17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Policët e akuzuar për ryshfet në Prizren: Mos e publikoni videon!

Policët e akuzuar për marrje ryshfeti, Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj, të premten, kanë kërkuar që të mos shfaqen audio dhe video përgjimet ku prokuroria pretendon se ata vërehen duke marrë ryshfet.

Avokati Mexhit Syla, i cili mbron të akuzuarin Azem Goxhufi, ka deklaruar se duke marrë parasysh që DVD-të e masave të fshehta të përgjimit i kanë parë të gjitha palët në procedurë, ka kërkuar që mos të shikohen sërish, por të cilësohen si të shikuara.

Me propozimin e avokatit Syla, janë pajtuar të gjithë të akuzuarit tjerë, e po ashtu edhe prokurori i rastit, Genc Nixha, nuk e ka kundërshtuar një propozim të tillë, andaj trupi gjykues ka vendosur që provat audio dhe video të nxjerra gjatë përgjimeve të konstatohen si të shikuara.

Para se të bëhej propozimi i avokatit Syla, është filluar me shfaqjen e njërës nga DVD-të ku në video shiheshin të akuzuarit Shemsi Demolli dhe Safet Veliu, duke e falur një person që kishte tejkaluar kufizimin e shpejtësisë, me ç’rast kundërvajtësi ua jep një bankënotë që nuk i shihej vlera.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit, Shemsi Demolli, avokati Nexhmedin Sejdiu ka propozuar që të ftohen për të dëshmuar të dëmtuarit në këtë rast penal, në mënyrë që të kenë mundësi t’i pyesin rreth rastit në fjalë.

Prokurori Nixha ka kundërshtuar një propozim të tillë, duke thënë se personat, të cilëve u janë marrë paratë nga të akuzuarit, nuk janë të dëmtuar, por përfitues, ndërsa sipas tij, si dëmtues i vërtetë është buxheti shtetëror për shkak të mos inkasimit të të ardhurave nga tiketat kundërvajtëse.

Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, vazhdimisht janë thirrur në atë që DVD-të e përgjimeve janë të manipuluara, andaj kanë kërkuar që të thirren të dëshmojnë hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës që kanë përgatitur këto DVD.

Gjithashtu kanë kërkuar që të sqarohet se pse nuk ka video nga përgjimet e 7 dhjetorit 2016, pasi që edhe atë ditë, sipas tyre, ka pasur njerëz që i kanë shfrytëzuar makinat e përgjuara, por sipas të akuzuarve, ka persona tjerë të cilët janë larguar nga përgjimet.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Artan Sejrani, ka refuzuar kërkesat e mbrojtjes për të ftuar inspektorët policorë që të dëshmojnë rreth fazës së hetimeve.

Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarve, ku në këtë seancë i akuzuari Ivica Gjokiq, është mbrojtur në heshtje, ndërsa rreth rastit janë deklaruar të akuzuarit Azem Goxhufi dhe Bekim Zogaj.

Këta dy të akuzuar kanë deklaruar se janë pjesë e Policisë së Kosovës që nga paslufta, se asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë vërejtje të shqiptuar në lidhje me punën e tyre dhe se nuk kanë kërkuar apo marrë asnjëherë dhurata nga personat që i kanë ndaluar në trafik rrugor.

Seanca e radhës do të mbahet më 11 dhjetor 2017, në ora 10:00, në të cilën do të vazhdojë marrja në pyetje e të akuzuarve.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon 20 zyrtarë policor të njësisë së autostradës “Ibrahim Rugova”, se kanë marrë ryshfet për të mos e kryer detyrën e tyre sipas ligjit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, gjatë dhjetorit 2016, duke patrulluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, për të mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

Në aktakuzë përshkruhet se si këta policë, duke vepruar në grup prej dy dhe tre zyrtarësh, brenda orarit të punës, kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave deri rreth 400 euro e pastaj të hollat i kanë ndarë mes veti, në mënyrë proporcionale.

Në këtë rast janë të akuzuar 20 policë, mirëpo në shqyrtimin fillestar, policët Muhamet Buzhala dhe Alush Elshani, kanë pranuar fajësinë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Intervenohet për ndalimin e rrjedhjes së ujit në lokacionin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit

Një problem i vazhdueshëm me rrjedhjen e ujit në lokalitetin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit ka shqetësuar autoritetet që nga fundi i...

Sot, ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”

Të premten, me datë do të 26 mbahet ceremonia përmbyllëse të garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”. Siç ka bërë të ditur Ministria e...

Lajmet e Fundit