18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Thaçi vs Mustafa, një analizë pa më ndryshe

opinion 23Shkruan: Faton Limani
Në mungesë mendimit të sinqertë të shoqërisë civile e cila tashmë është rehatuar ëmbëlsisht në prehrin e liderëve dhe në mungesë të analistëve të rinj të pavarur – marr të drejtën të jap ca komente dhe parashikime lidhur me zgjedhjet e 8 Qershorit, kryesisht duke analizuar PDK-në dhe LDK-në si forcat më reale që tentojnë të fitojnë pushtetin. Do të tentojmë të bëjmë një analizë të faktorëve kryesor që pritet të jenë determinant ditën e votimit, siç janë: partia, lista e kandidatëve dhe profilet e tyre, qasja ndaj shtetit dhe qeverisjes etj.

KOALICIONET PARAZGJEDHORE:

Njerëzit që e njohin për së afërmi Thaçin tregojnë se ai është strateg i vërtetë kur është fjala për bashkëqeverisje apo koalicione, ndërsa motoja e tij është: “Nëse duash të mbashë pushtetin, duhet edhe të ndashë atë”, thënie që e vërteton qeverisjen e tij me ekzekutivin prej 2007-ës. Bërja e koalicion e PDK-së me Partinë e Drejtësisë, Lëvizjen për Bashkim dhe PSHDK-në dhe pozicionimi i kandidatëve të këtyre partive në pozita të larta në listën e përbashkët për deputetë e vërteton edhe njëherë këtë tezë. Gjithsesi, ky është një koalicion i imponuar dhe jo natyral, por i domosdoshëm për një qeveri eventuale Thaçi III. Njëkohësisht, votat që do vijnë nga ky koalicion do të jenë të mjaftueshme për të rikuperuar rrjedhjen e votave në drejtim të “Nismës për Kosovën” dhe ruajtjes së një diference solide kundrejt LDK-së. Në këtë drejtim, LDK-ja e Isa Mustafës çalon shumë dhe nuk arriti të fus në orbitën e saj asnjë parti relevante, që të paktën do t’i siguronte 7-8 mijë vota më shumë, madje nuk arriti të bind as AKR-në e Behxhet Pacollit për koalicion parazgjedhor të përbashkët. LDK nuk arriti të rikthej në gjirin e saj as LDD-në e akademik Nexhat Dacit, që si parti ndoshta nuk ka ndonjë peshë elektorale të veçantë, por gjithsesi mesazhi i unifikimit do të jepej gjithandej dhe garda e vjetër e Rugovistëve do të ndjeheshin krenar dhe ndoshta mund të kishim një riaktivizim të asaj pjese të fjetur të LDK-së pas ndarjes së dhimbshme të 2006-ës. Po ashtu, çdo takim i Mustafës me Pacollin këto ditë është tentativë për manipulim të opinionin se “ja LDK-ja ka siguruar koalicionin pas zgjedhjeve” dhe tenton në një mënyrë të neutralizoj koalicionin parazgjedhor të PDK-së me PD-në dhe LB-në. Qartë e lexueshme në opinion dhe pa asnjë efekt elektoral, sepse votat e koalicionit të PDK-së do të numërohen bashkë, ndërsa votat e koalicionit të pashpallur LDK-AKR ndaras dhe kjo do e bëj dallimin.

QASJA NDAJ FUSHATËS DHE PREMTIMET PARAZGJEDHORE:

Thaçi në këtë fushatë paraqitet si një opozitar i etshëm për pushtet dhe shumë energjik, pa marrë parasysh se ka plotë shtatë vite që udhëheq vendin, ndërsa në anën tjetër kemi kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, i cili që në start duket tepër i lodhur dhe në stilin me “duar në xhepa”, stil i cili i shkaktoj humbjen në kryeqytet jo më larg se para 6 muajve. Thaçi në këto zgjedhje paraqitet edhe si një reformator edhe si një veteran, ndërsa kërkon votën edhe për atë që ka realizuar, por edhe për atë që do bëje në të ardhmen. Premtimet e tij janë të mëdha dhe prekin shtresa të gjëra në popull, disa janë të pa realizueshme realisht, disa edhe nuk varen aq nga Qeveria e Kosovës (si çështja e liberalizimit të vizave, çështje e veriut apo mandati i EULEX), por disa premtime si: rritja e pagave në sektorin publik dhe arsim, infrastruktura apo subvencionet në bujqësi janë të prekshme për popullatën, gjë që mund të ndikoj në konvertim në votë për PDK-në dhe Thaçin. LDK-ja dhe Isa Mustafa janë të penalizuar në këtë drejtim, sepse Komuna Prishtinës e cila ndoshta e ka peshën e një çerekut të Qeverisë dhe që është udhëhequr tradicionalisht nga LDK dhe kandidati i tanishëm për kryeministër, Isa Mustafa, nuk ka se me çka të “lavdërohet”. Prishtina nuk ka bërë asnjë lëvizje pozitive në infrastrukturën lokale, zhvillim të arsimit, ekonominë lokale apo sigurimit të ujit të pijshëm për nevojat e qytetarëve. Madje, është qesharake të premtosh se krejt Kosova do të ketë ujë të pijshëm për 6 muaj, kur se ke bërë vetëm për kryeqytetin këtë gjë me vite të tëra. Nga ana tjetër, premtimet e Thaçit janë edhe realizuar, kemi rrugë të ndërtuara, subvencione të dhëna, rritje pagash etj. Qasja e Thaçit në fushatë është se ai thotë “ne do fitojmë se edhe kemi punuar edhe se kemi mision të ri”, ndërsa qasja e Mustafës është diametralisht tjetër, ai thotë në një mënyrë indirekte: “ne do fitojmë se populli na ka borxh dhe ne vërtetë e duam pushtetin”. Sipas meje, qasja e Mustafës është e gabuar, sepse ai nisur nga ky koncept humbi zgjedhjet për Prishtinën, sepse sot askush nuk të ka borxh të të jep votën ty të jesh në pushtet, nëse vërtetë nuk e bindën të të votoj. Mund të duket edhe krahasim subjektiv, por megjithatë nëse i bëni një analizë të thellë, do të vërtetoheni edhe ju.

LISTAT E KANDIDATËVE:

Edhe në këtë drejtim Thaçi ka luajtur me mjeshtëri lojën, edhe pse listat janë të hapura dhe votat janë preferenciale sa i përket votimit të kandidatëve. PDK në krye të listës ka bërthamën e partisë, ekzekutivin e kaluar, prurjet e reja dhe partnerët e koalicionit. Në listë janë të përfshirë edhe të gjithë ato që kanë kontribuuar për PDK-në që nga themelimi i saj edhe pse kishte zëra tendencioz se Thaçi do të distancohet nga shokët e idealit dhe do të ndryshoj imazhin e partisë nga “parti e luftës” në “parti joqeveritare”. Nga ana tjetër, LDK-ja e Isa Mustafës ka një listë që përbëhet plotësisht nga figura të njëjta, që ndoshta në këto zgjedhje garojnë edhe për të 10 herë për deputetë. Prurjet e reja i kemi të renditura shumë poshtë, ndërsa e bija e Presidentit Rugova, Teuta Rugova, është nënçmuar me vendin e 12-të, madje para saj janë Eqa dhe Skenderi. Megjithatë, fakti që listat janë të hapura, nuk jep hapësirë shumë për komentim të renditjes së kandidatëve. Gabim epokal i Isa Mustafës dhe LDK-së është lënia anësh e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, i cili gëzon një autoritet të lakmueshëm në të gjitha strukturat e LDK-së. Pesha e Fatmir Sejdiut në LDK do të ishte e ngjashme si të koalicionosh me AKR-në ose PD-në e Aganit. Në asnjë mënyrë Fatmir Sejdiu nuk duhej të mbetej i papërfshirë në listë, por si duket Isa Mustafa më mirë ri në opozitë edhe katër vite, se sa të rrezikoj të fut “ujkun” në oborr dhe t’ja merr fronin. Si konkluzion, Thaçi arriti t’i bëj bashkë të gjithë rreth PDK-së, madje edhe partitë me koncepte diametralisht të kundërta si PD, LB, PSHDK, ndërsa Isa Mustafa nuk arriti të “rikthej” në LDK as ish-presidentin e vendit dhe ish kreun e kësaj partie, e jo më të bind që një parti tjetër t’i bashkohet. Strategji e dobët, me pasoja të pariparueshme! PDK edhe në këtë aspekt është në avantazh.

ZGJEDHJET E FUNDIT LOKALE:

LDK-ja dhe Isa Mustafa rezultatin e zgjedhjeve të fundit lokale e kanë interpretuar ashtu siç kanë dashur ato, duke mos pranuar asnjëherë të dhënat zyrtare të KQZ-së që thoshin se LDK është forca e dytë dhe PDK e para. Humbja e Prishtinës që është udhëhequr tradicionalisht nga kjo parti, madje edhe nga vet kryeministri i nominuar, Isa Mustafa, nuk mund të anashkalohet dhe ishte goditje e rëndë për të gjithë LDK-në, nga që përveç prestigjit që ka udhëheqja e kryeqytetit, më e dhimbshme është se atë e humbi kandidati i tashëm për kryeministër, Isa Mustafa. Rezultatet pozitive të LDK-së në disa qendra të mëdha urbane nuk i referohen kryesisht ngritjes së kësaj partie, por më shumë vullnetit opozitar për ndryshime që u krijua në prag të zgjedhjeve lokale, ku këtij vullneti ju dorëzua edhe vet Isa Mustafa në Prishtinë. PDK në zgjedhjet e fundit edhe pse humbi disa komuna urbane, fitoi në rang vendi dhe ka numrin më të madh të këshilltarëve komunal. “Nisma për Kosovën” e udhëhequr nga Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi pa dyshim se do të godas PDK-në, por goditja kësaj here do të jetë më e vogël se sa në zgjedhjet lokale sepse kjo nismë ka vepruar edhe në zgjedhjet lokale edhe pse në forma joformale, sepse njerëzit e kësaj nisme bojkotuan PDK-në nëpër komunat tjera ku nuk kishin kandidatë apo votuan kandidatët kundërshtarë. Tashmë kjo nismë është zbehur. Kjo “goditje” do të jetë shumë më e vogël se goditja që do merr LDK-ja nga Fatmir Sejdiu.

PARASHIKIMI I REZULTATEVE:

Fitorja e PDK-së duket se është e pashmangshme, ndërsa dallimi PDK-së dhe LDK-së do të jetë 4-5 deputetë. AAK do të del forca e tretë dhe me 3-4 deputetë në epërsi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje! AKR është e destinuar të mos e kaloj pragun, ndërsa vetëm mrekullia apo milionat e Pacollit do e shpëtojnë. Lidhur me këtë, AKR nuk ka asnjë të drejtë t’ju referohet fitoreve në Gjakovë apo Mitrovicë, sepse ato janë fitore të pastra individuale të Mimozës dhe Agimit dhe aspak nuk janë fitore të konceptit politik të AKR-së.

Më Shumë

Aktorë me renome po e përcjellin Festivalin ‘PrizrenFest’

Me yjet ndërkombëtare si Marie Christine Barrault nga Franca, Pippo Delbono nga Italia, Fatemeh Motamed-Arya nga Irani, fituese e shumë çmimeve e shumë artistë...

Sekuestrohen dy armë në Rahovec

Janë sekuestruar dy armë në Rahovec dhe është iniciuar rast “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. 0Sipas një komunikatë të dërguar...

Lajmet e Fundit