6.7 C
Prizren
E diel, 26 Prill, 2026
Home Blog Page 1379

Shënohet aktiviteti ‘ Bashkë kundër kancerit të gjirit’ në Malishevë

0

Bashkë kundër kancerit të gjirit. Me këtë moto, sot nisi fushata `Tetori muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit’ në Malishevë.

Ky aktivitet u shënua me simbolikën e ecjes këmbë nga Qendra e Mjekësisë Familjare, ‘Dr. Shpëtim Robaj’,  Bulevardit ‘Ibrahim Mazreku’ e deri të  objekti i komunës së Malishevës.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

“Ju jam mirënjohës për këtë aktivitet i cili ka të bëjë me ndërgjegjësimin e sëmundjes së kancerit të gjirit, që po prek çdo ditë e më tepër qytetarë pa dallim gjinish. Jam i shqetësuar dhe i preokupuar për shëndetin e qytetarëve dhe po mobilizohemi përditë e më mirë profesionalisht me potencialet tona  shëndetësore e civile që të  punojmë për informim e në veçanti për parandalimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe  të vetëdijesimit të qytetarëve për kontrollim  të kësaj sëmundje, që në paraqitjen e shenjave  të  para. Prandaj, ne si institucione do të gjejmë forma dhe mënyra për mbështetje institucionale dhe kjo  mbështetje nuk do të mungoi asnjëherë për pacientët e prekur nga kanceri i gjirit”, ka thënë Kastrati.

Sipas njoftimit të Komunës së Malishevës, në këtë ecje simbolike ishin të pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Hajdin Berisha, kryesuesi i Kuvendit, Argjent Thaçi, Vera Bytyçi, nga zyra për Barazi Gjinore, asamblistë komunal, drejtorë, kurse folës ishin edhe dr. Afrim Krasniqi, drejtor i QKMF-së dhe  Dr. Ganimete Bytyçi.

Në fund përvojat e tyre i ndanë edhe folëse të cilat u sfiduan nga sëmundja e  kancerit të  gjirit.

Ky aktivitet u organizua nga Komuna e Malishevës së bashku me institucionet publike shëndetësore e arsimore dhe të shoqërisë civile të kësaj komune.

Ka filluar instalimi i ndriçimit publik në fshatin Lubizhdë të Hasit

0

Ka filluar instalimi i ndriçimit publik në Lubizhdë të Hasit, i cili do të vendoset në rrugët kryesore të fshatit, në pika strategjike për ta krijuar një ambient të sigurt dhe më të ndriçuar për të gjithë banorët.

Ky projekt është një hap pozitiv drejt modernizimit të infrastrukturës së këtij fshati.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Christina Aguilera përkujton 21 vjetorin e albumit të saj “Stripped” duke ndarë disa foto të nxehta

0

Këngëtarja dhe aktorja Christina Aguilera, përkujtoi 21 vjetorin e publikimit të albumit të saj të katërt, “Stripped” duke ndarë një seri fotosh të nxehta në llogarinë e saj në Instagram të dielën.

42-vjeçarja tregoi një sasi të konsiderueshme të lëkurës në fotot, të cilat ishin bërë të gjitha kur ajo ishte në fillim të të njëzetave, shkruan DailyMail.

Performuesja, e cila kohët e fundit promovoi rezidencën e saj në Las Vegas në Instagram, ndau gjithashtu një klip që përbëhej nga disa sekuenca të marra nga videot muzikore për këngët e albumit.

Kënga kryesore e “Stripped”, “Dirrty”, u publikua në shtator të vitit 2002 dhe shpejt u bë e diskutueshme për përmbajtjen e saj seksualisht eksplicite.

Videoja muzikore e këngës u shfaq premierë në të njëjtin muaj dhe u prit me një nivel të ngjashëm polemikash për përshkrimin e saj të fetisheve të ndryshme.

Reklama

Megjithë reagimin negativ ndaj këngës së saj të parë dhe klipit të saj promovues, albumi i katërt i Aguilera u prit me sukses të gjerë kur debutoi dhe arriti kulmin në vendin e dytë në tabelën amerikane të Billboard 200.

Katër këngë të tjera u publikuan pas debutimit të “Stripped”, duke përfshirë “Beautiful”, “Fighter” dhe “Can’t Hold Us Down”. /Telegrafi/

Khodorkovsky: Putini krijon kaos kudo ku mundet

0

Për presidentin rus, Vladimir Putin, lufta Izrael-Hamas është si çdo krizë tjetër në botë – një mundësi për t’i çuar përpara synimet e Rusisë në luftën në Ukrainë, thotë ish-manjati i naftës dhe aktivisti opozitar rus, Mikhail Khodorkovsky.

“Ai nuk e mbështet askënd”, thotë Khodorkovsky duke iu referuar Kremlinit.

“Ai do kaos. Putini, sot, ka nevojë për kaos, për të siguruar atë që do nga ujërat gjithnjë e më të turbullta. Dhe ajo që do, është të mos e humbasë Ukrainën”, thotë Khodorkovsky në një intervistë për kanalin Current Times të Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, Putini “krijon kaos kudo ku mundet, për t’i shpërqendruar njerëzit, për t’i shpërqendruar burimet, për t’i shpërqendruar politikanët dhe për të qenë në gjendje për ta kryer punën e tij të pistë [në Ukrainë]”.

Putin, thotë ai, “nuk ka interes personal për Hamasin”. Por, “ekziston një interes personal, praktik për destabilizimin e situatës”, sipas Khodorkovskyt.

“Nuk ka rëndësi nëse është Hamasi apo Hezbollahu, nëse është situata në Izrael apo ndonjë rrëmujë në Ballkan. Nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi, është se vëmendja e lojtarëve kryesorë botërorë është devijuar”, thotë ai.

“E paligjshme dhe kriminale”

Ish-njeriu më i pasur i Rusisë, Khodorkovsky, u arrestua në vitin 2003, nën akuzat për mashtrim, por ai thotë se akuzat kundër tij u sajuan nga Putini dhe aleatët e tij, për ta ndëshkuar veprimtarinë e tij politike dhe për t’i vënë asetet e kompanisë së tij të naftës, Yukos, në duart e shtetit.

Ai kaloi pak më shumë se një dekadë në burg përpara se të falej dhe të largohej jashtë vendit në dhjetor të vitit 2013.

Në prill të këtij viti, ai ishte në mesin e një grupi prej rreth 50 figurash kryesore të opozitës ruse, që nënshkruan një deklaratë të përbashkët, për ta dënuar pushtimin e Ukrainës dhe për ta shpallur Qeverinë e Putinit “të paligjshme dhe kriminale”.

Khodorkovsky, 60 vjeç, mohon se ka ambicie politike në Rusi, ndërsa veten e përshkruan si “një figurë publike” dhe “ndikues”.

“Jemi me muaj larg”

Prirja e Putinit për kaos, thotë Khodorkovsky, ka krijuar një “situatë të rrezikshme” globalisht.

“Ajo që na afron më shumë me një luftë globale, është se tani vërehet një normalizim i dhunës ndërkombëtare”, thotë ai.

Përpara se Rusia ta zhvillonte luftën e saj të shkurtër kundër Gjeorgjisë, në vitin 2008, bota mund të ishte ende e tmerruar nga luftërat. Tani, thotë Khodorkovsky për Current Time, “opinioni publik është mësuar me to”.

“Nëse ndalojmë së vlerësuari jetën njerëzore, sigurisht, ora e një apokalipsi bërthamor ose një apokalipsi botëror, në përgjithësi, i afrohet mesnatës”, thotë ai.

Në Perëndim ka diskutime për “lodhjen nga Ukraina”. Sipas disa analistëve, Putini shpreson se mbështetja ndërkombëtare për Kievin do të venitet dhe se ai nuk do të marrë më ndihma ushtarake.

Por, Khodorkovsky thotë se lodhja nga Ukraina apo lufta mund të jetë një problem i brendshëm edhe për vetë Putinin.

Deri më tani, thotë ai, përkundër vrasjes së dhjetëra mijëra ushtarëve rusë, ndikimit të sanksioneve perëndimore dhe kostos ekonomike të luftës, “nuk e kemi këtë zhurmë ende”.

“Ka heshtje”, thotë ai. “Pse? Sepse, Putini paguan para. Fakti që ai paguan para, për fat të keq, ka qenë një komunikim mjaft efektiv me publikun”.

Pagesat për mercenarët dhe familjet e të vrarëve ose të plagosurve, thotë Khodorkovsky, e kanë bërë luftën “të pranueshme” për shumë rusë të varfër.

“Kur do të bëhet e papranueshme?”, pyet ai.

“Përvoja historike tregon se rreth dy vjet pas fillimit të një lufte, njerëzit fillojnë të ndihen të lodhur. Unë mendoj se jemi disa muaj larg që njerëzit në Rusi të fillojnë ta ndiejnë këtë lodhje. Por, mbetet një pikëpyetje e madhe nëse kjo do të ndodhë më parë në Rusi apo në Perëndim”, thotë Khodorkovsky.

Putini nuk mund ta fitojë luftën në Ukrainë siç do të donte ai, thotë Khodorkovsky, sepse edhe nëse e mposht Kievin, ai do të mbetej duke pushtuar një vend të shkatërruar, popullsia e të cilit e urren në masë të madhe, si dhe do të përballej me gjasat e sanksioneve të përhershme.

Në një mënyrë ose tjetër, Khodorkovsky shpreh bindjen se lufta do të përfundojë me humbjen e “Rusisë Putiniste, të regjimit të Putinit”.

“Putini nuk mund ta fitojë këtë luftë në mënyrë strategjike”, thotë ai.

Mësimet nga rebelimi i Prigozhinit

Për shumë vite, qëndrimi i Putinit në pushtet është mbështetur në ushtrinë ruse dhe agjencitë e saj të sigurisë, si dhe nga perceptimi se shumica e rusëve e duan atë, thotë Khodorkovsky.

Megjithatë, rebelimi jetëshkurtër i grupit famëkeq mercenar, Wagner, dhe udhëheqësit të tij tashmë të ndjerë, Yevgeny Prigozhin, në muajin qershor, tregoi se këto shtylla mund të lëkunden.

“Rebelimi i Prigozhinit tregoi në kohë reale se ushtria nuk e mbështet Putinin”, thotë Khodorkovsky.

“A ju kujtohet se si forcat e Prigozhinit vazhduan drejt Moskës si thika nëpër gjalpë Dhe të gjitha njësitë ushtarake u larguan mënjanë”.

“As njerëzit nuk e mbështesin atë. E kemi parë se si njerëzit në Rostov mbi Don i kanë shoqëruar luftëtarët e Wagnerit…”, thotë ai.

Khodorkovsky shton se nuk ka pasur asnjë moment në Rostov kur njerëzit kanë dalë për ta mbështetur Qeverinë ose për të shprehur kundërshtime ndaj atyre që veprojnë kundër saj.

“Do të ishte e kuptueshme nëse disa njerëz do të dilnin me lule dhe kamera, ndërsa të tjerë me tulla dhe shishe”, thotë ai.

“Në atë rast do të ishte e qartë se një pjesë e shoqërisë i mbështet autoritetet aktuale dhe një pjesë jo. Por, shumica e njerëzve thjesht nuk janë të interesuar fare. Ose, thënë më mirë, kanë qenë të lumtur [me rebelimin]”, shprehet Khodorkovsky.

Edhe pse nuk ofron parashikime specifike se si mund t’i vijë fundi epokës së Putinit për Rusinë, ai parashikon se tranzicioni do të jetë i gjatë dhe i vështirë.

“Do të kalojnë së paku pesë vjet përpara se forcat demokratike të jenë në gjendje ta udhëheqin vendin [pas largimit të Putinit]”.

“Edhe nëse Putini largohet nesër ose pasnesër, do të ketë procese luhatëse për ca kohë. Ajo që do të vijë [menjëherë] pas tij, do të duket shumë e keqe”, përfundon Khodorkovsky./REL

152 vjetori i lindjes së Homerit shqiptar

0

Lindur në Fishtë të Zadrimës, Gjergj Fishta ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo.

Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi. Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi.

Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara.

Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme.

Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane ‘Hylli i Dritës’, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë.

Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës ‘Posta e Shqypniës’, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. +Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të marrë vendim mbi çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Në gusht 1919, Gjergj Fishta ishte Sekretar i Përgjithshëm i Delegacionit Shqiptar, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin.

Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos, si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta.

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’.

Si poet kombëtar, Atë Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar nga Papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhri françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumëanëshme dhe autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në kryesisht me kryeveprën e tij epike, ‘Lahuta e Malcís’.

Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegërishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Ndër botimet kryesore të At Gjergj Fishtës mund të përmenden edhe “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), etj.

Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj. Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare.

Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

Almir Kryeziu me dy golat ndaj Lirisë shpallet “Ylli i Javës”

0

Federata e Futbollit e Kosovës ka vazhduar me ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 10-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Almir Kryeziu

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Skender Kapra, Luan Tabaku, Fisnik Ademi.

Ky komision vendosi që sulmuesi këmbëshpejtë i FC Ballkani, Almir Kryeziu të shpallet “Ylli i Javës”, pasi ai shënojë 2 gola në fitoren e kampionëve në fuqi përballë FC Liria, me përmbysje të rezultatit (4:1).

Pasi mori këtë çmim sulmuesi u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme për të ruajtur kreun e tabelës.

“Jam mirënjohës ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës për vlerësimin e tyre, po ashtu falënderoj edhe bashkëlojtarët e mi dhe shtabin teknik të Ballkanit për përkushtimin dhe përkrahjen gjatë ndeshjes së fundit. Ishte një përballje e veçantë dhe dëshiroj të theksoj se ishte një sfidë e vështirë për mua dhe skuadrën time, sidomos duke qenë në disavantazh kundër skuadrës së fortë të Lirisë”, ka thënë Kryeziu për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Gjithashtu, është e rëndësishme të përmend se kjo ndeshje kishte një ndjenjë të veçantë për mua. Në fakt, kjo ishte emocionale për mua, pasi kam kaluar shumë vite në shkollën e futbollit të Lirisë, ku jam rritur duke kaluar përmes të gjitha grupmoshave”, ka thënë Kryeziu për faqen zyrtare të FFK-së. Ai ka folur edhe për sfidën e radhës së portokallezinjve në UEFA Conference League kundër Astanës. “Ne jemi të gatshëm për këtë sfidë. Do të jemi të përgatitur dhe do të japim më të mirën tonë në fushë. Kemi një skuadër të fortë dhe besoj se mundemi të arrijmë suksese në këtë kompeticion”, ka shtuar Kryeziu.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

 

Kurti: Sulmi në Banjskë u organizua nga klani i Novi Sadit

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmin në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar klani i Novi Sadit.

Sipas tij, në krye të tij ndodhet ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.

“Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllait të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas Kurtit, rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi, duke shtuar se nëse kjo ishte e rastësishme, do të tregojnë hetimet.

Ai ka shkruar se grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radojiçiq po qëndron në Rashkë.

“Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS. Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, ka shkruar Kurti.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Ai ka thënë se “në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj”.

Kurti ka thënë se Kosova nuk ka juridiksion në Serbi.

“A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”.RTKlive

Vazhdon kampanja informuese për udhtimin pa viza

0

Gjatë kësaj jave do të vazhdojë fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kampanja vetëdijësuese ketë javë do të vazhdojë në këto komuna.

Sot fillon në komunën e Drenasit, 23.10.2023, në Graçanicë me 24.10.2023, më 25.10.2023 fushata mbahet në komunën e Obiliqit, vazhdon në Skenderaj të enjten me 26.10.2023, ditën e premte mbahet me datë 27.10.2023 në Vushtrri,kurse në komunën e Kaçanikut do të mbahet të hënën e ardhshme më datë 30.10.2023, dhe dita e fundit për këtë muaj fushata zhvillohet në komunën e Shtimes me datë 31.10.2023.Mund të jetë një imazh i teksti

Kampanja do të vazhdojë edhe në muajin e ardhshëm.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Ndryshe gjatë javës së kaluar, kampanja ka udhëtuar nëpër qytete të ndryshme si Peja, Gjakova, Lipajn,Ferizaj dhe Fushë Kosovë. Qytetarët u informuam për të drejtat e tyre të udhëtimit. Gjithashtu, qytetarët patën mundësi të marrin pjesë në kuiz dhe të bëhen pjesë e lotarisë për një udhëtim në Vjenë më 1 Janar, 2024!Mund të jetë një imazh i 10 persona, biçikletë, seguej dhe teksti

E nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.

Nga janari qytetarëve të Kosovës u mundësohet të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën.  Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Ja shtetet që do të mund të udhëtohet pa viza deri në 90 ditë:

Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se edhe pas liberalizimit të vizave, bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.

Republika e Kosovës, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kosova ishte vendim i vetëm në Ballkan që kishte më së shumti kritere për fituar liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Komisioni Evropian, në vitin 2018, kishte konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

Etapat deri te liberalizimi i vizave për Kosovën

Kosova ka kaluar disa etapa për të arritur liberalizmin e vizave

Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën

Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe

Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq hapat që ende nuk ka arritur procesi për heqjen e vizave e që duhet të arrihen janë:

Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave

Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian

Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet

Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave

Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian

Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe

Liberalizimi hyn në fuqi.

Posta lëshon në qarkullim tri pulla postare me monumente natyrore

0

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj lëshoi sot në qarkullim postar emisionin “Monumentet natyrore”, ku përfshihen tri pulla postare me imazhet e tri monumenteve natyrore të Republikës së Kosovës (Guri i Shpumë, Guri i Dellocit dhe Guri i Plakës), për të cilat janë bartur gojëdhëna, rrëfime legjendash e mitesh ndër breza përgjatë shekujve, njofton Posta e Kosovës.

 

Guri i Shpumë – gjendet në qytetin antik të Kaçanikut, i cili karakterizohet nga ngjarje të shumta dhe elemente të trashëguara të rëndësisë së veçantë. Pamjeve magjepsëse të Grykës së Kaçanikut në veçanti dhe vlerë të shtuar i jep Guri i Shpumë, vend i preferuar për shumë vizitorë.

Guri i Dellocit – gjendet në fshatin Delloc të Komunës së Suharekës, me lartësi mbi 1700 metra, me një pamje sa të bukur aq edhe intriguese për identifikimin e kohës së krijimit të tij. Sipas gojëdhënave daton që nga koha e lashtë ilire dhe nga banorët njihet si Guri i Diellit, që sipas studiuesve ka mundur ta ketë rolin e orës diellore, pretendime këto që mbetet t’i konfirmojë shkenca.

Guri i Plakës – tërheq vëmendjen me pamjet piktoreske të Komunës së Drenasit. Është monument natyror me karakter gjeo-morfologjik, i vënë nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Republikës së Kosovës nga viti 2006. Gurin e Plakës e karakterizon mrekullia mbresëlënëse e kalimit të trenit në mes të tij, duke e shndërruar atë në atraksion prej shumë vizitorësh vendorë dhe të huaj.

 

Posta e Kosovës, me këto tri pulla postare promovon pamjet mahnitëse të bukurive natyrore të Kosovës, ndërsa koleksionistët, qytetarët dhe bizneset, tanimë munden t’i blejnë ato që t’i vendosin në dërgesat dhe zarfet e tyre, si kujtime të rralla për më të dashurit e tyre kudo nëpër botë.

Apeli vërteton aktgjykimin lirues për ish-drejtorin e Administratës në Prizren

0

Gjykata e Apelit, ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, e cila më 30 maj 2023, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish- drejtorit të Administratës në Prizren, Ilir Baldedaj, lidhur me akuzën për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ndryshe, Baldedaj në gjykimin e parë më 15 janar 2021 ishte dënuar me 10 muaj burgim efektiv, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Edhe në gjykimin e dytë, Baldedaj nga ish-gjykatësi Xheladin Osmani, më 2 gusht 2022, u dënua me 10 muaj burgim efektiv dhe si dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve publike në administrate ose shërbime publike në afat prej 2 vite. Por, Apeli e ktheu rastin në rigjykim, e që më 30 maj 2023 u shpall aktgjykim lirues ndaj tij.

Kundër vendimi të 30 majit 2023 të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prizren për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim i gabueshëm ose jo i plotë i gjendjes faktike, duke propozuar që aktgjykimi të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim ose të akuzuarin ta shpallë fajtor.

E në vendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren është refuzuar si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren është vërtetuar.

Apeli kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti është i qëndrueshëm, ngase është në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Apeli ka vlerësuar se nuk ishte në kompetencat e të akuzuarit Baldedaj për të bërë shpërndarjen e laptovëve, për t’u konsideruar se i njëjti nuk ka përmbushur detyrën e tij siç pretendonte Prokuroria.

“Kolegji më në detaje ka parasysh për të vlerësuar, se cilat ishin kompetencat e të pandehurit, a ishte ky me ndonjë vendim i ngarkuar për të bërë shpërndarjen e llap topave te asamblistët për tu konsideruar se nuk i ka përmbushur detyrat e tij siç prokuroria e ngarkonte të akuzuarin. Nga shkresat e lëndës, nuk rezulton se i pandehuri ishte i ngarkuar me detyra të tilla të punës për tu konsideruar se nuk i ka përmbushur, rrjedhimisht drejtoria e administratës nuk është në kuadër të kuvendit komunal”, thuhet në vendim.

Gjykata e shkallës së dytë ka gjetur se kthimi i laptopëve nuk bie në domenin e veprimit inkriminues, por se kjo është çështje administrative.

“Kolegji vlerëson se edhe sikur i pandehuri të kishte një detyrim të tillë për shpërndarjen e Llap topave që nga provat rezulton se ai nuk kishte detyrën e tillë, fakti se në vërtetim nuk ka konstatuar se me përfundimin e mandatit duhet të kthehen Llap Topat, ky fakt nuk ka të bëjë fare me veprim inkriminues, ngase në rregulloren 02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare neni 3 paragrafi c) që rregullon pasuritë jo financiare, përcakton se: Pronësia dhe përfitimet mbeten te organizata buxhetore” çka nënkupton se edhe me konstatimin e tillë edhe në mungesë të konstatimit vet akti ligjor përcakton se çdo pasuri jo financiare mbetet në pronësinë e organizatës buxhetore – në rastin konkret të Komunës se Prizrenit, rrjedhimisht mungesa e një konstatimi të tillë në vërtetim nuk bie ne domenin e veprimit inkriminues, por ka të bëjë me aspektin administrativ”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas vendimit, nuk është provuar qëllimi se i pandehuri Baldedaj ka dashur të marrë ndonjë laptop për vete ose t’i bëjë dëm komunës dhe se ekspertiza ka vërtetuar se nuk ka pasur dëm ndaj Komunës së Prizrenit.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Baldedaj, akuzohej se më 13 maj 2018 e deri më 22 maj 2018, në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i ai ka bërë shpërndarjen e pasurisë jofinanciare, laptopë dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas aktakuzës, Baldedaj akuzohej se ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizata buxhetore.

Në aktakuzë thuhej se për tre laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i njëjti buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Ndryshe, Ilir Baldedaj ishte i ngarkuar edhe në një rast tjetër për korrupsion, mirëpo Gjykata Themelore në Prizren e ka liruar nga akuza, e të njëjtin aktgjykim e ka vërtetuar Gjykata e Apelit./BetimipërDrejtësi