Home Blog Page 1279

FC Ballkani zyrtarizon blerjen e një afrikani

0

Ballkani po vazhdon me blerje në afatin kalimtar të janarit. Skuadra suharekase sapo ka prezantuar blerjen e senegalezit, Cisse. 21 vjeçari ka qenë pjesë e Strumicës në Maqedoninë Veriore, ndërsa më parë ka luajtur edhe në Itali te Avezzano.

 

 

“Repartit sulmues të skuadrës i bashkohet edhe senegalezi Pape Oumar Cisse.

Futbollisti 21 vjeç, i gjatë 1,85m, do të jetë armë shtesë e kampionëve tanë drejt objektivave në vazhdimësinë e garave”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.

Latifi: Çifteve të reja në komunën e Rahovecit do t’u dhurojmë banesa

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Laitifi u ka premtuar sot çifteve të reja në këtë komunë banesa për banim.

Ai në mbledhjen e Kuvendit Komunal ka thënë po ashtu se nga 1 janari i këtij viti, çdo lindje në Repartin e Maternitetit të QKMF-së “Dr. Fahredin Hoti” do të mbështetet me 500 euro nga Komuna e Rahovecit.

“Ne po synojmë që lindjet normale mos të na ikin diku tjetër. Unë po besoj që 500 euro nuk është një lloj standard i ri, kemi filluar me 200 euro dhe këtë vit është 500. Po ashtu çdo çift i ri që martohet ka me pasur nga një banesë. Veç ende s’kanë filluar ndërtimet, se çifteve të reja që do të martohen në komunë të Rahovecit unë do të ju dhuroj banesa”, theksoi Latifi.

Në këtë seancë, drejtori për Urbanizëm në Komunën e Rahovecit, Arbnor Mullabazi, bëri të ditur se në vitin 2023 kanë qenë 73 aplikime për leje ndërtimore, 120 për kushte ndërtimore, 32 leje mjedisore dhe 9 leje të pranimit.

 

 

“Në vitin 2020 kemi pasur 13 aplikime për leje mjedisore, 31 për leje ndërtimore dhe 68 aplikime për kushte ndërtimore. Në vitin 2023 leje ndërtimore kemi 73 aplikime, kushte ndërtimore janë 120, leje mjedisore 32 dhe leje të pranimit kemi 9 aplikime. Drejtoria e urbanizmit dhe ekzekutivit kemi arritur me përgatit planin komunal 2023-2031 duke përfshirë tërë territorin e komunës së Rahovecit,” theksoi ai.

Drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër Afrim Oruqi tha se ka folur për vendimin për këmbimin e pronës komunale me atë të institucionit qendror.

“Sipas legjislacionit në fuqi kemi vendimin për këmbimin e pronës komunale me pronë të institucionit qendror, bëhet fjalë për zonën kadastrale në Rahovec, të dy pronat janë të institucioneve qendrore, bëhet fjalë për 132 metra katrorë i mirët agjencionit të ujërave dhe i jepet komunës së Rahovecit,” theksoi ai.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal janë miratuar po ashtu një sërë vendimesh tjera të parapara me rendin e ditës.

Lajçak: Në pikëpamjen e gjerë kemi pak progres në procesin e normalizimit

0

 

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi ka pranuar se në pikëpamje të gjerë ka pasur pak progres në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë,ai ka thënë se gjatë vizitës në Beograd dhe Prishtinë ka pasur diskutime të gjata, e të cilat i ka quajtur “të rëndësishme, të dobishme dhe të sinqerta”.

“Udhëtova në Beograd dhe Prishtinë që të diskutojë procesin e normalizimit, për të parë se ku jemi dhe për të biseduar sa përparim mund të arrijmë në dialog para se Evropa të futet  në procesin e zgjedhjeve. Falë dialogut kemi pasur rezultate të rëndësishme. Në fund të vitit të kaluar kemi pasur marrëveshjen për energjinë, e po ashtu edhe njohjen e targave. Por, ne kishim progres të vogël sa i përket pikëpamjes së gjerë të procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Kishim një marrëveshje nga shkurti e marsi i kaluar, që i bjen që më nuk ka nevojë të bëjmë pyetje se çfarë duhet të bëhet, e as nuk ka nevojë ta pyesim vetëm si ta bëjmë, pyetja është kur ta bëjmë. E nëse më pyesni mua, unë, do të thosha pa vonesa duhet të fillojmë me zbatimin e marrëveshjes”, ka theksuar Lajçak në një prononcim për media pas takimit me Kurtin e Bislimin.

Ai ka thënë se diskutimet në Qeverinë e Kosovës ishin shumë të gjata dhe se për vizitën në Beograd dhe Prishtinë do ta informojë lidershipin e BE-së. “Tani do të analizoj ato çfarë kam dëgjuar si këtu, ashtu edhe në Beograd në takimin me presidentin Vuçiq dhe do t’i informoj shtetet anëtare dhe lidershipin e BE-së, e më pas do të përgatisim hapat  e ardhshëm. Ne vërtet duam që procesi i normalizimit të vazhdoj sepse sjellë përfitime për të gjithë qytetarët që jetojnë këtu. Por, mund të them se kisha bisedimet të rëndësishme, të dobishme dhe të sinqerta”, ka theksuar Lajçak.

I pyetur nëse Kurti dhe Bislimi janë të gatshëm të shtyjnë vendimin për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, emisari i BE-së ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për këtë  çështje, por se sipas tij më shumë informata rreth kësaj çështje do të jepen nesër.

Ndërsa sa i përket hetimeve mbi sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, Lajçak ka thënë se ato po kryhen nga shtete individuale dhe jo nga BE-ja, derisa ka thënë se për këtë  çështje ka diskutuar edhe dje në Beograd dhe se BE pret nga Serbia që ajo t’i mbajë përgjegjës sulmuesit.rtklive.com

Vlerësohet kontributi i mjekut, Ahmet Goçaj

0

Në amfiteatrin e universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit “Prim.Dr.Daut Mustafa”, të martën ka organizuar akademi përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e mjekut dhe veteranit të UÇK-së, dr. Ahmet Goçaj.

Drejtoresha e këtij spitali, Narqize Arënliu-Hoxha, tha për të ndjerin se ishte një njeri i dashur, vizionar dhe i aftë sepse t’i shërbesh popullit tënd është detyrë profesionale dhe humane.

Shefi i repartit të gjinekologjisë, dr. Shukri Lecaj, u shpreh se Ahmeti la gjurmë të mëdha në repartin tonë, duke qenë i palodhur, konstruktiv dhe gjithmoë i gatshëm për të ndihmuar.

Doktor Ahmeti ka jetuar një jetë të plotë dhe të përmbushur sepse ka plotësuar dy qëllimet më të rëndësishme në jetë, ka ndërtuar një familje të shëndoshë dhe i ka shërbyer atdheut në kohë të vështira, kështu është shprehur drejtori mjekësor, Hasan Arzoallxhiu.

Bashkëluftëtari i të ndjerit, Ahmet Goçaj, Bekim Morina, tregoi se si student Ahmeti ka qenë një prej themeluesve të Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve të udhëhequr nga Anton Qeta. Ahmeti pajtoi gjaqe, shëroi njerëz të sëmurë dhe mjekoi plagë lirie.

Ai ishte shembull për ushtarët e tjerë dhe dëshirën më të madhe kishte formimin e një spitali ushtarak në vendin tonë, ka thënë tutje Morina.

Në fund bashkëshortja e të ndjerit, Shpresa Llukaj-Goçaj, falenderoi të pranishmit në emër të familjes për respektin dhe mbështetjen e treguar ndaj familjes së tyre, duke shtuar se ndarja nga jeta e Ahmetit na jep mesazhin se duhet ta shohim jetën si një mundësi që na është ofruar për ta bërë pak më të mirë këtë botë.

Mjekut dhe veteranit të ndjerë të UÇK-së, Ahmet Goçaj, iu dha lamtumira e fundit të dielën, varrimi i të cilit u bë në varrezat e Landovicës me një numër të madh të të pranishmëve./tv prizreni /

Poezia,stacioni i përjetshëm i krijuesit

0

Prend BUZHALA

(Çaste leximi letrar me vjershën “POEZIA” të Ismail Kadaresë, në 88-vjetorin e lindjes)

Ismail KADARE:

POEZIA

Poezi,

Udhën gjer tek unë si e gjete?

Mamaja ime shqipen mire s’e di,

Letrat si Aragoni i shkruan, pa pikë dhe presje,

Babai u end në rini në të tjera dete,

Po ti erdhe

Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim

Të gurtë, të qetë,

Trokite drojtur në shtëpinë trikatëshe

Nr.16.

 

Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur në jetë,

Për shumë dëshira kam qenë citta aperta,

Po prapë

Si ai djali që kthehet vonë në shtëpi,

I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e natës,

Ashtu edhe unë, i lodhur përsëri

Pas çdo amatori, jam kthyer tek ti.

Dhe ti,

Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,

Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,

Stacioni im i fundit,

Poezi.

===============

 

I shkruar në kohë jo të lehta për rrethanat e krijimtarisë letrare, teksti lirik “Poezia” i Ismail Kadaresë të shtyn të reflektosh për shumëçka në këtë drejtim: të shkruash me një gjuhë qartësisht të komunikueshme dhe brenda saj ta ngërthesh realitetin e kohës dhe simbolikën, këtë arrijnë ta bëjnë vetëm krijuesit e mëdhenj të fjalës. Si e nis tekstin e tij Kadare?

 

1.

 

E nis me një pyetje retorike lirike se si ndodh kërkimi poetik: “Udhën gjer tek unë si e gjete?” Përse kjo pyetje? Si vetëdije e aktit krijues, poezia si guximtare e kohës që e gjen një autor që i druhet pushtetit që fjalën e konsideron rrezik? E, po, poezia është një shtegtim që ka ndjekur rrugët e saj për të arritur te vetja, te poeti; poezia e gjen vetveten te qenia njerëzore, ndryshe, ajo shuhet!

Aty janë edhe pjesëmarrës të tjerë, mamaja dhe babai, si familje dhe si pjesëtarë të poezisë.

Pjesëtarë?

Gjithsesi: mamaja dhe babai kanë ndikuar në gjuhën dhe letërsinë e tij, poeti përshkruan se nëpër çfarë rrugësh ka arritur  ta gjejë shtegun e vet, në një atmosferë ku nëna shkruan letra të ngjashme me ato të Aragonit, pa pikë dhe presje! Ndodh si një ngjarje e jetës: përcjellja e babait te stacioni,; andej ngjarja tjetër ësh ecja e poetit )si folës lirik) nëpër qytetin e tij të qetë.

Këtu, tiparet që e dallojnë qytetin e tij dhe natyrën e tij, përdoren si përbërës për ta përshkruar një ndjesi të vërtetë dhe të qetë: përmendet numri 16 dhe detaji i rrugës së kalldrëmit, detaje të vogla, por kanë një domethënie simbolike, ani se jo krejtësisht e komunikueshme: se poezia nuk është vetëm përshkrim i detajit dokumentues biografik, por edhe krijim i një realiteti artistik.

Më tutje, poeti shfaq përplasjet e jetës dhe të dashurisë. Poeti rrëfen me pak fjalë: ka dashur shumë gjëra dhe ka ndjerë shumë emocione në jetë, por, së mbrami, ai i është kthyer poezisë si një stacion i fundit. Ai përdor, me këtë rast, një krahasim me djalin që kthehet vonë në shtëpi pas një nate të lodhshme, duke paraqitur veten si një udhëtar i shqetësuar nga përvojat dhe aventurat e jetës.

Së fundmi, poeti përmend lidhjen e tij me poezinë si një stacion i fundit, duke e kthyer atë në një veprimtari të qëndrueshme për të gjetur kuptim dhe qetësi në jetën e tij.

Dhe, a thua, a e gjen qetësinë e kërkuar?

Në gjithë këtë “rrëfim” për veten dhe artin e tij poetik, mu në hapësirat e konsumimit kaq të drejtpërdrejtë, ai sikur e fut një karakter misterioz dhe simbolik, dhe i lë duar të lira lexuesit për shumë interpretime. Këtë shumësi leximesh e ka vetëm poezia e mirë: nuk i mbyll asnjëherë shtigjet për lexim e për prodhim kuptimesh të reja.

 

2.

 

Kadare përdor trajtën e bashkëbisedimit me poezinë; ajo, poezia, shndërrohet në personifikim të së kërkuarës, shndërrohet në figurë antropomorfike, në qenie, në këtë rast, në qenie arti, me të cilën dialogon poeti. Trajta e tillë, e bashkëbisedimit me poezinë e tij, është një shqyrtim e kërkim i thellë i marrëdhënies së tij me krijimin letrar. Poezia është një medium për të shprehur ndjesitë e tij, reflektimet dhe shqetësimet e tij. Po qe se ndalemi për një çast dhe e shohim bashkëbiseduesen që hesht, poezinë; duket sikur ajo qëndron si diçka e largët, e ftohët, e huaj, një forcë e rrezikshme që ndalon aty te njeriu që dëshiron “ta gllabërojë”, por aty për aty, dialogu papritmas i ndërron rolet; poezia vjen e ndrojtur (“Trokite drojtur në shtëpinë trikatëshe”). Tashmë asaj i drejtohet në veten e dytë, si të ishte një vashë që e dashuron; ajo vjen me dridhma. Vjen aq e dashur dhe aq e afërt te krijuesi i saj, nëpërmes shtegut të muzës poetike.

Me pyetjen e hapjes, “Udhën gjer tek unë si e gjete?” poeti bën fjalë për rrugën e tij të gjatë dhe kërkimin aq këmbëngulës e të dëshiruar. Pyetja duket sikur ka një mister brenda vetes, krijon një atmosferë fshehtësie, për të zbuluar kuptimin e thellë të kërkimit poetik: në kontekstin kohor dhe në atë universal, si muzë arti. Sa herë vetë poetët e shquar kanë deklaruar se frymëzimi poetik është një mister. Atmosfera e tillë (e panjohur e pyetjes), e fton lexuesin që edhe ai të reflektojë te kjo pyetje mbi kërkimin e thellë për kuptimin dhe ndjenjat që i sjell arti poetik. Udhëtimi (“udha”) sugjeron shtegtimin e një qenieje, poezisë: “gjer tek unë si e gjete?” Pyetja shtron një rrjet të gjerë asociacionesh për ta gjetur të fshehtën, për t’i takuar thellësitë e botës dhe të jetës së poetit. E, pra, hapja e tillë e menjëhershme, goditëse, lexuesin, por edhe poetin, sikur e bën menjëhershëm qenie të pasigurt, krijuesi është një dyshues: ç ‘kërkon te unë që gjendem diku në rrugë te stacioni apo te rruga nr. 16? Më tutje, ky asociacion zgjerohet, lexuesi së bashku me poetin shpallin paktin e pajtimit me artin, ndjekin marrëdhënie të mira me poezinë.

 

3.

 

Për pak poezia të shndërrohet në roman jete: përcjellja e babait në stacion, i paraprirë nga një varg kujtese: “Babai u end në rini net e tjera dete”, përshkrimi qytetit si një vend i qetë, i gurtë (kujto romanin “Kronikë në gur”), një stacion tjetër, si i trenit, ku ia beh poezia, kudo që ti të gjendesh. Kësaj radhe, ky stacion është shtëpia (“Trokite drojtur/ në shtëpinë trekatëshe/ Nr. 16.”).

Vargjet:

 

Babai u end në rini në të tjera dete,

Po ti erdhe

Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim

Të gurtë, të qetë,

Trokite drojtur në shtëpinë trekatëshe

Nr. 16.

 

paraqesin një çast imazhi jetësor, një pamje të ngjarjeve dhe ndjenjave të ndryshme. “Babai u end ne rini net e tjera dete”, frazë që përcakton një ngjarje të rëndësishme nga jeta e poetit. Babai ka përfunduar në det gjatë rinisë, meqë vargu ngjall, me këtë shqiptim, imazhe dhe ndjenja të forta të ndarjes dhe largimit. Mbase, është një çast i rëndësishëm dhe i transformueshëm në jetën e poetit. Tek vargjet tjera: “Po ti erdhe/ Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim/ Të gurtë, të qetë”- poeti fokusohet te një “ngjarje” tjetër”: cila është ajo ecje kaq e bukur? Është një zhurmë hapash që ndjell nostalgji e përjetim: a janë të ndonjë person të dashur, të së dashurës, apo të dikujt tjetër, që është i rëndësishëm, – që vjen duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit, me gurët e qetë: Qetësia sugjeron një atmosferë pa shqetësime dhe, gjithsesi, një moment të bukur, pa telashe. Folësi lirik na e zbulon se kush qenka: “Trokite drojtur në shtëpinë trekatëshe / Nr. 16, Poezi” Numri i shtëpisë gjithsesi që përfaqëson jo vetëm vendndodhjen, si stacion jete, po edhe një element emocional, kaq të ndjeshëm për poetin; aty ia beh poezia, diku në vetminë e tij krijuese. Në kënaqësinë krijuese, natën vonë.

 

4.

Janë ato reminishenca lirike që thurin asociacione me romanet e tij përplot biografema letrare. Qyteti dhe stacioni,- mund t’i lexojmë si simbole të qëndrueshmërisë (të të paluhatshmes), sigurisë dhe destinimit a pikësynimit të fundit.

Vijnë vargjet:

 

Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur në jetë,

Për shumë dëshira kam qenë citta aperta,

 

që sugjerojnë kontradiktat e jetës dhe dashurisë e të procesit të kundërt (çdashur),  duke rrëfyer për emocionet e forta dhe aventurat e jetës. Megjithatë, ai zbulon se pavarësisht shpërthimeve të ndryshme, gjithmonë kthehet tek poezia si një formë e qetësimit dhe gjetjes së qetësisë, pas këtyre andrallave:

 

Po prapë

Si ai djali që kthehet vonë në shtëpi,

I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e natës,

Ashtu edhe unë, i lodhur përsëri

Pas çdo amatori, jam kthyer tek ti.

na thuret pamja e Kthimi dhe Përcaktimi i poezisë si Stacion i Fundit, duke u identifikuar plotësisht me poezinë:

Dhe ti,

Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,

Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,

Stacioni im i fundit,

Poezi.

 

“Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur ne jetë”: thekson atë gamë të gjërave që ka dashur dhe çdashur në jetë, përshkruan një përvojë të pasur dhe të ndërliqshme, e cila përfshin emocione të ndryshme dhe kërkesa të ndryshme. “Për shumë dëshira/ kam qenë citta aperta”: Fjala “citta aperta” është një referencë ndaj një qyteti të hapur, një vendi ku mund të ndodhin shumë gjëra dhe ku ndjenjat dhe dëshirat janë të lira për t’u shprehur. Le ta lexojmë këtë varg si një dëshirë për të qëmtuar, gëzuar e trajtuar jetën në të gjitha format e saj. “Si ai djali që kthehet vonë në shtëpi,/ I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e natës”, na vjen me krahasimin e një pamjeje të njohur: është ai i një djali që kthehet vonë nga aventurat e natës, i lodhur dhe i sfilitur. Ky personazh përfaqëson një përvojë të përgjithshme njerëzore të lodhjes dhe ndjenjës së humbjes. Mbase, edhe të kënaqësisë “nga aventurat”. “Ashtu edhe unë, i lodhur përsëri/ Pas çdo amatori, jam kthyer tek ti”, – është ndeshja me vetveten, me përpjekjet për të shpjeguar, kërkuar dhe përjetuar shumë gjëra; gjithnjë kthehet TE NJË PIKË STACIONI aq e njohur: te POEZIA. “Ti” i referohet poezisë vetë, si qenie nga e cila nuk shqitet, si bashkëbiseduese, si një mënyrë e poetit për të gjetur qëndrueshmëri, siguri dhe kuptim te krijimi i tij letrar. Fraza poetike “Stacioni im i fundit” interpretohet si një vend i qëndrueshëm, një ndalim a pikësynim përfundimtar, destinim i fundit: është mënyrë e përsosur për ta gjetur qetësinë dhe kuptimin e vërtetë të jetës vetjake.

Poetizohet një rrugëtim i thellë emocional dhe intelektual i poetit me krijimin e tij; se si poezia është bërë një pjesë e pashmangshme e jetës dhe identitetit të tij si njeri dhe si krijues.

 

5.

Le të hidhemi edhe nëpër vargjet tjera:

 

Mamaja ime shqipen mire s’e di,

Letrat si Aragoni i shkruan, pa pike dhe presje,

 

Këto dy vargje nga vjersha “Poezi” e Ismail Kadaresë, përshkruajnë një pjesë të rëndësishme të marrëdhënies së poetit me gjuhën dhe artin e shkrimit.

Cilët janë këta përbërës thelbësorë të këtij komunikimi?

A mos është një disonancë, një mungesë harmonie, mes origjinës së tij dhe mamasë që gjoja “nuk e njeh shqipen mirë”? Jo, këtu mbillet një tjetër liri e asociacionit, kur përmendet poetika e Lui Sragonit (“Letrat si Aragoni i shkruan, pa pikë dhe presje”). Interpunkisoni i bardhë (poezitë pa shenja pikësimi) aso kohe në Shqipërinë e regjimit në fuqi, konsideroheshin si veprim e ndikim i nartit dekadent. “Dekadente” dhe analfabete të jetë mëma?! Poeti e lë të ngurosur lexuesin: Louis Aragon ishte një poet, romancier dhe eseist francez i shquar, një figurë e rëndësishme në lëvizjen surrealiste dhe tek më vonë u lidh me Partinë Komuniste Franceze. Aragon ishte një nga themeluesit e lëvizjes surrealiste së bashku me André Breton dhe Philippe Soupault. Surrealizmi ishte një lëvizje artistike dhe letrare që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, duke u përqendruar në shprehjen e ndërthurjes së vetëdijes me ndërdijen, si dhe për lirinë e imagjinatës. LIRI E IMAGJINATËS! Kjo liri kaq e kufizuar aso kohe në Shqipëri! Po porse Kadare përmend Aragonin e jo, bie fjala, poetët tjerë surrealistë? Mbase, për faktin që të gjente “një kompromis” për artin e imagjinatës: afrohen dy figura, aq të dashura, Aragoni e mamaja! Aragoni (le të jetë një figurë ku romanet e tij lexoheshin në Shqipëri). Një qortim krejtësisht i butë, i pasherr, ndaj mamasë që shkruan “keq” (por aty mamaja, sigurisht, mbjell shpirtin e pafund të dashurisë, le ta kujtojmë romanin “Kukulla” dhe romanet tjerë). Aragon ishte nga pak aventurier (le t’i kujtojmë aventurat e tilla që Kadare i përshkruan më vonë, nga takimet e tij në Moskë e gjetiu me vajza, si Aragon me poeten surrealiste Elsa Triolet). Të jetë edhe Kadare “një dekadent” si Aragon?! “Afrimi” dhe “kritika” për krijimet “pa pikë e presje” e thonë të njëjtën gjë: nderimin për qenien më të dashur, mamanë… që reflekton një ndjenjë të veçantë të lidhjes me gjuhën dhe trashëgiminë kulturore, edhe pse ka kundërshtime, pengesa e komplikime në këtë lidhje; nderim edhe për IMAGJINATËN KRIJUESE që lakmohet e ndërlidhet që tërthorazi me identifikimin e emrit të Aragonit! Por, meqë Aragon është sinonim i kohës së tij, pa pikë e presje, për ta spastruar artin e tij si autor i stilit të thjeshtë dhe të pastër, drejtpërdrejt, pa ndërlikime e pa formalitete, atëherë këtë nivel komunikimi e ruan habitshëm edhe Kadare! Veçse jo “pa shenja pikësimi” (ç’formalitet për artin, uh!), për të mos u quajtur dekadent.

Të paktën, këtë gjë na e siguron liria e leximit, pasi vetë poezia është një imagjinatë krijuese.

 

6.

 

Dhe ti,

Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,

Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,

Stacioni im i fundit,

Poezi.

 

Këto dy vargje nga poezia e Ismail Kadaresë shfaqen si një përmbyllje e ndjeshme dhe simbolike e rrugëtimit të poetit me poezinë. Poezia dhe stacioni gjenden në të njëjtin rrugëtim: qëllimi, destinimi dhe shtegtimi deri te pritja. Stacioni, si një pikë përfundimtare, paraqet atë çast sigurie e stabilizimi, një ndalesë ku poeti e ndjen se ka arritur aty te qëllimi përfundimtar. Ky “stacion i fundit” shqiptohet me të vetmen fjalë që përbën vargun e fundit. E rikonfirmon qëndrimin e poetit dhe përqendrimin e tij. Poezia përmendet si pika përfundimtare e këtij rrugëtim-qëllimi. Një jetë përpjekjesh aventurash krijuese, sakrificash pa fund për hir të artit. E vetmja fjalë, në fund, shënjon edhe rëndësinë esenciale në jetën e tij. Poezia është e vendosur si një destinacion i përfundimtar dhe mjet, përmes të cilit poeti shpreh dhe gjen kuptim në botën dhe përvojën e tij. Gjen kënaqësinë estetike. E, aso kohe, përmendeshin tradhtitë tjera, por poeti ka tjetër drojë:

 

Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,

Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,

 

janë fraza që shprehin ankthin ose frikën krijuese, në mos poeti ka tradhtuar apo ka ndryshuar rrugën e tij krijuese! Poeti gjendet para ndërgjegjes së tij krijuese! Përdorimi i fjalës “mëri” sugjeron sikur të gjendej para një gjykate që vlerëson poezinë. Poezia paraqitet si një fuqi që mund të ngrohë dhe të kujdeset për krijuesin e saj dhe, gjithsesi, edhe të të qortojë! Përdorimi i imazhit të përkëdheljes dhe të ëmbëlsisë, lidhet me një ndjenjë të kënaqësisë artistike dhe kujdesit. Gërshetimi i këtyre dy vargjeve, shfaq një marrëdhënie të ndërliqshme dhe të ndjeshme mes poetit dhe poezisë së tij. Në këtë kontekst, poezia është një forcë që shpërfaqet si shpresa dhe mbështetja e tij, por edhe si një fuqi që kërkohet të kontrollojë dhe vlerësojë krijuesin e saj.

 

7.

 

Më në fund, le ta lexojmë këtë poezi edhe si një biografi lirike. Mund të interpretohen edhe si biografema lirike, duke iu referuar jetës dhe rrugëtimit të poetit. Në këtë poezi, dallohen disa elementë që lidhen me jetën e Kadaresë…, që u theksuan më lart.

 

“Udhën gjer tek uni si e gjete?”:

“Mamaja ime shqipen mire s’e di”

“Babai u end ne rini net e tjera dete”

 

“Stacioni i fundit” interpretohet si një lidhje e thellë dhe e pashpallur mes krijuesit dhe krijimit të tij letrar. Përdorimi i kësaj fraze përshkruan një çast shpirtëror apo një zbulesë a epifani biblike, ku poeti takon burimin e frymëzimit për krijimtarinë e tij. Ky çast metaforik është tejet shpirtëror, ka një ndikim të thellë në krijimtari. Përmendja e prindërve lidhet me një ndjenjë nostalgjie ose kujtimi. Autori kujton momente nga fëmijëria e tij dhe përshkruan marrëdhënien e tij me prindërit nëpërmjet poezisë. Këto momente sjellin frymëzim për krijimin e poezisë.

Ligjërimi poetik ka një stil të drejtpërdrejtë, me fjalë të qarta dhe komunikim të hapur. Fjala e qartë (dhe mnyra e qlndrimit jetësor, cita aperta), si dhe përdorimi i figurave të pandërlikuara, e lejojnë lexuesin ta kuptojë mesazhin e poetit pa nevojë për interpretime të thelluara. Kjo qasje ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe transparent në komunikimin e ideve dhe emocioneve. Në vend që të përdorë simbolizmin e ngatërruar, poeti shpreh mendimet dhe ndjenjat në një mënyrë të qartë dhe të kuptueshme.

“Stacioni im i fundit, / Poezi”.

Poezia shpallet si qëllimi i fundit i poetit. Sot e përgjithmonshëm.

(28 janar 2024)

Plaçkitet lokali i armëve në Prizren, vjedhen qindra euro para të gatshme

0
Persona të armatosur po dyshohen se kanë thyer lokalin e armëve “Plumbi”, në Prizren dhe kanë arritur të vjedhin armë zjarri dhe qindra euro para të gatshme.

 

Rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë natës, periudhë kjo që është shfrytëzuar nga të dyshuarit, të cilët janë futur brenda lokalit dhe kanë kryer vjedhjen.

Të njëjtat burime thonë se pronari i lokalit ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast ka deponuar si dëshmi edhe pamjet nga kamerat e sigurisë.

Në vendin e ngjarjes, njësitë përkatëse policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme teksa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”./Sinjali

Haalandi rikthehet nga lëndimi

0

Pep Guardiola ka konfirmuar se Erling Haaland do të kthehet në skuadrën e Manchester Cityt për ndeshjen e tyre ndaj Burnleyt

Sulmuesi norvegjez ka humbur 10 ndeshje për shkak të lëndimit, por ende mbetet golashënuesi më i mirë i Premier Ligë me 14 gola. “Po, Erling Haaland do të jetë në skuadër. Ai është kthyer”, tha Guardiola. Kur kemi të gjithë skuadrën, ne jemi më të fortë dhe Erling është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën. Ai ndihet mirë”, shtoi ai.

 

 

City përballet nesër me Burnleyn në kuadër të xhiros së 21-të dhe këkrojnë tri pikë të reja për ta mbajtur hapin me Liverpoolin që është lider i tabelës me 48 pikë.

 

MD: Mbrojtjen e Thaçit e paguam mbi 3.5 milionë euro që nga viti 2020

0

Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas lajmit për mundësin e tërheqjes së avokatëve të ish-presidentit Hashim Thaçit.

 

Ministria e Drejtësisë, ka bërë të ditur se që nga 2020-ta, mbrojtja juridike e ish-presidentit Hashim Thaçi është paguar mbi tre milionë e gjysmë nga buxheti i këtij dikasteri.

Ministria ka thënë të martën se obligimet ndaj avokatit Luka Misetiq janë kryer, në përputhje me Udhëzimin dhe Marrëveshjen.

“Në përputhje me Udhëzimin dhe Marrëveshjen e tillë (legjislacionin në fuqi), Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi. Për më shumë, vetëm për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë ka realizuar pagesa për mbrojtësit e z. Hashim Thaçi në shumën prej 1,371,800.00 Euro. Pagesa për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë realizuar për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023. Për vitin 2020, është realizuar pagesë prej 83,107.41 Euro, për vitin 2021 është realizuar pagesë prej 1,114,901.00 Euro, për vitin 2022 pagesa është realizuar në shumën prej 996,600.00 Euro, dhe për vitin 2023 – është realizuar pagesë në shumën prej 1,371,800.00 Euro. Për të gjitha vitet, shuma e pagesës për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, është 3,566,401.41 Euro”, thuhet në reagimin e MD-së.

Ministria ka shtuar se për avokatët e tjerë, nuk mban përgjegjësi për realizimin e pagesave.

“Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka Marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me Marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë. Ndërsa për avokatet tjerë potencial, qoftë edhe privat, të cilët angazhohen nga z. Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka Marrëveshje dhe nuk mbanë përgjegjësi për realizmin e pagesave. Pra, Ministria e Drejtësisë, në përputhje me Udhëzimin e tillë dhe legjislacionin në fuqi, ka realizuar me kohë të gjitha pagesat dhe obligimet për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi”, thuhet tutje në njoftimin e publikuar në Facebook.

Më 5 nëntor 2020, Thaçit i ishte konfirmuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përkujtohen të rënët e masakrës së Malishevës

0

Janë përkujtuar të rënët e masakrës së Malishevës, Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku, të cilët mbetën të vrarë 34 vjet më parë, teksa u plagosën dhe u rrahën dhjetëra qytetarë.

 

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekstrem Kastrati së bashku me nënkryetarin Vesel Krasniqi, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Argjend Thaçi e familjarë të rënëve kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve.

“Kjo ngjarje, ndonëse e dhimbshme për ne si popull, shënon edhe reagimin e parë institucional apo kthesën e madhe historike, ku në mënyrë të hapur, nga udhëheqësit e komunës dhe përfaqësuesit e saj në Kuvendin e Kosovës, ngjarja është cilësuar si gjenocid e terror mbi popullatën shqiptare dhe është kundërshtuar sistemi dhe regjimi i asaj kohe, duke i hapur rrugë përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi, që është kulmuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Kastrati gjatë homazheve.

Pritet të tërhiqen avokatët e Thaçit pasi nuk u paguan

0

Avokatët e Hashim Thaçit kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e tij në Hagë.

Në një njoftim të Dhomave të Specializuara të Kosovës thuhet që avokatët Gregory Kehoe, Joe Reeder dhe ekipi nga “Greenberg Legal Associates” kanë kërkuar të tërhiqen pasi që nuk janë kryer obligimet financiare ndaj tyre, njofton Klankosova.tv.

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

“Zotëri Thaçi nuk ka arritur t’i përmbushë obligimet ndaj Gregory Kehoe, Joe Reederit, Greenberg Legal Associates dhe anëtarëve të ekipit mbështetës të Greenbergut, dhe z. Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm nga Gregory Kehoe, Joe Reederi, Greenberg Legal Associates dhe Greenberg Support që anëtarët e ekipit do të kërkonin ndërprejen nëse nuk përmbushet ky detyrim”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Avokatët në fjalë do ta vazhdojnë ndihmën për avokatët zëvendësues deri më 45 ditë, ndërkaq për Thacin deri në 45 ditë.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren