9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Interpretimet e (pa)kuptueshme të mësimdhënësve që ligjërojnë nga distanca në RTK

 


Prof. Gani Rudaj

Mësimdhënësit kanë një titull të fituar në Universitet. Fjala UNIVERSITET rrjedh nga fjala latine UNIVERSITAS që do të thotë institucioni më i lartë shkollor që përfshin shumë fakultete, në të cilët përgatiten kuadro për degë të ndryshme të veprimtarisë.

Në njërën prej degëve që studiohen në Universitet është edhe mësimdhënia. Aty kemi mësimdhënie të degëve të ndryshme. Në këtë punim do të merrem vetëm me mësimdhënien e lëndës së gjuhës shqipe të mësimit në distancë.

Gjithmonë kemi thënë kur kemi qenë nxënës se matematika, fizika, kimia dhe gjuha janë lëndë të vështira. Ky mendim nuk qëndron, ngase kam mendimin se nuk ka lëndë të vështira, por ka interpretim të pakuptueshëm nga mësimdhënësit te nxënësit. Nga mosinterpretimi i lehtë i njësisë mësimore nga ana e mësuesit, te nxënësit krijon paqartësi.

Gjatë përcjelljes së mësimit në distancë është vënë re një pasiguri e mësimdhënësve në shpjegimin e njësisë mësimore në lëndën e gjuhës shqipe. Me fjalë të tjera është vënë re mosnjohja e lëndës. Lënda e gramatikës është e ndijshme. Aty nuk bën të bëhet asnjë gabim gjuhësor. Në gramatikë nuk ka gabime të vogla dhe të mëdha. Secili gabim gjuhësor është i madh. Në mesin e mësimdhënësve kishte edhe të atillë që me të vërtetë treguan njohuri të shkëlqyeshme në lëndën e gjuhës shqipe, si dhe interpretimin e kanë bërë në mënyrë shembullore.

Analizën e fillova me nxënësit e klasës së tretë.

Ora u mbajt nga mësuesja Aulona Bulliqi. Njësia mësimore ishte: Ndarja e fjalëve në fund të rreshtit. Mësuesja e filloi mirë orën. Mirëpo, gjatë ushtrimeve mësuesja bëri një lëshim profesional. Te shembujt: shkruaj, lyej, fyell etj., ajo thotë se këto fjalë në fund të rreshtit ndahen në këtë mënyrë: ly-ej, shkru-aj, fy-ell e ndonjë shembull tjetër. Këto që i shpjegoi mësimdhënësja nuk qëndrojnë në aspektin shkencor.

Diftongjet formojnë vetë rrokjen dhe nuk bën të ndahen në fund të rreshtit. Ky ligj vlen edhe për grupin e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng. Një lëshim tjetër shkencor ndodhi te numërorët që shoqërohen me një të. Mësuesja mori si shembull numërorin 6-të e 20-të.

Këtu duhet të cek se kjo të i prapangjitet vetëm numërorëve 2,3,5,21,22,23,25,31,32,33,35,41, 42,43,45,51,52,53, etj.

Kjo që po e them mbrohet në aspektin shkencor dhe logjik të gjuhës. P.sh. nëse marrim numërorët 4,6,7,8,9,10 e ndonjë tjetër të këtij lloji dhe këta numra i shkruajmë me shkronja dhe atyre ua shtojmë këtë të na dalin të pakuptueshëm. Të gjithë numrat që mbarojnë me të nuk kanë nevojë edhe për një të. P.sh gjashtëtë, shtatëtë etj.

Xhejlane Aliu është mësuese e klasës së tretë.

Ajo e zhvilloi njësinë mësimore me titull Mënyra dëftore – ushtrime. Kjo orë kishte për qëllim të bëjë ushtrime rreth përdorimit të fjalive dëftore si në të shkruar, ashtu edhe në të folur. Kjo mësuese qysh në titull bëri gabim gjuhësor. E shkroi titullin me thonjëza: ” Mënyra dëftore”. Po e jap një shpjegim në lidhje me thonjëzat. Thonjëza është shenjë e pikësimit që ka trajtën e dy presjeve ose e të dy gjysmëkllapave këndore, të cilat vihen në shkrim në fillim dhe në fund të atyre fjalëve që përsëriten pikë për pikë ashtu siç janë thënë prej dikujt ose theksohen me qëllim ironie, talljeje, mosbesim etj.

Me këtë kuptojmë se thonjëzat nuk e kanë vendin në titullin e mësimit. Mësimi filloi me një tekst që e kishte shkruar mësuesja. Titulli i tekstit është: Ç’lloj fjalish përmbanë teksti? Edhe titulli është shkruar gabimisht. Folja PËRMBANË nuk shkruhet me Ë në këtë rast. Folja është dashur të shkruhet pa Ë. Gabimi tjetër u bë në fjalinë e parë të tekstit që është: Para se të vie dimri, disa shpendë udhëtojnë për në vende të nxehta. Në këtë fjali u përdor folja në mënyrën lidhore TË VIE. Kjo folje nuk shkruhet kështu.

Trajta normative e kësaj folje është TË VIJE. Pjesa tjetër e orës u zhvillua me shembuj të tjerë që kishin lidhje me njësinë mësimore.

 

Mësuesja Xhejlane Aliu do të bënte mirë që të lexojë mësimet ku bëhet fjalë për foljet dhe për shenjat e pikësimit. Gjuha ka ligje, prandaj ato duhet të respektohen.

Në klasën e katërt u zhvillua njësia mësimore: S të dallojmë kundrinorin e zhdrejtë pa parafjalë. Kjo orë u mbajt nga mësuesja Fatime Sylejmani. Kjo është një njësi që i takon fushës së sintaksës. Nga paraqitja e mësimdhënëses përballë kësaj njësieje, u vërejt një përgatitje bukur e mirë. Shembujt e dhënë ishin të lehtë dhe të kuptueshëm. Kjo orë ka qenë e suksesshme.

Bëra një vështrim të orës mësimore në klasën e pestë. Në këtë klasë njësia mësimore ishte: Kuptimi i fjalëve. Në këtë klasë mësimin e zhvilloi Xhevahire Jashanica. Paraqitja pedagogjike dhe thjeshtësia e shpjegimit janë për notë maksimale. Aftësitë e saja menaxhuese gjatë orës mësimore, ishin shumë bindëse, saqë më krijoi bindje se mësuesja Xhevahire Jashanica mund të fliste me orë të tëra në lidhje me këtë njësi mësimore.

Mënyra se si po punon kjo mësimdhënëse duhet të jetë i mirë për të tjerët. Tani do të shkruaj për një paraqitje tjetër të mësimdhënies.

Është klasa e pestë.

Para nxënësve u paraqit mësuesja Gëzime Fejzullahu. Njësia mësimore ishte Zgjedhimi i foljeve. Vetë njësia mësimore na tregon se është një fushë mjaft e gjerë për të shpjeguar. Hyrja ishte e qëlluar. Mësuesja i njohu nxënësit me kategoritë gramatikore të foljes. Tregoi se kemi folje të rregullta dhe të parregullta. Deri këtu puna e saj ishte shumë e mirë. Nga këtu fillojnë gabimet. Gabimi i parë që u bë ishte se njësia mësimore ishte zgjedhimi i foljeve që do të thotë se nuk kemi të bëjmë vetëm me zgjedhimin e foljeve të parregullta.

Kjo mësimdhënëse gjatë orës mësimore bëri vetëm zgjedhimin e foljeve të parregullta. Këtu është dashur të zgjedhohen edhe foljet e rregullta, e cila punë nuk u bë. Edhe te zgjedhimi i foljeve të parregullta u bënë dy gabime. Gabimi i parë ishte se mësuesja nuk i përmend të gjitha foljet e parregullta dhe gabimin e dytë e bën kur në mesin e kategorisë së foljeve të parregullta i përmend edhe foljet ZË dhe VË. Këto dy folje nuk janë të parregullta, por i takojnë grupit të foljeve të zgjedhimit të tretë.

Në klasën e gjashtë përcolla njësinë mësimore Lidhëzat dhe funksioni i tyre. Në bazë të asaj që u pa se si po punon mësimdhënësja Maliqe Syla me plot meritë mund të them se Maliqe Syla po vallëzon suksesshëm në fushën e gjerë të sintaksës. Një gjë më ra në sy se kjo mësimdhënëse nuk doli për t’i dëshmuar aftësitë e veta, por doli për t’i mësuar nxënësit në mënyrë sa më të lehtë dhe ia doli në mënyrë shembullore.

Mësimdhënësi Fatmir Fejziu e mbajti orën mësimore në klasën e gjashtë me titull Përbërësit e fjalisë. Fatmir Fejziu tregoi përgatitje maksimale. Pamja dhe paraqitja e tij ishte e një mësimdhënësi me plot kuptimin e fjalës. Shembujt e dhënë ishin të saktë. Komunikimi gjatë shpjegimit ishte i lehtë dhe i kuptueshëm. Me një fjalë, çdo segment i orës ishte në vendin e vet.

Njësia mësimore me titull Mënyra dëftore dhe kohët e mënyrës dëftore, u zhvillua në klasën e shtatë nga mësimdhënësi Dukagjin Kelmendi. Fillimin e orës e filloi me një shkrim të marrë nga MASHTI. .e anë të këtij shkrimi mësimdhënësi deshi të na tregojë se cilat janë foljet. Në tekst foljet ishin të hijëzuara.

Gabimi që u pa është se në tekstin që ishte i shkruar me disa fjali ishin të përdorura disa folje dhe ato ishin vetëm në kohën e kryer të mënyrës dëftore. Mësimdhënësi vazhdon ecurinë e orës në rrugë të gabuara. Në vend që të fillojë me shpjegimin e mënyrës dëftore, ai filloi të japë shembuj nga mënyra lidhore, kushtore, habitore, dëshirore dhe urdhërore. Të gjitha këto mënyra të tjera të foljes, nuk kanë lidhje me njësinë që është dashur të zhvillohet.

Në pjesën e dytë të orës, mësimdhënësi u kthye te shpjegimi i mënyrës dëftore me shembuj të mirë. Megjithatë, u bë një lëshim se asnjë fjalë nuk u tha për diatezën joveprore. Në fund të orës u dhanë edhe detyrat e shtëpisë. U dhanë dy detyra. E para detyrë ishte që nxënësit të bëjnë lidhjen e fjalëve nga shtylla e parë në shtyllën e dytë. Në detyrën e dytë nxënësit kanë pasur për detyrë të analizojnë tri pohimet e mëposhtme. Gabimi është se në asnjë detyrë nuk janë dhënë fjalitë me të cilat nxënësit do të orientohen për zgjidhjen e këtyre detyrave.

Edhe një orë u mbajt në klasën e shtatë.

Njësia mësimore ishte: Zgjedhimi i foljeve në mënyrën dëftore- zgjedhimi vepror. Kjo orë u mbajt nga Dukagjin Kelmendi. Në këtë orë mësimi, arsimtari në tërësi zotëroi në shpjegimin mënyrës dëftore të zgjedhimit vepror. Në këtë orë mësimi u përfshinë të trija zgjedhimet e foljeve. Për secilën folje të zgjedhimit, arsimtari e shfaqte me anë të tabelave. Detyra e shtëpisë ishte e lidhur me njësinë mësimore që u zhvillua. Duke marrë parasysh se folja në përgjithësi është një temë e gjerë për t’u shpjeguar dhe kërkon më shumë kohë, mund të them se kjo orë ishte e suksesshme.

Mentor Hajrizi, në klasën e tetë zhvilloi njësinë mësimore me titull: Fjalia e përbërë me pjesë të nënrenditura kushtore dhe lejore. Ky mësimdhënës hyri aq lehtësisht në shpjegimin e kësaj njësie sintaksore sa që kam bindjen se të gjithë nxënësit e kanë kuptuar mësimin. Te ky punëtor u pa një njohje e shkëlqyer e sintaksës. Lënda e sintaksës është një sipërfaqe e gjerë, ku Mentor Hajrizi çante rrugën drejt suksesit pa pasur asnjë problem. Detyrat e shtëpisë nuk ishin të komplikuara.

Mentor Hajrizi përsëri na u paraqit me njësinë mësimore: Formimi i mbiemrave . Kjo njësi u zhvillua në klasën e tetë. Nga këndvështrimi im mund të them se hyrja, zhvillimi dhe përfundimi i orës mësimore ishte në mënyrë të shkëlqyeshme. Edhe në këtë orë tregoi përgatitje të lartë profesionale.

Mësimdhënësja Melihate Zeqiri mbajti një orë mësimi në klasën e nëntë me titull Si t’i përdorim pjesëzat. Në fillim bëri një përsëritje të shkurtër për pjesët e tjera të ligjëratës. Pastaj filloi me shpjegimin e pjesëzave. Në fillim në ekran shfaqi një pjesë të shkruar nga shkrimtari Fatos Kongoli, në të cilën pjesë ishin disa pjesëza. Mësimdhënësja gjatë orës bëri ndarjen e pjesëzave sipas funksionit të tyre dhe të gjitha këto shfaqte me shembuj në fjali. Me atë që pashë nga këndvështrimi im, mund të them se u zhvillua një orë e suksesshme e gjuhës shqipe.

Mësimdhënësja Shyhrete Alaj në klasën e nëntë zhvilloi njësinë mësimore me titull Klasifikimi i foljeve sipas kuptimit dhe funksionit. Mund të them se hyrja, zhvillimi dhe përfundimi i orës mësimore ishte perfekt. Dhënia e detyrave të shtëpisë ishte e qëlluar.

Në klasën e nëntë u mbajt ora mësimore me temë: Përdorimi i trajtave të shkurtra të përemrave vetorë. Ora u mbajt nga mësimdhënësi Bahri Koskoviku. Arsimtari i lëndës kishte shkruar disa fjali sipas normës drejtshkrimore, si dhe disa fjali të shkruara gabimisht. Me anë të këtyre dy grupeve të fjalive, ky mësimdhënës bënte shpjegimin se pse këto fjali janë të drejta dhe pse nuk janë. Edhe dhënia e detyrave të shtëpisë ishte në këtë formë.

Bahri Koskoviku në këtë orë mësimi nuk la asnjë vend për vërejtje. Nga e gjitha këto që shkrova më duhet të them se ata që kanë titull të fituar në Universitet, le të punojnë ashtu dhe jo të përqafojnë titullin e cirkusantit.

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1082 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit thërret  seancë të jashtëzakonshme

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Bytyqi, ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit   në një seancë  të  jashtëzakonshme. Seanca mbahet të martën,...

Lajmet e Fundit