18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Zbulohet shtëpia ku lindi Kostandin Kristoforidhi

shtepia e foridhitBashkia e Elbasanit i është drejtuar Ministrisë së Kulturës për të bërë të mundur shpronësimin e shtëpisë ku është dokumentuar se ka lindur Kostandin Kristoforidhi. Letërkëmbimi i të birit të gjuhëtarit të madh, Filip Kristofori, ka konfirmuar shtëpinë, e cila në atë kohë ishte e Mimë Bibajës dhe tashmë ka kaluar në disa pronarë.

Me daljen në dritë të dokumenteve të reja, dhoma aktuale që njihet si muze, e humb vlerën e saj, pasi atje mendohet se ka jetuar disa vite Kostandin Kristoforidhi, por nuk përmbush asnjë kriter për ta shndërruar në muze.

Kreu i bashkisë, Qazim Sejdini, deklaroi se bashkia kërkon mbështetje nga institucioni më i lartë i kulturës për të bërë të mundur që brenda në kala të ketë një muze që i përmbush më së miri kriteret për të qenë i tillë dhe për të përfaqësuar gjuhëtarin e madh.

Objekti aktualisht është totalisht i braktisur dhe shtëpia po rrënohet dita-ditës, ndërsa pronarët aktualë e kanë lënë në mëshirë të fatit, duke salduar edhe derën. Shpronësimi i objektit është faza e parë, ndërkohë që do të kërkohet edhe restaurimi i shtëpisë që ka karakteristikat e traditës me çardak.

Në pritje të përgjigjes së ministrisë për ta kthyer në muze të arsimit brenda kalasë, bashkia ka deklaruar se do të ndërmarrë të gjithë hapat për ta bërë të mundur këtë muze që i kushtohet babait të gjuhës shqipe.

Dokumentimi i shtëpisë

Në botimin “Kristoforidhi-një vështrim rinjohës”, djali më i vogël i Kostandin Kristoforidhit, ndiqet nga një korrespondencë që gjithashtu hedh dritë mbi shtëpinë ku lindi gjuhëtari i madh. Ai jetoi thuajse gjithë jetën larg vendlindjes, por u kujdes për aktivitetin e të atit dhe u mundua të sjellë jo vetëm veprat e tij, por edhe të shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj shqiptarë.

I martuar me një franceze, Filip Kristofori vdiq në mërgim dhe ende nuk dihet fati i bibliotekës së tij të pasur, pasi nuk la trashëgimtarë. Në letërkëmbimin që botohet për herë të parë në këtë libër, vijnë detaje edhe për shtëpinë ku lindi Kristoforidhi, duke saktësuar shtëpinë ku lindi gjuhëtari i madh në lagjen “Kala” të Elbasanit.

Filip Kristoforidhi, djali i vogël i Kostandinit, në korrespondencën që mban me Thanas Konomin në vitet ‘60, në një nga letrat e shumta jep detaje për shtëpinë ku jetoi Kristoforidhi, ku u kthye përfundimisht në Elbasan në vitin 1884. Kjo shtëpi do të kthehej në shtëpi-muze gjatë viteve të komunizmit, e cila sigurisht që nuk ishte shtëpia e lindjes. I biri saktëson pikërisht godinën që vazhdon të jetë muze për vitet e fundit të jetës së Kristoforidhit.

“Atëherë ai rrinte me fëmijët te një shtëpi ku ishin dy familje: më një an Vasil Popa. Më an tjetër, Maria, një grua plakë e-ve, motëra e babajt. Mbas vdekjes s’motrës, babaj e shiti Vasil Popës hisen e saj. Qo shtëpi gjendesh afër çezmës Kalas, në ballë shtëpis Lazrit papa Janit, tregtar (reshper) dhe shok i babajt me cilin luenin (lozëshin) tavllash bashkë në kopsht (mbramjet e verës)”, thuhet në këtë letër.

Filipi nuk e lë të pazgjidhur edhe dilemën e shtëpisë ku lindi Kristoforidhi. Ai e përcakton mjaft mirë në një letër të 19 nëntorit të vitit 1963, ku thotë se Kristoforidhi lindi në shtëpinë ku ka jetuar më pas dhëndri i tij, Dhimitër Bibaja: “Muzeu – Ju më thoni se pleqënia Elbasanit ka vum ndërment të ngrehi ose të përkthej shtëpin e Mimës si muze, aty ku leu im atë. Ky mendim asht i pëlqyeshëm se dëften një shpërblesë dhe kujtim për dietarin elbasanas, themeltar i gjuhësë shqipe”. Madje, pak më poshtë ai do të japë edhe shtëpinë ku vdiq Kristoforidhi, që ishte edhe shtëpia e Taq Budës.

Madje, Filipi shkruan edhe dy dedikime që, sipas tij, duhet të vendoseshin në shtëpinë ku lindi gjuhëtari. Filipi përcjell nëpërmjet një letre drejtuar Thanas Konomit, dy ide për mbishkrimet që duhet të vendoseshin në shtëpinë-muze të Kristoforidhit, një prej të cilave:

“Këtu në kët shtëpi lindi Kostandin Ndelka, më 1830, ose Kristoforidhi, pseudonim që përdori për veprat e tij.”

Korrespondenca

Në këtë korrespondencë ai përcakton shumë mirë se shtëpia e Mimë Bibajës është pikërisht vendi ku lindi i ati. “Muzeu – Ju më thoni se pleqënia Elbasanit ka vum ndërment të ngrefi ose të përkthej shtëpin e Mimës si muze, aty ku leu im atë. Ky mendim asht i pëlqyeshëm se dëften një shpërblesë dhe kujtim për dietarin elbasanas, themeltar i gjuhësë shqipe. Kët shtëpi e njof shumë mirë: një çardhak dhe një a dy këthyeme t’errëta: çuditem se qenka në kambë edhe sot. Mbas letërësë II-të ku më thoni se e pasëkeni ndërru mendjen d.m.th. do t’a ngrefni ke shkolla që gjendet nd’obor Kishësë, kundrejt varrit tij. Këjo ndërtesë më gjan fare mirë se aty ai ka qenë nxanës dhe mësojës. Aty ai mbolli farët e para për ndjenjat kombëtare dhe aty ai përhapi dashunin për shkrimin dhe këndimin e gjuhësë shqipe. T’a futni mbrenda ndë një gastare të trashë dhe t’a mbërdheni përjashta murit afër derësë. Kështu ma mirë, kur këjo kasolle të shkatërrohet dhe kur një tjetër ndërtesë do themelohet ndë vend saj, fotografia e vjetër do shifet dhe do mbetet si një monument istorik për shum breza njerzëshë”.

“Te shtëpia e Mimës, atje ku leu, mbas mendjesë s’ime, do jet mirë të ngulen përjashta, ke dera ose në murë, një pllakë me fotografim e kësaj shtëpie të vjetërë. Filipi K. Kr. ‘Afëroh-u, o vëlla, që të them se kush jam! Mbë quajn Kostandin Kristoforidhi. Linda ndë kët shtëpi mbë 1830. Vdiqa nd’ Elbasan mbë 1895 ke shtëpia Taq Budës. Ato që më ngulën këtu, duan t’ju dëftejn se për gjithë jetën punova me pendën në dorë dhe përdava mbë katër anët’ e Shqipërisë farën e diturisë për ndriçimin e gjuhësë dhe rilindjen e Kombit t’onë. Dhe ti, o vëlla, qofsh shqiptar ose i huaj, puno pa kursim për të mirën e kombit, dhe, mos prit ndonji shpërblim për këtë detyrë atdhetare. Udh’ e mbarë!”, thuhet në këtë letër.

Fotografia

Filipi është ndoshta i vetmi nga djemtë e tij që u kujdes për veprimtarinë e të atit. Ai arriti të sjellë tregimin “Gjahu i Malësorëve-Hieja e Tomorit” dhe gjithashtu një fotokopje të veprës së Frang Bardhit për Bibliotekën Kombëtare, e vetmja që kemi edhe sot.

F. Kristoforidhi kërkoi gjithashtu në arkivin e Shoqërisë Biblike dhe bëri një inventar të veprave të të atit. Ai shkroi edhe vetë proza poetike e poezi, duke u bërë edhe mbledhës folklori në rrugën e të atit. I gjithë ky vrull u mboll larg Shqipërisë dhe në gjallje ai nuk mundi ta vizitojë vendlindjen, për shkak se ishte nën regjimin komunist. /shqip/

Më Shumë

Rahovec, mbahet punëtoria për mbrojtje nga dhuna në familje

I kryesuar nga zyrtari për barazi gjinore, Alban Gashi, njëherësh kryesues i grupit punues dhe i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl...

Policia shqiptoi për 24 orë, 2292 gjoba në trafik

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 2292 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Lajmet e Fundit