohej çdo ministri. Ne kemi votuar një program në Kuvend. Unë kam besimin e kolegëve për të zbatuar atë pjesë të programit që ka lidhje me rendin e sigurinë. Këto nuk janë arritje të Saimir Tahirit personalisht, por janë të maxhorancës. Jemi e njëjta gjë, jemi me të njëjtin vullnet dhe forcë për të luftuar krimin.

A jeni takuar me zotin Doshin e Ndreu?
Takohem apo nuk takohem, kjo nuk lëviz asnjë centimetër në vullnetin tim për të luftuar krimin. Një ministër i Brendshëm largohet kur ka prekur në kallo krimin e organizuar.

A keni frikë se ju ndodh kjo?
Jo, fare. Po ndodhi kjo, sipas meje ka rënë shteti. S’ka lidhje fare me mua personalisht, apo me secilin ministër dhe që fatkeqësisht paska ikur nga detyra për këtë arsye.

Sa ju mbështet kryeministri Rama ju, në punën tuaj?
Kryeministri është njeriu që mban përgjegjësinë më të madhe ndër ne, si kryeministër, por edhe si kryetari i partisë më të madhe në maxhorancë. Dhe përtej frymës e harmonisë në ekip, sigurisht që i duhet të mbajë një pjesë të përgjegjësisë së secilit ministër. Unë jam vërtetë i lumtur që kam gjetur mbështetjen e tij të plotë.

Vrasja e bankierit Artan Santo, a ka një gjë të re kjo ngjarje?
Unë nuk mund të flas në publik për çështje konkrete. E kuptoj që është çështje me sensibilitet të lartë, për nga mënyra se si ndodhi, për zhurmën që shkaktoi. Unë e kam thënë publikisht dhe pavarësisht oportunitetit në duhet thënë apo jo, e besoj që ata që bënë ngjarjen kriminale, e zgjodhën jo pa shkak edhe vendin, edhe mënyrën dhe zhurmën. Hetimet janë të vështira në këtë rast. Nuk janë ndër çështjet më të lehta, përkundrazi. Po bëhet një punë e mirë lidhur me hetimet. Unë kam kërkuar edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Ka edhe përfaqësues nga organizatat partnere që na ndihmojnë duke rritur kapacitetin hetimor të grupit hetimor, por edhe mundësitë për të përdorur metodat më të fundit në hetime.

A besoni se do të zbulohet kjo ngjarje?
Është ngjarje e vështirë shumë. Kush është marrë me hetimin, me çështjet policore ka gjithmonë nevojë për pak fat. Ka ngjarje që zbulohen atëherë kur mungon informacioni, për Policinë e Shtetit mungojnë informacionet lidhur me kërcënimet, apo presionet që mund të ketë patur i ndjeri.

A patët telefonatë prej tij para vrasjes? Jo. A është treguar korrekte Policia e Shtetit, pas vrasjes?
Po. Po të ishte vepruar korrekt, do ishte bërë diçka… Mos bini në grackën e legjendave urbane që shpesh krijohen me keqdashësi në këto situata. Edhe ju mund ta provoni se në rast se do niseni të bëni një trajektore e të dilni për 7 minuta nga Tirana edhe ju mund të keni mundësi t’i shmangeni policisë. Kjo mund të ndodhë edhe në Romë, edhe në Athinë. Në këto raste policia është gjithmonë një hap më pas. Dhe nëse ka edhe pak fat mund të arrijë në objektiv. Është e pamundur të bëhet rrethimi i Tiranës, e çfarë thuhet.

Policia na ndalon në qendër të Tiranës kur futemi me të kuqe në semafor dhe si ka mundësi që në këtë rast nuk ndodhi asgjë. Kjo është habia e njerëzve?
Unë e dhashë përgjigjen time, megjithatë ngjarje të tilla në çdo vend të botës ndodhin dhe mos mendoni se policia i kap me gjurmimin e nxehtë që, vihu mbrapa dhe i kap. Ngjarje të tilla zbulohen dhe autorët dalin para drejtësisë, duke përdorur fluks informacioni, gjë që te ne mungon. Në çdo vend të botës do të ishte shumë më e thjeshtë për shkak të sistemit të kamerave, transaksioneve financiare mbi një shumë të gjurmohej që nga blerja e motorit ose vjedhja deri te rrugëtimi pas ngjarjes. Këto te ne mungojnë të gjitha dhe pastaj mbetet të kërkojmë përgjegjësinë tek ai polici që pse s’i shkoi pas apo pse nuk u rrethua Tirana. Nuk funksionon kështu.

Si janë marrëdhëniet me SHISH?
Institucionale.

Ju shkoni te zoti Visha?
Unë s’kam shkuar kurrë dhe zoti Visha nuk ka ardhur. Do ishim të kënaqur të kishim bërë më shumë.

Nuk ka dëshirë SHISH apo nuk ka zotësi?
Nuk di ta them. Por vetëm ditët e fundit kemi ngjarje kriminale nga oficerë të SHISH. Këtë ia kam shprehur edhe zotit Vishaj. Janë punonjës të emëruar rishtas.

Çfarë sfidash keni për vitin tjetër?
Sfidat janë të shumta, por zhvillimi i kapacitetit në Policinë e Shtetit dhe lufta ndaj krimit, zhvillimi i mundësisë për të ndërtuar dritare shërbyese, me mentalitet shërbëtori dhe revulocionarizimi i punonjësve të policisë në realitet për t’u perceptuar si shërbyes ndaj qytetarëve dhe si zbatues të hekurt të ligjit, ky është një objektiv madhor i këtij viti. Dhe e dyta, lufta ndaj korrupsionit brenda policisë. Lufta kundër korrupsionit brenda është mekanizmi më i fuqishëm për të garantuar integritetin e punonjësve të policisë. Duke filluar që nga mënyra e komunikimit në numrin 129 dhe kapacitetit reagues i policisë deri te proceset gjurmuese, investiguese…. Unë besoj që sfida jonë më e madhe është ndërtimi i besimit të publikut të policia. Komisariati dixhital është një objektiv dhe sfidë. Ky do të jetë një komisariat pa godinë. Ti do denoncosh para telefonit tënd, si të jesh në një komisariat, duke pasur hapësirën anonime, a qenë e nevojshme të shfaqesh, të ndash një informacion me ne. Fillimisht përqindja e informacionit do të jetë e madhe, mund të ketë edhe abuzime, por sikur edhe 1% të jetë e saktë, vlen. Një komshi që denoncon komshiun përballë për dhunë brenda familjes… Unë kam shumë besim që në fund të këtij mandati Policia e Shtetit do të jetë e denjë të krahasohet me ato në vendet e tjera të Evropës.

Aspironi për të qenë kandidat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit që vjen?
As e kam ndër mend, as e mendoj. Jam shumë i fokusuar te puna që bëj.
Kur hyra në zyrën tuaj, më bëri shumë përshtypje që Mozarti, ishte sfondi i punës suaj. Sa ju ndihmon?
Më ndihmon, sepse unë besoj që njeriu duhet të ketë një lloj entuziazmi në punën që bën. Është gjithmonë një betejë për t’u fituar me veten në mëngjes, para se të fitosh sfidat e detyrës. Jam shumë OK dhe Mozarti më ndihmon./GSH/

Më Shumë

Kosova bëhet me autoambulancë për foshnjat e porsalindura

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se dikasteri që ai udhëheq ka siguruar autoambulancë për foshnjat e porsalindura e cila përdoret për të...

Në Prizren vazhdon sekuestrimi i motoçikletave dhe gjobitja e kundërvajtësve (FOTO)

Me datën  8 dhe 9 maj 2024 policia në Prizren ka sekuestruar disa motoçikleta dhe u janë shqiptuar 563 gjoba për kundërvajtje të ndryshme...

Lajmet e Fundit