Festimi i 6 vjetorit të Pavarësisë fillon sot me shpjegimin nëpër të gjitha shkollat e Kosovës, ku ora e parë do t’i kushtohet kësaj feste. Nën organizimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë dhe qytetet tjera të Kosovës, si dhe në të gjitha ambasadat e Kosovës në botë, do të organizohen aktivitete me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Pasdite në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozitë e Koleksionit të “Marubit”. Ndërsa, nesër pasdite në Muzeun e Kosovës bëhet hapja e ekspozitës “Shkatërrimi i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë 1998-1999”.
Po ashtu, në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës në botë, organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse. Kurse, në ora 18:00, në Hotelin Swiss Diamond, mbahet koncert i tenorit Agim Hushi.
Festa vazhdon edhe me datë 16 shkurt, ku në Teatrin Kombëtar do të mbahet Koncerti Festiv i Ansamblit Kombëtar SHOTA.
Ndërkaq, në orën 19:30, në Hotelin Emerald, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, organizohet pritje solemne për mysafirë të ftuar.
E në ditën kur është shpallur pavarësia e Kosovës, do të bëhen homazhe para varrit të presidentit Rugova, homazhe para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz.
Ndërsa, në orën 11:00, është paraparë të mbahet mbledhja solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po në të njëjtën ditë do të organizohet pritje për mysafir të ftuan nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Festa do të vazhdojë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku në ora 12:00 do të organizohet manifestimi qendror, ku do të bëhet parakalimi i njësiteve të FSK-së, Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues. Në orën 14:00, po në të njëjtin shesh organizohet koncert për fëmijë, për të vazhduar me koncert me këngëtarët më eminentë të vendit, i cili do fillojë nga ora 20:00 deri në 22:30, ku edhe do të bëhet ndezja e fishekzjarrëve.
E sa i përket Komunave të Kosovës, që nga orët e mëngjesit do të fillojnë me homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës. Pastaj, do të organizojnë seanca solemne në Kuvendet e Komunave. Kurse, në mbrëmje do të organizohen koncerte në sheshet e qyteteve, dhe në përfundim bëhet ndezja e fishekzjarrëve.