14.2 C
Prizren
E mërkurë, 22 Tetor, 2025

Veton Breznica, pilot oficeri i parë i Kosovës së pavarur

Veton BreznicaVeton Breznica, është pilot oficeri i parë i Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Njëherësh edhe instruktor me aeroplanë pa motor me kadetët ajror të forcës ajrore mbretërore. Ai na tregon se si ju dha mundësia të fillonte realizimin e ëndrrës së tij jetësore për t’u bërë pilot.

“Gjithnjë ëndërroja të bëhesha pilot. E këtë ëndërr e shndërrova në synimin tim jetësor duke kryer shkollën e mesme teknike në drejtimin e parë dhe të vetëm të aviacionit civil në Kosovë që nga mbas lufta. Më pas, përmes projektit për kadetët ajror në Kosovë, Ministria e Transportit e Kosovës në bashkëpunim me Kadetët Ajror të Forcës Ajrore Mbretërore më përzgjodhën Ambasador për aviacion të Republikës së Kosovës. Ky ishte një hap i guximshëm për mua sepse nuk është se kisha përvojën apo traditën familjare e shoqërore për aviacionin. Por që, pasi u shpalla kampion botëror virtual i ‘red bull air races’ besimi im se do t’ia dilja mbanë u bë një besim i palëkundur. Njëherësh më janë ndarë bursa për t’u shkolluar për pilot me aeroplanë pa motor”.

Vetoni më 2014 diplomoi nga RAF Cranwell si Pilot Oficer dhe u kualifikua edhe si instruktor me aeroplanët pa motor në shkollën qendrore të fluturimit të kadetëve ajror në Mbretërinë e Bashkuar ku edhe është anëtar nderi i skuadriljes 643 në Syerston. Ai shpeshherë me vetë-iniciativë ka përfaqësuar aviacionin e Kosovës në Londër (10 Downing Street), Washington (Pentagon), Tulluz (fabrika e Airbus), Stamboll e Edinburg. Si rrjedhojë, sot Kosova dhe Shqipëria njihen ndërkombëtarisht në IACEA (International Air Cadet Exchange Association http://www.iacea.com/official-members-list/).

‘Aeroplani ngritët në ajër kundrejt drejtimit të erës dhe jo me të’. Aviatori 26 vjeçar, Veton Breznica na e thotë këtë shprehje duke treguar se vështirësitë për të arritur suksesin në aviacion janë të shumta, veçanërisht nëse je një i ri nga Kosova. Kjo ndër tjerash vjen sepse në Kosovë nuk ekziston aviacioni i përgjithshëm e as ndonjë mundësi tjetër trajnimi qoftë me aeroplanë pa motorë apo me një motorë.

Edhe shtetësia e udhëtimi i kufizuar janë një sfidë në vete sa i përket pilotimit…

Cilat janë ëndrrat e tij tani?

Ëndërr e tij gjithnjë ka qenë të bëhet pilot i linjave ajrore. Tani veçse ka kaluar të gjitha testet në akademinë për pilotë të linjave ajrore CTC Aviation e cila është më me renome në Mbretërinë e Bashkuar. Ky është një program me kompaninë e famshme botërore Qatar Airways. E tëra që i mbetet tani është të kryej shkollimin prej 24 muajve dhe ta financoj atë, e financimi i shkollimit është me të vërtetë i vështirë pasi që kostoja është mjaft e lartë.

Vetoni është një shembull i shkëlqyeshëm që na tregon të gjithëve se përkundër numrit të lartë të papunësisë e mungesës së mundësive për shkollim në Kosovë nëse të rinjtë punojnë me përkushtim të pashoq, duke besuar në ëndrrat e tyre, atëherë të gjitha janë të arritshme.

Ai tani do të jetë i vetmi kosovar (me shtetësi vetëm të Kosovës) që nga Prishtina ja del ‘të thyej akullin’ e të bëhet piloti Kosovar i Qatar Airways e në të ardhmen me këtë pasaportë do të pilotoj në tërë botën.

‘Përmes vështirësive do t’i arrijmë yjet. Kjo në fakt është edhe motoja e Forcës Ajrore Mbretërore dhe e përshkruan jetën time më së miri me kaq pak fjalë. Pse jo edhe të shtetit tonë Kosovës!’, tha ai.

Ai tanimë ka realizuar dy prezantime në formatin e mirënjohur ‘TEDx’ në Tiranë dhe më rishtazi në Prishtinë. Në këto prezantime ai na flet për rrugëtimin e tij e tejkalimin e sfidave, për kadetët ajror, përfaqësimin e vendit ndërkombëtarisht dhe nevojën për zhvillim të rinisë përmes aviacionit në Kosovë e në Shqipëri. /Telegrafi/

Më Shumë

Ndalohen 110 litra vaj ulliri të padeklaruar në pikën kufitare të Vërmicës

Zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Vërmicës kanë ndaluar një automjet për kontroll të dytë në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 07:00,...

Rruga “Marin Barleti” në Prizren po rijetësohet me karakter historik

Punimet restauruese në rrugën “Marin Barleti”, në Qendrën Historike të Prizrenit, po afrohen drejt përfundimit, raporton PrizrenPress. Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS),...

Lajmet e Fundit