Vetëm kur përballesh me tragjedinë, krimin e kupton se ç’përmasa kanë ato. Vetëm kur kapërdin dhimbjen për një qëllim sublim, e kupton sa i fortë je. E dikush e kupton se sa është i dobët vetëm kur kapërdin turpin. Në emër të paqes së shpifur.
1.Nuk e kisha guximin t’i propozoja që të bëhej pjesë e një programi shkëmbimi gazetarësh ndërmjet Kosovës e Serbisë. Kishte humbur vëllanë në luftë dhe ndieja keqardhje t’ia përmendja Beogradin. Por kolegia ime nga Gazeta Express, sapo e mori vesh për çfarë bëhej fjalë, u tregua e gatshme dhe e vendosur që të shkojë në kryeqytetin serb. Donte të vizitonte vendin ku u hartuan planet shfarosëse ndaj atyre që kërkonin liri. Donte të shkonte dhe të takohej me kolegë gazetarë atje jo për të treguar historinë familjare dhe për të shprehur dhimbjen e saj, por për të treguar profesionalizëm dhe forcë prej njeriu, në kryeqytetin ku krimet urdhëroheshin e planifikoheshin. Ajo kapërdiu dhimbjen, në vendin ku ajo shtohet dhe bëhet e padurueshme.
2.
Thuajse në të njëjtën kohë, pjesë e të njëjtit program u bë një gazetar nga Beogradi. Pas disa ditë qëndrimi në Prishtinë, më tha se dëshironte të shkonte në Skënderaj, por kishte frikë. Më tha, po ashtu, se dëshironte të shohë me sytë e tij atë vend, për të cilin në Serbi ekzistonte një përshtypja e gabuar.
U nisëm drejt Skënderajt, por më përpara shkuam në Prekaz. Qëndruam gjatë, duke i shpjeguar, bashkë me ciceronin e kompleksit përkujtimor gjithë çfarë kishte ndodhur aty.
Ai nuk i përballoi dot rrëfimit rrëqethës, as varreve të Jasharëve kur u përkul para tyre. Ai kapërdiu lotët, në vendin ku dhimbja bashkëjeton me të gjallët. Ndërkaq, Skënderaj ia demantoi paragjykimet raciste të miqve të tij.
3.
Nuk është e lehtë që të ekspozosh tragjedinë që i ka ndodhur familjes tënde. Nuk është e lehtë të ekspozosh krimin – në kryeqytetin që ideoi dhe kreu atë. Këtë mund ta bëjnë vetëm të shpëtuarit e masakrës së Familjes Bogujevci, të cilët në qendër të Beogradit hapën ekspozitën “Bogujevci– historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”.
Saranda, Jehona e Fatos Bogujevci ia mësynë Beogradit jo për t’u hakmarrë, por për t’ua përplasur në fytyrë të vërtetën e dhimbshme dhe tragjedinë e tyre familjare të gjithë atyre që nuk gjejnë forcë ta pranojnë se shteti, në emër të tyre, kreu masakra të tmerrshme në Kosovë.
Ata ia përplasën fytyrës edhe vetë kryeministrit serb, Ivica Dacic gjithë fotografinë e tmerrit që shkaktoi shefi i tij, Slobodan Milosevic, në kohën kur ky po e lartësonte krimin në emër të luftës për shfarosjen e shqiptarëve.
Ata bënë atë që rrallëkush mund ta bëjë. Nuk është e lehtë të ekspozosh tragjedinë tënde familjare në vendin ku u planifikua dhe u urdhërua krimi – para njerëzve që tumirën e ndihmuan atë. Para njerëzve që detyrohen të kapërdijnë krimin – e bashkë me të edhe turpin se heshtën, kur u desh të flasin.
4.
Një gazetë sivjet e pati lajm për një prillin, por dikush e mori seriozisht – Hashim Thaçi e Ivica Dacic, bashkë me Catherine Ashton, u nominuan për Çmimin Nobel për Paqe.
Në njoftimin e një grupi ligjvënësish amerikanë, të cilët edhe ishin iniciatorë të nominimit të tyre, si arsye për këtë përmenden rolin e të dy kryeministrave në normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.
Nuk është kurrfarë privilegji të nominohsh për Nobel bashkë me Dacicin, i cili ende personifikon Milosevicin dhe të kaluarën e mbytur në gjak e krime. Me Dacicin, toka e shtetit të të të cilit ende mban brenda eshtrat e qindra të vrarëve nga regjimi të cilit i përkiste. Me Dacicin, i cili as nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë dhe i cili vazhdon ta sabotojë dhe dëmtojë, e assesi ta njohë si të pavarur, shtetin e Kosovës.
Të pranosh të nominohesh bashkë me Dacicin për Nobel don të thotë të kapërdish turpin.
5.
Vetëm ata që i kanë humbur më të dashurit e tyre në luftë e dinë se çfarë don të thotë dhimbje. E dinë se çfarë don të thotë dhimbje vetëm ata që nuk e dinë ku i kanë eshtrat e familjarëve.
Dhe dhembja mund të zbutet atëherë kur dihen varret e të vrarëve e të masakruarve. Dhe paqja mund të ndodhë atëherë kur keqardhja dhe kërkimfalja vijnë të sinqerta nga Beogradi, atëherë kur përgjëgjësia për krimet dhe terrorin pranohet, ashtu siç pranohet Kosova si shtet fqinj i Serbisë.
Deri atëherë të tjerë njerëz si kolegët e mi do të gjejnë forcë për t’u përballur me dhimbjen, të tjerë do të thyejnë paragjykime e mbase të rinj të tjerë, si Bogujevcët, do të rrëfejnë tragjeditë familjare.
Edhe të rinj serbë mund të ekspozojnë krimin ndaj familjarëve të tyre në Prishtinë. Sepse, vetëm kur përballesh me tragjedinë, krimin e dhimbjen, e kupton se ç’përmasa kanë ato. Vetëm kur kapërdin dhimbjen për një qëllim sublim, e kupton sa i fortë je. E dikush e kupton se sa është i dobët vetëm kur kapërdin turpin. Në emër të paqes së shpifur./Express/