Ministria e Bujqësisë këtë vit pritet të ndajë 24 milionë euro për grante në bujqësi. Thirrja për aplikim akoma nuk është hapur e kjo ka shqetësuar bujqit. Nga Ministria kanë thënë për Radio Kosovën se Programi për Zhvillim Rural është në konsultim publik dhe se pas përfundimit të afateve ligjore do të shpallë thirrjet për aplikim.
Ministria e Bujqësisë ende nuk e ka hapur thirrjen për aplikim për grante për bujqit. Programi për Zhvillim Rural 2023, akoma nuk është bërë publik, ndonëse ministri Faton Peci kishte paralajmëruar se në pjesën e parë të gushtit do të aprovohet programi për grante.
“Javën tjetër, ne si Qeveri, në këtë rast si ministri, presim që të aprovojmë programin për grante për vitin 2023, vlera monetare e të cilit do të jetë rreth 24 milionë euro”, kishte deklaruar ministri Peci.
Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë se kur pritet të bëhet publik programi dhe të hapet thirrja për aplikim për grante.
“Ministria e ka hartuar Programin për Zhvillim Rural për vitin 2023 dhe aktualisht është duke vazhduar me hapat e tjerë ligjorë për finalizimin e këtij programi. Në kuadër të këtyre hapave tani edhe Udhëzimi Administrativ i PZhR 2023 është në konsultim publik dhe pas përfundimit të afateve të parapara ligjore, MBPZhR-ja do ta publikojë këtë program dhe do t’i shpallë thirrjet për aplikim”, kanë bërë të ditur nga Ministria e Bujqësisë, duke mos treguar ndonjë datë se kur mund shpallet thirrja për aplikim.
Ndërkohë, bujku Mehdi Bresilla, i tha Radio Kosovës se ministria është vonuar me shpalljen e thirrjes për aplikim për grante.
“Është shumë me vonesë. Jo pak, por shumë me vonesë. Thirrja duhet të hapet sa më shpejt. Edhe ne duhet të njoftohemi. Duhet të thirremi në takime e në këto takime edhe ne do t`i prezantonim disa kritere, sepse kriteret duhet të vijnë edhe prej kërkesave tona e jo vetëm prej Ministrisë së Bujqësisë”, tha ai.
Ndërsa, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, duke u ankuar për mungesë komunikimi me Ministrinë e Bujqësisë, kërkon që të mos vonohet edhe më tutje hapja e thirrjes për aplikim për grante.
“Duhet të fillohet, sepse është shumë vonë. Megjithëkëtë, bujqit janë përgatitur, pasi buxheti është i ndarë. Nëse ky buxhet që është përcaktuar për grante nuk realizohet deri në fund të vitit, ai nuk e di a ka mundësi ta shfrytëzojë më vonë, sepse çdo investim dhe çdo plasim i parave nga buxheti i shtetit e humb të drejtën të shfrytëzohet vitin e ardhshëm”, tha Tahiri.
Vonesat në shpalljen e thirrjes për aplikim dhe ndarjen e granteve ndikojnë negativisht në realizimin e projekteve në bujqësi, thotë Tahiri.
Vitin e kaluar thirrja për aplikim për grante ishte hapur në fillim të muajit korrik, ndërsa viteve paraprake, kjo bëhej edhe më herët.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar Përfaqësuesin e Lartë, të Bashkimi Evropian, Josep Borrell me të cilin ka diskutuar për sulmin terrorist të grupeve të armatosura serbe ndaj Policisë së Kosovës në veri.
Osmani përmes një postimi në platformën “X”, shkruan se në takimin që pati me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për shkeljen e nenit 3 të marrëveshjes së 27 shkurtit, transmeton Telegrafi.
“Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për shkeljen e qartë të nenit 3 të marrëveshjes së 27 shkurtit të BE-së, e cila parashikon detyrimin për t’u përmbajtur nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”, ka deklaruar presidentja.
Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terroristësh më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrimi Bunjaku.
Pas sulmit ndaj Policisë, rreth 30 serbë, të armatosur rëndë dhe të maskuar u fshehën në manastirin në Banjskë për disa orë, atyre iu kërkua nga Policia e Kosovës që të dorëzoheshin, por ata refuzuan të bëjnë një veprim të tillë ku edhe vazhduan sulmet me armë ndaj policisë, nga gjuajtjet me armë mbetën të vrarë tre sulmues.
Policia ka konfiskuar një sasi të madhe armatimit, municionit, veturave dhe disa mjete tjera ushtarake gjatë hetimeve në atë zonë. Autoritetet kosovare po ashtu siguruan dëshmi se organizator i sulmit terrorist ka qenë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq. /Telegrafi/
Ashtu siç kemi parë dhe në mjaft dokumente të tjera të botuara në faqet e këtij libri dhe jo vetëm, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Komiteti i Arteve etj., herë pas here dërgonin në Komitetin Qendror të PPSH-së raporte, informacione e relacione të ndryshme që kishin të bënin me krijimtarinë artistike, kryesisht ato të librit artistik dhe botimet e tjera që këto mbulonin në rrugë zyrtare.
Kjo gjë, pra diktati që ushtronte regjimi komunist ndaj shkrimtarëve dhe artistëve ka qenë evident në mënyrë permanente që nga krijimi i Lidhjes, por u vendos si rregull kryesisht që nga fillimi i vitit 1973, kur Enver Hoxha lëshoi kritikat e para ndaj Festivalit të 11 të Këngës në Radio Televizion, gjë e cila i parapriu një furtune të vërtetë mbi shkrimtarët dhe artistët, ku shumë prej tyre me në krye dy shefat kryesorë, Fadil Paçramin e Todi Lubonjën përfunduan burgjeve dhe internimeve të regjimit komunist e shumë të tjerë u shkarkuan nga funksionet e postet që mbanin dhe u dërguan “për t’u edukuar në gjirin e klasës punëtore”. Në këtë kuadër, pra në vazhdën e informimit të Komitetin Qendror të PPSH-së lidhur me problemet e botimeve që e shqetësonin atë sektor, aty nga fundi i muajit korrik të vitit 1979, shefi i shtypit pranë atij aparati, Miti Tona, u ka dërguar eprorëve të tij një raport-informacion prej tetë faqesh, të titulluar “Mbi disa probleme të dorëshkrimeve në poezi”. Siç do të shohim edhe nga raport-informacioni në fjalë, problemi që ngrihet aty ka të bëjë jo me krijimtarinë artistike të botuar, por me vëllimet që dergjeshin prej kohësh sirtarëve të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe nuk e shikonin dritën e botimit, pasi ata konsideroheshin me “gabime ideore”! Ndër këto vëllime, shefi i shtypit në Komitetin Qendror të PPSH-së, ka zgjedhur si “më problematikët” librat e katër autorëve të njohur siç ishin: Agim Gjakova, Agim Isaku, Rudolf Marku dhe Visar Zhiti, ku ky i fundit asokohe ishte një poet i ri nga provinca (familja e tij gjysmë e internuar në Lushnje) dhe nuk kishte as emrin dhe jo e jo famën e tre kolegëve të tij, që kishin botuar prej vitesh libra me krijimtarinë e tyre.
Por që çuditërisht siç do ta shikojmë edhe nga dokumenti me raport-informacionin në fjalë, ai (Zhiti), do ta pësonte më shumë se tre kolegët e tij që bëhet fjalë në atë dokument, madje duke përfunduar prapave hekurave të burgut. Në analizën e bërë poezive të këtyre katër autorëve, (që me shumë gjasa është bërë nga kritikët apo redaktorët e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”) shefi i shtypit në Komitetin Qendror të PPSH-së, Miti Tona, si një kritik i vërtetë letrar, ka analizuar me detaje deri në figuracione artistike disa nga poezitë e tyre, duke i konsideruar ato me probleme ideore dhe të pabotueshme. Ajo që bie në sy është fakti që: edhe pse raporti i tij (Miti Tona), nuk është shumë i ashpër, madje krahasuar me shumë raporte, informacione e relacione që përmbajnë dokumente të tjera që kemi publikuara në faqet e këtij libri dhe jo vetëm, është disi i butë dhe aty në përfundim të tij, ai u ka bërë me dije eprorëve të tij, se: “Pavarësisht nga këto të meta, në tërësi poezia jonë ka përmbajtje të shëndoshë ideore, është mbështetur fuqimisht në mësimet e Partisë dhe të shokut Enver dhe kryen me dinjitet misionin e vet”. Pra, tek ai raport duket se mbizotëron ana pozitive e problemit, që është trajtuar dhe marrë në analizë, apo siç thuhej rëndom asokohe në raporte të ndryshme (jo vetëm tek ato të letërsisë dhe arteve) se: “E përgjithshmja është pozitive”. Por siç duket, i atij mendimi nuk ka qenë Ramiz Alia, sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonte artet, kulturën dhe propagandën, i cili në raport-informacionin në fjalë, (në faqen e parë), mes të tjerash ka shkruar: “Duhen kritikuar fort si të huaja për artin tonë. Asnjë lëshim nuk duhet bërë. T’u pritet rruga përpjekjeve të tilla të çoroditura e në kundërshtim me realizmin socialist. Mos e nënvleftësoni këtë çështje se mund të bëhet e rrezikshme. Më njoftoni përfundimin”. Përveç këtij shënimi, në faqe të parë të dokumentit që ka qenë një praktikë e njohur për të gjithë titullarët partiakë dhe shtetërore të cilëve iu adresohej, ajo që vihet re në atë korrespodencë shkresore të Ramiz Alisë me vartësit e tij, (si psh. Jakup Mato, Miti Tona etj.) është edhe një letër gati një faqe me një shënim të gjatë të tij, ku te fjalia e fundit, ai (Ramizi), ka shkruar: “Jam dakord me masat që propozohen. Të zbatohen. Për ndonjërin dhe çojeni deri në fund, bashkë me organizatat e tjera këtë problem”.
Gjë e cila duket se ka rezultuar fatale për poetin e ri Visar Zhiti, pasi atij jo vetëm që nuk iu botua vëllimi poetik që kishte dërguar që nga viti 1972 në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, por ai përfundoi prapa hekurave të burgut, si “armik i popullit” dhe pikërisht për ato poezi…! Gjë tjetër që vihet re edhe nga faksimilet përkatëse të këtyre dokumenteve arkivore që po publikojmë për herë të parë në këtë pjesë të librit, është edhe fakti se në korrespodencën shkresore për raport-informacionin në fjalë, ku merren në analizë poezitë e Zhitit dhe tre kolegëve të tij, në një shkresë përcjellëse që në fund mban firmën e Ramiz Alisë, (i cili në ato ditë u nis për në Paris për të shoqëruar Hysni Kapon të sëmurë rëndë), atë ditë kanë firmosur edhe gati gjysma e Byrosë Politike si: Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Foto Çami, Xhelil Gjoni dhe Miti Nito e Mehmet Karakushi, instruktorë në Komitetin Qendror për artin, kulturën dhe propagandën. Këtë letër Ramiz Alia ia ka dërguar fillimisht vetëm Hekuran Isait dhe Simon Stefanit, dy sekretarëve të sapozgjedhur të Komitetit Qendror, (asokohe zëvendësuan Hysni Kapon, që sapo kishte vdekur), gjë e cila do të thoshte se: me personin e përmendur në atë raport, tashmë kishin punë organet e Diktaturës së Proletariatit, si Sigurimi i Shtetit, Hetuesia, prokuroria dhe gjykatat, që i mbulonin në rrugë partie, Simon Stefani dhe Hekuran Isai. Nuk dihet me saktësi se përse nga ata katër shkrimtarë: Agim Gjakova, Rudolf Marku, Agim Isaku dhe Visar Zhiti, u përzgjodh ky i fundit, “për t’i shkuar deri në fund problemit” siç sugjeronte në shënimin e tij Ramiz Alia. Ky fakt, aq sa pikëpyetje ngrinte asokohe, aq edhe i thjeshtë dhe i lexueshëm bëhet kur e shikojmë dhe analizojmë sot që kemi dhe dimë mjaft gjëra, që asokohe as nuk i shkonim nëpër mend. Pasi: ndërsa Agim Gjakova ishte me origjinë kosovar dhe në ato vite Tirana zyrtare duket se po kalonte “muajt e mjaltit” me “miqtë kosovarë” dhe Agim Isaku e Rudolf Markun kishin përkrahjen e Dritëro Agollit, (në atë kohë Agolli shkoi vetë në Lezhë dhe bisedoi me sekretarin e parë për Rudolf Markun), Visari nuk kishte përkrahje fare dhe i vetmi njeri, Xhevahir Spahiu, që e kishte ndihmuar e përkrahur duke i botuar disa poezi te “Nëntori”, tashmë po kalonte për vete ditë të vështira, pasi ishte kritikuar personalisht nga Enver Hoxha. Po kështu “përzgjedhja” e Zhitit për t’u dënuar ndoshta lidhej edhe me faktin se ai ishte më i ri në moshë se tre kolegët e tij dhe nuk kishte libra të botuar, gjë e cila në një farë mënyre e kursente shtetin, duke mos çuar libra për karton dhe të mos hiqte nga qarkullimi tekste mësimore ku ishin emrat e Gjakovës, Isakut dhe Markut. Por ajo më kryesorja që tre poetët u shpëtuan hekurave të burgut apo internimit (si shumë kolegë të tyre në ato vite) dhe ai “fat” i ra vetëm Zhitit, ishte ana biografike, pasi Visari kishte pasur babanë (Hekuran Zhiti) në burg dhe një nga xhaxhallarët, (ish-mësues që nga koha e Monarkisë dhe poet që shkruante dhe botonte poezi që nga fillimi i viteve ’30-të), i cili ishte arrestuar menjëherë pas mbarimit të luftës dhe kishte vdekur nga torturat në qelitë e Degës së Brendshme të Beratit në vitin 1945, pa dalë në gjyq! Kjo gjë “mjaftonte” që pas shënimit të Ramiz Alisë, vartësit e tij ta kishin më të lehtë për ta “përzgjedhur” atë, siç dhe ndodhi në të vërtetë. Por atë gjë, si duket ua “lehtësoi” edhe vetë Visari, pasi që nga viti 1973 kur ai e dërgoi për herë të parë atë vëllim poetik pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, e deri në vitin 1979 që ai u arrestua, redaktorët dhe shefat e sektorit të poezisë ia kthyen atë disa herë “për përmirësim”, por ai jo vetëm që nuk e “përmirësonte”, por ua dërgonte atë më me shumë probleme. Gjë e cila citohet edhe në raport-informacionin e firmosur nga Miti Tona dhe atë “kokëfortësi” Zhiti e pagoi shtrenjtë, “duke shkuar me këmbët e tij në burg”. Por siç thotë populli, “jo çdo e keqe vjen për keq”, pasi ndërsa gjatë periudhës së vështirë të hetuesisë, Visari i shkruante poezitë në mendjen e tij, pasi hetuesi jo rrallë e kontrollonte edhe aty, duke i thënë; “Çfarë po mendon tani”, apo në zgafellat e thella të minierave të Spaçit a Qafë-Barit, ku ai kaloi vite të tëra, poezitë i fshihte në shoje këpucësh apo çorape leshi që kundërmonin nga çizmet dhe policët nga ndonjëherë “lëshonin pe” dhe nuk i kontrollonin, pas viteve ’90-të, Zhiti u bë një nga shkrimtarët dhe poetët më të njohur, ku shumë nga librat e tij janë botuar dhe vazhdojnë të botohen e përkthehen edhe jashtë vendit e për të ka shkruar jo rrallë edhe shtypi i huaj. Si psh,. gazeta prestigjioze italiane, “La Republica”, e cila në një nga numrat e saj në vitin 1998, midis të tjerash shkruante: “Para këtij volumi doli në italisht më 1998 ‘Shkrimtarë nga burgu’ (Feltrineli), përkthim i ‘This Prison Whehre I Live’ (Ky burg ku unë jetoj), botuar dy vjet më parë nga Cassell Academic në Londër, për të shënuar 75-vjetorin e Pen Klubit dhe për të përkujtuar “mbijetesën e shkrimtarëve të shumtë, që janë dënuar padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetë e pesë viteve”. Tani ja kjo përmbledhje e dytë, që edhe pse e titulluar me një si apel lirie, është shkruar përsëri nga persona të cilët gati të gjithë e kanë humbur lirinë për periudha pak a shumë të gjata, kanë pësuar burgun, torturën, arrestin apo ekzilin”. Më pas po në këtë artikull të “La Respublica”, autori i saj duke cituar shkrimtarin me famë botërore, Umberto Eko, shkruan: “Shihet qartë në këtë libër ngjarja e Visar Zhitit: mjaftoi të shkruante poezi të konsideruara nga redaktorët e një shtëpie botuese ‘të trishtuara dhe hermetike’, e pra kundër regjimit. Pastaj, praktika ia kaloi automatikisht Komitetit Qendror të partisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Zhiti fitoi drejtësisht dhjetë vite burg. Puna është se, poezia i shkaktonte frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit për trëndafila”. Kështu e ka përkufizuar shkrimtari i famshëm fatin tragjik të Zhitit nën regjimin komunist, gjë e cila bën fjalë edhe në këto dokumente arkivore, që publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri. (Dokumentet botohen me shkurtime dhe të plota do të jenë në librin “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”.
Raporti i shefit të shtypit, Miti Tona, për Komitetin Qendror INFORMACION MBI DISA PROBLEME TË DORËSHKRIMEVE NË POEZI
Muajt e fundit, siç raporton drejtoria e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, asaj i kanë ardhur disa dorëshkrime me poezi, të cilat krahas poezive të shëndosha ideologjikisht dhe me nivel artistik, ka edhe disa krijime me recidive të poezisë formaliste, hermetike, me figuracion të paqartë e të errët, pra me disa nga ato të meta dhe dobësi që u kritikuan në Plenumin e IV të K.Q. të Partisë për Letërsinë dhe Artet.
Pikërisht këto poezi, një pjesë e të cilave janë edhe të autorëve të njohur, nuk janë botuar. Për këto në adresë të redaksisë së poezisë, disa krijues, kryesisht poetë, kanë filluar të flasin se: “në sirtarët e Shtëpisë Botuese qëndron ‘poezia e mirë’”, “në redaksinë e poezisë ka tendencë për të qenë brenda’, “se nuk po inkurajohet talenti i vërtetë”.
Autorët e këtyre thënieve janë ose autorët e vetë dorëshkrimeve të pabotueshme, ose recensentë. /KultPlus.com
Neymar dhe e dashura e tij Bruna Biancardi u bënë prindër. Çifti e ndanë lajmin në një postim të përbashkët në Instagram dhe zbuluan emrin e vajzës.
Së bashku me një seri fotosh të vajzës së tyre të porsalindur nga spitali, në përshkrimin e postimit të përbashkët, ata zbuluan se ajo quhet Mavie me mesazhin: “Mirë se erdhe bijë! Të duam shumë”.
Fotot tregojnë çiftin duke buzëqeshur dhe duke puthur vajzën e tyre të porsalindur.
Çifti njoftoi në prill se ata ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë së bashku. Biancardi dokumentoi ecurinë e shtatzënisë në profilet e saj në rrjetet sociale.
Megjithatë, Bruna nuk e ka pasur të lehtë shtatzëninë. Këtë verë, futbollisti pranoi se e tradhtoi dhe kërkoi falje publike. Në shtator u shpërnda sërish një video e futbollistit duke e tradhtuar me dy vajza të tjera.
Bruna shkoi në Instagram pas lajmit se u tradhtua sërish: “Mësova se çfarë ndodhi dhe jam zhgënjyer sërish. Në fazën e fundit të shtatzënisë jam fokusuar te vajza ime dhe mendoj vetëm për të për momentin. Unë jam mirënjohës për mesazhet tuaja mbështetëse”.
Biancardi është 29 vjeçe dhe ka lindur në Sao Paolo. Ajo ka studiuar marketing. Punoi si modele dhe më pas iu përkushtua një karriere si influencere. Pasuria e saj vlerësohej në gati dy milionë dollarë. Ajo u takua me Neymarin në vitin 2020 dhe shumë shpejt filluan një lidhje dhe që në fillim e fshehën faktin që ishin bashkë.
Futbollisti i Al-Hilalit tashmë ka një djalë 12-vjeçar, Davi Lucca, me Carolina Dantas.
Një burrë në Malishevë është paraqitur në stacionin policor për të kërkuar që policia t’ia largojë gruan nga shtëpisë sepse përndryshe mund ta rrahë, por ka përfunduar vetë në pranga.
Ai tani dyshohet për kanosje dhe është dërguar në mbajtje.
Kurse gruaja është dërguar në spitalin e Psikiatrisë.
“Ankuesi mashkull kosovar është paraqitur në polici duke kërkuar që policia t’ia largoj nga shtëpia bashkëshorten e tij në të kundërtën do shkakton dhunë ndaj saj. I njëjti me vendim të prokurorit është arrestuar si i dyshuar për kanosje dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima (bashkëshortja e tij) është dërguar në spitalin e Psikiatrisë”, thuhet në raportin ditor të PK-së.
Pasi rezultoi pozitiv edhe në kundër-analizën për përdorimin e dopingut, karreira e Paul Pogba tashmë varet në “fije të perit”.
Pas analizës së parë, e cila rezultoi pozitive, mesfushori kërkoi një kundër-analizë, e cila këtë të premte gjithashtu rezultoi pozitive. Çështja ka të bëjë me përdorimin e testosteronit.
Testosteroni është një hormon që mund të rrisë forcën e muskujve dhe gjendet në produkte të ndryshme pa recetë në farmaci.
Pogba tani do të merret në pyetje nga një gjykatë antidoping. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një ndalim prej dy vitesh. Por nëse ai është fajtor për doping qëllimisht, kjo mund të dyfishohet në katër vjet.
Pogba ka një javë për të përgatitur mbrojtjen e tij dhe pritet të përballet me një gjykatë brenda dy deri në katër javë.
“Magjia” e tij e dytë te Juventus gjithashtu është në pikëpyetje, me italianët që po shqyrtojnë hapat e tyre të ardhshëm.
Trajneri Max Allegri tha në konferencën për shtyp të së premtes: “Nuk e dija, më vjen keq. Ne presim rezultatin se cili do të jetë vazhdimi. Të flasim për këtë tani nuk ka dobi”.
Pas testit të tij fillestar pozitiv, agjentja e Pogba, Rafaela Pimenta i tha “Tuttosport” muajin e kaluar: “Ne jemi duke pritur për kundër-analizën dhe nuk mund të themi asgjë tani. Sigurisht, Pogba kurrë nuk ka dashur të shkelë rregullat, mund ta garantoj këtë”.
Në një deklaratë nga shefat e antidopingut thuhet: “Tribunali Kombëtar Anti-Doping njofton se, duke pranuar kërkesën e propozuar nga Prokuroria Kombëtare Anti-Doping, ka ndërmarrë hapa për të pezulluar atletin Paul Pogba në një baza paraprake për shkeljen e neneve 2.1 dhe 2.2”.
Klubi i Pogba-s, Juventusi e pranoi ndalimin e përkohshëm, duke thënë: “Klubi i Futbollit Juventus njofton se sot, më 11 shtator 2023, futbollisti Paul Labile Pogba mori një urdhër pezullimi paraprak nga Gjykata Kombëtare Anti-Doping pas rezultateve të testeve të kryera më 20 gusht 2023. Klubi rezervon të drejtën të marrë në konsideratë hapat e ardhshëm procedural”.
30-vjeçari ka luajtur vetëm 12 herë në dy sezonet e fundit me klubin italian, të cilët mendohet se e paguajnë atë rreth 6.8 milionë paund në sezon.
Këtë sezon ai ka luajtur dy here, të dyja paraqitjet nga stoli, duke u shfaqur gjithsej vetëm 52 minuta në divizionin më të lartë të Italisë, Serie A, me lojtarin që lufton me lëndimet dhe gjendjen fizike.
Problemet jashtë fushës e kanë pllakosur edhe Pogba-n vitet e fundit.
Pogba tashmë ishte përballur me shumë kritika nga ekspertët dhe tifozët për periudhën e tij të vështirë për Manchester United, ku ai u përpoq të justifikonte çmimin e tij prej 90 milionë paundësh, përpara lajmit për një komplot tronditës 11 milionë paundësh zhvatje kundër tij, ku përfshihej vëllai i tij.
30-vjeçari u kërcënua nga një bandë burrash të maskuar dhe të armatosur në një apartament në Paris, të cilët kërkonin miliona për “shërbimet e mbrojtjes”.
Hetimi në vazhdim ka parë disa individë të hetuar mbi akuzat për zhvatje të armatosur, rrëmbim dhe komplot kriminal kundër Pogba.
Vëllai i Pogba, Mathias kaloi tre muaj në burg midis shtatorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa policia hetoi rolin e tij në përpjekjen për zhvatje, ndërsa katër të tjerë u vunë gjithashtu nën hetim zyrtar.
Pogba foli për episodin muajin e kaluar, duke zbuluar se si e bëri atë të mendonte për pensionimin nga futbolli, përveç shkaktimit të “luftës” në familjen e tij dhe prishjes së shëndetit të tij fizik dhe mendor.
Dhe vetëm disa ditë më parë, Pogba u zotua t’u tregojë kritikëve se nuk është “i dobët”.
Ai i tha “Al Jazeera”: “Dua t’i bëj ata të përtypin fjalët e tyre. Dua t’u tregoj se nuk jam i dobët. Ata mund të flasin keq për mua, nuk do të heq dorë kurrë”.
Është arrestuar një person në Suharekë, pasi i njëjti dyshohet se ka dhunuar një vajzë.
Policia ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit vajza është dërguar në ekzaminim mjekësor, ndërsa i dyshuari në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka dhunuar viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit viktima dërgohet në ekzaminim mjekësor, ndërsa i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2454 tiketa për pjesëmarrësit e trafikut për shkak të shkeljeve të rregullave të komunikacionit.
Fatmirësisht gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë aksident me fatalitet, derisa kanë ndodhur 23 aksidente me të lënduar dhe 53 aksidente me dëme materiale.
Gjatë 24 orëve të kaluara janë arrestuar 17 persona, 3 persona janë dërguar në vuajtje të dënimit, derisa 9 persona janë dërguar në mbajtje.
Mamadou Danfa është prurja më e re e Ballkanit të Suharekës. Ka qenë vetë klubi që ka njoftuar për transferimin e futbollistit nigerian.
“Me kënaqësi e prezantojmë prurjen e re në skuadër, sulmuesin nga Senegali, Mamadou Danfa.
22 vjeçari që së fundmi ishte pjesë e Shkupit, e forcon edhe më shumë ekipin tonë, drejt arritjeve të objektivave që kemi”, ka njoftuar klubi nga Suhareka.
Ballkani aktualisht po kryeson tabelën e Albi Mall Superligës dhe gjithashtu garon edhe në Conference League.