8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Déjà vu politike

Ditar Kabashi

Kosova po përjeton hyrjen në një vorbull të ri politik. Zagushia e temperaturave tropikale arrin kulmin me ngulfatjen e jetës politike. Sikur jemi popull që dot s’po nxjerrim mësim nga e kaluara. T’i lëmë mënjanë të gjitha ecejaket e dhimbshme me kosto të lartë përgjatë dekadave të fundit. Mjafton të kujtojmë krizën e vitit 2014, të njohur si “çështja VLAN”.

Bllokadë institucionale, aktivizim i Gjykatës Kushtetuese si arbitër për të na treguar se ç’kuptim kishin fjalët e caktuara në nenet e caktuara dhe në fund vendime të kontestueshme nga ajo, jo për nga efekti juridik por nga argumentimi doktrinar e praktik. Sidoqoftë, e gjithë ajo që ndodhi dhe kjo që po ngjan këtyre ditëve janë pjesë e një tërësie që në fokus ka rehabilitimin e individëve në pozita të larta shtetërore dhe plotësim ambiciesh për ta. Assesi nuk duket e besueshme se krejt kjo gjendje është përpjekje për mirëqenien e përgjithshme.

Për qytetarët kjo s’është gjë tjetër përpos një déjàvu që paraqitet si makth tmerrues. Padyshim se politika është arenë e marrëveshjeve politike dhe demokracia parlamentare imponon kompromise. Mirëpo duhet kuptuar dhe pranuar një herë e mirë se të gjitha këto duhen bërë në pajtim me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës, si kontratë e përgjithshme bazike sociale, juridike e politike. Së këndejmi nuk mund të jetë e arsyeshme që të kërkohet votimi i një kandidati për kryetar Kuvendi në të njëjtën linjë me votimin për mandatarin e krijimit të Qeverisë. Meqë deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues (neni 70/1 i Kushtetutës), me këtë lloj propozimisi është e mundur që vota e tyre të mos reflektohet si përfaqësim i subjekteve politike (apo kryetarëve të subjekteve)dhe haptas të mos cilësohet si nënshtrim ndaj tyre?

Zgjedhja e kryeparlamentarit dhe zgjedhja e qeverisë janë dy procese kushtetuese të ndara. E para paraprin proceduralisht por nuk mund të përdoret si objekt kushtëzues për të dytën. Kërkesa që të votohen në pako të dyja është nëpërkëmbje e standardeve konstitucionale dhe vetë aktin themelor juridik (kushtetutën) e shndërron në dekor politik. Dekoret, ndërkaq, janë jodetyruese. Janë çështje shijesh për të cilat latinët e moçëm thoshin se nuk duhet të diskutohen. E kushtetuta nuk është dhe nuk duhet të jetë dokument fakultativ me fuqi të kontestueshme dhe e kufizuar me palë të caktuara. Ajo vendos themelet e shtetit dhe organizimit shoqëror dhe duhet të jetë peshorja në bazë të së cilës do të maten veprimet politike.

Loja (dallaveret) me masën në peshore është veti e shëmtuar dhe shkakton pakënaqësi. Bereqeti nuk shtohet me haram, thoshin pleqtë dikur. Ose do ta respektojmëpeshimin që e bën kushtetuta ose do të honepsim se jemi shoqëri e cila s’ndien nevojë për të. O do ta pranojmë autoritetin e kushtetutës o do të kërkojmë të vetëqeverisemi me të drejtën zakonore e sipas qejfit. Nuk mund të bashkëjetojnë në të njëjtën kohë edhe parimi i supremacisë kushtetuese edhe kulti i klikave sunduese në politikë. Koha është e pamëshirshme dhe ne jemi të vonuar. Prandaj duhet ta zëmë hapin e emancipimit politik. Në të kundërtën, vazhdojmë të hapim universitete e të diplomojmë, por nuk do të tejkalojmë nivelin e asaj që prej disave quhet “botë e tretë”.

Më Shumë

Ambasada britanike në Beograd e informuar për arrestimin e Sadik Durakut

Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd është e informuar për arrestimin në Serbi të shtetasit të saj Sadik Duraku, me origjinë nga Kosova. Siç...

114 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mark Twain

Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai...

Lajmet e Fundit