16.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

Femra që frymëzon librat e mi…

“Gjëja e parë që mëson një shkrimtar është se çdo rrëfim artistik, pavarësisht zhanrit dhe gjatësisë së rrëfimit, ka dy shtylla themelore: syzheun (logjika e konfliktit) dhe personazhin. Këto të dyja janë aq të ndërlidhura me njëra-tjetrën, saqë diskutimi se kush është i pari është i njëjtë me debatin nëse pula e bëri vezën apo veza pulën”, kështu e sheh Albatros Rexhaj sfidën për krijimin e një personazhi të gjinisë së kundërt. Sipas tij, një personazh i motivuar shkakton pështjellime që ndihen nëpër të gjithë universin dhe gjeneron e vë në lëvizje një konflikt të fuqishëm që mund të zgjatë për aq sa dëshiron shkrimtari. Por, në anën tjetër, jo përherë një konflikt i fuqishëm gjen dhe zbulon më së paku një personazh të motivuar.”Personalisht jam ithtar i idesë se vetë personazhi e krijon dramën dhe se finesat e rrëfimit, para se ato të shpërfaqen në universin letrar, ngjizen dhe zhvillohen brenda vetë personazhit, derisa të arrijnë pikën e shpërthimit. Shkrimtari duhet ta njohë personazhin e tij po aq sa e njeh edhe veten, por në të njëjtën kohë duhet të ketë kujdes që sa më pak të ndërhyjë në mënyrën se si mendon personazhi. Pavarësisht tundimit për ta menaxhuar në njëfarë mënyre mendjen e personazhit, shkrimtari lipset të lejojë pavarësinë e mendimit të tij, personazhit, pra, në mënyrë që ai të ketë mendjen e vet dhe jo të jetë, si të thuash, një klon i mendimeve të shkrimtarit”, thotë ai. Albatros Rexhaj e sheh të ardhmen me sytë e Michel Houellebecq.

“Jeta vjen e bëhet dëshpëruese, ndoshta se rinia ikën dhe vjen plakja”, shprehej shkrimtari i njohur francez në një intervistë pak kohë më parë. Por sërish Houellebecq beson te romantizmi, tek ai romantizëm që vjen nga brenda dhe bëhet aq i fortë te ty, teksa mendon se nuk do ta takoje kurrë. Ka diçka të ngjashme mes konceptit të tij dhe Rexhajt, që e sheh letërsinë si një formë për të depërtuar tej në indet e dashurisë, duke këmbëngulur se ajo ekziston si te “Zonja Z”. Por çmendon shkrimtari nga Kosova për truallin letrar të letërsisë së sotme shqipe …

Borghesi e konsideronte letërsinë si një qenie imagjinare, duke e konsideruar atë si një shumësi të të gjitha shenjave të universit …?

Konsideroj se secili shkrimtar e krijon një ide të vetën mbi atë se çfarë është letërsia dhe, në mendimin tim, pikërisht ky detaj e bën një shkrimtar të dallueshëm nga tjetri. Për mua, letërsia është vazhdimësi e qenies sime dhe një nga mënyrat me anë të së cilës unë lidhem me qendrën e universit – koncept të cilin e kam shpjeguar te romani im “Edith”. Besoj në atë se universi, përfshirë edhe ne si pjesë e tij, është një dhe i pandarë, një organizëm kompleks dhe i gjallë në mënyrën e vet. Për mua, letërsia është një nga mënyrat se si universi komunikon me të gjithë ne.

Nëse doni të hidhni sytë në peizazhin më të bukur të botës, lexoni një libër shprehej ai. Cilin libër do të zgjidhje?

Mendoj se kjo zgjedhje nuk është diçka e fiksuar. Gjatë jetës, njeriu ndryshon dhe rrjedhimisht ndryshon edhe mënyra se si e shohim dhe si e ndiejmë veten dhe botën. Hë për hë, në raport me botën, ndjesitë e mia nuk janë në rrafshin e asaj që mund të cilësohet si diçka e bukur, pasi konsideroj se bota është në prag të një epoke shumë të errët që do të shënohet me shumë dhembje dhe vuajtje. Këtë peizazh të botës aktualisht e gjej te libri “Nënshtrimi” nga Michel Houellebecq. Bashkë me letërsinë ka lindur dhe shkenca hulumtuese e saj … Në të gjitha kohërat shkrimtarë dhe filozofë kanë pasur dëshirën për të pasur një shtëpi të përbashkët, ku përmes një çaji a gote alkooli të flisnin për librat.

Në cilën prej këtyre strehëzave letrare do të doje të kaloje disa orë?

Shkencëtarët për letërsinë dhe shkrimtarët kanë nevojë për njëri-tjetrin, por jo rrallëherë edhe bien në konflikt mes tyre

Për mendimin tim, mendimi shkencor për një vepër letrare është diçka që kërkon kohë dhe nuk mund të bëhet aty për aty. Nuk duhet harruar se shkenca për letërsinë ka refuzuar emra të mëdhenj si Xhojsi dhe të tjerë. Mendimi i plotë e objektiv për një shkrimtar, rrjedhimisht edhe për veprën e tij, vjen vetëm pas një kohe dhe merr parasysh edhe ndikimin në shoqëri që mund ta ketë një vepër e caktuar. Sa i përket shtëpisë së përbashkët – një strehë ku shkrimtarët mund të gjejnë njëlloj qetësie për mendimet e tyre, por edhe sigurinë e nevojshme për të debatuar me të tjerët – mendoj se ne jemi larg nga diçka e tillë, sepse nuk ekziston diçka që do të mund të cilësohej si një komunitet shkrimtarësh. Fjala “komunitet” nuk nënkupton vetëm tërësinë numerike të shkrimtarëve, por edhe praninë e një komunikimi korrekt dhe një mirësjelljeje themelore në raport me njëri-tjetrin dhe në raport me kritikën. Konsideroj se fatkeqësisht korrektësia dhe mirësjellja minimale moti ka ikur nga komuniteti i artistëve. Për mua, strehëza ime është ai vend ku ndihem i qetë dhe i sigurt, pak rëndësi ka nëse është bar, librari, market apo çfarëdo.

Në Shqipëri apo Kosovë, revistat letrare kanë pasur rrugëtimin e tyre … Si e kujtoni kontaktin tuaj me këto revista letrare?

Kontaktin me revistat letrare në shqip e kam pasur gjatë ditëve të mia në gjimnaz, por ato i takonin një kohe tjetër. Aktualisht nuk kam ndonjë kontakt me revista letrare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, por ndjek nga afër revistat në rajon dhe ato që botohen në gjuhën angleze. Jam abonent i rregullt dhe mezi e pres ditën kur do të më vijnë në shtëpi ose në versionin elektronik në iPad-in tim. Vitet e fundit, as revistat letrare, por as kritika letrare nuk kanë mundur të jenë në kohët e tyre të mira.

A është kjo një krizë që ka ardhur bashkë me brerjen e mendimit letrar?

Për mendimin tim, problemi me letërsinë dhe kritikën shqipe qëndron në ngurrimin (për mua të pakuptimtë) që të përqafohet mendësia e shekullit 21. Dua të përkujtoj se nobelisti Patrick Modiani, gjatë marrjes së çmimit në Stokholm, tha se, si rrjedhojë e bumit teknologjik dhe përqafimit masiv të rrjeteve sociale, po lind një mënyrë e re e të shkruarit, rrjedhimisht edhe një letërsi e re. Fatkeqësisht, letrat shqipe janë vetëngujuar në mendësinë e viteve ’70-’80 të shekullit të kaluar dhe letërsinë e shohin me filtrat e asaj kohe. Unë për vete kam bërë një prerje cezariane me atë mendësi dhe konsideroj se kjo shënon edhe një nga shtyllat e suksesit tim, sepse lexuesi më ka pranuar si eksponent i një letërsie të re në shqip. Kolegët e mi, por edhe komuniteti më i gjerë, duhet të heqin dorë nga idealizimi i tepërt i artit dhe letërsisë, por duhet të jemi më realist në raport me veten, artin, por edhe njëri-tjetrin.

Cila është sfida e krijimit të një personazhi të gjinisë së kundërt?

Kjo sfidë bëhet edhe më e madhe kur shkrimtari duhet të krijojë një personazh të gjinisë së kundërt.Kur kam krijuar personazhin e Zonjës Z, sfida ime më e madhe ishte që të mos përshfaqja një personazh femër sipas konceptit tim se si duhet të mendojë një femër. Arsyeja përse Zonja Z është një personazh intrigues, qëndron pikërisht te pavarësia e mendimit të saj. Ajo është tejet e pavarur nga mendimet e mia, mendon e vepron në botën e vet tërësisht femërore dhe jo në një botë “femërore” të dizajnuar sipas parapëlqimeve dhe dëshirave të mia si autor, por edhe si mashkull. Kjo lloj sfide është edhe më e madhe kur një shkrimtare femër përpiqet të konceptojë dhe të sjellë në jetë një personazh mashkull. Historia e letërsisë tregon se ka shumë pak shembuj të suksesshëm kur një shkrimtare femër ka arritur të realizojë personazhe të fuqishme mashkullore, që mendojnë, flasin dhe veprojnë si meshkuj të vërtetë dhe jo të kontrolluar nga autoret. Mary Shelley, Jane Austen dhe Charlote Bront janë shembujt model të krijimit të personazheve meshkuj, por në letërsinë bashkëkohore nuk ka edhe aq shumë autore që të kenë arritur t’i çlirojnë personazhet e tyre meshkuj nga mënyra e tyre e të menduarit si shkrimtare. Në letërsinë shqipe, ky problem është edhe më i madh, për arsye se, mbase të ndikuar nga mënyra jonë e vrazhdë e të jetuarit, autoret femra kanë prirje që personazhin mashkull ta veshin bardhë ose zi. Nuk dua të jap leksione për atë se si të veprohet, por, gjithnjë nisur nga përvoja ime, mendoj se çelësi i suksesit fshihet te komunikimi i sinqertë mes shkrimtarit dhe redaktorit letrar. Shkrimtaret femra duhet të hulumtojnë dhe të gjejnë redaktorin letrar me të cilin mund të bashkëpunojnë, por edhe të mos hezitojnë që të pyesin, të hulumtojnë dhe të debatojnë me meshkuj të gjithëllojshëm, të profileve dhe përkatësive të ndryshme sociale, derisa ta kuptojnë mënyrën se si mendon vërtet një mashkull. Te libri “Zonja Z” kam pasur fatin të punoj me dy redaktore femra, të cilat, pos që kanë shikuar pjesën stilistike të librit, po ashtu janë përqendruar në finesat e mënyrës së të menduarit të personazhit. Para se të krijoja Zonjën Z, pos shënimeve të mia që i kisha nga bisedat me muzën time, personin real që ka shërbyer si model për të krijuar personazhin, kam zhvilluar me dhjetëra, në mos më shumë, biseda me femra të profileve të ndryshme, gjithnjë me synimin që të kapja finesat e mënyrës së të menduarit si femër. Por, në fund, “krehjen” përfundimtare dhe kujdesin deri në detajet më të imta e kam bërë me dy redaktoret e mia. Debati me redaktorin nuk është i lehtë, por është e domosdoshme që shkrimtari ta kuptojë se mendimi alternativ apo sugjerimet janë po aq të rëndësishme sa edhe mendimi i tij për veprën e vet. Në fillimet e mia kam pasur fatin që të punoj me Sejdin Cekanin, një redaktor letrar që nuk ngurron të përfshihet në debate të zjarrta profesionale me shkrimtarin, por që, në të njëjtën kohë, asnjëherë nuk harron se në vepër duhet të nxirret më e mira e shkrimtarit dhe jo të tregohet epërsia intelektuale dhe profesionale e redaktorit. Në fund, e ndiej të nevojshme të them se jam shumë i vetëdijshëm se profesioni i redaktorit letrar (si autoritet që shikon jo vetëm gjuhën, por edhe stilin dhe të gjithë strukturën e librit) te ne po kthehet në një specie në zhdukje. Dhe, me kohën, mungesa e redaktorëve profesionistë do të jetë një handikap i madh për të gjithë shkrimtarët, femra apo meshkuj.

Më Shumë

Rreth 100 punëtorë të lënduar këtë vit

Përveç dhimbjeve dhe pamundësisë për të lëvizur, Rexhep Gashi brengosej edhe për mbulimin financiar të trajtimit të tij. I shtrirë prej ditësh në Klinikën e...

“Pa u vra unë, juve asgjë s’do t’ju ndodhë”, bashkëluftëtari i Luan Haradinajt, kujton fjalët e tij të fundit

Bashkëluftëtari i Luan Haradinajt, Selim Krasniqi, ka kujtuar disa fjalë që thotë se ua kishte thënë Luani. “Pa u vra unë, asnjërit nga ju nuk...

Ballkani mban kreun

Lajmet e Fundit