8.8 C
Prizren
E diel, 12 Maj, 2024

Shqipëria, në arkivin e oficerit austriak

arkiva-me-foto-e-ushtarit-austriak-3Kur gjithçka ka mbaruar, ne mund të udhëtojmë në të shkuarën nëpërmjet fotove. Një foto, ndonjëherë ka aftësinë ta tregojë më qartë historinë. Erich Nachtmann, oficer logjistike në ushtrinë austro-hungareze, mbërriti në Shqipëri në fillim të vitit 1917. Në këtë kënd të panjohur më parë të Ballkanit, ky i ri austriak kërkonte të fokusonte në aparatin e thjeshtë fotografik që kishte marrë me vete, çdo detaj që i ngacmonte syrin. Pasioni për fotografinë kishte lindur herët te Nachtmann, i cili besonte se nëse lufta nuk do të kishte hyrë në jetën e tij, do t’i përkushtohej këtij profesioni, duke hapur një studio në qytetin e tij të lindjes. Gati një shekull më pas, fotot e shkrepura ashtu natyrshëm nga Nachtmann na sjellin imazhin e një Shqipërie të brishtë, në bardhezi, me rrugë e njerëz që të çojnë në një tjetër kohë. Në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar, këto foto pjesë e koleksionit të së bijës, vijnë në një ekspozitë të quajtur “Ballkani i vitit 1917?, bri së cilës ndodhen dhe vizatimet e artistit austriak të artit modern Leopold Forstner, mik i ngushtë i Gustav Klimt. Por ndërsa vizatimet e Forstner të japin ndjesinë e portreteve ballkanike, të njohur për syrin e një shqiptari, fotot e Nachtmann të grishin t’i shohësh më me kujdes. Personazhe dhe vende të Shqipërisë së 100 viteve më parë, zgjojnë kujtesën, duke e çuar drejt përfytyrimeve. E veshur me një fustan të bardhë të gjatë, mbi flokë ka sërish një kordele të bardhë, Mira, motra e nëntogerit Styblo, duket si një personazh i marrë nga filmat e vjetër të kohës. Në fakt, ajo qëndron bri një karroce me kuaj, duke biseduar me të vëllain, në një nga rrugët e Shqipërisë. Mira duket e qeshur, teksa shtrëngon dorën mbi fustan. Fotoja nuk e ka datën e shkrepjes, por duhet të jetë bërë në vitet 1917-1918, kohë të cilën Nachtmann e kaloi në vendin tonë.

Kuajt ishin një mjet i domosdoshëm dhe zëvendësonin mjetet e sotme publike në atë periudhë. “Bubi” quhej kali i preferuar i Nachtmann të cilin ai e ka sjellë në disa fotografi. Në një tjetër foto shohim vetë oficerin Erich Nachtmann, me mikun e tij, nëntogerin Bela Breuer. Nëntoger Georg Hollejcovskij von Slavetin me kalë dhe dhi para një kasolleje me kashtë, është një tjetër moment i shkrepur në atë periudhë. Një tjetër pasion i Erich Nachtmann ishin dhe kartolinat. Gjatë qëndrimit në vendin tonë, ai ka mundur të koleksionojë shumë syresh. Në një prej tyre gjejmë një shënim të shkruar me shkrimin e tij ku thuhet: “Këtu pata fatin të dëgjoja një koncert shumë të këndshëm”.

Sipas informacioneve të dhëna nga e bija, deri në vjeshtën e vitit 1918, ai kishte arritur të realizonte 107 fotografi dhe të blinte kartolina. Koleksioni i fotove u ka mbijetuar shpërnguljeve të shumta, ndër to ishte edhe humbja aq dramatike e atdheut të tij në vitin 1918. Duke qenë se oficeri i ushtrisë perandorake dhe mbretërore me origjinë nga Bohemia, refuzoi të shërbente në ushtrinë çekosllovake, iu desh të arratisej nga vendi i tij, që tani quhet Çekosllovaki.

Pasuria e tij mbeti atje. Është interesante të shohësh sot koleksionin e tij dhe të bësh një udhëtim jo vetëm në jetën e përditshme të ushtrisë shumëkombëshe, por dhe të botës shqiptare të atyre viteve. Jeta e ushtarëve austro-hungarezë vjen me të gjitha ndalesat e saj në vendin tonë. Shohim në foto gjeneral kolonel Karl Von Pflanzer-Baltin, një foto e marrë nga Biblioteka Kombëtare e Austrisë.

Në një tjetër shohim masivin shkëmbor të Tomorit në Jug të vendit. Një foto e bërë natën nga Lugina e Tomorricës, ku në plan të parë është çadra ushtarake austriake. “Kryetari i bandës” Kapedan Kajo, dhe disa nga luftëtarët e tij me oficerë dhe ushtarë të trupave perandorake dhe mbretërore është në një tjetër foto, shkrepur nga Nachtmann. 70-vjeçari Kajo, i njohur për egërsinë e tij, komandonte një nga grupet e luftimit e komandantit popullor dhe kryetarit të fisit, Selih Bej Butka, i cili luftonte në zonën e Strelcës kundër francezëve. Duket se ushtarët austriakë kishin arritur të komunikonin mirë me banorët, duke zënë dhe miqësi me ta. Diçitura e një prej fotove thotë: “Tek miqtë e mi në Stremen të Elbasanit Shqipëri”, çka tregon mikpritjen e njohur si një virtyt i yni si popull. Nuk mungojnë as pamjet nga kryeqyteti, Tirana, pamje që vijnë përmes imazheve të fermave të mbuluara, apo jetës. Elbasani është një tjetër qytet që mbartin disa foto. Jeta në këtë qytet është parë plot kuriozitet nga Erich Nachtmann, i cili ka shkrepur foto kudo, në treg, festa, apo rrugë. Pas kthimit në Austri, Nachtmann iu rikthye shpesh këtyre fotove që e çonin në kujtime larg. Gjatë gjithë jetës, ai mbeti i lidhur emocionalisht me vendin tonë.

“Shumë të cilëve u ra fati ta kryenin shërbimin ushtarak në një vend, i cili përgjithësisht konsiderohej si jomiqësor, kujtojnë vetëm jetën e vështirë që kanë bërë në Shqipëri. Ata që e konsideronin veten me fat, ishin ata që nuk morën me vete në shtëpi malarien apo ndonjë sëmundje tjetër të rëndë. Sigurisht ka vetëm pak nga ata që sot kujtojnë me kënaqësi përjetimet e tyre atje, veçantinë e vendit dhe të popullsisë… Për fat edhe unë hyra te kjo kategori njerëzish”, shprehej ai në kujtime. Ky koleksion sot është një mënyrë për të depërtuar ndryshe në kohë, dhe për të parë Shqipërinë e së shkuarës me vërtetësinë e një fotoje.

Miku i Klimt, vizatime për Shqipërinë

Ndryshe nga oficeri Erich Nachtmann, të cilit i pëlqente ta ndalonte kohën në fotografi, Leopold Forstner pëlqente të ndalonte me laps kohën. Dhjetëra portrete njerëzish të zakonshëm që takoi në Shqipërinë e viteve 1917-1918 shihen në vizatimet që nuk kanë mundur të prishen nga koha. Dallon në foto portrete burrash të veshur me veshjet karakteristike shqiptare, apo Parku Kombëtar i Elbasanit. “Forstner ishte një artist i kompletuar kur mbërriti me mision në Shqipëri. Më vonë, idetë dhe konceptet e tij artistike do të ndikonin tek emra të njohur të artit siç ishte dhe miku i tij Gustav Klimt. Është interesante, pasi koleksionin e vizatimeve nga Shqipëria ai e ka prezantuar në disa ekspozita jashtë. Në mbështetje të fondit të vejushave dhe jetimëve po prezantoj këtu në Stockerau vizatime nga Shqipëria”, thuhet në një letër të shkruar prej tij, që shoqëron ekspozitën e hapur me vizatime nga Ballkani gjatë pushimeve në vendlindjen e tij në afërsi të Vjenës.

Më Shumë

‘Karabashi’ u shënua pa asnjë incident në Prizren

Shën Gjergji u shënua dje  me gëzim në qytetin e Prizrenit, njohur ndryshe si 'Karabashi'. Kjo festë tradicionale shënon përfundimin e dimrit dhe fillimin e...

Moti sot me diell, por ngapak me vranësira

Moti sot në Kosovë do të jetë me diell, por do të ketë ngapak edhe vranësira.   “Për të hënën parashikohet të mbajë mot me diell...

Lajmet e Fundit