4.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Institucionet pa asnjë veprim ligjor për rrënimin e Hanit dhe Shtëpisë së familjes Mullafazliu

Tri javë pas rrënimit të Hanit dhe Shtëpisë së familjes Mullafazliu në Prizren – të cilat në Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, te shtojca mbi monumentet kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit figurojnë te objektet e banimit me numër rendor 13 – organet e ndjekjes ende nuk kanë iniciuar ndonjë procedurë hetimore, derisa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka paralajmëruar se do të nis procedurat në përputhje me ligjin gjatë ditëve në vijim. Në anën tjetër Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Inspektorateve dhe ajo e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor kanë dhënë përgjigje kontradiktore sa i përket ekzistimin apo jo të lejes për rrënim.

Në njoftimin e marrë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit thuhet se ky organ “ende nuk ka marrë asnjë paraqitje apo kallëzim penal, nga ana e ndonjë subjekti, mbi bazën e të cilit do të fillonte ndonjë procedurë hetimore!”.

Ndërsa në informatën e pranuar nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në MKRS edhe njëherë vërtetohet mungesa e koordinimit institucional. Në shkresën e pranuar nga MKRS ndër të tjera ceket neni 19 i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, se “mbikëqyrja Inspektuese bëhet në bashkëpunim në mes të organit komunal për inspektim dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Prizrenit (Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren), duke caktuar inspektorë (shumës), që nënkupton të caktohen më së paku 2 inspektorë”.

“Inspektorati komunal, si iniciues dhe urdhërues i veprimeve, nuk ka kërkuar bashkëpunim për inspektim, por ka vepruar njëanshëm duke caktuar vetëm një inspektor”, thuhet në informatën e MKRS-së.

MKRS po ashtu ka theksuar se raporti i QRTK-Prizren dhe Komisionit të MKRS-së nuk nënkupton në asnjë mënyrë ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme, pa konsulencë të mjaftueshme me institucionet përgjegjëse. “Kjo dëshmohet se edhe pas shkresës tonë ku kërkojmë që palët të koordinojnë të gjitha veprimet në përputhje me legjislacionin në fuqi, të datës 10 prill 2015, MKRS nuk ka pranuar asnjë kërkesë tjetër për çështjen në fjalë, derisa veprimet e paautorizuara janë ndërmarrë shumë më vonë”, thuhet në shkresën e MKRS-së.

Ndërkaq në një shkresë tjetër, që është korrespondencë ndërmjet MKRS-së dhe QRTK-së në Prizren, kopja e së cilës i është ofruar EC Ma Ndryshes nga MKRS-ja, thuhet se sa i përket zhvillimeve të fundit në Qendrën Historike të Prizrenit, rrënimi i Hanit të familjes Mullafazliu dhe Shtëpisë në afërsi…”MKRS/DTK do të iniciojë procedura tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi”, gjatë ditëve në vijim.

Ndryshe nga MKRS, Drejtoria e Inspektorateve të Prizrenit në përgjigjen e dhënë për EC Ma Ndryshe ka pohuar se për rrënimin e objektit “Hani i Mullafazlive” pronari është pajisur me leje, dhe ka përmendur referencën e MKRS-së, aktvendimin e QRTK-Prizren dhe kërkesën e QRTK Prizren për shqyrtimin e lëndës së palës dhe dokumente tjera.

“Duke u bazuar në nenin 16 paragrafi 2, 3 dhe 6 të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe nenit 3.1.28 të Ligjit për Ndërtim nga ana e inspektoratit të ndërtimtarisë konsiderohet se pala-investitori ka vepruar konform ligjeve të aplikueshme”, thuhet në shkresën e DI-së.

Por në kopjen e prosecverbalit për inspektimin e kryer më 6 gusht 2015 të ofruar nga DI, ka kontradiktë me përgjigjen e ofruar, pasi aty thuhet se “investuesi gjatë kontrollit nuk posedon lejen e rrënimit nga Drejtoria e Urbanizmit”. Po ashtu DI ka ofruar edhe kopjen e shqiptimit të gjobës mandatore ndaj palës në vlerë prej 500 eurove, pasi “investuesi është duke bërë rrënimin e objektit dhe nuk është i pajisur me leje rrënimi të lëshuar nga organi kompetent”.

Ndërkohë në përgjigjen e pranuar nga DUPH-ja, më 7 gusht 2015 ky organ ka bërë të ditur se është lëshuar në procedurë për lëshimin e lejes së rrënimit, meqë është marrë pëlqimi për rrënimin e objektit nga MKRS, dhe se mungon pëlqimi nga Këshilli i Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit. “Presim pëlqimin nga Këshilli për të vazhduar me procedura tjera, për momentin pala ende nuk posedon leje rrënimi të objektit-shtëpisë nga DUPH”, thuhet në shkresë.

Bazuar në këto të dhëna, EC Ma Ndryshe konstaton se mungesa e koordinimit institucional në të gjitha nivelet po vazhdon që ta dëmtojë Trashëgiminë Kulturore.

Arsyetimi i Prokurorisë Themelore për mos inicimin e procedurave hetimore për shkak se nuk ka kallëzim penal po ashtu nuk është i qëndrueshëm, ngase rrënimi i Hanit dhe Shtëpisë së familjes Mullafazliu në Prizren është mediatizuar mjaft dhe së paku Prokuroria ka mundur që ex-officio t’i autorizoj hetimet, siç ka vepruar në disa raste tjera.

EC Ma Ndryshe përsërit qëndrimin se trashëgimia kulturore e arkitektonike si dhe kujtesa kolektive e qytetit të Prizrenit kanë pësuar dëm të konsiderueshëm me rrënimin e objekteve të Hanit dhe Shtëpisë së familjes Mullafazliu.

Prandaj edhe njëherë bën thirrje që institucionet e të gjitha niveleve të shtojnë nivelin e përgjegjësisë së tyre në zbatimin e ligjit, duke sanksionuar shkelësit si dhe dëmtuesit e Trashëgimisë Kulturore, qofshin ata edhe zyrtarë publik, ndërkohë që paralelisht duhet të shtojnë angazhimet në drejtim të ruajtjes, konservimit dhe promovimit të vlerave të rralla të trashëgimisë së qytetit të Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Distria Krasniqi kampione e Evropës në xhudo

Krenaria e Kosovës, Distria Krasniqi, arriti të sjellë edhe një medalje të artë për Kosovën, kësaj radhe duke triumfuar në Kampionatin Evropian për Senior...

Kurti: 200 milionë euro investime për infrastrukturën në futboll

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka premtuar 200 milionë euro investime për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit në vend. Tashmë...

Lajmet e Fundit