8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Shteti në falimentim!

Adrian Çollaku

Kush do ta imagjinonte më 17 shkurt të vitit 2008 se, pas një dekade nga kjo ditë, kur edhe u shpallë pavarësia, shteti i Kosovës do të ishte në prag të falimentimit. Jo vetëm në aspektin financiar, por, falimentim edhe në aspektin moral e politik. Madje, i izoluar ndërkombëtarisht, qytetarët e saj, të vetmit në Evropë pa të drejtë udhëtimi pa viza, me arsimin ndër më të dobëtit në rajon e më gjerë, me shëndetësinë më të keqe jo vetëm në rajon, por, edhe më keq se vendet afrikane.

Gjithçka nisi me Qeverinë e parë të pas-pavarësisë PDK- LDK.

Vetëm pak muaj para shpalljes së pavarësisë, në krye të Qeverisë do të vinte Partia Demokratike e Kosovës, nën udhëheqjen e Hashim Thaçit.

Ndonëse pritjet ishin shumë të mëdha nga kjo Qeveri, në fakt, këtu nisi ndërtimi i mbrapshtë i sistemit – korruptimi dhe kapja e tij.

Institucionet vitale të shtetit, duke filluar nga arsimi, shëndetësia, sektori i sigurisë; si policia dhe inteligjinca, pastaj, diplomacia, institucionet e pavarura, e cila fushë jo, do të kapen nga kjo Qeveri e drejtuar nga PDK e Hashim Thaçit. Përfshirë këtu edhe instancën më të lartë të interpretimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë – Gjykatën Kushtetuese.

Plaçka sistematike ndaj shtetit dhe aseteve të tij, përpos përmes tenderëve, nisi edhe përmes procesit të privatizimit, proces ky që Kosovës i solli vetëm varfëri e rritje të papunësisë, derisa klanet e partive në pushtet u fuqizuan dukshëm.

Sikur kjo nuk mjaftoi, nisi plaçka masive ndaj ndërmarrjeve publike. Sot, shumica e këtyre ndërmarrjeve publike kanë falimentuar. Madje, befasia është te dështimi i PTK-së, kompani kjo e cila ishte shumë profitabile deri para disa vitesh.

Korporata Energjetike e Kosovës, duket të jetë kompania e vetme, e cila, deri më tani, vazhdon të mbetet në këmbë, përkundër “masakrës” që i është bërë.

Për të përfituar miliona euro, grupe të lidhura me partitë në pushtet, sidomos me PDK-në, mësohet se kanë përgatitur skenar, përmes ndërrimit të kahes së mihjes për thëngjill. Nëse ndodhë ky skenar, atëherë, edhe KEK-u rrezikon të shkojë rrugës së falimentimit.

Kosova, sot, zyrtarisht, ka mbi 50 mijë veteranë, si pasojë e një procesi të manipuluar të verifikimit. Pikërisht, partitë e dala nga lufta e UÇK-së, janë ato, që për të përfituar vota, lejuan këtë numër të fryrë të veteranëve, duke e rrezikuar edhe stabilitetin financiar të vendit.

Lista e falimentimeve është shumë e gjatë…

Sot, pas më shumë se një dekade shtet, për shkak të kësaj qeverisje në krye me PDK-në, e mbështetur nga LDK për dy mandate dhe nga AKR, e së fundi edhe nga AAK e Nisma, Kosova rrezikon që të falimentojë – pos financiarisht, edhe në aspektin politik.

Përpos që kanë ngecur njohjet ndërkombëtare, shteti i Kosovës vazhdon të mbetet jashtë organizatave më të mëdha dhe më të rëndësishme ndërkombëtare. Rruga për të shkuar drejt proceseve eurointegruese vazhdon të mbetet vetëm një retorikë politike dhe një propagandë bajate e qeveritarëve.

Dhe, e gjitha kjo, për fajin më të madh të një grushti individësh, të cilët për interesa personale e të një grupi të ngushtë, po e çojnë këtë vend drejt dështimit.

Këtë, më së miri na e dëshmoi tentimi i Hashim Thaçit për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, ku duket se qëllimi përfundimtar ka qenë negocimi eventual.

Dhe, mbetjen në piramidën e pushtetit, përmes të cilit po e kontrollon tërë sistemin, Hashim Thaçi, po mundohet tash ta ruaj përmes kryenegociatorit në dialogun me Serbinë.

Këtë synim, duket se e kanë të pamundur t’ia ndërpresin një Vetëvendosje e ndarë, një LDK jo unike, për shkak që një pjesë kontrollohen pikërisht nga i pari i shtetit dhe një GDP që ende s’ka orientim.

Ndërkaq, AAK, tashmë, është dorëzuar përballë tij, derisa Nisma vazhdon të mos ketë fuqi.

Kadri Veseli, vazhdon të mbetet aktualisht lojtar i dorës së dytë.

E, dështimi i shtetit, duket i pashmangshëm, derisa askush nuk po e ka guximin dhe aftësinë që këtë grusht individësh në krye të shtetit, ta çojë aty ku e kanë vendin.

Më Shumë

Lajmet e Fundit