14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Strukturat antike në Sheshin e Lidhjes në Prizren mbesin të harruara

Strukturat e një ndërtese të shekujve III-IV në qendër të Prizrenit janë duke u dëmtuar dita-ditës. Ekspozimi ndaj kushteve atmosferike ka bërë që themelet ngadalë të dekompozohen. Gropa në Sheshin e Lidhjes paraqet edhe rrezik për qytetarët. Nga ana jugore është e rrethuar me dërrasa, kurse nga ajo veriore, jo. Vegjetacioni ua ka humbur pamjen strukturave që dolën në pah në vitin 2014, derisa po punohej nga Komuna për rregullimin e asaj pjese.

Pavarësisht shkresave, dëgjimeve publike e takimeve që kanë pasur udhëheqësit institucionalë, ende nuk ka një zgjidhje për këtë lokalitet. Madje nuk ka as ndonjë afat për këtë, pavarësisht se secili institucion verbalisht paraqitet i gatshëm për bashkëpunim.

Instituti Arkeologjik i Kosovës përmend tri propozimet që i ka dhënë për dukjen e hapësirës. Vitin e kaluar pas dëgjimeve publike i kishin rekomanduar Këshillit të Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit që të miratohej një nga propozimet. Kurse nga Komuna kishin kërkuar mbështetje financiare e leje pune. Prej asaj kohe, pavarësisht një takimi ndërinstitucional në pranverën e sivjetshme, nuk është bërë asnjë hap për zgjidhje praktike.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se është bërë skicimi se si do të duket kur të përfundojë puna.

“E kemi dorëzuar në Komunë. Ka mbetur çështja e financimit, pasi Komuna ishte duke punuar aty. Komuna nuk i ka marrë përgjegjësitë. Ne i marrim përgjegjësitë tona. Kemi bërë gërmimin dhe kemi punuar koncept-dizajnët”, ka thënë Rexha. Sipas tij, Ministria e Kulturës është në dijeni të punës që Instituti Arkeologjik i Kosovës ka bërë në atë lokalitet.

“Mbetet në kuadër të Komunës që të vendosë se si do të veprohet më tutje. Sikur të ishte në përgjegjësi të IAK-së do të përfundonte puna. Ka mbetur në mëshirë të institucioneve”, ka thënë ai.

Zyrtarët e Komunës së Prizrenit po ashtu paraqiten të gatshëm për të bashkëpunuar.

Drejtoresha e Drejtorisë për kulturës në Komunën e Prizrenit ka thënë se në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës, Ministrinë e Kulturës dhe institucionet e tjera janë duke punuar për të bërë një zgjidhje për strukturat antike të Sheshit të Lidhjes. Sipas saj, sa më shpejt që rregullohet ajo pjesë është më mirë për qytetarët dhe institucionet.

“Nuk ka ndonjë afat, por sa më shpejt që bëhet është aq më mirë për të gjithë”, ka thënë Rexhepi.

Edhe Ministria e Kulturës paraqitet e gatshme për bashkëpunim.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS ka thënë se Komuna e Prizrenit ka kërkuar ngushtimin e hapësirës. Sipas saj, propozimet e Institutit Arkeologjik të Kosovës duhet të merren parasysh dhe të zgjidhet një prej tyre. Aliu ka thënë se propozohet që një pjesë të mbulohet me xham.

Më Shumë

MKRS-ja shpall thirrjen për art, kulturë dhe trashëgimi kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar se ka shpallur thirrjen publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore...

Zhduket një e moshuar në Rahovec

Një grua e moshës 86-vjeçare është zhdukur në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ndërsa operacioni për kërkimin e saj ka filluar. Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të...

Lajmet e Fundit