13.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Ukshin Hoti-një doktrinë për modelin europian

Arben Fetoshi

Në Strategjinë e BE-së për Zgjerimin, të publikuar në shkurt 2018 me titull “Një perspektivë kredibile për Ballkanin Perëndimor”, Serbia është kushtëzuar edhe formalisht, pra në mënyrë eksplicite, për një Marrëveshje Ligjërisht Obligative me Kosovën në kuadër të Dialogut Politik për normalizimin e raporteve. Vetëm tre muaj më vonë, në Sofje, në Samitin me Ballkanin Perëndimor, BE-ja e trajtoi Kosovën si partnere, me gjithë kundërshtimin e ashpër të Spanjës.

Kumtesën time e nisa me këto dy zhvillime aktuale, jo thjesht për ta pohuar që në fillim gjenialitetin politik të Ukshin Hotit, të matur me saktësinë e parashikimit, por sidomos për ta vënë në pah rëndësinë aktuale që ka filozofia e tij, si një platformë e qartë, konsistente dhe gjenerative, për të ardhmen tonë politike.

Rikthimi i vëmendjes së BE-së në Ballkan 15 vjet pas Samitit të Selanikut dhe kushtëzimi i Serbisë me Kosovën, konfirmojnë vizionin e Ukshin Hotit se “historia e Europës së bashkuar do të fillojë doemos nga fakti se si do të zgjidhet problemi shqiptar”.

Ndonëse Republikën e konsideron zgjidhje të pjesshme dhe paliative, ajo është realizim i njërit nga interesat vitale të kombit, vlerëson Hoti në veprën “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”. Zgjidhja e drejtë, vazhdon ai, është Bashkimi në kontekst të proceseve integrative të Europës. Duke shprehur bindjen se Europa e ka tejkaluar kaherë kriterin religjioz në përcaktimin e statusit të popujve, Ukshin Hoti thekson se nga zgjidhja e problemit shqiptar do të varet sa e civilizuar është Europa, do të varet atraktiviteti i modelit europian për popujt jashtë Europës, por edhe akceptimi i saj nga të tjerët në suaza ndërkombëtare.

Në të njëjtën linjë ai është edhe në librin “Bisedë përmes Hekurash”, një letërkëmbim me gjeniun tjetër të kombit, Ismail Kadarenë, i realizuar në kushte të izolimit të egër nga Burgu i Nishit, botuar në vitin 2000 nga “Onufri” në Tiranë. “Ballkani është një kompleks interesash të koncentruara të Fuqive Europiane, zbërthimi i drejtë i të cilave është çelës apo mjet krucial për avancimin dhe promovimin e proceseve integrative në Europë”.

Kjo do të thotë se çelësi për të ardhmen e Integrimit Europian gjendet në Kosovë.

Në qoftë se “politika ndërkombëtare si çdo politikë, është luftë për fuqi”, siç mendon Morgenthao, dhe në qoftë se “interesi është princip sundues i gjithmbarshëm”, atëherë qasja e BE-së ndaj Kosovës duhet pashmangshëm të vihet në kontekst të luftës së interesave me Rusinë.
Me fjalë të tjera, Kosova paraqet “vijën e kuqe” ku do të testohet jo vetëm kohezioni i vlerave të qytetërimit Perëndimor, por edhe fuqia e Perëndimit për ta përballuar me sukses kërcënimin e rishfaqur Rus. Në diskursin aktual, pikërisht këtë nënkupton kushtëzimi i Serbisë me Kosovën dhe Samiti i Sofjes për një rajon më të zhvilluar, më të sigurt e më të lidhur.
Arsyet që kishin shkaktuar braktisjen e Ballkanit nga BE-ja ende s’janë tejkaluar plotësisht, por ato u mbivendosën nga kërcënimi gjeostrategjik dhe gjeopolitik i Rusisë, sidomos pas tensionimit të raporteve me Turqinë dhe afrimit të kësaj të fundit me Moskën.

Duke pohuar vazhdimin e presioneve politike dhe ekonomike, si papunësia e lartë dhe rritja e partive populiste që nxisin Euroskepticizmin, Kristin Archick, specialiste e Çështjeve Europiane, thotë se faktorë të tillë po ndikojnë në aftësinë e BE-së për t’u përballur me sfidat e brendshme dhe të jashtme, si vota britanike për të dalë nga unioni, kriza e borxhit grek, refugjatët, riforcimi i Rusisë dhe kërcënimi i lartë nga terrorizmi.

Nga ana tjetër, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, nivelit të lartë të papunësisë dhe demokracisë ende të brishtë, të shprehur si mungesë të shtetit ligjor në Kosovë, braktisja nga BE-ja veçsa i kishte ndihmuar demoralizimit shoqëror dhe manipulimit të të rinjve nga rryma ekstremiste fetare. Jo se shqiptarët kishin ndonjë motiv për ideologji të tilla, por për shkak se dështimet e brendshme dhe mungesa e kontekstit europian të procesit të shtetndërtimit, kishin krijuar ‘habitat’ për interesat e taborrit tjetër.

Duke i kushtuar vëmendjen e duhur shkencore rolit të fesë në proceset politike, Ukshin Hoti sugjeron të mbështetemi në traditën e tolerancës fetare si vlerë monumentale e civilizimit shqiptar.
Në “Bisedë përmes hekurash”, ai insiston në këtë fakt, i bindur se vetëm të tillë mund të jemi të dobishëm edhe për Europën.

“Do të vazhdoj të luftoj për respektimin e identitetit tim kombëtar ashtu çfarë është, trekonfesional, dhe jo ashtu çfarë do të dëshironin të tjerët”, shkruan Hoti. Insistimi i tij dëshmon se kjo s’është thjesht një përgjigje, por një mendim i peshuar mirë që përmban zgjidhjen e munguar në raport me ekstremizmin islamik. Një mendim që përbën kontribut të rëndësishëm edhe për Modelin Europian, për Europën e qytetarëve të lirë e të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare.

1. Politika si angazhim

Dialogu Politik Kosovë-Serbi, që lehtësohet nga Bashkimi Europian dhe i cili synon t’i japë fund konfliktit mbi 100 vjeçar ndërmjet shqiptarëve e serbëve, duhet të prodhojë raporte kualitativisht të reja dhe të mundësojë fillimin e një epokë të re paqësore e prosperuese në Ballkan.

“Republika në funksion të Bashkimit” dhe “Bashkimi si zgjidhje në kontekst të proceseve integrative të Europës”, janë dy përkufizimet Hotiane të Çështjes Shqiptare, si rezultat i shqyrtimit të teorive të provinicencës Perëndimore dhe asaj Lindore, artikuluar mjeshtërisht me një gjuhë të qartë e koncize dhe që duhet të shfrytëzohet si nektari i domosdoshëm për mjaltën e dëshiruar.

Në tërë punën e tij shkencore, në të gjitha analizat për realizimin politik të shqiptarëve, shquhet si një konstantë e pandryshueshme, si ‘conditio sine qua non’ (kusht i domosdoshëm) imperativi për moscenimin e Shqipërisë, në asnjë rrethanë dhe për asnjë kusht.

Këtë e thekson me vendosmëri edhe në “Bisedë përmes hekurash”, kur shprehet se “çdo zgjidhje e Çështjes Shqiptare duhet të bëhet mbi ekzistimin e paprekshëm të shtetit nukleus shqiptar, si forcim dhe jo si reduktim i tij”.
“Problemi i Çështjes Shqiptare nuk qëndron te Bashkimi, por te rrugët për realizimin e këtij qëllimi”, vëren ai, duke analizuar dallimet midis rastit tonë dhe Gjermanisë së ndarë gjatë Luftës së Ftohtë. “Bashkimi i gjermanëve nuk u bë mbi baza të antisovjetizmit dhe as për inat të Bashkimit Sovjetik, dhe në analogji me këtë, Bashkimi i shqiptarëve nuk duhet të realizohet për inat të serbëve dhe as kundër të tjerëve”, sugjeron Hoti. “Bashkimi në një shtet i trojeve dhe i popullit shqiptar është në vijën e drejtimit dhe bashkimit të Europës. Kjo gjë mund të kundërshtohet vetëm në emër të ‘frikës nga e panjohura’, dhe është detyrë e shqiptarëve që ta luftojnë edhe këtë frikë të Euro-Amerikës”, thekson Hoti.

Frika nga e panjohura në këtë rast, përveç efekteve të pakontrollueshme që do të mund të kishte ndryshimi i kufijve, mund të lidhet edhe me trendet e ardhshme brenda shqiptarëve, si faktor “europianizimi” apo “aziatizimi” në Ballkan.

Përndryshe, Bashkimi në kontekst të proceseve integrative të Europës, nënkupton procesin e “europianizimit” të Ballkanit, transformimit politik, ekonomik e socio-kulturor në zbatim të Kritereve të Kopenhagës, nënkupton një stad zhvillimi kur vijat kufitare do të ishin irelevante ose të suprimuara plotësisht në kuadër të Europës së Bashkuar. Ky është konteksti europian dhe në këtë frymë e konsideroj kushtëzimin e Serbisë, ndonëse rreziqet janë evidente si pasojë e dështimeve në angazhimin politik.
Kosova si shteti më i ri në “kontinentin e vjetër” e ka definuar Integrimin Europian si prioritet strategjik, ndonëse ka mbetur e fundit në rajon me statusin e kandidatit potencial për anëtarësim. Në kontekst të mendimit politik Hotian, vonesa mund të shpjegohet si pasojë e dy faktorëve:
– sfidave në planin ndërkombëtar sa i përket konsolidimit të shtetësisë; dhe
– proceseve të brendshme që lidhen me demokratizimin.

2. Politika si intelekt llogaritës

Korniza politike e BE-së për Vendet e Zgjerimit përmban një varg programesh dhe instrumentesh në funksion të Agjendës së Reformave. Shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet ta meritojnë atë, dhe do ta meritojnë vetëm atëherë kur transformimi demokratik i tyre garanton rol pozitiv në proceset integrative. Këtë nënkuptojnë Kriteret e Kopenhagës, të aplikuara në procesin e zgjerimit drejt vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore pas rënies së komunizmit.

“Europa e popullit nuk është ajo e lugetërve të kohëve të shkuara, por është Europë e gjeneratave të ardhshme, që do të dinë t’i lidhin fijet e holla, të padukshme të krenarisë kombëtare, të bujarisë e të fisnikërisë, me rrezet e holla të universit, të kohës dhe të perspektivës”, beson Ukshin Hoti, duke theksuar rëndësinë e dijes në proceset e shekullit XXI.

Me thirrjen që “talenti ta prodhojë talentin, e jo ta ngulfasë atë”, ai i jep drejtim realitetit të prapambetur dhe kërkon që demokracia të konsistojë nga një sistem vlerash të mirëfillta. “Në qoftë se me demokraci synohet demobilizim e jo mobilizim i forcave të zhvillimit, dhe në qoftë se ajo reduktohet në formalizëm të thjeshtë për ruajtjen e privilegjeve, një demokraci e tillë nuk i duhet Kosovës”, tërheq vërejtjen shkencëtari i politikës dhe strategu i mendimit politik shqiptar, Ukshin Hoti.

Për fat të keq, vërejtja e tij nuk u përfill, madje as nga bartësit e ndryshimit historik pas luftës. Udhëheqësit e UÇK-së sot i kemi në pushtet, por politika vazhdon të mos jetë intelekt llogaritës.

Megjithëse ndërmjet mendimit të tij dhe fazës aktuale të dialogut Kosovë-Serbi gjendet një luftë e përgjakshme, gjendet fati i tij ende i pazbardhur dhe një proces i vështirë i paqes, politika si kalkulim matematikor i “rrymave të ujit nën akull” dhe si sfera më e lartë e procesimit të informacionit, duhet t’i përgjigjet proceseve ndërkombëtare, por jo duke braktisur idealet që sublimojnë lirinë dhe përparimin.

Integrimi Europian është një proces kompleks që kërkon aftësi dhe relevancë profesionale, Integrimi Europian kërkon që t’i kthehemi Ukshin Hotit, jo për hir të ndërgjegjes tonë shtetërore e kombëtare, por sepse ne kemi nevojë, sepse Kosovës i duhet një politikë e qartë dhe kompetente në përmbushjen e qëllimeve.

(Kumtesa është lexuar në  Tryezën “Mendimi politik e shkencor për zgjidhjen e çështjes shqiptare në kontekstin europian”, organizuar nga Komuna e Rahovecit)

Krushë e Madhe,
17. 06. 2018

Më Shumë

Tyson i rikthehet boksit profesionist pas gati 20 vitesh

Lufta e ish-kampionit të peshave të rënda, Mike Tyson kundër youtuber-it Jake Paul më 20 korrik do të jetë një ndeshje profesionale dhe do...

Rreth 100 punëtorë të lënduar këtë vit

Përveç dhimbjeve dhe pamundësisë për të lëvizur, Rexhep Gashi brengosej edhe për mbulimin financiar të trajtimit të tij. I shtrirë prej ditësh në Klinikën e...

Moti sot me shi

Lajmet e Fundit