6.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Ilir Demalia nxjerr dosjen e tij, tregon kush ishin spiunët e Sigurimit

“Hapja e dosjeve ka kuptim për të ndaluar ata persona që janë në funksione shtetërore, publike dhe mediatike që të mos ushtrojnë më këto funksione, sepse me dosjet e tyre ata janë pengje të së kaluarës së tyre si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit”. Keshtu shprehet në intervistën ekskluzive për “Panorama” Ilir Demalia.

Bashkangjitur mund te lexoni pjese nga dosja e tij, si edhe disa dokumente që dëshmojnë ndjekjen e tij prej Sigurimit të Shtetit, përpjekjet e të atit për ta shpëtuar nga burgu duke e quajtur “të sëmurë mendor” dhe intervistat në shtypin e huaj, pas largimit nëpërmjet Ambasadës Gjermane.

Dosja e Ilir Demaliajt

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Ministria e Punëve të Brendshme Drejtoria e parë

Sekret ekzemplar nr.1 Tiranë më 14.12.1990

Lënda: dërgohet një informacion i Drejtorisë 3-të Drejtorisë Punëve të Brendshme Tiranë Degës së Punëve të Brendshme Shkodër. Nga të dhënat që kemi del se dy djemtë e Binak Pacit (Demalia) që janë larguar nëpërmjet ambasadës së RFGJ në Tiranë, Ilir Binak Demalia dhe i vëllai i tij Arben Binak Demalia, kanë biseduar me shefin e seksionit për Shqipërinë te “Zëri i Amerikës”, Elez Biberaj, dhe i kanë thënë se ata ishin anëtarë të 3 grupeve ilegale me veprimtari ilegale terroriste në qytetin e Shkodrës. Sipas tyre, grupet në fjalë vazhdojnë të ekzistojnë dhe kanë ndërmarrë disa akte terrori.

Të përmendurit për të shkuar në SHBA, i kanë kërkuar garanci të arratisurit nga Kukësi, Ismet Pataria (me banim në SHBA) që është kushëri i parë i babait të tyre, por Ismeti ka refuzuar. Nga studimi i materialeve të tyre të verifikohen lidhjet e Ilirit dhe të vëllait në Shkodër. Na dërgoni të dhëna të plota për ta. Ilir Demalia dhe Arben Demalia kanë banuar në L.5, Rr. K. Përmetit, P. 136 – Tiranë. Kanë punuar në Kinostudio dhe tjetri në Nd. Artistike “Migjeni”

Drejtori i Drejtorisë Parë

***

Sekret

Ekzemplar i vetëm i përkohshëm për 2 vjet Raport vëzhgimi (4.2.1989)

Mbi vëzhgimin e objektivit që quhet Ilir Haxhia dhe që do të njihet me pseudonimin “Qorri”. Në orën 11:30 objekti zbret nga autobusi që kanë në dispozicion në fshatin Divjakë e hyn në Klub. Këtu vëzhgimi ndërpritet për arsye konspiracioni. Në orën 12:00 rifilloi vëzhgimi te kryqëzimi i rrugës së Divjakës me atë të Çermës e në këtë kohë autobusi kalon në këtë rrugë, Rrogozhinë, Plepa, Durrës, në drejtim të Ndroqit, Llazi Miho, Konferenca e Pezës e në orën 14:05 autobusi ndalon te Kino-Teatri “Rinia”, nga ku zbret objekti dhe kalon “Konferencën e Pezës” dhe në orën 14:08 në këtë rrugë tek libraria, objekti takohet me një burrë rreth moshës 35-40 vjeç, i gjatë 1.72, me flokë të rëna, me pardesy gri.

Që të dy hyjnë duke biseduar në banesën Nr.58, ku banon familja Levonja, të rrugës Konferenca e Pezës. Në orën 14:20 objekti del përsëri nga kjo banesë me personin në fjalë e para saj ndahet nga ai. Objekti vazhdon ecjen rrugës “Konferenca e Pezës”, Kont Urani e në këtë rrugë te foto-porcelani, vëzhgimi u ndërpre me urdhër, pasi objektivi u muar nga sektori operativ.

Shefi i Bazës Nr.10

Andrea Karapanxha

***

Sekret

Tiranë më .10.1990

Relacion

Për veprimtarinë armiqësore të Ilir Demalisë e të lidhjeve të tija

Ilir Demaliaj (Haxhia), është i biri i Binakut dhe i Nailes, i vitlindjes 1958, lindur e banues në qytetin e Tiranës, lagje 60, rruga “Kongresi i Përmetit”, pallati 136, shkalla 1, apartamenti 8, me arsim të lartë, i paorganizuar, i padënuar, i pamartuar, ka punuar rekuizitjer në Kinostudion “Shqipëria e Re”, me kombësi e shtetësi shqiptare. I përmenduri vjen nga një familje shtresë e varfër fshatare. Babai i tij pas çlirimit të vendit, deri në vitin 1970 që del në lirim për dobësim në punë e arsye shëndetësore, ka punuar oficer i organeve të Sigurimit të Shtetit.

Fillon punë shef protokolli në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme e në vitin 1975 arrestohet e dënohet me 4 vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë armiqësore, duke u përjashtuar në të njëjtën kohë nga Partia. Pas daljes nga burgu, fiton pafajësinë e ripranohet në parti. Iliri ka punuar si rekuizitjer në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe është njohur si person me sjellje e qëndrim të keq që manifestonte vese e shfaqje të huaja dhe zhvillonte veprimtari armiqësore në formën e agjitacion propagandës, ka pasur të ngritur dëshirën për t’u arratisur jashtë shtetit si dhe kontakte e biseda me të huaj të ardhur në vendin tonë si specialist, turist etj..

Më datën 15.1.1988 i përmenduri është marrë në përpunim aktiv 2.A, ndërsa më dt.5.1.1989 është organizuar me të thirrja e pyetja nëpërmjet bashkëbisedimit në gjendje të lirë, ku nuk pranoi aktivitetin armiqësor që kishte zhvilluar, me përjashtim të disa momenteve të zbehta për agjitacion e propagandë armiqësore.

***

Nr.14746

Dhënë BP “Panairi”

Marrë P.O H. Dhrima

Tiranë më 13.2.1989

Raport i datës 13.2.1989

Burimi njofton se në datën 11.2.1989 rreth orës 10:30 ka takuar përballë Dhomës së Tregtisë Binak Haxhinë dhe që të dy pinë nga një shishe birrë te lulishte “Progresi”. Kur burimi e pyeti se ka disa ditë që nuk ka ardhur, Binaku ju përgjigj: “Nuk kam ardhur se s’kam dasht me të prish punë, pastaj, vazhdoi Binaku, kam disa halle, a e sheh se si jam dobësuar, kam problem punën e djemve. Arbenin jo dhe aq, por me preokupon puna e Ilirit, i cili nuk është në rregull dhe nga trutë e kokës.

Kohët e fundit asht ba nevrik, në shtëpi nuk sillet mirë, thyen çfarë i del përpara, si gotë, pjatë, filxhanë, e të tjerë, nuk e di se si do t’i vejë halli këtij djali. Çdo gjë që bën i duket fare normale. Burimi i tha se nesër do të nisen me shërbim jashtë shtetit, do të kalojë nga Beogradi, kam dëgjuar se dinari është zhvleftësuar shumë. Ashtu është, u përgjigj Binaku, Jugosllavi është në krizë, ata janë ba llafazanë të mëdhenj dhe po lënë kokën me njëri-tjetrin. Meqenëse burimi kishte punë u ngrit më shpejt nga tavolina dhe e lanë që të takoheshin mbasi të kthehej burimi nga jashtë. “Panairi”

Më Shumë

Vdes në QKUK personi që u aksidentua javën e kaluar në Prizren

Ka vdekur në QKUK personi i cili u aksidentua gjashtë ditë më herët në Prizren. Policia ka bërë të ditur se viktima ishte duke u...

Kosova merr Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në Bienale të Venecias

Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionin...

Lajmet e Fundit