9.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Tre shkrimtarë shqiptarë në garë për Çmimin Letrar të BE-së

Tri vepra letrare të shkrimtarëve shqiptarë janë në garë për Çmimin Letrar të Bashkimit Evropian për këtë vit. Azem Deliu, Majlinda Bregasi dhe Shpëtim Selmani janë në mesin e 47 finalistëve nga 13 vende. Sipas autorëve, globalizimi dhe rrethanat e reja po ua bëjnë atyre më të lehtë që të jenë nëpër gara për çmime të tilla së bashku me shkrimtarët e tjerë nga vende të ndryshme të botës.

Çmimi Letrar i Bashkimit Evropian u ndahet shkrimtarëve nga 41 vende, të cilat janë pjesë e programit “Evropa Kreative” – një iniciativë për të forcuar kulturën evropiane.

Çmimi për herë të parë ishte ndarë në vitin 2009 dhe që atëherë janë përzgjedhur 122 fitues nga 11 edicione. Fituesit e edicionit të sivjetmë do të shpallen më 19 maj. Shkrimtari 24-vjeçar, Azem Deliu, është në garë me “Shënimet e Krimbit Smolinski” botuar nga “Onufri” para dy vjetëve. Shkrimtarja Majlinda Bregasi garon me romanin “Gërsheti i prerë” botuar vitin e kaluar nga Botimet KOHA, e shkrimtari Shpëtim Selmani me librin poetik “Libërthi i dashurisë”, botuar vjet nga “Armagedoni”.

Çmimi i Bashkimit Evropian për letërsi synon afirmimin e kreativitetit dhe diversitetit gjuhësor e kulturor në letërsinë bashkëkohore të Evropës. Ky është edicioni i dymbëdhjetë i Çmimit të BE-së për Letërsi (EUPL) dhe Kosova merr pjesë për herë të parë. “Gërsheti i prerë”, nga shkrimtarja Majlinda Bregasi, sjell historinë e tri gjeneratave, tri vendeve, tri kohëve, që kapërdredhen me njëra-tjetrën tek zbulon situata ekstreme.

“Dashuri e konflikt, pasion e rebelim, çmenduri e frikë, liri e izolim, ky është dualizmi brenda të cilit përplasen personazhet. Tri gra, tri botë të ndryshme që jetojnë brenda njëratjetrës pavetëdijshëm, mblidhen për t’u njohur, si një gërshet i përdredhur, i cili na shpie në botën e misterit që mbulon raportin mes prindit e fëmijës”, është përshkrimi i romanit që e vë në mesin e finalisteve nga Kosova, autoren Majlinda Bregasi. Sipas saj, ky është një privilegj i madh.

“Është hera e dytë që Kosova më vlerëson kaq lart, çmimi ‘Anton Pashku’ për romanin ‘Ikje’, botim i ‘KOHËS’ i vitit 2016, dhe ky nominim ka një vlerë shumë të madhe për një autor. Për mua kjo ka një kuptim shumë të madh, asnjë libër i imi nuk gjendet nëpër libraritë e Shqipërisë, edhe pse atje është vendlindja ime, e në këtë pikë e ndaj fatin me gjithë ata autorë të Kosovës që botojnë me shtëpi botuese në Kosovë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, shkrimtarët duhet urgjentisht t’i thyejnë kufijtë e artit, pasi që është absurde mendimi se mund të ketë dy lloj letërsish shqipe apo tri a katër.

“Qeveritë shqiptare na kanë përbuzur në pikën më ekstreme, është momenti ta kuptojnë se ne nuk jemi kllounët që të na thërrasin sa herë iu duhemi, se ato pa ne nuk munden, ndërsa ne pa to funksionojmë mrekullisht”, ka thënë Bregasi, e cila përveç që është shkrimtare është edhe gazetare dhe gjuhëtare.

Më Shumë

Restaurohet shtëpia tradicionale e shek. XVIII e Adem Aga Gjonit në Prizren

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se njëra prej shtëpive më të bukura në Prizren po i kthehet shkëlqimi. Bëhet fjalë...

12 vite nga vdekja e shkrimtarit arbëresh, Ernesto Sabato

Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një...

Lajmet e Fundit