8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Mall për familjen dhe miqtë

Atifete Jahjaga 2Presidentja Jahjaga, në intervistën ekskluzive dhe krejt ndryshe nga herat tjera për Indeksonline, e kujton me mall kur e ka përgatitur një darkë të shijshme për vetën dhe zotëriun e parë të Kosovës, , Astritin…dhe për shumçka tjetër. Kjo intervistë është realizuar ekskluzivisht për revistën javore “Indeks Paper”, produkt i Indeksonline, dhe që jepet falas në Aeroportin e Prishtinës.
-Një specialitet të përgatitur vet, mesiguri nga kuzhina aziatike, krahas muzikës dhe zërit të mrekullueshëm të Andrea Bocellit përbënë darkën e preferuar për Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe bashkëshortin e saj, Astritin.

Muzika klasike mund të zëvendësohej ndonjëherë edhe me këngë qytetare shqiptare, por temat e preferuara të kësaj darke të pëlqyer nuk është lehtë t’i zgjedhësh.
Ata mund të flasin për cështjet gjinore që vazhdojnë të mbesin sfidë e Kosovës, për takimet e shumta me burrështetas dhe udhëheqëse të rëndësishme botërore, apo ndoshta edhe thjeshtëstinë dhe njërzillëkun e aktorëve më të rëndësishëm të kinematografisë botërore, Brad Pitt, Angelina Jolie apo

Leonardo Di Caprio kur Zonja Jahjaga i ka takuar.
E gjitha kjo do të ishte gati perfekte sikur këtë darkë, çifti i parë i Kosovës të ketë vërtetë mundësi ta realizojë.

Sikur të jesh president i një shteti nuk është angazhim i mjaftueshëm, muajt e fundit për të parën e shtetit të Kosovës kanë qenë një sfidë e cila ka bërë që Zonja Atifete Jahjaga të harroj kur ka kaluar kohë të lirë me familjen apo miqtë e saj.

Indeksonile: Zonja Presidente, ju lutem na përshkruani ditën tuaj, nga mëngjesi deri në mbrëmje?

Jahjaga: Çdo ditë ka specifikat e saj dhe natyrisht dinamikën e punës. E zakonshmja e secilës ditë është agjenda e ngjeshur edhe e takimeve me delegacione të ndryshme, qoftë nga vendi qoftë edhe nga jashtë vendit, por edhe e konsultave në kabinet për çështjet jo vetëm ditore. Mbi të gjitha përfaqësimi I Kosovës në botë kërkon angazhime të mëdha dhe përgatitje sepse vendi ka nevojë për konsolidimin e tij ndërkombëtar. Në rrethanat në të cilat ndodhet Kosova sot është e natyrshme që dita të jetë e ngarkuar, qoftë duke analizuar gjithë gjendjen edhe të sigurisë edhe politike, qoftë duke u përgatitur për takime me politikanët e Kosovës dhe gjithashtu edhe duke zhvilluar takime me ta. Më e rëndësishmja për institucionin është bashkërendimi dhe bashkëveprimi institucional sepse kjo mundëson veprimin e shtetit dhe gjithsesi funksionimin demokratik të institucioneve. Dua të them se pushimet gjatë ditës janë të shkurtra, shumë shpesh edhe dreka me kabinetin tim shndërrohet në drekë pune kur duhet të analizohen veprime dhe kur duhet të merren edhe vendime. Gjithashtu orari I punës është I papërcaktuar. Ardhja herët në zyre dhe dalja shumë vonë nga zyra, sepse dinamika e punës është e madhe dhe obligimet janë gjithashtu të mëdha.

Indeksonline: A ka kohë Presidentja të merret me çështje familjare, biseda me shoqëri-a është Presidentja në gjendje të pranoj thirrje prej ndonjë shoqeje që ka dëshirë të bëj bisedë private me ju?

Jahjaga: Realisht kam harruar kur kam pasur kohë për familjen time dhe mos të përmend miqtë e mi. Unë kam kohë për familjen vetëm në përfundim të ditës së punës e që zakonisht është shumë vonë. Kafet e mia me miqtë ose me familjen janë rralluar së tepërmi, dhe bisedat e mia tani janë shndërruar në biseda pune. Por megjithatë çdo moment mundohem ta shfrytëzoj që të jem pranë familjes sime.

Indeksonline: Nëse keni dy apo tri orë të lira gjatë ditës, si preferoni t’i kaloni ato?

Jahjaga: E nisët mirë pyetjen me fjalën “nëse”. Dy ose tri orë të lira gjatë ditës mund t’ju them se janë të rralla. Ju thash se dinamika e punës është e madhe dhe unë shfrytëzoj çdo moment për përgatitje. Diskutimet në kabinet për çështje të ndryshme, përveç agjendës së ngjeshur, të takimeve të shpeshta, udhëtimeve jashtë vendit, që janë udhëtime pune, janë të domosdoshme për të analizuar veprime dhe për të marrë edhe vendime më pastaj. Në çdo periudhë të lirë të kohës, sado e shkurtër të jetë, shfrytëzoj rastin të lexoj. Kohët e fundit, zhvillimet politike me marrin kohë më tepër dhe gjithashtu edhe analizat politike dhe ligjore.

Indeksonline: A keni ndonjë ushqim të preferuar? Nëse po, cili është dhe a keni dëshirë më shumë që ta përgatisni vet apo t’ua bëj gati dikush tjetër?

Jahjaga: E preferoj më shumë përgatitjen në shtëpi se sa ushqimet jashtë. Dikur kam pasur më shumë kohë dhe jam marrë më shumë me kuzhinën, kurse sot koha më mungon. Më pëlqen kur bëj një darkë të mirë dhe kur së bashku më bashkëshortin tim, Astritin, e shijojmë atë. Them sërish se kam pak, shumë pak kohë, për shkak të angazhimeve të ditës, por megjithatë çdo minutë kur më jepet mundësia kam dëshirë të përgatis ushqime qoftë tradicionale ose të provoj diçka të re. Kuzhina aziatike më pëlqen shumë.

Indeksonline: Cilat janë vendet më të preferuara për t’i vizituar nëper Kosovë dhe cili vend që tashmë e keni vizituar iu ka lënë përshtypje më shumë, dhe pse?

Jahjaga: Ju e dini se unë jam me prejardhje nga Gjakova, por realisht kam kaluar më shumë kohë në Prishtinë. E dua çdo pjesë të Kosovës, dhe kam shëtitur pothuaj çdo pjesë të saj. Më pëlqen shumë posaçërisht pjesa malore e saj, sepse shpërfaq gjithë bukurinë e shtetit. Kosova është vendi me bukuri të rrallë natyrore dhe unë e pëlqej shumë ecjen në natyrë.

Indeksonline: Keni pasur jo pak takime jo vetëm me udhëheqës shtetesh, por edhe persona të njohur nga industri të ndryshme, përfshi edhe ata të filmit. A mund të ndani me ne ndonjë moment interesant nga këto takime?

Jahjaga: Po kam takuar burrështetas të shumtë, në takime qoftë bilaterale qoftë multilaterale. Kam pasur takime të veçanta me Presidentin Obama, dhe nuk e harroj takimin e parë në Varshavë të Polonisë, pak muaj pasi u zgjodha Presidente. Gjithashtu nuk e harroj asnjë minutë të takimeve të mia me sekretaren Hillary Clinton. Çdo takim me të ka një të veçante të veten dhe unë dua ta kujtoj vizitën e saj në Kosovë, dhe mbështetjen për popullin e Kosovës e kurajon për mua dhe punën time. Gjithashtu dua të kujtoj edhe takimin me kancelaren Merkel në Dubrovnik e presidentin francez, Hollande në Lubjanë. Natyrisht nëpër gjithë këtë periudhë kohore kam takuar edhe figura të tjera të larta të politikës, Joe Biden, që më ka dhënë mbështetjen e madhe. Po e vërtetë që kam takuar edhe Angelina Jolie, Brad Pitt, Meryl Streep, Leonardo di Caprio, emra të njohur të kinematografisë botërore. Ajo që më le përshtypje është thjeshtësia e tyre, respekti dhe njerzillëku.

Indeksonline: Cilin zhanër të muzikës e preferoni më shumë?

Jahjaga: Muzika qytetare shqiptare. Por dëgjoj edhe zhanre të tjera, muzikën popullore shqiptare atë që do ta quaja burimore. Dhe nga muzika e huaj më shumë atë klasike.

Indeksonline: A keni ndonjë këngëtar të preferuar?

Jahjaga: Ka shumë që pëlqej, të gjithë artistët e mirëfilltë shqiptarë. Por këngëtari që më pëlqen më shumë, nga muzika klasike, është Andrea Bocelli.

Indeksonline: Marrë parasysh se jeni Presidentja e parë femër në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor, a keni një mesazh të veçant për femrat?

Jahjaga: Do të ritheksoj thënien e mikeshës sime dhe të popullit të Kosovës, sekretares Clinton: “Të drejtat e gruas janë të drejtat e njeriut”. Dhe ne duhet të luftojmë që t’i shfrytëzojmë ato. Unë nuk dua ta ndajë shoqërinë në burra e gra, sepse shoqëria përbëhet nga gratë e burrat. Në mënyrë të barabartë. Megjithëkëtë jo çdo shoqëri e ka tejkaluar çështjen e barazisë gjinore dhe as shoqëria jonë nuk I ka dhënë fund kësaj ndarjeje. Prandaj sa më shpejtë të tejkalojmë barrierat gjinore do ta kuptojmë se shoqëria e shëndoshë udhëhiqet barabarësisht nga të dyja gjinitë. E thonë se jemi gjinia më e dobët. Mund të jetë për nga fiziku, por ne – femrat – kemi dëshmuar se jemi të afta të udhëheqim me shtetin, sepse e dëshmojmë çdo ditë se udhëheqim me familjen. Ne jemi shtyllë e palëkundur e familjes, e shoqërisë dhe e shtetit.

Më Shumë

Guardiola: Gara për titull është e hapur

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është shprehur i kënaqur me fitoren e thellë 4-0 në udhëtim te Brightoni. “Jap shumë merita sepse e njoh...

Zyrtare: Cannavaro, trajneri i ri i Udinese

Fabio Cannavaro është trajneri më i ri i skuadrës së Udinese. Klubi bardhezi ka kënaqësinë të mirëpresë kampionin e botës dhe fituesin e Toipt të...

Lajmet e Fundit