Është shtyrë për një datë tjetër, seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve në rastin e organizimit të ekskursionit në Shqipëri të maturantëve të shkollës “Remzi Ademaj” nga Prizreni.
Shtyrja e seancës është mundësuar pas kërkesës së bërë nga mbrojtësi i të akuzuarit, Sali Ademaj, avokati Hazër Susuri, i cili nuk është pajtuar me vlerësimet e ekspertit financiar, i angazhuar në këtë rast, duke kërkuar angazhimin e një eksperti tjetër.
Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, nuk e ka kundërshtuar propozimin e mbrojtjes, me ç’rast trupi gjykues, i udhëhequr nga gjyqtari Xheladin Osmani, ka pranuar kërkesën e mbrojtjes dhe seancën e ka shtyrë për 11 korrik 2017, me fillim në ora 09:00.
Hamdi Kastrati, në cilësinë e ekspertit financiar, të enjten, ka thënë se komisioni vlerësues i ofertave për ekskursion të maturantëve të shkollës “Remzi Ademaj” për në Shqipëri, nuk ka pasur asnjë anëtar profesional dhe nuk ka respektuar kriterin “oferta më e përshtatshme ekonomike”.
Eksperti Kastrati, këto deklarata i ka bërë gjatë seancës gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin penal ndaj drejtorit të shkollës “Remzi Ademaj” në Prizren, Sali Ademaj dhe përfaqësuesit të prindërve në komisionin përzgjedhës, Hamdi Zymeraj.
Kastrati tutje ka thënë se në listën e vlerësimit të komisionit, kompania turistike “Shpejtimi” renditet e para, ndërsa operatori fitues “Sharr Travel” e treta, andaj sipas tij, fituese është dashur të shpallej kompania që renditet e para. Po ashtu, ai ka thënë se vetëm rreth 9 mijë euro i janë paguar kompanisë fituese dhe as kompania e as gjimnazi në fjalë nuk kanë dokumente që dëshmojnë se është bërë edhe pagesa tjetër prej mbi 10 mijë eurosh.
Mbrojtja e ka kundërshtuar ekspertizën financiare të bërë nga eksperti i lartcekur duke thënë se ka bërë vlerësim të gabuar të gjendjes në terren dhe se ka vlerësuar gabimisht kriteret e konkursit, ku sipas tyre, ka vlerësuar me më shumë pikë autobusët e vjetër se ata rinj.
Prokuroria Themelore në Prizren, me 31 tetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Sali Ademajt dhe Hamdi Zymerajt, të cilët i akuzon se duke qenë anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e ofertave për ekskursionin e maturantëve të shkollës “Remzi Ademaj” në Prizren, kanë zgjedhur ofertuesin më të shtrenjtë.
Sipas aktakuzës, me këtë veprim, të akuzuarit kanë shkelur Udhëzimin Administrativ 3/2015, sipas të cilit duhej të zgjidhej operatori me i përshtatshëm ekonomik.
Andaj, sipas organit të akuzës, me këtë rast nxënësit janë dëmtuar për rreth 4.500 euro dhe njëkohësisht u janë shkelur të drejtat operatorëve tjerë konkurrues, të cilët kanë qenë më të lirë në çmim./betimiprdrejts/