12.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Në Prizren, qytetin e Pashait

Prizreni5-24Kur futeni në qytetin e Prizrenit, patjetër se të bien në sy minaret e shumta të xhamive. Dikur kryeqytet i Shqipërisë Etnike, Lumëbardhi e ndan në dy pjesë. Pjesën e vjetër të qytetit ku është e shtruar me kalldrëm që nga koha e Sulltan Pashës dhe anën tjetër të lumit ku janë të ndërtuara komplekse me banesa dhe hotele.

Përgjatë qytetit të vjetër syri të zë pamje me arkitekturë Osmane. Shtëpitë janë të ndërtuara në stilin Oriental dhe janë të ngjitura më njëra tjetrën.

Në kruan e sheshit me kalldrëm që ka katër burime, ofrohen kalimtarët dhe e pinë ujin e tij. Kush viziton Prizrenin për herë të parë, pirja e ujit në Shatërvan e ka një simbolik.

“Kush pinë ujë për herë të parë në krua të Shatërvanit e gjen fatin në këtë qytet”, thotë Mustafa, një plak afër të 80-ave.
Ky mund të konsiderohet si një mit që ka mbetur nga koha e sundimit të Sulltan Pashait, që xhamia e qytetit të vjetër e mban emrin e tij.

Llogaritet si xhamia më e vjetër jo vetëm në Prizren, por edhe në të gjithë Kosovën.

Uji është me bollëk. Edhe në derë të xhamisë rrjedh ujë nga një krua pa ndërprerë, mirëpo pak kë sheh që e përdor për shkak të muajit të Ramazanit.

Pak metra më larg gjendet kisha. Për dallim nga xhamia që nuk ka asnjë rrethojë, kisha është me rrethoje nga hekuri.

Jo pse në Prizren nuk ka tolerancë fetare, mirëpo në marsin e vitit 2004 ishin djegur shumë kisha nëpër Kosovë, në mesin e tyre edhe kisha që gjendej në Shatërvan.

Qebapi është specialiteti që preferohet më së shumti për ta shoqëruar me çaj rusi.

Pronarët e qepabtoreve qëndrojnë para derës duke të pritur me një mirëseardhje “bujrum” dhe për të shërbyer nga minuta e parë deri kur del nga lokali.

Bukë pogaçe, qebapë me kajmak dhe një ajroni janë në tavolinë sa hap e mbyll sytë, për ta vazhduar me çaj nën shoqërimin e tingujve të Ibrahim Tatlesisit.

Kur del nga qebaptorja – për të vazhduar rrugëtimin bregut të Lumëbardhit- merr një falënderim nga nikoqiri “Teshekyler”.

Dhjetë minuta në këmbë përgjatë Lumëbardhit del në Marash, një pjesë panoramike e qytetit. Gjatë rrugës po ashtu takon një ndërtesë të vogël e gëlqerosur mirë. Është tyrbja në pjesën e Marashit. Aty afër kalon një përroskë e vogël uji që përshkon qytetin në formë gjarpërore.

Qysh nga koha e sundimit të Turqisë arkitektura e qytetit të vjetër pak ka ndryshuar. Me çdo kalldrëm mund ta tregosh nga një histori për këtë qytet, më të vjetrin në Kosovë. Madje në këtë qytet konsiderohet se ka të shtruar kalldrëm para 5 shekujsh.

Muaji i Ramazanit është edhe një arsye që në Prizren ka aq shumë atmosferë. Matanë Lumëbardhit shtohet iftari në shatorr për të gjithë agjëruesit. Ushqimi është përtej përsosmërisë, por gjithmonë oriental.

Pasi hoxha thërret ezanin, dhe përfundon agjërimi, qyteti mbushet përplot. Aty afër xhamisë është një çajtore për të pasionuarit e çajit dhe lojës domino. Kamerieri të sjell çaj dhe kutin e dominosë për t’i rrokullisur katrorët me numrat e fatit.

Një, dy, tre çaja dhe prapë është i shijshëm. Ora bën 12 e natës, ndërsa qyteti vazhdon të gjallërojë.

Në ndërkohë një vajzë zeshkane afër 13-ave vjen me një darabuk i shoqëruar nga një djalë me harmonik që lëshojnë tinguj impresionues.

Ndoshta tingëllon pak ironike, mirëpo melodia e tyre është më e këndshme se e gjithë krijimtaria e estradës së sotme që shfaqen nëpër video klipe të stër ngarkuara me banalitet.

Ata vazhdojnë të luajnë një muzikë meksikane dhe presin ndonjë cent nga vizitorët e bareve. Sa do që iu ofron nuk bëjnë naze, thjesht i marrin dhe vazhdojnë qytetit derisa tingujt i përmbys zhurma e Lumëbardhit.

Koha për syfyr dhe qyteti fillon të zbrazet pak. Shumica e lokaleve janë të hapura për agjëruesit që të han pjesën e parë të ushqimit. Kur fillon të agoi, pastruesit i sheh duke marr mbeturinat e tërë asaj nate të gjatë dhe plot gjallëri.

Mëngjesi gjatë Ramazanit është më i qetë se zakonisht. Mund të pish kafe në Shatërvan i shoqëruar nga një bust i një heroi tw luftës së fundit ku në dorë mban një Kallashnikov, prodhim i shtetit më të madh të armëve Rusisë.

Edhe pse është kundërshtuar shumë vënie e këtij busti nga shoqëria civile dhe qytetarët, ai prapë është përshëndetja e parë kur futesh në qytetin e vjetër. Sidoqoftë, në Prizren mund të ndihesh mirë edhe në dimër edhe në verë. Edhe në Ramazan edhe në Bajram. /Elhami Ismajli – standardi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit