18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Shitblerja e votës si kangrenë

BesnikMustafajShkruan: Besnik Mustafaj

Është zyrtare prej shumë javësh: Prokuroria e rrethit të Korçës i ka pushuar hetimet për të dyshuarit në shitblerjen e votave gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarin e Bashkisë së Korçës nëntorin e kaluar. Ky allishverish i fëlliqur ishte kapur në flagrancë nga kamerat e fshehta të emisionit “Fiks Fare” në televizionin “Top Channel” dhe ishte denoncuar pastaj me forcë nga opozita para opinionit publik shqiptar dhe institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë zhvillimet politike në vendin tonë. Rrjedhimisht, Prokuroria e rrethit të Korçës, në zbatim të detyrimeve të saj kushtetuese, kishte çelur një proces hetimor. Sipas të gjithë gjasave, ata që blinin vota ishin aktivistë të Partisë Socialiste. Sipas Kodit Penal në fuqi, kjo përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burg nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Por, kundërvajtje penale përbën edhe shitja e votës dhe dënohet me gjobë. Pra, Kodi Penal në këtë pikë është i bërë mirë. Nuk lë jashtë përgjegjësisë as blerësin dhe as shitësin e votës. Në gjykimin tim, kryesore në këtë rast nuk është masa e dënimit.

Mjaft që ky dënim është penal dhe do e ndjekë gjithë jetën si një njollë turpi si blerësin, ashtu edhe shitësin. Kjo njollë turpi, e cila nuk mbetet vetëm në kujtimet individuale të fajtorëve, por edhe në letra, përbën një kujtesë të posaçme për të inkriminuarit, siç edhe për ambientin shoqëror përreth tyre. Jo më kot punëdhënësit, qofshin institucione shtetërore apo edhe kompani private, kërkojnë zakonisht nga punëkërkuesit të shoqërohen nga dëshmia e penalitetit krahas diplomave apo dokumenteve të tjera që dëshmojnë kualifikimet e tyre profesionale. Nuk është fjala këtu që fajtorët të përjashtohen nga shoqëria pasi kanë kryer dënimin. Fjala është vetëm për kujdesin e posaçëm që mjedisi shoqëror duhet të tregojë ndaj këtyre njerëzve. Recidivizmi është në dëm për ata që e bëjnë e po aq për mjedisin shoqëror

Sipas një kronike të botuar në gazetën “Panorama”, me burim grupin hetimor në Korçë, “totali i personave të pyetur për këtë çështje gjatë këtyre pesë muajve ka arritur në 110 veta”. Me siguri që po të vazhdonte hetimi deri në shterim, numri i të pyeturve do të rritej ndjeshëm. Ky fakt nxjerr në pah shtrirjen e gjerë të problemit, gjë që lejon të merret me mend edhe rëndësia e madhe që do të kishte pasur përmbyllja e kësaj historie me një proces gjyqësor serioz dhe thellësisht domethënës për shoqërinë.

Do ta kishin parë veten të treguar me gisht para gjithë Shqipërisë ata që blenë vota si dhe ata që shitën votat. Por, shpresoj, edhe ata që financuan një allishverish të tillë të shëmtuar dhe posaçërisht të dëmshëm për demokracinë. Sepse blerësit e pafytyrë nuk dolën në pazar me paratë e babait. Dikush e ka zgjidhur qesen dhe ky “dikush” nuk mund të jetë tjetër veç Partisë Socialiste drejtpërdrejt ose nëpërmjet sejmenëve të vet korruptues. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu.

Prokuroria i pushoi hetimet.Po sipas gazetës “Panorama”, Prokuroria e rrethit të Korçës e mori vendimin për t’i vënë kapak kësaj çështjeje në zbatim të ligjit të fundit për amnistinë. Përtej zemërimit tim, mbetem i bindur se një vendim i tillë është përgjithësisht i mbështetur në germën e ligjit. Por leximi i germës së ligjit nuk mjafton. Montesqieu, njëri nga udhërrëfyesit e mëdhenj të Revolucionit Frëng dhe të mbarë demokracisë moderne perëndimore, e ka shtjelluar gjatë rëndësinë parimore që ka marrja parasysh e frymës së ligjeve gjatë zbatimit të tyre pikërisht për t’i dhënë ligjit ndikimin e dëshiruar në mbarëvajtjen e shoqërisë. Sipas bindjes sime, në këtë rast Prokuroria e rrethit të Korçës, duke mbyllur hetimet për të dyshuarit për shitblerje vote, e ka shpërfillur në një mënyrë a në një tjetër frymën e ligjit për amnistinë. Pyetja që shtroj unë është nëse kjo shpërfillje ka ardhur nga padija e prokurorëve apo është e qëllimshme? Në mungesë të fakteve, po e lë secilin nga lexuesit të bëjë hamendjen e vet.

Megjithatë, përgjegjësia kryesore për mbylljen e kësaj çështjeje nuk bie mbi Prokurorinë. Kjo përgjegjësi bie mbi hartuesit e ligjit për amnistinë dhe mbi krejt Parlamentin që e votoi. Përveç dy zgjedhjeve të para, ato të vitit 1991 e 1992, të gjitha zgjedhjet e tjera shqiptare gjatë këtyre 23 vjetëve tranzicion janë kontestuar herë më fort e herë më zbehtë, si të manipuluara nga fituesit. Blerja e votës është përmendur dhe faktuar si një nga fenomenet më të përhapura gjatë këtyre manipulimeve. Nuk është vendi këtu të gjykojmë deri në ç’masë ka ndikuar shitblerja e votave në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Fakt është se ne kemi mbetur e vetmja shoqëri ndër të gjitha vendet ish-komuniste, ku vota shitet e blihet, vidhet e shpërdorohet si të ishte një mall i rëndomtë. Edhe ata që e kërkojnë votën, domethënë politikanët, edhe ata që e zotërojnë votën, domethënë qytetarët, duke e shndërruar atë në një mall të rëndomtë, përdhosin një nga fitoret më të rëndësishme që ka sjellë qytetërimi perëndimor për njerëzimin modern. Ky fakt përbën diçka më shumë se një turp të pashlyeshëm si për klasën politike, ashtu edhe për qytetarin shqiptar.

Në një masë shumë të madhe, dobësia e institucioneve të shtetit tonë i ka rrënjët te shitblerja e votave. Blerësi i votave ka blerë në të vërtetë pushtetin. Nuk mund të pritet prej tij të ketë respekt as për shtetin dhe as për popullin. Në vazhdim, korruptuesi nuk ka asnjë pengesë morale dhe madje as ligjore për t’u korruptuar qoftë edhe për “të rentabilizuar investimin”. Mjafton realiteti i shitblerjes së votave për të na e hequr të drejtën të kërkojmë një vend si të barabartë në tryezën e përbashkët europiane. Gjatë jetës sime politike kam bërë pesë fushata të mëdha zgjedhore. Ndonjë e kam humbur e ca i kam fituar. Kam kështu një përvojë të bollshme për të pohuar pa mëdyshje se “operatorët” e këtyre fëlliqësive me votat nuk veprojnë kurrë në kokë të vet. Ata e dinë fare mirë se po bëjnë diçka të paligjshme. Në thelb ata kanë mentalitetin e mercenarit dhe kërkojnë nga punëdhënësi i rastit – politikani- jo vetëm mjetet e nevojshme financiare, por edhe mbrojtje përballë ligjit.

Pak vjet më parë i kam kërkuar publikisht Sali Berishës, asokohe Kryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike, të distancohej haptas nga komisionerët e Ruzhdijes, duke i kujtuar se stërkalat e baltës, më shumë se mbi fytyrën e nxirë të atyre komisionerëve, do të binim mbi këmishën e bardhë të atij vetë si udhëheqës i procesit. Nuk e bëri. Atëherë nuk ka vend për çudi pse nuk e bëri një gjest të tillë as Edi Rama nëntorin e kaluar, kur shëmtia e ushtarëve të tij mori dhenë. Ashtu si peshku qelbet nga koka, edhe morali i politikës nga koka qelbet. Udhëheqësit tanë trashëgojnë në mënyrë të habitshme nga njëri-tjetri vetëm veset dhe, për më keq, i përsosin këto vese nga njëri brez në tjetrin. Në përgjigje të sulmeve të opozitës, Edi Rama pati thënë megjithatë diçka që vlente: kjo çështje është në duart e Prokurorisë.

Kësaj here ligjin për amnistinë e bëri Kuvendi, domethënë shumica qeverisëse. Dhe parashikoi ndër veprat penale që do të faleshin edhe këtë të shitblerjes së votave, duke pasur saktësisht parasysh mëkatarët e vjeshtës së kaluar. Që do të thotë se po Edi Rama ia hoqi këtë çështje Prokurorisë nga duart, duke shprehur kështu haptas një qëndrim të qartë ndaj këtij krimi. Dhe nuk e pati hiç të vështirë t’ia arrinte qëllimit jo thjesht pse zotëron vota me tepri në Parlament, por edhe se opozita, me bojkotimet e veta shpesh joserioze të seancave kur shqyrtohen apo votohen ligjet, nëpërkëmb në themel rolin e saj në shërbim të demokracisë. Jo se opozita do të mund ta rrëzonte në këtë rast vullnetin e shumicës.

Opozita do të mund të bënte megjithatë në kohë diçka të dobishme: denoncimin e së keqes. Dhe jo të ndodhte ashtu si ndodhi. Që opozita u zgjua nga gjumi kur gjithçka kishte mbaruar. Madje edhe Prokuroria e kishte mbyllur tashmë çështjen. Në këtë rast opozita vetëm u bë qesharake, duke akuzuar shumicën se e kishte ndryshuar ligjin fshehtas. Edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, nuk ka asnjë vlerë. Ligji është debatuar dhe votuar haptas, nen për nen e në tërësi, në seancë plenare, por opozita nuk ishte në sallë. Në demokraci nuk ka fushë më të përshtatshme për të zhvilluar betejën politike se sa salla e Parlamentit.

Ata faqezinj që kanë blerë vota bashkë me ata që financuan këtë pazarllëk të ndyrë, por edhe ata trutharë që shitën votat, dolën përsëri pa lagur. Si zakonisht. Kjo me siguri që nuk përbën ndonjë surprizë për ata vetë. Zhgënjim është për atë pjesë të opinionit publik, sado e vogël të ketë qenë kjo pjesë, që besoi se më në fund ne kishim një Kryeministër që do ta lejonte Prokurorinë të bënte punën e vet edhe kur ishte fjala për të vënë dorë mbi ata që i jepnin pushtet në mënyrë të paligjshme. Edi Rama me shumicën e vet dërguan me këtë rast një paralajmërim shumë të keq lidhur me zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të zhvillohen pas një viti. Do të doja të dija sa prej atyre që janë marrë në pyetje nga Prokuroria si të dyshuar për blerje votash, kanë tashmë punë të mira në administratën e kryetarit të Bashkisë të Korçës. Duke e ditur se këta lloj “operatorësh” shumëfishohen si vemjet në prag të zgjedhjeve, do të kishim kështu rast të përfytyronim çfarë pazari i madh do të çelet në vendin tonë në fund të pranverës së ardhshme.

Kryetari i ri i Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive njoftoi pak javë më parë në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit se, sipas një studimi nga ana e këtij Inspektorati, të zgjedhurit e rinj si parlamentarë kanë deklaruar të kenë në shtëpitë e veta afro 60 milionë euro. Qoftë edhe për këtë njoftim, më vjen t’ia uroj sinqerisht detyrën kryetarit të ri të ILDKP-së dhe nuk duhet të na vijë hiç keq ne demokratëve pse u zbua nga ajo punë Zana Xhuka, e cila hyri dhe doli nga ajo zyrë si një hije. Sipas bursës së pashpallur, çmimi i një vote në Shqipërinë demokratike është dukshëm më pak se pesëdhjetë euro. Kjo do të thotë se 60 milionët e ruajtur në sëndukë nga elita jonë politike janë një arkë e zezë me një thesar që del e tepron për të blerë afro një milion votat e shqiptarëve, që e sollën në pushtet kësaj here të majtën, por edhe gjysmë milionin e votave që shkuan në krahun tjetër.

Më Shumë

Ambasadori i Kosovës e pikturon qytetin e Prizrenit, ia bën dhuratë Presidentit të Portugalisë në takimin lamtumirës

Ambasadori i Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu, në takimin lamtumirës të tij me presidentin e Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, i ka lënë atij...

Publikoi video duke gjuajtur me armë, arrestohet malishevasi

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një burrë në Malishevë, pasi i njëjti kishte postuar në rrjete sociale video duke gjuajtur me...

Moti sot me diell

Lajmet e Fundit