22.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ndëshkimi i “beton-qeverisjes” dhe rënia e “Jerusalemit”

Autori: Lirim Krasniqi

Betoni është materie e ngurtë e cila përbëhet prej një përzierje tre-komponentëshe: rërë, çimento dhe ujë. Betoni është i fortë në shtypje, pasi përzierja në mënyrë efikase mbart ngarkesën e ngjeshjes. Megjithatë, ai është i dobët në tension pasi çimentoja që mban përzierjen në vend mund të plasë, duke lejuar që struktura të shkatërrohet.

Në një shkrim të para katër vitesh, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, mundohesha të argumentoja se si Prizreni duhej të ndryshonte qeverisjen lokale e cila numëronte përtej gishtave të dorës rastet e keqpërdorimeve, korrupsionit e nepotizmit dhe tentonte t’i mbulonte ato me betonizim të gjithçka’je në kohë fushate. Prizrenit, para katër viteve, i duhej largimi i “beton-qeverisjes” që shpërfaqte jo vetëm huqjen totale midis asaj që bëhej dhe asaj që duhej bërë por edhe karakterin statik e të ngurtë të një administrate komunale që përveç se nuk zgjidhte asgjë, krijonte probleme të reja.

Shikuar nga tani, “beton-qeverisja” e viteve 2007-2013 duket sikur akoma ishte në periudhën që
absorbonte shtypje dhe kësisoj ruante fortësinë e saj në kuptimin konsolidimit të pushtetit, jo pse po bënte punë të mira. Me fillimin e mandatit të tretë përfundoi edhe periudha e absorbimit të pushtetit, “Beton-qeverisja” u vu përballë tensionit kur nisën të publikoheshin dëmet që ia
kishte bërë qytetit. Kasta e njerëzve përreth kryetarit dhe bashkë me të, u gjetën fajtor për abuzim me detyrën zyrtare në raste të tjetërsimit të pronave komunale (e thënë butësisht), në fillim të vitit 2014. Qytetarë e aktivistë, me protesta e aksione kërkuan dorëheqjen e krerëve të komunës duke supozuar në përgjegjësi, të paktën morale, prej tyre.

Në vend të dorëheqjes, kryetari – de juro (de facto s’kishte qenë kurrë i tillë) u vetë-pezullua për t’u izoluar nga qytetarët dhe qendrat e tjera të vendimmarrjes. Si pasojë, komuna ngeli në duart e disa personave që bënin gjithçka kokë në vete dhe nuk i jepnin llogari askujt. Si pasojë, korrupsioni u bë kulturë e kultura u ‘përjashtua’ nga institucionet lokale, sistemi arsimor u shndërrua në një “ndërmarrje shoqërore” të rekrutimit të militantëve e familjarëve me dhe pa diploma, sikurse edhe shëndetësia. Si pasojë, sporti ushtrohet si aktivitet më shumë vullnetar se sa profesionist, me infrastrukturë skandaloze e klube sportive që nuk e kanë kurrë të sigurtë funksionimin në vitin e ardhshëm. Qendra Historike, me trendet që kanë vendosur pushtetarët lokal, do të ngelet qendër por jo historike, pasi që objekteve të vjetra të trashëgimisë po ua zënë vendin ndërtimet e ‘reja’ të betonit dhe parkingjet private. Madje shtëpitë e vjetra në zonën historike janë shndërruar edhe në gërmadha vrastare.

Simbolikisht, pasqyren e “beton-qeverisjes” e shpjegon më së miri e të kundërta e epitetit të shtëpisë së komunës, “Shtëpisë së Bardhë”, e cila në rrethana normale është supozuar të reflektoj interesin publik dhe anën e ndritshme apo të bardhë të qytetit. Mirëpo, në rrethanat aktuale, kur korrupsioni e krimi janë bërë ekzemplarë të komunës, epiteti më i përshtatshëm për të është “Shtëpia e Zezë” e Prizrenit.

Edhe pse nuk shfaqi gati asnjëherë tiparet e komunës (lexo: të përbashkëtës), përkundër presionit politik e shoqëror karshi të gjitha veprimeve të saj, “beton-qeverisja” e Prizrenit i mbijetoi plasjes për shkak të mungesës së tensionit prej qendrës më të madhe nga duhej t’i vinte ai, sistemit të drejtësisë. Prokuroria dhe Gjyqësia lejuan ‘para syve të tyre’ shkeljen e ligjit nga zyrtarët komunalë, ose ua lejuan të njejtëve vazhdimin e punës duke shkelur ligjin, me pasojë rënien drastike të besimit të qytetarëve në institucionin më të rëndësishëm lokal.

Duke i “ikur” drejtësisë së gjykatave, pushtetarët e Prizrenit fituan një lloj komoditeti që pavarësisht korrupsionit, klientelizmit e tendero-manisë, pushtetin nuk do ua merrte askush. Me autoritarizëm nga brenda dhe me arrogancë nga jashtë, “beton-qeveritarët” i hynë garës për të ‘fituar’ edhe kësaj radhe besimin e qytetarit, edhe pse legjitimiteti i tyre ishte i kontestuar pas çdo cikli zgjedhor. Me bindjen se po i drejtoheshin të njëjtëve, strategjia e partisë – deri tani në pushtet vazhdoi njësoj – beton e presion pafund në çdo ditë fushate.

Por, prizrenasit përveç se s’kanë mbetur të njejtë, kuptuan një gjë qartë dhe drejtë, se tensioni që do e çante “beton-qeverisjen” ishte në dorën e tyre. Me votë, edhe pse mjetin i fundit demokratik të ngelur, prizrenasit dëshmuan se ju vetëm që zgjedhin por edhe ndajnë drejtësi, pra ndëshkojnë. Pushteti lokal i së njëjtës mendësi që kishte korruptuar çdo vlerë e normë brenda institucioneve dhe kishte shkelur mbi kërkesën elementare të qytetarit për përfaqësim dinjitoz, u ndëshkua për t’u larguar nga institucionet. Duke ndëshkuar qeverisjen që në rastin më të mirë vendnumëroi, prizrenasit i dhanë fund edhe status quo-së në institucionet lokale për të dhënë poashtu një leksion të rëndësishëm për cilëndo qeverisje të ngjashme në të ardhmen. Leksioni i triumfit të vullnetit të lirë qytetar ndaj presionit e kushtëzimeve shkon gjithashtu edhe për të trajtimin prej Jerusalemi të qytetit të Prizrenit nga partia e pushtetit, tashmë të deridjeshëm. Prizreni, por as edhe një qytet tjetër, nuk është Jerusalem përderisa partia e militantët e saj trajtohen si të ‘shenjtë’ e të privilegjuar ndërsa qytetarët si të sunduar e të përbuzur.

 

Më Shumë

Elsa Lila rrëfen qëndrimin e saj në burg

Elsa Lila ka rrëfyer në ‘Ferma Vip’ ditët e qëndrimit të saj në burg. Ajo u arrestua në Itali si pjesë e një grupi kriminal...

Përurohet Muzeu i masakrës në Krushë të Madhe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marr pjesë në përurimin e Muzeut të masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, raporton Ekonomia Online. Muzeu përmban...

Lajmet e Fundit