22.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Rruga e Kosovës drejt UNESCO-s, e pandalshme

Zyrtarët qeveritarë dhe njohësit e organizatave ndërkombëtare nuk besojnë se Serbia do të arrijë ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Edita Tahiri dhe Afrim Hoti kanë deklaruar për “Epokën e re” se rruga e Kosovës drejt këtij mekanizmi të rëndësishëm ndërkombëtar është e pandalshme, duke shtuar se përpjekjet e Serbisë për ta penguar këtë anëtarësim do të shkojnë huq.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se shtetet e ndryshme të botës në momentin e votimit do ta kenë parasysh rolin paqësor dhe stabilizues të shtetit të Kosovës në rajon.

“Serbia nuk mund ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, sepse Kosova tashmë është një shtet i njohur nga mbi 110 vende të botës, në mesin e tyre fuqi të mëdha botërore. Po ashtu, Kosova ka dhënë dhe po jep dëshmi si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Kosova është seriozisht e angazhuar për normalizim e marrëdhënieve ndërfqinjësore edhe me Serbinë. Ndërkohë që, me gjithë fqinjët e tjerë të rajonit, zhvillon politika të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal. Kështu që, mendoj se vendet e ndryshme të botës që do të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO do ta kenë parasysh rolin paqësor dhe stabilizues të shtetit të Kosovës në rajon”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka bërë me dije se angazhimet e Serbisë për ta penguar anëtarësimin e Kosovë në UNESCO dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë janë kundër frymës së marrëveshjes së Brukselit.

“Angazhimet e Serbisë, që ta pengojë në një mënyrë apo tjetër shtetin e Kosovës në politikën e jashtme dhe institucionet ndërkombëtare, nuk janë në frymën e marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore. Edhe pse verbalisht Serbia vazhdimisht pretendon se po punon për fqinjësi të mirë, në anën tjetër në forma në ndryshme bën pengesa”, është shprehur Tahiri, duke shtuar se veprime të tilla Serbia po bën vazhdimisht.

“Këtë e kemi parë edhe në procesin e zbatimit të marrëveshjes për bashkëpunimet rajonale, ku Serbia, në vend se të heqë dorë nga pengesat, ashtu siç është zotuar me këtë marrëveshje, ne kemi informacione se ajo kohë pas kohe angazhohet për të kundërtën. Kështu që, qëndrimi ynë është që Serbia duhet të jetë konsekuente në atë që në Bruksel dakordohet, shpreh gatishmërinë apo nënshkruan për normalizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Kosovën”, është shprehur ajo.

Edhe profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, beson se angazhimi i Kosovës dhe miqve të saj do të triumfojë në këtë rrugë karshi përpjekjeve të Serbisë dhe aleatëve të saj.

“Nuk besoj se Serbia do të mund ta pengojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO, sepse anëtarësimi është çështje e procedurës. Tash të dyja vendet janë duke lobuar për dhe kundër, mirëpo unë besoj se Kosova, me mbështetje të miqve, do të anëtarësohet në këtë mekanizëm dhe përpjekjet e Serbisë do të shkojnë huq”, ka thënë Hoti.

Ai ka deklaruar se UNESCO nuk ka vend për ata që aplikuan maksimën e “tokës së djegur”.

“Në UNESCO nuk ka vend për ata që aplikuan logjikën e ‘tokës së djegur’, në vend të ndarjes demokratike dhe kulturore të shteteve; njohën vrasjen dhe terrorin shtetëror në vend të demokracisë dhe të drejtave të njeriut; dhe dogjën, bombarduan e shkatërruan në mënyrë të planifikuar të gjithë tempujt fetarë gjatë luftës së Kosovës”, është shprehur Hoti.

Menjëherë pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), diplomacia serbe ka nisur një ofensivë diplomatike me aleatët e saj për ta penguar këtë anëtarësim. /Epoka e Re/

Më Shumë

Lajmet e Fundit