Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka bërë me dije se logjika e shëndoshë dhe numrat në Kuvend tregojnë se në Kosovë nuk mund të ketë një qeveri pro evropiane dhe pro amerikane pa PDK-në.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka deklaruar se qeveria e ardhshme nuk mund të varet nga egot personale, por duhet të bazohet në një konsensus të gjerë dhe unitet politik. Sipas tij, këtë unitet e ofron vetëm PDK-ja. “Logjika e shëndoshë dhe numrat parlamentarë tregojnë se një qeveri pro – Evropë, pro – Amerikë dhe pro – progres nuk mund të bëhet pa PDK-në. Edhe ata që kundërshtojnë më së thelli publikisht dialogun me PDK-në, thellë në vete e dinë se që kjo Kosovë të ketë sukses në katër vjetët e ardhshëm, një qeveri nuk mund të varet nga egot personale, por duhet të spirancohet në një konsensus të gjerë dhe unitet. PDK-ja ofron këtë unitet”, ka thënë Selimi.
Ai ka treguar se nëse dikush mendon ndryshe, PDK-ja do t’i drejtohet sovranit, duke u shprehur i bindur në triumf. “Nëse dikush ka dëshirë ta kallë lojën duke u marrë me politika personale, ne do t’i kthehemi sovranit përsëri dhe nuk ka asnjë dyshim se populli do t’i dënojë rëndë ata që harrojnë principet duke u marrë me personat”, është shprehur Selimi.
I pyetur nëse PDK-ja ua ka ofruar postin e kryeministrit LDK-së, AAK-së apo Vetëvendosje!-s, ai ka thënë se nuk është i njoftuar për një gjë të tillë. Megjithatë, Selimi ka vlerësuar se partia më e madhe në vend për çdo partner të mundshëm ofron “Misionin e Ri” dhe Hashim Thaçin si burrështetas.
Ky i fundit, sipas tij, është njeriu më kredibil që mund të flasë në emër të Kosovës. “PDK-ja ofron dy gjëra: ‘Misionin e Ri’ si ofertë për të punuar shumë drejt zhvillimit ekonomik dhe Hashim Thaçin si burrështetasin e vetëm në Republikën e Kosovës me pëlqim dhe votëbesim nacional që është si motor në çdo mision që e merr e përfundon. A është kryeministri Thaçi pejgamber dhe perfekt? Larg qoftë! Asnjëri mbi tokë nuk është i tillë. A është njeriu më kredibil që mund të flasë në emër të Kosovës pa u skuqur për përkrahjen elektorale ose të bëmat e kaluara, besoj se numrat flasin vetë”, ka deklaruar Selimi, duke shtuar se deklarimet e partive të tjera, se gjoja PDK-ja ua ka ofruar postin e kryeministrit, bëhen për ta rritur pazarin në bisedë me njëra-tjetrën për poste./Epoka e Re/.