8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

U promovua trilogjia për Adem Demaçin

Trilogjia per Adem DemaçinIsh i burgosuri politik Selatin Novosella, ka promovuar sot në sallën e Universitetit AAB, trilogjinë tre vëllimore kushtuar veprës së Adem Demaçit me titujt “Demaçi – Lëvizja për Bashkim”, “Demaçi – Procesi i Prishtinës”, dhe “Demaçi – Metaforë Lirie”.Ndonëse, nuk ishte prezent në këtë ceremoni protagonisti i kësaj vepre vëllimore, Adem Demaçi i cilësuar si simboli i rezistencës shqiptare, vepra që i është kushtuar atij ka arritur t’i mbledh bashkë të gjithë veprimtarët dhe bashkëpuntorët e tij dhe të autorit Novosella, transmeton Kultplus.

Para të pranishmëve Novosella ka kujtuar guximin e Demaçit, duke specifikuar fjalimin e tij përpara Gjyqit të Qarkut të Prishtinës “Prej këtu ku jam deklaroj se, nëse Serbia dhe Jugosllavia nuk heqin dorë nga kufiri i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që ky vend të shkëputet nga Jugosllavia dhe të bashkohet me nënën Shqipëri, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan e as në Jugosllavi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, do të vije koha kur ajo do të bëhet shkaktare për zhbërjen e Jugosllavisë. Në fund po u them së Serbia do të mbetet pa Kosovën”, duke vlerësuar edhe moshën e tij të re në atë kohë, vetëm 23 vjet.

Autori i kësaj trilogjie, Selatin Novosella, ka deklaruar para të pranishmëve të shumtë të cilët ishin kryesisht studentë të Universitetit AAB, se gjithnjë në veprat e tij të shkruara, krye personazh e ka pasur “Heroin e Kosovës”, Adem Demaçin. Ai ka thënë se veprimtari kombëtar Demaçi ka shumë fat, pasi ka arritur t’i mposht ideologjikisht dhe fizikisht tri personalitetet më të urryera të kombit shqiptar.

“Adem Demaçi si i burgosur në kohën e Rankoviqit, të Titos dhe Millosheviqit vazhdon ende të punojë dhe veprojë për çështjen kombëtar, ndërsa të lartcekurit kanë vdekur moti edhe në mënyrë fizike edhe ideologjike”, ka thënë Novosella, duke uruar që të rinjtë shqiptarë të mësojnë nga shembulli i nderit të kombit, Adem Demaçit.

Deputeti në Parlamentin e Kosovës, Hydajet Hyseni në cilësinë e botuesit dhe kryetarit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, ka theksuar se gjeneratat e më hershme në festën e 28 nëntorit janë ndier disi më të veçantë për shkak të festës kombëtare të flamurit kuq e zi. Ai tha se si këto gjenerata do të duhej të ndiheshin edhe gjeneratat e reja të vendit me rastin e kësaj feste.

“Uroj që çdo nëntor jo vetëm të na bashkoj shpirtërisht, por edhe të na bashkojë rreth trashëgimisë tonë historike e cila është bazamenti i të gjitha të arriturave të deritanishme dhe të synimeve të ardhshme. Protagonisti i kësaj trilogjie vëllimore, Demaçi edhe atëherë kur ka munguar na ka bashkuar. Për Demaçin është shkruar shumë, por edhe në të ardhmen do të flitet dhe të shkruhet për të edhe më shumë”, ka thënë deputeti Hyseni.

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin AAB, Muhamet Kelmendi, ka deklaruar se veprat për bacën Adem janë tejet të rëndësishme për historinë kombëtare, sepse siç ka deklaruar ai, ato na japin të dhëna konkrete për rrugën e lavdishme nëpër të cilën kanë kaluar veprimtarët tanë për çështjen kombëtare.

“Në këtë trilogji kushtuar simbolit të rezistencës kombëtare Adem Demaçit, Novosella, na dha një pasqyrë mbi jetën dhe veprën atdhetare të tij, nga ana e të cilit buron një organizim i përsosur që Demaçi e ka bërë gjatë historisë së tij, ku ne pastaj kem vazhduar rrugën për çlirimin e vendit tonë”, ka thënë Kelmendi.

Përndryshe, Adem Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet burg. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës. Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Sot ai angazhohet për të drejtat e pakicave në Kosovë.

Më Shumë

Kryetari Shaqir Totaj në SHBA afirmon bashkëpunimin e Prizrenit me Amerikën

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takime me Drejtoreshën e Zyrës së Evropës...

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese. Përktheu: Orjela Stafasani Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e...

Lajmet e Fundit