22.8 C
Prizren
E enjte, 11 Gusht, 2022

The Velvet Underground, më me ndikim se The Beatles

TheVelvetUndergroudNuk argumentohet mbretërimi nëpër dekada i grupit Beatles, ndikimi i jashtëzakonshëm jo vetëm në muzikë, por në kundërkulturën dhe mënyrën si bashkëkohësit e tyre mendonin, flisnin, visheshin dhe i rregullonin flokët.

Por, edhe pse të përbuzur në vitet e 60-ta për muzikën e tyre avant-garde dhe shokuese, The Velvet Underground ishin më të rëndësishëm për të ardhmen e muzikës sesa katërshja e The Beatles, shkruan Greg Kot.

Kjo sepse në terma muzikorë, The Velvet Underground të përbërë nga Lou Reed, John Cale, Sterling Morrison, Maureen Tucker dhe në fund Doug Yule ishin e ardhmja e rokut, ishin grupi prej të cilit derivuan disa nën-zhanre dhe lëvizje muzikore. Muzika “underground”, eksperimentale, indie dhe alternative, punk, post-punk dhe art-punk – të gjitha gjarpërojnë në katërshen e albumeve të: The Velvet Underground & Nico, White Light/White Heat, The Velvet Underground dhe Loaded.

“Ne ishim bendi origjinal alternativ, jo sepse donim të ishim, por sepse për ne nuk kishte tjetër alternativë”, ka thënë Morrison për BBC në vitin 1993.

Ana e errët

Kënga e famshme e The Velvet Underground me titull Heroin, është ndër shembujt e parë që përshkruan atë motiv që do ta dëgjojmë edhe shumë herë në muzikën e tyre : aftësia për të përshkruar jetën e atyre që nuk përkasin, të dëbuarve, të huajve, por pa i gjykuar ata.

“Kjo është një këngë protestuese – proteston për gjithçka”, ka thënë Morrison. “Disa njerëz thonë, është thjesht një këngë për një narkoman.”

“Por, pse është narkoman? Cilat janë alternativat tjera? Çfarë është ajo që e bën dikë të dojë të ngrijë jetën e tij, si thotë kënga, më shumë se të dojë të jetë pjesë e shoqërisë?”

Ishte dekada e The Beatles, në fund të fundit, dhe ata janë bendi që mbesin të dashur në gjithë botën për muzikën e tyre universale. Por koha ka vlerësuar muzikën jo-sentimentale të The Velvets, e cila është bërë themeli i gjeneratave të ardhshme në muzikë.

Vlerat e The Velvet Underground në vitet e 60-ta ishin të orientuara drejt punës së bërë vetë, albumet me produksione jo shumë të përpunuara, përbuzja e plotë ndaj modës, qëndrimi skeptik e shpeshherë cinik – këto vlera më pas u injektuan në punk-un e të 70-ve, indie rokun e të 80-ve dhe muzikës alternative të 90-ve.

“Ajo që i bën idetë të rëndësishme është konteksti ku janë të vendosura. The Velvets kurrë nuk kanë tingëlluar si një bend tipik i të 60-ve”, ka thënë lideri i The Flaming Lips, Wayne Coyne.

Kjo ishte për shkak se këngët e shkruara nga Lou Reed dukeshin të thjeshta, por nuk ishin të tilla. Reed e lidhte muzikën e tij me heronjtë e tij letrarë: Nelson Algren, Charles Bukowski dhe Delmore Schwartz.

The Velvets e shkrinin artin e ulët me artin e lartë dhe e përbuznin mesin e tyre. Ata lanë të kuptohet se jo vetëm që është në rregull të jesh ndryshe, por ndryshimet e tua duhet edhe t’i vësh në pah. Cale e quante “Teoria e kokëfortësisë”.

Të rikthehemi te të gjithë artistët apo bendet e dëgjuara që erdhën pas viteve të 70-ta: The Sex Pistols, Joy Division, Sonic Youth, Galaxie 500,Spiritualized, Nick Cave, PJ Harvey, si dhe ata që ishin gjigantë komercialë: R.E.M., U2 dhe Talking Heads – ata të gjithë e pranojnë borxhin që ia kanë grupit The Velvet Underground.

Dhe kjo s’është dhe aq keq për një bend që dikur hidhej poshtë dhe përqeshej, siç ka pranuar dhe vetë Lou Reed.

“Kur The Velvet Underground hyri në skenë me këngë si Heroin, na patën torturuar si rezultat i këtyre këngëve. Dhe ja ku jemi, disa dekada më vonë, unë i kam ato tekste të botuara në një libër dhe mbaj sesione leximi në muze të artit. Ne deshëm të bëjmë muzikë që do të mbetej në kohë ashtu siç mbesin romanet dhe filmat e shkëlqyer, dhe ne besonim në atë që bënim, edhe nëse askush tjetër nuk besonte tek ne”, ka thënë Lou Reed.

Më Shumë

Lajmet e Fundit