8.6 C
Prizren
E enjte, 23 Prill, 2026
Home Blog Page 1418

Ndizen qirinj në Prizren për policin e rënë në krye të detyrës

0

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me zyrtarë komunalë e qytetarë, në Stacionin Policor Alfa në Prizren, shprehën sonte solidaritetin me familjen dhe kolegët e rreshterit të ndjerë, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën dje në incidentin e dhunshëm në Banjskë të Leposaviqit.

“Në një kohë kur Kosova po përjeton sfida të ndryshme, është e rëndësishme të jemi të bashkuar në ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe të drejtë. Kjo ngjarje e trishtë na bën të reflektojmë mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të të gjitha institucioneve për të siguruar që sundimi i ligjit të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjarëve dhe kolegëve të policit të ndjerë me shpresën që drejtësia të vihet në vend sa më shpejtë. Lavdi!”, citohet Totaj në njoftimin e komunës.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadori amerikan, kryetari i Komunës së Prishtinës, e policë të tjerë kanë bërë homazhe mbrëmë, para Stacionit Policor Qendër në Prishtinë, dhe kanë bërë ndezjen e qirinjve për policin e rënë të dielën në krye të detyrës, Afrim Bunjaku në veri.

Fitorja e Kosovës

0

Ben Blushi

Kosova mori një fitore të papritur, por të merituar, kur ishte në një ditë të keqe për shkak të lodhjes së Perëndimit që nuk po e zgjidh dot ngërcin mes saj dhe Serbisë. E izoluar dhe e lënë vetëm nga aleatët e vet natyralë, Kosova gjeti aleatë aty nuk e priste :tek kundërshtarët e saj. Ata i bënë një dhuratë që ajo do ta shijojë për një kohë të gjatë. Serbët i dhuruan Kosovës provën e padiskutueshme se e kanë sulmuar pabesisht ndërkohë që ajo ishte ulur në tryezë për të biseduar. Në asnjë kod lufte, ai që pranon të bisedojë, nuk sulmohet pas shpine dhe serbët e shkelën këtë kod.

Qëllimi i atyre që e sulmuan ishte i qartë: të krijonin në Kosovë një vatër konflikti të armatosur, e cila do t’i jepte mundësi Serbisë të fitonte avantazh në bisedime. Dekori i këtij zjarri, tymi i të cilit do arrinte menjëherë në Washington dhe Moskë, ishte perfekt: disa serbë të sulmuar nga policia që fshihen në një manastir, aty rezistojnë bashkë me priftërinjtë dhe pelegrinët e pafajshëm, për t’i dhënë mundësi gjithë botës të shikojë sesi Qeveria Shqiptare e Kosovës trajton pakicat etnike dhe fetare. Ky operacion konsiderohej një spastrim etnik.

Meqë manastiri ishtë në mes të fshatrave, nuk përjashtohej që dhjetëra fshatarë serbë, të mblidheshin aty për të mbrojtur vëllezërit e rrethuar nga shqiptarët, në territorin e shenjtë të Banjskës. Nga krahu tjetër i kufirit, në Serbi, thirrjet për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë do ktheheshin në ulërima dhe Presidemti lunatik i Serbisë, do ia shiste shtrenjtë Perëndimit përpjekjen e tij të mundimshme, për të qetësuar popullin e revoltuar serb. Në shkëmbim, do kërkonte dicka më shumë në tavolinën urgjente të bisedimeve, ku ai do shkonte si viktimë dhe Kosova si agresor. Ndoshta autonominë e Veriut të Kosovës, çka do ishte një hap më shumë se asosacioni i komununave serbe që diskutohet sot. Republika Serbska e Kosovës do ishte themeluar në atë manastir, të djelën e 24 shtatorit 2023. Kjo Republikë kishte dëshmorët e vet të vrarë nga shqiptarët, priftërinjtë ortodoksë do ta pagëzonin,ndrësa ndërkombëtarët do ta negocionin në pushimin mes dy sulmeve ruse në Ukrainë.

Nëse ky ka qenë plani që ka dështuar, do të thotë se Kosova ka qenë me shumë fat. Horoskopi i historisë së popujve njeh ditë me fat për ata që janë në krahun e të drejtës, siç është edhe rasti i Kosovës.

Megjithatë kjo fitore nuk është vetëm një fitore e fatit, por edhe e shtetit të Kosovës. Jo vetëm ata që e kanë sulmuar Kosovën, por edhe ata që e kanë dashur dhe e duan, kanë dyshuar gjithmonë në aftësinë e saj për t’u mbrojtur. Ky dyshim i kthyer në bindje ishte arsyeja që 40 serbë të armatosur u sakrifikuan në atë mënyrë, duke besuar se ata mund ta mundnin lehtësisht mbrojtjen e një Republike të vogël dhe pa përvojë ushtarake siç është Kosova.

Por ajo që ndodhi ishte e paimagjinueshme. Pa patur nevoëjn e Kforit, Kosova i neutralizoi serbët e armatosur me një operacion kirurgjikal, të denjë për manuale të ndërhyrjes së shpejtë. Republika e Kosovës bëri atë që do bënte cdo republikë tjetër kur sulmohet me armë :ajo të ndjek, të gjen, të rrethon dhe të vret. Në këtë betejë të fituar me gjak ajo la një të vrarë, por vrau më shumë nga pala tjetër.

Një ditë më parë, kjo ndërhyrje kaq efikase, as mund të imagjinohej. Dyshimet se Kosova ka aftësi të mbrohet dhe të vetëqeveriset kanë qenë armiku i saj kryesor. Nga dita e djelë ato janë fashitur. Serbët, që kur nisen në Kosovë sillen sikur po shkojnë në një gjueti lepujsh, do mendohen mirë nëse hyjnë më në përplasje fizike me forcat e shtetit të Kosovës.

Në 25 vitet e fundit, Kosova ka fituar mbi serbët si një popull, por asnjëherë si shtet. Në vitin 1999 shqiptarët u ngritën si popull kundër shtetit serb dhe me ndihmën e Perëndimit i mundën. Ndërsa të djelën, Kosova i mundi serbët si shtet dhe për më tepër i mundi vetëm, pa ndihmën e askujt. Prandaj Kosova ka arsye ta festojë këtë ditë si një fitore të Republikës së vet. Atëherë kur duhej Republika e Kosovës funksionoi dhe mbrojti territorin e saj, çka përbën detyrën e parë të cdo Republike.

Tani Kosova mund të shkojë në bisedime më e fortë dhe më e pavarur. Natyrisht që kurthet e historisë nuk kanë mbaruar këtu. Ato vazhdojnë. Kundërshtarët e saj kanë marrë një goditje, por nuk janë tërhequr. Diplomacia është terreni ku duhet mundur Serbija. Në këtë fushë, Kosova ka kufizimet e veta, si çdo Republikë e re, e vogël, e varfër dhe pa përvojë. Megjithatë fitorja e Banjskës që u arrit me gjuhën e armëve do tia lehtësojë edhe gjuhën e diplomacisë dhe këtë kosovarët e dinë mirë. Por tani edhe serbët e dinë shumë mirë.

Dioqeza Rashkë-Prizren: Armët u gjetën në oborr, nuk pati viktima brenda mureve të manastirit të Banjskës

0

Peshkopi Teodosije sot pasdite ka vizituar Manastirin e Banjskës, për t’u njoftuar për ngjarjet që kanë ndodhur në dhe rreth manastirit dje dhe sot.

“Gjatë ditës, EULEX-i dhe policia e Kosovës kanë arritur në manastir për të kryer një hetim. Brenda ndërtesave të banimit dhe kishës së manastirit, të cilat janë brenda mureve të manastirit dhe kanë qenë të mbyllura gjatë ngjarjeve, as EULEX-i dhe as policia nuk gjetën ndonjë gjë që mund të rrezikonte manastirin apo personelin që shërbente brenda saj”, ka njoftuar Dioqeza Rashkë-Prizren.

“Megjithatë, në dy zona të oborrit të manastirit u zbuluan armë zjarri, parzmore dhe pajisje luftarake. Këto gjëra u hodhën nga personat e armatosur gjatë tërheqjes së djeshme nga manastiri”, vijon njoftimi.

Dioqeza thotë se e rëndësishme është se në manastir nuk u gjetën gjurmë gjaku dhe gjatë gjithë ngjarjeve nuk pati viktima brenda mureve të manastirit.

“Ekipet e mjekësisë ligjore morën gjurmë dhe intervistuan pelegrinët, të cilët më pas, të shoqëruar nga policia dhe EULEX-i, kaluan përmes kalimit kufitar të Jarinjës për t’u kthyer në shtëpitë e tyre”.

Dioqeza thotë se  murgjit dhe as pelegrinët nuk kanë pasur ndonjë përfshirje në ngjarjet tragjike të ditës së djeshme.

Në njoftim thuhet se manastiri po kthehet gradualisht në normalitet.

“Kisha jonë mbetet e përkushtuar fuqishëm që të gjitha çështjet në Kosovë dhe Metohi t’i trajtojë në mënyrë paqësore dhe përmes dialogut, duke dënuar të gjitha format e kërcënimeve dhe dhunës”, thuhet mes tjerash në njoftim

Apeli refuzon ankesën e “Burdushit” ndaj vendimit për refuzimin e kërkesës për shtyrjen e vuajtjes së dënimit

0

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, kundër vendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kishte refuzuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të dënimit prej 4 vite e gjashtë muaj burgim.

“Refuzohet, si e pabazuar ankesa e të dënuarit Hysri Peqani nga Prizreni, për shtyrjen e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit me burg, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ED.nr981/23, i datës 12.09.2023, vërtetohet”, thuhet në vendim.

Kryetari i Apelit, Valon Totaj, ka refuzuar kërkesën me arsyetimin se pretendimet e “Burdushit”, se është i sëmurë dhe në gjendje të rëndë shëndetësore, nuk janë të mjaftueshme për shtyrje të dënimit.

“Në rastin konkret nga shkresat e lëndës, respektivisht nga Raporti mjekësor i datës 15.09.2023, nuk është vërtetuar se i dënuari vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë akute e cila edhe do të përbënë bazë për shtyre të ekzekutimit të dënimit”, thuhet në arsyetimin  e vendimit.

Po ashtu, në vendim thuhet se “i dënuari në rast të ndonjë komplikimi mund të marrë kujdesin e duhur dhe pa pagesë gjatë qëndrimit në burg”.

Paraprakisht “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se i dënuari Peqani nuk ka shkuar në vuajtje të dënimit për shkak të mbrojtja ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Mbrojtja e Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, kishte kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg për 6 deri në 12 muaj.

Hysri Peqani më 10 janar 2023 ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, 42 mijë euro gjobë dhe ishte urdhëruar konfiskimi i pasurisë në vlerë mbi 2 milionë euro.

 

Këtë vendim, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar më 5 qershor 2023 për veprat penale: “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Mashtrim”, “Shpëlarje parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Procesi gjyqësor ndaj Burdushit ka zgjatur 2 vjet e 2 muaj, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 15 shtator 2020.

Në çështjen penale ndaj tij ishin dëgjuar një sërë dëshmitarësh, dëshmitë e të cilëve ishin ndaluar të publikoheshin deri në përfundimin e gjykimit, raporton betimiperdrejtesi.

Afrim Bunjaku, “Hero i Kosovës” – urdhri i ndahet dy djemve të tij

0

Presidentja Osmani në mbledhjen komemorative në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku, ia ka ndarë atij urdhrin “Hero i Kosovës”.

Dekoratën e kanë pranuar dy djemtë e heroit.

“Jemi mbledhur në këtë ceremoni mortore për t’ia dhënë lamtumirën e fundit, policit tonë rreshterit Afrim Bunjaku i cili deri dje ishte gardian i sigurisë ndërkaq prej sot është hero i Kosovës. Ai ra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ra në mbrojtje dinjitetit, prandaj sot në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës do t’i ndaj postmortem urdhin më të lartë të Republikës, urdhrin “Hero i Kosovës”. Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, ka një kujtim me shumë për një njeri me profesionalizëm dhe përkushtim iu dedikua mbrojtjes së republikës për të cilën ra në krye të detyrës, sot po nderojmë një rreshter trim dhe vetmohues që sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë”, ka thënë presidentja Osmani.

“Afrim Bunjaku si të gjithë pjesëtarët tjerë të PK dje u sfiduan nga bandat terroriste të dirigjuara nga Beogradi dhe bënë atë që duhet, rikthyen ligjin, mbrojtën integritetin territorial e sovranitetin tonë dhe vunë në vend dinjitetin.”

Osmani ka thënë se “Republikën e Kosovës nuk do të arrijë askush ta gjunjëzojë e përulë përderisa ka vajza e djemë si Afrimi, që e vendosin interesin e Republikës para fatit individual.”

Prizren, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për grabitjen e mbi 13 mijë euro në dy filiale mikro-financiare

0

Për shkak se gjykata nuk ka prova se të dëmtuarit A.Z. dhe A.F., janë ftuar në mënyrë të rregullt, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Dardan Gashi po akuzohet për tri vepra penale.

Gashi po akuzohet për dy vepra penale të grabitjes në dy filiale mikro-financiare, “Finca” në Prizren nga e cila thuhet se kishte marrë 11 mijë e 370 euro dhe “Capital Ria” në Prishtinë ku thuhet se kishte marrë 2 mijë e 280 euro, si dhe për veprën penale të grabitjes së ngelur në tentativë në filialin mikro-financiar “Finca” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të dëmtuarve A.Z. dhe A.F., gjykatësi Artan Sejrani tha se nuk ka prova që të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Prokurori Petrit Kryeziu tha se për mbajtjen e shqyrtimit fillestar nuk janë plotësuar kushtet ligjore, ngase me dispozita ligjore të dëmtuarit duhet të njoftohen për mbajtjen e këtij shqyrtimi.

Këtë qëndrim të prokurorit Kryeziu, nuk e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Valdet Hoxha.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e radhës u caktua të mbahet më 11 tetor 2023.

Gjykatësi Sejrani tha se të dëmtuarit Z., dhe F., për seancën e radhës do të ftohen me ftesa të rregullta.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 21 gusht 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Dardan Gashi.

Sipas aktakuzës, më 27 janar 2023, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Finca” i akuzuari Gashi, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit në njërën dorë dhe duke mbajtur thikën në dorën tjetër, merr peng punëtorin e filialit Y.P., i cili në ato momente ishte në shkallët e objektit, të cilin e shtrëngon për krahu, me të cilin hyn brenda duke bërtitur dhe duke kërkuar para, me ç’rast arrin që t’i marrë 11 mijë e 370 euro dhe ashtu i maskuar dhe me armët në duar largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të panjohur.

Me këto veprime, Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, par.3 dhe 2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se Gashi më 3 maj 2023 në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Finca” i maskuar dhe nën kërcënimin e armës – pistoletës, tenton të kryejë grabitjen, mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit – i dëmtuari S.Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit, i pandehuri largohet nga vendi ngjarjes dhe gjatë ikjes i bie një çadër, një çantë dhe një çelës i veturës.

Me këto veprime, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” e ngelur në tentativë sipas nenit 317, par. 3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Po ashtu, Gashi po akuzohet se më 4 maj 2023, në Prishtinë, në rrugën “Nazim Gafurri”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Capital Ria”, pasi një ditë më parë kishte kryer tentim grabitjen në Prizren, duke qenë në kërkim policor, me veturën e tij të arratiset në Prishtinë, i ndërron rrobat në veturë dhe i maskuar e nën kërcënimin e armës – pistoletës, futet brenda ku ishte e vetme arkëtarja A.F., të cilës i drejton armën e zjarrit. E dëmtuara duke u ndier e kanosur dhe frikësuar i jep të hollat që kishte në tavolinë, në vlerë prej 2 mijë e 280 euro, dhe ashtu i maskuar dhe me armë në dorë i pandehuri largohet nga pjesa e pasme e objektit.

Me këto veprime, Gashi po akuzohet ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Nusja e Ermalit shfaqet e veshur me një fustan shumë të shkurtër, do ta bëjë burrin xheloz me këtë pamje

0

Ariana Fejzullahu, është njëra nga emrat më të komentuat të show bizit.

Që kur ajo u martua me këngëtarin e njohur, Ermal Fejzullahu, Ariana gjithmonë ka qenë në qendër të vëmendjes.

Ani pse është nënë e katër fëmijëve, Ariana është shumë aktive në rrjetet sociale.

Në fotografinë e fundit ajo është shfaqur e veshur me një fustan të shkurtër dhe po duket tejet bukur./ORAinfo/

Tigist Assefa thyen rekordin botëror të maratonës

0

Atletja e Etiopisë, Tigist Assefa theu rekordin botëror të maratonës në Berlin, duke vrapuar më shumë se dy minuta nga më e mira e mëparshme.

Ajo ka arritur një kohë jozyrtare prej dy orë, 11 minuta e 52 sekonda, transmeton “The Guardian”.

26vjeçarja, e cila vendosi rekordin e kursit me një më të mirë personal vitin e kaluar, theu rekordin e kenianes Brigid Kosgei prej dy orësh, 14 minutash dhe katër sekondash të vendosur në 2019.

Më herët, në garën për meshkuj, keniani Eliud Kipchoge fitoi maratonën e tij të pestë në Berlin – në dy orë, dy minuta dhe 42 sekonda.

Ishte një kohë pak mbi rekordin (2.01:09), të cilin ai e vendosi vitin e kaluar në rrugët e kryeqytetit gjerman.

Në moshën 38-vjeçare, Kipchoge bëhet maratonistja më e suksesshme në Berlin me pesë fitore (2015, 2017, 2018, 2022 dhe tani 2023), një më shumë se etiopiani Haile Gebrselassie (2006, 2007, 2008 dhe 209).

Mbi 14 mijë banorë të Rahovecit përfitojnë nga rrjeti i ri elektrik

0

Qindra shtylla të reja të betonit, tok me përçuesit e rinj, tashmë gjarpërojnë nga Rahoveci, përgjatë vreshtave të kësaj komune, drejt fshatrave të thepisura malore.

“Gjithçka po realizohet në kuadër të planit investiv të KEDS-it. Bëhet fjalë për Largpërçuesin e Pataqanit, i cili shtrihet përgjatë fshatrave Pataqan i Epërm dhe i Poshtëm, Nashpall, Vranjak, Drenoc dhe Zatriq”, njofton KEDS.

Sipas njoftimit të KEDS në një gjatësi prej 25 kilometrash, pos shtyllave të betonit dhe përçuesve elektrikë, kanë zënë vend edhe 21 trafostacione, si dhe stabilimente të tjera të nevojshme.

“Kjo dalje ka qenë në një gjendje të rëndë, për çka banorët e asaj zone janë ballafaquar me vështirësi në furnizim dhe, për shkak të vendndodhjes së një pjese të saj në zona malore, shpeshherë u ka krijuar vështirësi edhe ekipeve të KEDS-it në mirëmbajtje”, thuhet n? njoftim.

Tutje thuhet se me përfundimin e këtij projekti madhor, i cili pritet të vihet në funksion në janar të vitit tjetër, mbi 14,000 banorë të asaj ane do të kenë një rrjet komplet të ri elektrik, çka nënkupton siguri dhe furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Projekti i Pataqanit është vetëm një nga 250 projektet madhore, të cilat po i realizon KEDS-i anembanë Kosovës.

Investimet në rrjetin elektrik, si një prioritet fondamental i KEDS-it, po vazhdojnë të realizohen gjithandej Kosovës, me qëllim që të kemi një rrjet elektrik të qëndrueshëm e të sigurt.

Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 

Të formohet një Këshill Mbarëkombëtar

0

Shkruan:Prend NDOJA, SHBA

Në kujtesën tonë kombëtare akoma rëndojnë të freskëta skenat e tmerrshme, kur përmes tytave dhe artilerisë serbe, vdekja përbinte jetë të pafajshme njerëzish. Ishte ajo kohë kur pushtuesi kreu masakrat më çnjerëzore, për ta zhdukur një popull të tërë. Trevat tona pjellore, me një natyrë të mrekullueshme, u shndërruan në pellgje mjerimi. Qetësia dhe paqja dridheshin nën hijen e okupatorëve serbo-rusë, ndërsa nën qiellin e Kosovës rrezet e dritës nuk mund të depërtonin përtej tymit të artilerisë dhe makinerisë vrastare të këtyre forcave. Një armatë e pajisur mirë i kishte shpallur luftë një populli të pafajshëm e të paarmatosur, që asnjëherë gjatë historisë nuk u sul të pushtonte atë që s’ishte e tij, por, si gjithmonë në vetëmbrojte të familjes e pragut të shtëpisë.
Në trungun më të vjetër të Europës – me fajin dhe pa fajin tonë, në oborrin e saj, ndërgjegjja paqësore dhe mirësia shpeshherë keqtrajtoheshin. Në vatrën tonë, shpeshherë liria përmbysej dhe jeta cenohej gjer në palcë.

 

Sytë e vendeve europiane e vënin një perde, veshët i bënin të shurdhër, që mos ta prishnin qetësinë e tyre, ndërkaq disa vende, madje bënin plane dhe tregti me pushtuesin, në dëm të tokave tona. Tubimet dhe fjalimet vazhdonin më një ritëm të ngadaltë, si mos të ishte gjendje e jashtëzakonshme. Ndikimi rus i mbante nën kontroll lëvizjet europiane, që askush mos ta pengojë gjenocidin që po e shkaktonte Serbia në Kosovë. Në një aspekt, nga Rusia dhe disa vende aleate të saj, Serbia e kishte dritën e gjelbër që të bënte spastrimin etnik në Kosovë. Që të hapeshin sytë e botës së përparuar, që bota ta ndihmonte popullin tonë, zëshëm kërkoheshin flijime. Për t´i vënë themelet e lirisë dhe për t´i treguar armikut se, më parë e pranojmë vdekjen, sesa robërinë, më tërë familjen e Tij, heroikisht u flijua Komandanti legjendar, Adem Jashari. Në atë betejë frynte stuhia zjarr.

Nga aty historia kombëtare ndryshoi rrënjësisht. Popullit iu rikthye shpresa dhe në fund të tunelit u pa një fije drite. Nga një det vuajtjesh dhe nga ofshamat e para të atdheut lindi një forcë, që në shpirt dhe në zemër e ndjente dhembjen. Ajo forcë, e dalë nga gjiri i popullit, u bë gur i pathyeshëm për armikun. Ata ishin më të zgjedhurit, ata vendosën ta flijonin jetën e tyre për lirinë e Atdheut; ashtu të ngjeshur me tokën Amë, në Mëmë-e-Dhe, i treguan armikut që kjo Tokë ka Zot, ka bijtë dhe bijat e saj që i thonë armikut Ndal!

Për t´u përballur me forcat e armikut, duhej mobilizim e diplomaci e spikatur, por ishte e domosdoshme për ta shpalosur edhe gjoksin nëpër vijat e frontit, dhëmb për dhëmb me okupatorin, duke e vënë atdheun mbi të gjitha. Atë obligim, të trasuar nga brezat e mëparshëm e morën bijtë dhe bijat mbarëshqiptare, më burrërisht se ndonjëherë më parë. Por lirisht mund të themi se atë peshë të rëndë të përballjes me një okupator që posedonte një armatë ndër më të fortat e Europës, e mori i tërë populli i Kosovës. Nën rrjetën e hekurt të ushtrisë jugosllave, bijtë dhe bijat tona lëviznin dhe qëndronin me aq besë dhe përpikëri, saqë populli brenda kornizës së besës e ndiente mëvetësinë dhe aromën e lirisë. Pushtuesit çdo ditë ngapak i ndalej fryma, kur nuk gjente formë që t´i përçante shqiptarët, të depërtonte në mesin e tyre. Uniteti, mirëkuptimi, besa e solidariteti i popullit tonë ishte një shembull i veçantë dhe shkas i hapave të sigurtë drejt lirisë.

Te forcat tona, të shndërruara në UÇK, vdekja e kishte humbur peshën e saj mortore; njerëzit shndërroheshin në yje që shndrisin mbi atdheun. Koha tregoi qartë se, jo vetëm ushtarët në vija të frontit, por tërë shqiptaria ishte në luftë. Jeta rinore e kishte humbur buzëqeshjen e saj, atë ia kishin falë atdheut. Sot në ditarin e rreshkur të vuajtjeve, në rrudhat e ballit të tyre qëndron një histori e lavdishme. Aty mund t´i shfletosh rrjedhat kronologjike si një valë lumi, ku, në të shumtën e rasteve, ngjyra shndërrohet në të kuqe.

Në paqe kuvendohet shumë për luftën. Shpeshherë, disa, “burrërisht” notojnë mbi gjakun dhe mundin e atyre që vërtet i falën çdo gjë lirisë. Në paqe shpesh ëndjet shkelin mbi mendjen dhe harrojnë gjakun e derdhur për liri. Nga skenat e dueleve të luftës, në liri lindin “artistë” skenash që luajnë role heronjsh. Lindin edhe ata që prekin hojet e ëndjeve të tyre, duke e politizuar kohën dhe veprat më të lavdishme të ushtrisë sonë. Ata lehtë flasin për luftën, ashtu si me ndjesinë e një filmi.

Është lehtë të flasin nga një tavolinë plot, për ata që ushqeheshin nëpër male një herë në 24 orë. Është lehtë të flasin nga dhoma e nxehtë, për jetën e atyre që nëpër llogore me javë dhe muaj të tërë i rrihte shiu, era dhe bora. Ata, edhe nëse shpëtuan gjallë, shëndeti i tyre i vuan gjithmonë pasojat. Është lehtë të flasin nga banjat me ujë të ngrohtë, për ata që mjaftonte një herë në muaj të pastroheshin te ndonjë burim uji, apo në ndonjë pellg ku shkrihej bora. Është lehtë të flasin, kur në tavolinë kanë verë dhe pije te llojllojshme për ata që e shkrinin borën për t´i lagur buzët. Është lehtë të flasin duke u rrezitur në plazhe për ata që prisnin me ditë dhe javë për pak rreze për t´i tharë rrobat e tyre në ndojnë lëndinë atdheu. Më në fund, është lehtë të flasin, kur çdo lëvizje fizike e kane të mundshme, për ata që sot u mungojnë gjymtyrët, u mungon shëndeti. Është lehtë, sot, të kritikojmë, apo të tregoimë ligje dhe të drejta njerëzore për ata që përpara, e kishin natë e ditë djallin, që në çdo moment ua sillte vdekjen që t´i kafshonte.

 

Mbi të gjitha, vështirësia më e madhe ishte kur shpirti thyhej në gjysmë, pikëllimi e arrinte pikën kulmore kur ata e humbnin shokun- njeriun më të afërt të jetës, kur e grabiste vdekja para syve të tyre. Ishte e rëndë për ata që me të plagosur në krahë të udhëtonin me ditë e net të tëra për ta kaluar kufirin, që t´ua shpëtojnë jetën të tjerëve. Apo bartja e armatimit, në rrugën ku më parë kishin rënë shumë dëshmorë dhe prapë vazhdonin në të njëjtën udhë- në udhën e vdekjes. Koha nuk priste ndryshimin e motit, për ta sjellë armatimin përmes kufirit shqiptaro-shqiptar, por në kohë acari, bore e shiu ata ishin me ditë të tëra maleve duke udhëtuar. Nuk ishte e lehtë për një ushtri të pabarabartë me numër, me teknologji e armatim, me një përvojë të shkurtë, krahasuar me armikun. Ashtu e thyen kufirin e hekurt të vendosur nga shteti jugosllav dhe hynë në Koshare. Duke e mposhtur një ushtri me përvojë qindravjeçare u zhvillua një betejë që nuk mbahet në mend që nga koha e Gjergj Kastriotit. Aty i hyri tmerri armikut, aty e panë që Adem Jashari ishte gjallë. Nga tmerri që panë, pas çdo lisi u shfaqej nganjë Adem. Këta ishin, pra, luftëtarët e lirisë. Andaj në portën e mendjes duhet ta vëmë një filter pastrues që të dalë vetëm e vërteta nga mendja dhe goja e jonë për ushtrinë tonë çlirimtare. Ata që sot e meritojnë çdo lavdatë, çdo emër i tyre duhet që përjetësisht të ruhet në altarin e kombit, ashtu siç bëjnë popujt e përparuar të botës. Nëse vendit i kanoset ndonjë rrezik, ata prapë janë të parët. Ata shndërrohen në të djeshmit. Por, ne, si i trajtojmë këta sot? Nga brendia, çdonjëri i do dhe i respekton luftëtarët e vërtetë dhe përulet para veprës së tyre. Por nga shumë njerëz, respekti është thyer në gjysmë, ka mbetur në udhëkryq, ngaqë disa persona, për përfitime personale, në emër të UÇK-së, në të kaluarën dhe sot kanë bërë veprime të papranueshme, që nuk përkojnë me karakterin e UÇK-së.

Andaj, mendoj se është nevojë kombëtare që mos t´u qëndrojmë besnik keqbërësve që e kanë përbaltur emrin e ushtrisë sonë. Është nevojë kombëtare që tërë populli ta kuptojë se ushtria e jonë jemi ne, janë vëllezërit dhe motrat tona, që çdonjëri duhet të bashkohemi rreth tyre, duhet ta kuptojmë, më në fund, se të gjithë, në rast nevoje, duhet të bëhemi si ata për interesa të përbashkëta. Armiku, në radhë të parë, ata i mban në shënjestër, me dënime, maltretime, me çdo armë që e ka në dispozicion. Sulmi ndaj tyre nuk është një rrjedhë normale e procedurave juridike, siç mendojnë disa nga “modestia”e tyre. Por, kjo është përtej normales dhe shumë qëllimkeqe dhe kundër boshtit kurrizor të kombit tonë. Është një përgatitje për të cilën armiqtë tanë investojnë shumë, vetëm e vetëm për realizimin e qëllimeve të tyre. Kjo është arma e fundit në duart e tyre, pas humbjes së betejës në luftë. Në rrethana të tilla, pajtimi dhe afërsia në mes njëri- tjetrit është e domosdoshme, por askuj nuk i takon vendi që nuk e meriton. Pa dyshim, të gjithë e duam vendin, të gjithë e duam lirinë e plotë, por nganjëherë me ide dhe mendime ndryshe. Duhet të ulen të gjithë së bashku, pozitë e opozitë, t´i shprehin brengat si vëllai më vëllanë, sepse një hall të njëjtë e kanë të gjithë. Vetëm një parti e kemi dhe duhet t´i kontribuojmë të gjithë-ajo është partia e kombit, është kombi ynë, për sot dhe për nesër.

Meqë si komb jemi të ndarë në disa shtete të Ballkanit, është më se e nevojshme organizimi mbarëkombëtar nga njerëzit e dijes, i atyre që e kuptojnë testamentin mijëravjeçar të kombit dhe vlerën e tij. Ta formojnë një Këshill mbarëkombtëar, që të bëhet mburojë apo ombrellë e të gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Të bëhet si një urë lidhëse e unitetit kombëtar dhe problemet madhore të kombit mos të shtjellohen “skutave” e ndarazi, por të kenë një seli parlamentare që i mbron interesat mbarëkombëtare, të kërkohen të drejtat e popullit tonë në Ballkan, ato të drejta që bota më ligjet e saj ua garanton, ashtu siç ua garanton popullit hebre kudo që gjenden nëpër botë bashkëkombësve të vet. Ky Këshill mbarëkombëtar duhet të mbyllë ndasitë brenda etnisë sonë dhe nga aty të dalë mendimi ynë i kristaltë dhe imazhi ynë mbarëkombëtar.