23.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Xhufi: Si do i ‘ndryshojmë’ tekstet e Historisë, përçmim për kuislingët

Pëllumb XhufiPeriudha të tëra historike, si antikiteti dhe mesjeta shqiptare, janë shkruar nga njerëz me formim dhe aftësi të kufizuara. Shqipëria e Jugut është bërë pjesë e Greqisë, janë përshkruar si popull i egër malesh, etj. Nxënësit u shushatën prej teksteve të prodhuara nga ofiçina e “alter-tekstit”. Historiani Pëllumb Xhufi nuk ngurron të vërë në dukje të gjitha ato që i cilëson si të meta të teksteve shkollore të historisë. Sot pjesë e një komisioni që do i rishkruajë dhe rishikojë ato, profesori ndalet në të gjitha ngjarjet, personazhet dhe periudhat më të debatuara. Por cili është projekti aktual i Ministrisë së Arsimit?
Një grup historianësh të njohur nga Shqipëria e Kosova, e më gjerë si Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Afrim Krasniqi, Bernard Fischer e të tjerë, do të hartojnë tekstet e historisë për arsimin parauniversitar.
Kjo është një nismë e Qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës përmes të cilës synohet unifikimi i teksteve mes dy vendeve, por njëherazi, bëhet edhe një lloj rishikimi përmbajtësor i tyre, për periudha, ngjarje e personazhe historikë.
Vetë Xhufi premton se shkrimi i teksteve të historisë për shkollat e mesme nuk do të jetë më një operacion biznesi, por një detyrë fisnike, ku autorët e teksteve do të vendosin faqen, nderin dhe integritetin e vet, profesional dhe moral.
“Ne nuk kemi ndërmend as të idealizojmë e as të censurojmë ndokënd mbi bazën e veprimtarisë së vet politike”, – thotë ai, ndërsa më herët ka vënë në dukje se “sherret” që kanë trazuar mendimin historik në këto periudha i ka prodhuar politika, dhe politika shqiptare, ajo më vulgarja, e ka trajtuar historinë si një grua të përdalë. Më poshtë intervista.
Një grup historianësh të njohur shqiptarë, ku jeni edhe ju, do të angazhohen në hartimin e teksteve të historisë, për arsiminparauniversitar. Çfarë do të kenë ndryshe këto tekste, nga tekstet aktuale?
Ambicia jonë është që këto tekste të jenë vetëm dhe thjesht produkt i logjikës shkencore historike dhe jo produkt i llogarive dhe interesave jashtë-shkencore, politike e ekonomike, siç ka ndodhur jo rrallëherë në të kaluarën e afërt. Vetëm disa vjet pas lançimit të së ashtuquajturës reformë e “alter-tekstit”, lënda e historisë, që duhej të ishte lënda më e dashur për nxënësit tanë, rezulton të jetë kthyer në një lëndë të bezdisshme dhe të pakuptueshme për ta. Protagonistë të kësaj reforme u bënë shtëpi botuese dhe historianë të besuar të pushtetit, të cilët nxituan t’u ngulitnin nxënësve versionin e tyre të historisë, ku shpeshherë heronjtë bëheshin tradhtarë dhe tradhtarët bëheshin heronj, ku virtytit i thuhej ves dhe vesit i thuhej virtyt. Ku fshiheshin të vërtetat dhe ku shpaloseshin të pavërtetat. Dhe ku periudha të tëra historike, si antikiteti dhe mesjeta shqiptare janë shkruar nga njerëz me formim dhe aftësi të kufizuara. Shumëkujt i kujtohet se në tekstet e prodhuara nga ofiçina e “alter-tekstit”, nxënësit u shushatën kur gjetën të përfshihej Shqipëria e Jugut brenda kufijve të Greqisë. Në tekste të tillë “alternativë” shqiptarët përshkruheshin si popull i egër malesh, që jetonin duke plaçkitur e duke u pushtuar territore fqinjëve të tyre sllavë e grekë! E pra, gjëma dhe mëkate të tilla antishkencore, që janë pa fund në tekstet e “alter-tekstit” nuk do mund të ndodhin më, pasi autorët e teksteve të reja të historisë do të jenë profesorë e studiues të mirëfilltë, shqiptarë e të huaj, autorë tekstesh gjithashtu, por mbi të gjitha autorë monografish e punimesh fondamentale, të njohura e të certifikuara në mjediset shkencore shqiptare dhe ndërkombëtare. Shkrimi i teksteve të historisë për shkollat e mesme nuk do të jetë më një operacion biznesi, por një detyrë fisnike, ku autorët e teksteve do të vendosin faqen, nderin dhe integritetin e vet, profesional dhe moral.

Këta libra do të përfshijnë disa periudha të historisë, mes tyre edhe ato më të debatueshmet, periudha e Zogut, Lufta e Dytë Botërore, e më tej ardhja e komunizmit. Në gjykimin tuaj, sa e vështirë do jetë puna, duke pasur parasysh edhe debatet që do e shoqërojnë procesin?

Pa dyshim, momentet historike që ju përmendni janë në fakt ato që më së shumti janë bërë objekt debatesh e vlerësimesh kundërthënëse. Megjithatë, të mos harrojmë që shumë nga “sherret” që kanë trazuar mendimin historik në këto periudha i ka prodhuar politika. Dhe politika shqiptare, ajo më vulgarja, e ka trajtuar historinë si një grua të përdalë, të cilën mund ta përdhunojë e ta rrahë sa herë të dojë. Kujtoni skandalet që shoqëruan kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, një përvjetor që u përdhos nga plot akte vulgare e të neveritshme të frymëzuara nga politika në pushtet. Ndaj, angazhimi ynë i parë do të jetë të qëndrojmë jashtë politikës dhe kulturës së saj të asimilimit e të deformimit. Përsa u përket specialistëve dhe historianëve profesionistë, që do të jenë edhe autorët e teksteve në fjalë, këta bashkohen në shumë nga çështjet që kanë të bëjnë me periudhat e historisë sonë më të re dhe që ju me të drejtë i konsideroni “temat e nxehta” të historisë së Shqipërisë. Në fund të fundit, historia shkruhet mbi bazën e fakteve dhe faktet i shtyjnë historianët pashmangërisht drejt brigjeve të njëjta, ose të ngjashme. Problemet fillojnë kur historia pretendohet të shkruhet mbi bazë perceptimesh, ndjeshmërish e paragjykimesh. Këtu fillon mistifikimi i historisë.
Periudha e sundimit osman ka nxitur polemika në Kosovë, më së shumti e së dyti në Shqipëri, për termat e përdorur si fillim. Ju, si do ta trajtoni këtë periudhë?
E pra, pikërisht debatet për të cilat ju bëni fjalë, sa në Kosovë aq edhe në Shqipëri, janë ngritur më shumë mbi bazë perceptimesh, ndjeshmërish e paragjykimesh, që gjithsesi nuk kanë bazë historike. Periudha gati 500-vjeçare e sundimit osman thjesht është pjesë përbërëse e historisë sonë të përbashkët. Ajo nuk mund të paragjykohet as si një “aksident”, as si një “periudhë për t’u harruar” dhe aq më pak si një “periudhë për t’u urryer”. Për shumë kohë e trajtoi të tillë periudhën e sundimit osman historiografia greke, e cila pothuajse i fshiu nga memoria historike e grekëve plot 400 vjetët e historisë në periudhën e “turko-kratisë”. Por sot, edhe në Greqi ka ardhur një brez i ri studiuesish, që i është kthyer me forcë studimit të periudhës së sundimit osman. Historianit nuk i lejohet të bëjë “kapërcimet pindarike”, të cilat i bëjnë shpesh edhe intelektualë të njohur, që pretendojnë të bëhen “gjykatës të historisë” dhe të ndëshkojnë me një “damnatio memoriae” Perandorinë Osmane dhe periudhën e gjatë të sundimit të saj për dëmet që ajo i ka shkaktuar kombit shqiptar. Sjellje të tilla me historinë të kujtojnë një episod nga historia e Papatit në shek. IX, të ashtuquajturin “gjyqi i kufomës”. Episodi lidhet me luftën për fronin papal midis Papës Stefan VI dhe antipapës Formoz, që përfundoi me vdekjen e papritur të këtij të fundit. Tetë muaj më vonë, papa Stefan VI urdhëroi të nxirrej nga varri kufoma e kundërshtarit të tij dhe pasi urdhëroi të vishej me rrobat ceremoniale dhe të ulej në një fron papal, në prani të kardinalëve dhe të dinjitarëve të tjerë kishtarë, inskenoi me të një proces të kobshëm gjyqësor, i cili e dënoi kufomën e gjorë me flakjen e saj në ujërat e lumit Tever. E pra, historia nuk gjykohet e nuk zgjidhet “a posteriori”: ajo ka ardhur deri tek ne ashtu si ka ardhur, për faj apo për meritë të atyre që kanë jetuar para nesh. Do të ishte naive t’i kërkoje sot hesap historisë, e cila nuk u tregua dashamirëse me shqiptarët dhe u dërgoi atyre Turqinë, kur mund t’u kishte dërguar Austro-Hungarinë! Logjika historike vepron ndryshe, ajo pranon se Perandoria Osmane do ta pushtonte domosdoshmërisht Shqipërinë, për të njëjtat arsye gjeopolitike që e pushtuan atë përpara saj Perandoria Romake, Perandoria Bizantine, Perandoria Bullgare apo Perandoria Serbe. Rëndësi ka që shqiptarët arritën të ruajnë individualitetin e tyre edhe kur pjesa më e madhe e tyre u islamizua. Rëndësi ka fakti që myslimanët shqiptarë, jo më pak se vëllezërit e tyre të krishterë, ishin ndër luftëtarët e vijës së parë gjatë kryengritjeve antiosmane të shek. XVI-XIX e deri në prag të Pavarësisë. Ishin gjithashtu ndër ideologët më të ndriçuar të Lëvizjes Kombëtare e ndër ideatorët më të vendosur të shtetit modern shqiptar.
Skënderbeu, mes Lindjes dhe Perëndimit, kryqtar, princi që luftoi për Arbërinë apo për interesa të ngushta personale dhe origjina e tij do të marrin përgjigje?

Figura dhe historia e Skënderbeut kanë fituar tashmë një profil solid, bazuar në një masë të madhe burimesh arkivore e tregimtare të kohës kur jetoi dhe veproi vetë heroi dhe në një sërë monografish të shkruara mbi të nga autorë shqiptarë e të huaj. Këto provojnë më së miri se jeta dhe vepra e tij nuk shpjegohen dot mbi baza egoisto-familjare, mbi baza fetare apo mbi baza kanunore, siç ka provuar të thotë edhe së fundi ndonjë historian i dhënë më shumë pas sensacionit se sa pas të vërtetës historike. Skënderbeu nuk hezitoi të luftojë edhe kundër familjarëve të tij, edhe kundër princërve e shteteve të krishtera, sa herë që veprimi i tyre binte ndesh me interesat e shtetit dhe të idesë shtetërore që ai përfaqësonte. Skënderbeu ngriti një shtet të bazuar në historinë dhe në traditën shqiptare. Në letrat e shkruara nga ai vetë për sovranët dhe princërit e Evropës, Skënderbeu u referohet vazhdimisht shëmbëlltyrave të nxjerra nga historia e vjetër dhe e re shqiptare, që nga Pirrua i Epirit dhe Aleksandri i Maqedonisë e deri tek princërit Balshaj e Topiaj, të cilët kishin tentuar para tij ngritjen e një shteti mesjetar shqiptar. Skënderbeu e kuptoi fare mirë rolin e jashtëzakonshëm gjeopolitik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, e kuptoi se qëndresa e shqiptarëve kundër invazionit osman ishte e destinuar të ngjallte interesin më të madh të Evropës së krishterë. Aty ai pa mundësinë e një aleance të fortë ushtarake me fuqitë evropiane dhe të një fitoreje që do të siguronte vazhdimësinë dhe fuqizimin e shtetit të tij shqiptar. Skënderbeu ishte thjesht luftëtari i paepur i lirisë. Jo rastësisht një figurë e tillë e historisë u bë elementi përbashkues i shqiptarëve të të gjitha kohërave, të të gjitha krahinave dhe të të gjitha besimeve. U bë, pra, elementi qenësor i ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Në një farë mënyre, ky grup pune do e shohë të nevojshme të bëjë edhe “rishkrim të historisë” për figura të debatueshme. A mund të na thoni cilat janë figurat për të cilat do ju duhet të punoni dhe përqendroheni më shumë?
Si studiues i mesjetës shqiptare, nuk do të kem të bëj aq shumë me rivlerësime figurash e ngjarjesh historike, sa do kem të bëj me evidentimin e momenteve dhe personazheve të panjohur më parë dhe që i kam evidentuar gjatë hulumtimeve të mija të fundit. Sigurisht, kolegët që merren me historinë moderne dhe bashkëkohore do të kenë të bëjnë me figura të debatuara fort, duke filluar nga ajo e Ahmet Zogut dhe e Enver Hoxhës. Por unë jam i bindur se ata zotërojnë të gjithë bagazhin intelektual, informacionin, integritetin, kurajën dhe akribinë shkencore për t’i trajtuar sa më objektivisht edhe këto figura. Sigurisht, me vetëdijen se jo për gjithçka dhe për këdo do të mund të thuhet fjala përfundimtare. Lënia hapur e debatit apo i ashtuquajturi open-ended approach do të përbëjë edhe një nga qasjet më të spikatura metodologjike të angazhimit tonë: t’u lëmë nxënësve të hapur rrugën e kërkimit dhe të informimit të pavarur.
Kuislingët janë kthyer së fundmi në temë debati. Roli i tyre në periudha të ndryshme historike ka qenë i ndryshëm. Ç’vend do zënë ata në histori?
Kuislingët nuk mund të jenë një temë debati serioz, as tek ne dhe as tjetërkund. Në asnjë kohë e në asnjë vend nuk u është rezervuar kuislingëve ndonjë vlerësim tjetër, veç stigmës e përçmimit. Në këtë kuptim, nuk mund të pritet të ndodhë ndonjë çudi me tekstet e reja. Veçse, figurat historike, cilatdo qofshin ato, do të fotografohen nëpërmjet akteve dhe veprave të tyre, pa i ngarkuar ato me cilësime e komente subjektive. Ne nuk kemi ndërmend as të idealizojmë e as të censurojmë ndokënd mbi bazën e veprimtarisë së vet politike. Nëse Mithat Frashëri ka qenë vërtet një patriot, kjo do të rezultojë nga vetë aktiviteti i tij deri në vitet e Luftës II Botërore. Nëse ai apo patriotë të tjerë si ai, më vonë bashkëpunuan me pushtuesin, kjo gjithashtu do të rezultojë nga paraqitja e fakteve dhe e veprave të atyre vetë, jo nëpërmjet vlerësimeve të autorëve të tekstit.

Ballistë e partizanë, në luftë mes tyre apo në luftë me pushtuesin? Sa do të mund të arrini ju të vini pikat mbi i në këtë pikë dhe a do të mund të zgjidhet përfundimisht numri i dëshmorëve?
Shikoni, në kohë paqeje dhe normaliteti shpeshherë është e vështirë të dallosh të mirën nga e keqja. Por lufta i thjeshton gjërat dhe njerëzit klasifikohen sipas qëndrimit që mbajnë ndaj vlerës bazike të lirisë. Mbështetur edhe në masën e madhe të dokumentacionit të vjelur së fundi në arkivat gjermane, italiane, angleze apo amerikane nuk vihet në dyshim se grupime të caktuara politike në Shqipëri iu bashkëngjitën pushtuesit, duke u njësuar me të dhe duke marrë pjesë bashkë me të në operacionet ndëshkimore kundër luftëtarëve të lirisë. Në fund të fundit, kolaboracionistët e komprometuan rëndë edhe pozicionin e Shqipërisë pas përfundimit të luftës, në Konferencën e Paqes së Parisit dhe e bënë më të vështirë zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Dihen marrëveshjet antikombëtare që disa prej tyre nënshkruan me qarqet nacionaliste serbe e greke dhe që në thelb asgjësonin pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Në të kundërtën, Shqipëria i detyrohet jashtëzakonisht luftës dhe sakrificës të atyre mijëra të rejave e të rinjve shqiptarë, që bashkë me lirinë u kthyen shqiptarëve edhe dinjitetin mes kombeve që luftuan kundër nazi-fashizmit. Kjo sigurisht, nuk justifikon ekseset e palës tjetër, Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe të Partisë Komuniste, të cilat me siguri do të evidentohen.
Një tjetër çështje e debatuar është masakra e 4 shkurtit…

Është një nga ato rastet e shumta, për fat të keq, kur shqiptarë në shërbim të pushtuesit vrasin e masakrojnë shqiptarë të tjerë, që nuk e duan pushtuesin. Edhe këtu, ka pak vend për debat, e shumë vend për reflektim.
Trazirat e vitit 1997, qenë konsideruar vite më parë në tekstet shkollore si rebelim komunist. Cili është qëndrimi juaj për këtë?
Nuk më takon mua të shprehem për këtë çështje, këtu nuk jemi në mesjetë, por në ditët tona. Sigurisht, kolegët që merren me këtë periudhë do t’i japin përgjigjen e duhur edhe kësaj pyetjeje. Por, sa më përket mua, po dua t’iu kujtoj se tashmë në të gjithë librat e historisë e në të gjitha enciklopeditë e botës (po citoj këtu enciklopedinë “Larousse” dhe koleksionin historik të “New York Times”), ngjarjet e vitit 1997 i faturohen ekskluzivisht qeverisjes autoritariste dhe liberticide të Sali Berishës: askush nuk i përfill përçartjet berishiane mbi të ashtuquajturin “rebelim komunist”./bw/

Më Shumë

Humb jetën një grua shtatzënë në Spitalin e Prizrenit

Të premten në Spitalin Rajonal të Prizrenit, më saktësisht në repartin e Gjinekologjisë ka ndërruar jetë një grua shtatzënë. Siç bëhet e ditur në raportin...

Bëhen bashkë pas dy vitesh Blero e Afrona Dika

Blero dhe Afrona Dika duket se kanë lënë anash të gjitha hatërmbetjet. Dyshja, të cilët i dhanë fund martesës së tyre në vitin 2022, janë...

Moti sot me shi

Lajmet e Fundit