8.5 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026
Home Blog Page 1438

Kontrabandë me migrantë në Prizren, arrestohet i dyshuari

0

Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se i njëjti është zënë duke kontrabdanduar migrantë.

Sipas raportit policor, migrantët i janë nënshtruar procedurave për vendosje në qendrën e azilit kompetente.

Ndërkaq, pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Asociation “Loyola-Gymnasium” shpall një vend të lirë për mësimdhënës/e të gjuhës angleze

18 vjet pa shkrimtarin Rifat Kukaj, ndër më të suksesshmit në letërsinë shqipe

0

Rifat Kukaj është një ndër shkrimtarët më të suksesshëm në letërsinë shqipe për të rritur dhe fëmijë.

Kukaj ka lindur në Tërstenik Drenas të Republikës së Kosovës. U shkollua në Drenicë dhe Prishtinë. Ai ka punuar tre vjet në Drenicë si mësues para se të kalojë në Radio Prishtinë si redaktor për kulturë, më konkretisht redaktor i programeve për fëmijë. Nga viti 1975 punoi në redaksinë e Shtëpisë Botuese “Rilindja” si redaktor për letërsinë për fëmijë.

Ai vdiq në moshën 67 vjeçare më 11 shtator 2005, në qytetin shqiptar të Ulqinit, Mali i Zi.

Rifat Kukaj ka botuar mbi dyzet libra. Romanet e tij më të mira janë “Bardhi i Mirushja”, “Rrasa e zogut”, “Shkrepi i diellit”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Vjollca magjike”, “Zogu i bardhë”, “Kokërrmeli e pilivesë”, “Gjeli në kuvertë”. “Xhuxhi nga xhuxhishta”.

Rifat Kukaj njihet më së shumti për poezitë e tij për fëmijë. Ka botuar këto vëllime me poezi për fëmijë: “Gjerdani i blertë”, “Lejlekët në luhaja”, “Vallja e kallinjve”, “Deti u bëftë kos”, “Çka fshin dhelpra me bisht”, “Pshurrani i gjyshit”, “Shtegu i laureshave”, “Trimëritë e karkalecit”, “Zogu i Lasgushit”.

Ai ka botuar edhe shumë vëllime me tregime, ndër të tjera: “Harmonika”, “Përqafimet e njoma”, “Rrëfenjëza”, “Ujku me kamera”, “Djaloshi i zjarreve”, “Elefanti që fluturonte”.

Ai ishte shumë i njohur për humorin e tij unik dhe u perceptua gjerësisht si pionieri i kulturës së humorit urban.

Ndër vëllimet e tij më të mira me poezi të të rriturve janë: “Nusja”, “Qafa e Ujkonjës”, “Njeriu që nuk mund të vdiste”.

Rifat Kukaj ka shkruar mbi tridhjetë vepra të dramatizuara si radiodramë, dramë, akte teatrale etj. Ai shkroi skenarin për filmat e mëposhtëm: Lepuri me pesë këmbë (1982), Qesh e ngjesh (1982) (TV), 2 plus (1981) (mini) Seriale TV, Gëzuar viti i ri (1976) (TV), Bujku (1973) (TV).

Rifak Kukaj ka përkthyer gjithashtu një sërë librash nga sllovenia dhe serbo-kroatishtja në shqip.

Ai ishte fitues i një numri të madh çmimesh dhe çmimesh për letërsinë, ndër të cilat: “Ismajl Qemajl Vlora” – Vlorë, Shqipëri, “Oton Zhupaniçiç” – Lubjanë, Slloveni, “Ivan Goran Kovaçiq” – Zagreb, Kroaci, “Neven” – Beograd, Serbi, “Zmaj” – Novi Sad, Serbi, “Shpërblimi i dhjetorit”, – Prishtinë, Kosovë, “Shpërblimi i nëntorit” – Prishtinë, Kosovë, “Ganimete Tërbeshi” – Prishtinë, Kosovë.

Inspektorati Farmaceutik realizoi 635 inspektime, shqiptoi 114 gjoba

0

Për t`iu siguruar qytetarëve shërbime shëndetësore cilësore dhe të sigurta, Inspektorati Farmaceutik i Kosovës brenda periudhës, janar – gusht të këtij viti, ka realizuar 635 inspektime ndërsa ka gjobitur 114 subjekte për mosrespektim të ligjit.

“Në vazhdën e aksioneve kontrolluese janë gjobitur 54 subjekte që posedonin produkte të jashtëligjshme, ndërsa 43 raste kur gjatë kontrollit ka rezultuar se në farmacitë e ndryshme mungon farmacisti, siç është e përcaktuar me ligj. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, Inspektorati Farmaceutik ka ndërmarrë masa edhe ndaj 4 institucioneve shëndetësore private të cilat nuk ishin të licencuara”, thuhet në njoftim.

Ndaj të gjitha rasteve të cilat e kanë cenuar shëndetin publik, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, janë ndërmarrë masat sipas autorizimeve ligjore.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë vizitës në Inspektoratin Shëndetësor disa ditë më parë, bëri të ditur se nga muaji shtator, inspektorëve do t’u paguhen shtesat në vlerë të 250 eurove.

“Së shpejti do të shtohen edhe kapacitetet inspektuese dhe pas përfundimit të procedurave rekrutuese, numri i inspektorëve shëndetësorë do të shkojë në 37 nga 12 sa janë tani”, thuhet në njoftimin për media.

Asociation “Loyola-Gymnasium” shpall një vend të lirë për mësimdhënës/e të gjuhës angleze

“Vuçiç-i është qortuar nga Administrata Amerikane, s’mund t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme derisa s’e përmbush Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit”

0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Serbi deri në fund të vitit, për shkak të detyrimeve të paplotësuara që ka Serbia nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit.

Kështu të paktën ka pretenduar ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviç, duke thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka marrë paralajmërime serioze nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që të mos shpallen zgjedhjet parlamentare deri në implementimin e Marrëveshjes Bazë nga ana e Beogradit zyrtar.

“SHBA-të, në fakt, nuk do të lejojnë përsëritjen e Boris Tadiç-it dhe Vojislav Koshtunicës, të cilët nuk i përmbushën detyrat e tyre në raport me Kosovën”, ka thënë Vujovic ish-shef i Misionit të Republikës Federale të Jugosllavisë në Uashington dhe pjesëmarrës në negociatat e Dejtonit, për agjencinë e lajmeve serbe, Beta.

Derisa Serbia do të plotësojë detyrimet e saja nga Marrëveshja Bazë, ish-diplomati serb, beson se Administrata Amerikane do ta mbaj në pushtet Vuçiç-in.

Asociation “Loyola-Gymnasium” shpall një vend të lirë për mësimdhënës/e të gjuhës angleze

“Ata favorizojnë politikën e Vuçiç-it dhe Partisë Progresive Serbe sepse janë pajtuar me ta për të arritur interesat e tyre kombëtare, që janë në radhë të parë formalizimi i pavarësisë së Kosovës dhe vendosja e sanksioneve kundër Rusisë. Vuçiç është ‘barku i butë’ për realizimin e interesave amerikane”, ka theksuar ai.

Nebojsha Vujoviç

Sipas Vujoviç, SHBA-të presin që Vuçiç të pranojë pjesëmarrjen pa kushte të Listës Serbe në zgjedhjet e Kosovës dhe kthimin e serbëve në të gjitha institucionet e Kosovës në muajin e ardhshëm.

Vuçiç po përpiqej të blinte kohë, sepse shpresonte që Donald Trump do të ishte favoriti për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, megjithatë, sipas të gjitha vlerësimeve, kjo është larg të qenit e arritshme, pohon Vujoviç.

Sipas tij për momentin interesat kryesore amerikane në Serbi janë që “vendi të bëhet pjesë e integrimeve euroatlantike”.

“Gjithashtu, është në interesin e SHBA-së të bllokojë ndikimin e mëtejshëm të Rusisë në këtë fushë. Megjithatë, problemi është se SHBA-të e shohin Vuçiç-in si të vetmen politikan që mund ta tërheqë Serbinë në atë drejtim, duke lënë pas dore opinionin publik demokratik që nuk e pranon regjimin autoritar të Vuçiç-it”.Albanian Post

WBC mund t’i heqë titullin Tyson Fury-t

0

Tyson Fury mund t’i hiqet titulli i peshave të rënda në WBC nëse nuk përballet me fituesin e përballjes Anthony Joshua me Deontay Wilder.

AJ ka rënë dakord për kushtet për t’u përballur me Wilder, megjithëse vendi i duelit ende nuk është finalizuar.

WBC kohët e fundit renditi Wilder dhe Joshua, respektivisht 37 vjeç dhe 33 vjeç, si peshën e tyre numër një dhe dy, që do të thotë se ata mund të vendosin një status të detyrueshëm në ndeshje.

Dhe është pohuar se WBC mund të kërkojë t’i heqë rripin Fury-t nëse ai refuzon të përballet me fituesin e betejës.

“World Boxing News” pretendon se Fury-t “do t’i hiqet” titulli prestigjioz i gjelbër dhe i artë nëse ai nuk pranon të takohet me asnjërin prej tyre.

Fury nuk e ka mbrojtur kurorën e tij në WBC që nga mposhtja e Derek Chisora në “Wembley” dhjetorin e kaluar.

Dhe rripi nuk do të jetë në ring në përplasjen e tij të ardhshme me ish-kampionin e peshave të rënda të UFC, Francis Ngannou në Arabinë Saudite muajin e ardhshëm.

Megjithatë, WBC ka vendosur një rrip “Kampion i Riadit” në përballjen saudite.

Përpara se Fury të shqetësohet për heqjen e mundshme të titullit, promotori i Joshua-s, Eddie Hearn, së pari duhet të gjejë një mundësi të gatshme për të organizuar ndeshjen e tij të madhe me Wilder.

Gjatë një paraqitje në “BBC Five Live”, ai tha: “Ne kemi rënë dakord për paratë. Ne kemi rënë dakord për gjithçka. Ne jemi duke pritur për kontratën zyrtare, por nuk do të presim përgjithmonë”.

Shefi i Matchroom Boxing shtoi: “Ai (Joshua) thjesht po stërvitet por ai dëshiron Wilder. Nëse nuk mund të bëhet, ai dëshiron të qëndrojë aktiv. Nëse ai lufton në dhjetor, do të jenë tre duele në tetë muaj që është e pabesueshme për të”.

“Njerëzit vazhdojnë të thonë se ai duhet të ketë një luftë më shumë dhe më pas të luftojë Wilder-in, por ne nuk mendojmë kështu. Nëse ai lufton në dhjetor, nëse lufton me Deontay Wilder, nëse lufton me Tyson Fury-n më pas, asgjë nuk do të më befasonte”.

“Ka Filip Hrgovic dhe është Andy Ruiz Jr, por ndoshta nuk do të ndodhë në këtë vend. Ai ka pasur dy turne në ‘The O2 Arena’, kështu që ndoshta do të shkojmë në ‘Madison Square Garden’, diku në Lindjen e Mesme”, përfundoi Hearn.Albanian Post

Digjen drunjtë e hekurudhës në Rahovec

0

 

 

Moti sot me diell, temperaturat deri në 30 gradë

0

Sot mbi vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me diell dhe relativisht i nxehtë. Kushte pothuaj të ngjashme meteorologjike do të vazhdojnë edhe të mërkurën.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vlerat e temperaturave minimale do të lëvizin ndërmjet 7 deri 9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26 deri në 30 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriut dhe verilindjes, thuhet në njoftimin e IHMK.

Fatkeqe, por e ruajtur nga Zoti! Çfarë tha për poemën e pambaruar të Zef Skiroit “Kthimi”

0

NDRIÇIM KULLA

Biografi i At Valentinit, Attilio Vaccaro, në të parën biografi për të, të botuar në 2008 në Romë, ka tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e asaj pjese të veprës së tij, që ka të bëjë me studimet mbi ikonografinë bizantine në zonat arbëreshe të Italisë së Jugut. Profesor Vaccaro shkruan:

Më pak të njohur, por jo për këtë arsye më pak të çmuar, janë punimet e tij për artin kishtar (figurative) bizantin, pak të përmendur nëpër bibliografitë e hartuara deri tani apo në shkrimet përkujtimore. Rëndësia e pikturës greko-shqiptare (e arbëreshëve) të Siçilisë i ishte bërë e njohur publikut nga jezuiti rreth gjysmë shekulli më parë. I takon, pikërisht, merita e rivlerësimit të këtyre shembujve të anashkaluar të artit kishtar siçilian, nëpërmjet një ekspozite të organizuar më 1957 nën kujdesin e “Shoqërisë Katolike Italiane për Orientin e Krishterë”. Paneli i ekspozitës përmbante 61 ikona, nga të cilat 26 ekzemplarë ishin identifikuar nga Valentini, si prodhim vendas i kryer në fund të shekullit XVIII dhe gjatë gjithë shekullit XIX, si p.sh. versionet e ripunuara të Apostujve dhe Etërve të Kishës, që sot gjenden në Ikonostasin e Kishës së Shën Nikollit në “Piana degli Albanesi”. Në kërkimet e tij me temë artistike- fetare, studiuesi gjithmonë ka arritur të spikasë ato karakteristika, shenja piktoreske dhe melodike të pranishme në vendet me traditë bizantine, që u janë përgjigjur momenteve të jetës së përditshme të shtresave të gjera të popullsisë. Duke ndjekur gjurmët fetare të komplekseve të mëdhenj piktoreskë, të ritmeve ikonografike dhe melodike që sfidojnë shkëlqimin e liturgjisë bizantine, autori ka mundur të japë, më 1958, si përfundim një punim domethënës me titull “Poezia, melodia, piktura dhe përkatësitë e tyre të ndërsjella në artin bizantin”. Këto teza do të thellohen dhe pasurohen me punime të tjera mbresëlënëse mbi “koine-n” piktoreske të artit figurativ të krishterë (paleokristian dhe bizanto-roman), dhe mbi pikturën atonite (me ngjyra pastel) krahasuar me artin e mëparshëm kishtar.

Ata që njihen me veprën e plotë të At Valentinit, nuk mund të mos habiten me vendin që ka zënë bizantologjia në sferën e interesave të tij si studiues, që prej artit figurativ kishtar (ikonografisë), te muzika dhe poezia bizantine. Ajo gjë që na duket se nuk ka arritur që ta kapë Attilio Vaccaro është se përkushtimi çuditërisht i madh i At Valentinit ndaj ikonografisë bizantine ishte rezultat i përkushtimit të tij te parimi i ekumenizmit. E vërteta është se veprimtaria e At Valentinit si bizantolog është fryt i shpirtit dhe besimit të tij ekumenist, pra të rritjes së frymës së mirëkuptimit mes dy Kishave. Një vend të rëndësishëm në punën e tij si bizantolog zinin edhe kishat e ritit bizantin në Siçili dhe Kalabri, veçanërisht në horat e arbëreshëve (horë: katund). Sot, fjalët e mëposhtme që do të citoj nga At Valentini mund të jenë të vërteta dhe nuk shkaktojnë ndonjë reagim të madh, por në kohën që u thanë prej tij, në vitet 1957-’58, qenë një pohim i guximshëm nga goja dhe pena e një kleriku katolik, aq më tepër të një jezuiti. Në fjalën paraqitëse për “Veprat e ekspozuara në ekspozitën e Artit Bizantin në Piana degli Albanesi” (1957- 1959), At Zef Valentini tha:

Arti kishtar bizantin, gati si rit liturgjik, për të cilin mund të themi se nëse nuk është pjesë e plotë e tij, të paktën është pjesë përbërëse, ka pasur një jetë shumë më të qëndrueshme se sa perandoria bizantine nga e cila mori emrin, dhe ka demonstruar një farë vitaliteti, të paktën deri në fund të shekullit XVIII, e në një farë kuptimi deri më sot. Prandaj, mund të kufizohemi në studimin e historisë së tij, me periudhën që mbaron me rënien e Kostandinopojës në dorën e turqve, për arsye se vetëm deri në atë periudhë jeta kristiane bizantine ishte plotësisht ajo e një komunitetit integral fetar politiko- kulturor; por me shumë të drejtë, po ashtu nuk mund të kufizohemi në një farë epoke për arsye vetëm stilistike, sikur është ose një stil i vetëm ose një kompleks i kufizuar i elementëve stilistikë që me plot të drejtë mund të pranohen si bizantine: historia e artit bizantin, e në veçanti ai i artit të pikturës, është shumë i shtrirë jo vetëm në kohë dhe në hapësirë, por edhe në stile; arti bizantin, më shumë se një stil i përcaktuar, është një konceptim i artit dhe i jetës kristiane që jepet nga stile të ndryshme në vende të ndryshme dhe në epoka të ndryshme, ose edhe në stile të ndryshme në të njëjtin vend ose në stile të ndryshme në vende të ndryshme, por në të njëjtën epokë.

Këto rreshta tregojnë thellësinë e njohurive të At Zef Valentinit në bizantologji, jo vetëm në ikonografi, por edhe në historinë dhe artin bizantin në përgjithësi. Vetëm një shpirt i madh ekumenist si ai i At Valentinit mund t’u përkushtohej kaq thellë studimeve bizantologjike, duke qenë një klerik jezuit, i ngarkuar me një mision kulturor si ai i tij. Në kohën kur At Valentini shkruante kështu ishte një akt kuraje që një klerik katolik të shprehte mendime të tilla. Të mos harrojmë se vetëm në vitin 2002, pra, rreth katër dekada pasi ai shprehte këto fjalë, një Papë, Gjon Pali II, shkoi për herë të parë për vizitë në Athinë dhe i kërkoi falje Krishterimit Lindor për pushtimin e Kostandinopojës nga Kryqëzata e Katërt në vitin 1204, një ngjarje kjo tronditëse për botën bizantine që shkaktonte akoma dhimbje te besimtarët ortodoksë. Në fjalën paraqitëse për “Veprat e ekspozuara në ekspozitën e Artit Bizantin në Piana degli Albanesi” (1957-1959), At Zef Valentini gjente pikat e përkimit në mes dy kKishave në artin ikonografik:

Ajo që është e përbashkët, është konceptimi teologjik, në kuptimin se piktura bizantine duhet të jetë në përputhje me mendimin teologjik bizantin dhe duhet të drejtohet plotësisht nga dogmatika, ose kur është rasti, nga mistika dhe nga konceptimi asketik bizantin; duhet të jetë fetar plotësisht, edhe nëse eventualisht i stilit realist; duhet të përkojë me kuptimin dhe me kërkesat ekleziologjike (Ecclesiologico: Doktrina teologjike katolike rreth origjinës, natyrës dhe atributeve të Kishës; çdo disiplinë, edhe jo katolike, që studion kishën si komunitet të besimtarëve) bizantine, prandaj nuk mund të jetë një fakt individual, një mënyrë personale për të parë subjektet, por të flasë me një gjuhë drejtpërdrejt të kuptueshme për të gjithë kishën; pastaj t’u qëndrosh edhe skemave tradicionale, të cilat, nëse kufizojnë gjetjen në këtë shtrëngim, megjithatë venë në provë forcat më të thella ekspresive të artistit të veçantë, nëse është artist dhe jo vetëm artizan.

Këtu është teologu ekumenist që flet. Argumentet që sjell këtu At Zef Valentini janë të një niveli të tillë të lartë teologjik që do të shërbenin si premisa të vlefshme në çdo dialog konstruktiv mes Kishës së Perëndimit dhe asaj të Lindjes. Por At Zef Valentini ka mbrojtur më tepër se një tezë të guximshme në lidhje me marrëdhëniet mes dy Kishave, asaj romane dhe asaj bizantine. Në vazhdim të fjalës së tij paraqitëse për “Veprat e ekspozuara në ekspozitën e Artit Bizantin në Piana degli Albanesi” (1957- 1959), At Zef Valentini tha duke mbrojtur tezën se arti që u bë pas shpërbërjes së Perandorisë Bizantine, nuk mund të shihet si i pavlefshëm për shkak se nuk ekzistonte më autoriteti shtetëror me të cilin ishte identifikuar ky art, kur tanimë ky art kishte krijuar një traditë të tillë sa mund të vazhdonte të kishte një ekzistencë të tijën:

Nëse kjo pranohet, nuk ka pse të mos pranohet në grupin e veprave të artit bizantin ai prodhim i mëvonshëm me rënien e Kostandinopojës, që, veçanërisht nga studimet e Bettini e më vonë, njihet me emrin e pikturës “kretase”, me përjashtim kur u largua nga tradita bizantine jo vetëm për arsye të stilit, por edhe të përmbajtjes teologjike ose të përfaqësimit historiko-teologjik. Sa për ta konkretizuar, nuk na duket për shembull, pjesë plotësisht e drejtë në qytetin e artit bizantin, një Lindje e Jezusit me Madonën përkatëse të gjunjëzuar, në vend që të jetë e shtrirë në dyshekun e saj të purpurt, pranë me grazhdin e Fëmijës, ose një Krijim i stilit të Mikelanxhelos në të cilën, në veprën krijuese figuron Zoti dhe jo Fjala, të gjitha në mënyrë të pavarur nga stili i punës; gjithashtu, kështu mund të themi për shumë Madona shumë të bukura dhe shumë të përshpirtshme toskane, që japin një iluzion të hapur të bizantinizmit, por nuk hyjnë në asnjë nga tipat që teologjia ikonografike tradicionale bizantine do të pranonte si të sajat; ai, në këtë rast, është prodhim i imituar bizantin, por jo bizantin. Nga ana tjetër, mund të ndodhë që një kompozicion të paraqesë disa elementë ikonografikë plotësisht bizantinë, bashkë me gjetje të tjera të lira ose të influencës së huaj, për shembull, perëndimore; ose një ikonografi e mirë në stilin barok ose romak ose tjetër; gjithashtu, duke mos i marrë dot vepra të tilla si ekzemplarë të pikturës bizantine, nuk mund t’i përjashtojmë me vendosmëri nga kuadri i historisë së saj, sepse në një farë shkalle prej tyre vijnë dhe varen prej tyre, e ndoshta të afta të na ndriçojnë për ndonjë pikë që meriton vëmendje të veçantë.

Ishte kjo një tezë e guximshme teologjike e At Valentinit, një tezë ku në personin e tij nuk ishte ekumenisti ai që ndikonte historianin e artit, filozofinë e historisë apo edhe ikonografin tek ai, por ishin këta që i sillnin argumente ekumenistit. Në Itali kishte një prirje në qarqet klerikale katolike dhe të studiuesve afër Kishës Katolike, që të nënvlerësohej arti kishtar bizantin që ishte kultivuar në Italinë e Jugut pas rënies së Kostandinopojës, duke u quajtur një gjë që vazhdoi për inerci, pa pasur një qendër që ta ushqente dhe frymëzonte, pasi me pushtimin e Kostandinopojës nga turqit u ndërprenë lidhjet mes Patrikanës së Kostandinopojës dhe komuniteteve që ndiqnin ritin ortodoks në Italinë e Jugut. At Valentini nuk e pranonte këtë tezë dhe me prova e me kompetencë si studiues interdisiplinar vërtetoi të kundërtën. Ishte kjo një kauzë e Ekumenizmit. At Valentini edhe në pamje ishte ekumenist. Ai shpeshherë kishte pamjen e një murgu të ritit lindor, ashtu i veshur me atë rrobën e tij me mëngë të gjera dhe me mjekrën e madhe. Me këtë nuk duam të themi se At Valentini kishte prirje për të kaluar në ritin lindor, por se ai kishte prirje për ta nënvlerësuar ndarjen mes dy kishave, në favor të ekumenizmit. Bashkëpunëtori dhe miku i tij i ngushtë Alesandro Scurani, shkruan mbi këtë anë të At Valentinit:

Rezultati i kësaj pune të At Valentinit ishte që për herë të parë u bë katalogizimi në përmasa të tilla i artit kishtar bizantin në këtë pjesë të Italisë. Cilido studiues që njihet me këtë katalog nuk mund të mos vërejë se ai është punuar nga dora e një profesionisti i cili ka edhe meritën se ka hyrë në detajizime që zakonisht nuk gjenden në katalogët e zakonshëm. Një nga vështirësitë e mëdha në punë të këtij lloji qëndron në njohjen e nuancave të gjuhës kishtare greke të kohës kur janë punuar ikonat. At Valentini, përveçse si ikonograf, e ka treguar veten edhe si njohës i rrallë i greqishtes kishtare. Studiuesi me emër i kësaj fushe, R. Reul, në një shkrim të botuar në “Revue Benedictine”, në 1959, thotë mbi katalogun e At Valentinit:

Një katalog larg-qëmtues dhe mirëpërshkrues, me komente të detajuara të veprave që përmban kjo ekspozitë, shumicën e të cilave e ka studiuar dhe klasifikuar vetë autori. Një dokumentim me vlerë të rrallë e të pashoqe ikonografike dhe bibliografike, e veprimtarisë kulturore dhe shpirtërore, që lulëzoi në kolonitë shqiptare të Siçilisë në gjysmë-mijëvjeçarin e jetës së tyre në atdheun e ri.

Do të mjaftonin vetëm këto kërkime të At Valentinit për ta futur atë në radhën e bizantologëve të rëndësishëm. Është e vërtetë se për pikturën fetare bizantine të Sicilisë dhe të Italisë së Jugut ishte folur e shkruar që para At Valentinit, por këtij i takon merita e pamohueshme që evidentoi një pjesë të mbetur në hije të artit kishtar bizantin të Italisë. Në 1957 në një ekspozitë që u organizua nën kujdesin e “Shoqërisë Katolike Italiane për Orientin e Krishterë”, ku nga 61 ikona, 26 qenë rezultat i kërkimeve të At Valentinit. Shpirti ekumenik i At Valentinit ishte kaq i gjerë sa e bënte atë të ishte një nga të parët studiues klerikalë katolikë që pranonte se arti kishtar bizantin në Itali pati një zhvillim jo të parëndësishëm edhe pas largimit të Perandorisë Bizantine nga Italia e Jugut. Por nuk ka dyshim se studimi i At Valentinit që vërteton katërçipërisht rangun e tij si bizantolog i kompletuar është ai me titull “Poezia, melodia piktura dhe përkatësitë e tyre të ndërsjella në artin bizantin”, i përfunduar në 1958. Në këtë studim autori ka arritur të na zbërthejë atë harmoni që ekziston në tërësinë e artit kishtar bizantin, që nga piktura te poezia dhe muzika. Në këtë studim shfaqet riti bizantin, liturgjia bizantine, në përmasën e saj artistike. Ky studim përmban teza që do të përbënin bërthamën e studimeve, pse jo të librave të tjerë mbi këto tema. Disa prej këtyre tezave At Valentini i zhvilloi në studime të tjera, si ai mbi koine-n e artit figurativ të krishterë (paleo-kristian dhe bizantino-roman), si dhe mbi pikturën atonite (me ngjyra pastel), duke i parë nga pikëpamja e krahasimit me artin kishtar të periudhave të tjera. E gjithë puna e At Valentinit si koleksionist i artit figurativ bizantin ishte në funksion të një studimi, mbi të cilin ai punoi derisa dha frymën e fundit në shtratin e tij në spital. Ishte fjala për një studim, mbi të cilin ai vuri të gjithë pasionin e tij si bizantolog. Ky studim u botua pjesërisht kur ai ishte gjallë në revistën “Oriente Cristiano”, për të vazhduar botimi i tij edhe pas vdekjes së tij. At Valentinit nuk ishte thjesht një bizantolog, por edhe një këngëtar i psalmeve bizantine, në interpretimin e të cilave arrinte nivelin e katërt të tonalitetit, gjë që do të ngjallte nderimin e çdo interpretuesi profesionist të këtyre psalmeve. Ai ishte, veç të tjerash, një valltar i pasionuar i valleve bizantine. Një meritë e At Valentinit është se si kritik letrar ai zbuloi gjurmët e ekumenizmit në letërsinë shqipe. Për atë, poema e pambaruar e arbëreshit Zef Skiroi “Kthimi” është kryevepra e poezisë filozofike dhe fetare shqiptare, ajo për shqiptarët është si “Komedia Hyjnore” e Dantes për italianët. At Valentini shkruante:

Madje, përveç kësaj, “Kthimit” duhet t’i njihet- akoma edhe më shumë se çdo gjë tjetër- parësia në rang botëror si poemë e ekumenizmit, ku çdo e vërtetë filozofike dhe religjioze arrin të shprehet ashtu siç mund të konceptohet më mirë, brenda ambientit të vet, të marrë, të çliruar nga lënda bazë, e pastaj të ripunuar si një diamante, të ngallmuar për të shkëlqyer fisnikërisht në kurorën e mrekullueshme të katolicizmit më ortodoks; e bashkë me të edhe vetë Shqipëria e vogël, aq e ngucur në kufij, po aq vërshonjëse në vitalitet njerëzor, gjithnjë e më shumë efikase sa më shumë e injoruar, aq xheloze në ruajtjen e individualitetit të saj etnik, po njëherësh edhe aq universaliste, kaq fatkeqe, po edhe gjithmonë e ruajtur nga Zoti në vijim të misionit të saj sekret; Ja, falë tij, Shqipëria e vogël dhe e madhe, zë një vend të merituar, në mos nderi, në historinë e ekumenizmit botëror.

Deri më tani kemi përmendur gjerësisht shumë aspekte të veprës së At Valentinit që janë si të thuash, laike, dhe kemi lënë pa përmendur ose kemi përmendur vetëm kalimthi atë pjesë të veprës së tij në të cilën ai na shfaqet si teolog. Sigurisht se At Zef Valentini nuk mund të quhet ndonjë autoritet në teologji, se drejtimi që ai mori si misionar nuk kishte të bënte me studimet teologjike. Megjithatë na ka lënë studime ku shfaqet edhe kompetenca e tij si teolog. Hagiografia, siç quhet historia e jetës dhe e bëmave të shenjtorëve, në Shqipëri nis me At Valentinin. Në disa studime ai na sjell të dhëna të hollësishme mbi traditën shqiptare mbi shenjtorët, veçoritë shqiptare të kulteve të shenjtorëve të ndryshëm. Edhe kur bën përshkrime të ikonave, ai na tregon kompetencë teologjike. Kështu, në shënimin shoqërues në “Veprat e ekspozuara në ekspozitën e Artit Bizantin në Piana degli Albanesi” (1957-1959), At Valentini thotë për një ikonë të Shën Marisë:

GJUMI I SHUMË SË SHENJTËS DEIPARA

(Dormizione = në Kishën Orientale kalimi i Virgjëreshës Maria nga kjo në jetën tjetër) – (Fjetja e Virgjëreshës Maria) kuptohet vdekja, si një e përgjumur, por e kapërcyer nga Ngjitja (Assunzione) që këtu është e paraqitur edhe në mënyrë të dukshme, në skenën e planit të sipërm. Poshtë, në plan të parë dallohet, me vështrimin si qendër perspektive dhe ideale e të gjithë tablosë, kufoma e shenjtë, pa lëvizur dhe pak e ngrirë, por megjithatë, gjithmonë disi elastike në mantelin dhe shtratin e saj të purpurt, me fytyrën e zbehtë, por jo në mënyrë tragjike si kufomë, por përkundrazi, më shumë si dremitje e madhe.

Te koka e saj është Shën Petro që bën temjanisjen; ngjitur te këmbët është Shën Pavli me dishepullin Timoteo; i përkulur pothuajse për të dëgjuar zemrën e Marias, i preferuari i saj Llukai mjeku; në të dy anët, grupe apostujsh dhe dishepujsh ndërmjet të cilëve mund të vihen re dy të zbukuruar me mantel dhe petrahil papnor, Shën Jakovi “vëllai i Zotit”, atëherë peshkop i Jerusalemit, dhe Shën Dionis Areopagjiti, dëshmitar klasik i qiellit mistik; të dy grupet, veçanërisht ai i djathti, në rrumbullakësi të bukura dhe në ecje. Përpara planit më të parë, por në përmasa të vogla me pamje jo reale por metafizike (sipas rëndësisë së subjekteve), skena e “armikut”, i ardhur për të rrëmbyer kufomën e shenjtë e për ta lënë që të prishet, por i goditur dhe i tërhequr nga një engjëll i armatosur. E gjithë kjo pjesë e poshtme formon një hark konkav me drejtim lart; në qendër të konkavitetit dhe përtej kufomës, me ngjyrim mjaft të lehtë, pothuajse vegim, Jezusi që në qëndrim të dhimbshëm mban në krahë të ashtuquajturën “animula” (shpirtin e vogël) të nënës së tij, e paraqitur si fëmijë me pelena, ose idealist si krizalidë “e lindur për të krijuar fluturën engjëllore”; rreth Jezusit të veshur në ar të verdhë dhe animulës në gri të argjendtë të zbehtë, katër engjëj qirimbajtës të veshur me të gjelbër të hapur por të lehtë, më të gjallë; qirinjtë e tyre të ndezur, linjat e veshjeve dhe palat (panneggi) dhe të krahëve të tyre, bashkë me rrezet e arta në sfondin e gjelbër më të errët, të ngjashme me perden e një agimi polar, të japin një përshtypje autoritare; por ajo është mbyllur nga silueta e sfondit të gjelbër të errët, si kupolë me konveksitetin në drejtim të kundërt me atë të vënë re në harkun e formuar nga skena e planit të poshtëm, në mënyrë që të dy harqet të sjellin ndërmend ato të shkolkës (kallumë) dhe të mbulesës së një gondole (lundrimi i jetës?).

Megjithatë, mbyllja e kupolës nuk është definitive, por vetëm ngushton kalimin drejt qiellit, ku lejon të duket fytyra e një engjëlli ngjyrë të ndezur, si ai i portës së Edenit. Ndërmjet engjëllit dhe harkut të madh, konveks poshtë, të qiellit, shikojmë Marian tashmë e mbajtur me ngadhënjim mbi një mburojë nga dy engjëj, ndërsa dy të tjerët ngrenë në dy anët dy sportelet e kapanxhës të portës së qiellit (kollite portas, principes, vestras et elevamini portae aeternales), duke lënë të duket rrethi i kaltër i errët rrezatues, por nga harku tjetër i vogël, me një të kaltër më të ndezur lapislazul që përfaqëson natyrën hyjnore buzë të cilit Maria tashmë ka mbërritur. Ky grup i sipërm hapet për drejtimin lart, si trekëndësh dybrinjënjëshëm me kulm poshtë, ndryshe me skenën e poshtme që e ka kulmin lart; përcaktohet kështu një formë e rregullt si klepsidër, duke lidhur kohën me pavdekësinë, ose, mund të themi një Pi grek, e ashtuquajtura fillimi i emrit të Krishtit, që të gjithë këtë e bashkon si në një osmozë. – Pothuajse të gjithë elementët e përmendur janë pak a shumë të traditës ikonografike bizantine; mënyra për të ndriçuar mbushjet dhe cepat me të bardhë është e ngjashme me atë të përdorur nga Greko të stilit të parë; megjithatë forma, linjat sekondare, harmonia, gjallëria dhe simbolizmi i ngjyrave të kësaj vepre të zgjedhur pothuajse në miniaturë, e bëjnë një kryevepër të vogël me origjinalitet të konsiderueshëm, që ndoshta mund ta vendosim ndër xhevahiret e fundit të shekullit XV. Në këto rreshta duket jo vetëm dora e studiuesit, teknicienit, por edhe dora dhe syri i shkrimtarit me vëzhgim të hollë, e poetit me shije estetike të rrallë, që dinë të bëjnë përshkrime të gjalla dhe të kapin nuancat që i shpëtojnë syrit të ekspertit teknik. Kur lexon këto përshkrime ikonash të At Valentinit, të krijohet imazhi i tyre para syve, sikur t’i shikosh në fotografi, apo sikur t’i shikosh në një film.

“Dorëheqja”, tregim nga Zija Çela

0

Kisha mbaruar ditën e punës, kur sapo hyja në shtëpi, më telefonuan nga paradhoma e Presidentit. Një njoftim të atillë as kisha marrë më parë, as kisha pritur. Zoti President më ftonte për darkë.

Megjithatë, ato pak hollësi që m’u dhanë, më vunë menjëherë në mendime. Ç’ishte ajo darkë në 18:30 dhe përse do të hahej në Dhomën e Këshillimit?! Duke i kërkuar sqarime një miku të brendshëm, arrita ta mirëkuptoja orën e pazakontë, Presidenti do ta hante darkën e dytë me përfaqësues të rëndësishëm, që kishin ardhur nga Italia. Ndoshta prandaj isha paralajmëruar, njëzet e pesë minuta kokë më kokë me mua.

Mirëpo përse te Dhoma e Këshillimit?

Pa gjetur ndonjë ndihmë, këtu ngecja. Siç ma kishte zënë veshi, ajo ndodhej në suitën presidenciale, në katin më të lartë të Kullës Damo. Madje ndryshe njihej edhe si Dhoma Damo. Në pozitën e zëdhënësit të shtypit, unë e takoja Presidentin herë pas here, por gjithnjë kur më thërriste në zyrën e tij. Flitej se mes shefave të sektorëve dhe këshilltarëve kishte nga ata, që e kishin provuar atë dhomë. Por duke bërë të paditurin, asnjërit s’i shpëtonte gjysmë fjale nga goja. Gjithsesi, ndryshimet që ndodhnin në strukturën e kompanisë, thuajse pa vetëdije, ne i lidhnim me atë dhomë. Sidomos rritjet në përgjegjësi, pavarësisht se ai që gradohej, kurrsesi nuk e pranonte: “Ç’është kjo pandehmë, unë darkë me Presidentin?! Dhe pikërisht në Dhomën e Këshillimit?!” E teksa mohonte me fjalë e me gjeste, si të trembej mos po e tradhtonte veten nga acarimi i tepërt, e gradonte mirë zjarrminë e kundërshtimit.

E themeluar dy dekada më parë nga një emigrant, që kishte kaluar nëntë vjet në ishujt e Greqisë dhe të Italisë, Kompania Damo ishte bërë e famshme. Me gjithë kureshtjen, vonë do ta mësoja se përse mbante atë emër. Por qysh në fillim mora vesh se nuk kishte ndonjë lidhje me statusin familjar të Presidentit, madje as me të stërgjyshërve të tij. Sidoqoftë, ekspansiv në interesat e biznesit, themeluesi e kishte zgjeruar aktivitetin duke u shtrirë në ndërtim, turizëm dhe eksport-import. Por, ndërkaq, edhe duke u dhënë shumicës së akseseve ngjyrimin e logosit të kompanisë. Me një fjalë, Damo këtej, Damo andej, Damo në të gjitha reklamat televizive. Mua më tingëllonte sikur Presidenti donte të shpallte në vazhdimësi një kumt prej orakulli. Në zyrën e tij, në murin pas kolltukut, kisha parë shpesh një mozaik të kompozuar me kartëmonedha dhrahmi dhe lireta të dikurshme. Ishte shenjë nderimi për rrugën nga e kishte nisur, çka i kujtonte gjithashtu majat ku ishte ngjitur. Ndoshta kështu shpjegohej edhe pasioni i tij për antikitetin grek e romak, por dhe qytetërimin e asaj kohe në përgjithësi.

Para një sprove të tillë më kishte vënë edhe mua, kur më thirri në testin e punësimit. Me keqardhje e them se, megjithëse tashmë kisha përvojë pune, në atë testim m’u zgjuan ethet e provimeve universitare. “Do t’i pikasë bosi emocionet në sytë e mi?”, thosha me vete. Në moshën e adoleshencës nëna pati vërejtur një dallim ngjyrash. Ajo kishte vërejtur se syrin e majtë e kisha disi në të kaltër, ndërsa të djathtin disi në të gjelbër. Kur deshi të dinte përse kjo veçori, unë nuk kisha ndonjë përgjigje. Im atë kishte ndërruar jetë herët dhe kurrsesi, qoftë me shaka, nuk mund ta provokoja nënën nëse bashkëshorti i saj kishte qenë a s’kishte qenë edhe babai im biologjik.

Në fakt, testimi u përqendrua tek aftësitë e mia të kujtesës dhe të shqiptimit. M’u kërkua që çfarëdo të thoshte parafolësi, ta përsërisja menjëherë pas tij. Je gati, djalosh? Gati jam, zotëri. Atëherë Presidenti tha:

– Shammuramat e Shamshiadatit.

– Shamshiadat i Shammuramatit, – iu përgjigja, duke bërë edhe lidhjen e kundërt bashkëshortore.

Ai mbeti i kënaqur. Megjithatë, kur më pyeti se për cilin Shammuramat të Babilonisë ishte fjala, nuk qeshë në gjëndje t’i thoja për Shammuramatin V. Por kjo s’e pengoi të më punësonte me një pagë sa trefishi i asaj, që merrja deri atëherë si gazetar. Veçse më paralajmëroi, gjatë sezonit turistik të verës mund të ngarkohesha edhe me detyra të tjera.

*

Po mbaronte njëri nga sezonet verore, kur u ftova për darkë. Që nga maji kisha kryer gjithashtu detyrën e Sheft të Dekorit, Harmonisë dhe Paqes Shpirtërore për tri resortet bregdetare. Sapo mbushej muaji nga inspektimi i fundit në resortin më luksoz, natyrisht dhe më të shtrenjtin. Në krahasim me Damo 1 apo Damo 3, në Damo 2 nuk kisha pritur të gjeja probleme. Dhe vërtet nuk gjeta. Por ndodhi një incident, që më futi rastësisht në valle.

Një qytetar kokëfortë, nga ata që e kërkojnë sherrin vetë, kishte hyrë pa leje në plazhin privat. Ndonëse iu tha të largohej, si të ishte shurdh i lindur, mbasi liroi zhezlongun që kishte zënë, u shtri në rërë pa e bërë qejfin qeder. Atëherë rojat tona iu hodhën përsipër, ia lidhën duart prapa dhe, si i dhanë ca goditje me shkopinj gome, e tërhoqën zvarrë deri jashtë kufirit të resortit.

Mjaftuan fotot e vidiot e pushuesve, që mediat sociale ta shpërndanin lajmin (skandalin, sipas tyre) menjëherë. Ato pashë edhe unë, prandaj zbrita në holl. Të pakënaqur me shpjegimet që kishte dhënë Shefi i Sigurisë së Territorit dhe Pasurisë Materiale, teksa dilja nga ashensori, m’u vërsul një tufë gazetarësh. Nuk kisha si t’u shmangesha, sepse ne kishim njohje. Për të mos i ndërsyer mediat më keq, qëndrimi më i përshtatshëm m’u duk ekuilibrimi. Kështu, pranova se situata mund të ishte zgjidhur edhe ndryshe. Si ndryshe, si ndryshe?, shpërtheu e njëjta pyetje. Pa përdorur forcë të tepruar, i rashë shkurt.

Mirëpo gazetarët do ta tepronin edhe vetë. Nga e gjithë intervista ime, këtë pohim zgjodhën për të theksuar, duke zëvendësuar fjalët “përdorim i forcës” me “ushtrim i dhunës”.

Derisa të shkoja në darkën misterioze, e gjithë përvoja ime në kompani m’u vërtit nëpër mend. Doja të gjeja pikat më të dobëta. Dhe kisha të tilla. M’u kujtua se, para disa kohësh, ai miku i brendshëm më kishte thënë: Si shpjegohet që herë-herë të dy sytë e tu marrin ngjyrën gri, duke u bërë të mprehtë e të padepërtueshëm? Por kësaj radhe ishte koha ime për të pyetur, ke ti ndonjë mendim? Dhe ai ishte përgjigjur, kam përshtypjen se në një gjendje të tillë e gjithë qenia jote përjeton ndonjë alarm dhe i bën thirrje logjikës antiemocionale. Sa për pikat e dobëta tashmë po më dukeshin të harruara, duke përfshirë edhe incidentin e resortit. Kishin kaluar katër javë pa ndonjë vërejtje dhe unë isha i bindur se, me një telefonatë, Presidenti e kishte bërë nul denoncimin e të dëmtuarit në polici.

Pastaj nisa të mendoja për pikat e mia të forta. Më doli se këto zotëronin. Mos isha ftuar për ndonjë rritje në përgjegjësi? Drejtori i marrëdhënieve me jashtë, thua se donte të zhdukej, nuk po kthehej nga Milano dhe bordi i kompanisë do të emëronte drejtorin e ri. Me sa kisha kuptuar, me aq kapitale sa kishin aksionerët e tjerë, mbledhjet e bordit mbeteshin formale, pasi vendimet i merrte Presidenti, si aksioneri kontrollues absolut. Kujtoj se kjo ndjesi, pra përkedhelja e sedrës dhe njëfarë shprese, më ndoqi rrugës për në Kullën Damo.

*

Kur hyra në Dhomën e Këshillimit, nuk më kujtohet nëse Presidenti lëvizi ndopak nga vendi, apo vetëm më dha shenjë për karrigen time. Aty gjeta gjithashtu dy zotërinj, praninë e të cilëve s’e shpjegova dot menjëherë. Ndodheshin pas ndonjë takimi pune, apo ishin ftuar kastile duke e ndryshuar protokollin e darkës? (Diç kuptova, kur atyreve nuk do t’u shërbehej ushqim, përveçse shampanjë.) Ishin aksionerë të parëndësishëm, por duke pasur të dy bashkë 11 përqind, përpiqeshin nganjëherë t’i bënin presion kryeaksionerit.

Në karrigen që më tregoi, në një tryezë që krijonte hapësirë të arsyeshme, i binte që Presidentin ta kisha përballë. Nuk e di përse, së pari më ra në sy tavani me gdhendje druri përqark dhe tre llambadarët në një rresht, nga të cilët ishin ndezur dy anësorët. Atë të mesit, më të madhin, e kisha pingul sipër meje. Ishte llambadar me degëzime të shkallëzuara, që dilnin tek e tek nga boshti i rëndë, i cili përfundonte me një bronzinë në formë koni, por me majën poshtë. Pak orendi të tjera më janë fiksuar, me përjashtim të minibusteve mbi ekspozitorët prej qelqi. Asnjë pëlhurë me penel, gjithçka tridimensionale dhe e prekshme. Disa nga bustet arrita t’i njihja, sepse Histori kisha studiuar në universitet, duke u specializuar më vonë për gazetari. Mbasi pikasa një Eros mes denaidave, kalimthi po pyesja veten se kujt i përkiste portreti i atij burri, që ishte vënë mes Hermesit të grekëve dhe Marsit të romakëve. Për çudi, duke kapur mëdyshjet e mia, në këtë çast e nisi bisedën edhe Presidenti.

– Nuk besoj se e njohe mbretin Dionis të Sirakuzës, – m’u drejtua. – Sigurisht, është vetëm një përfytyrim i tij.

Pastaj heshti, derisa i dha fund pjatës së vetme me pesë-gjashtë lugë brumë zarzavatesh. Për shkak të kohës së kufizuar, mua m’u shërbyen njëherësh supa dhe pjatanca e biftekut. Me të lënë picetën, Presidenti mori në dorë një telekomandë, që e kishte mbajtur më të djathtë. Pandeha se me atë pult do të ndizte monitorin e madh, për të më demonstruar ndonjë video, që lidhej me ftesën time. Por monitorin nuk e ndezi, sepse veprimi ndoshta kishte qenë instinktiv.

– Pak e nga pak, mbreti Dionis ra në hall me ziliqarët, që i kishte brenda oborrit, – e rimori fjalën. – Këta mëtonjës hanin bukën e tij, por donin t’ia merrnin pushtetin. Prandaj, në vend të punonin për të mirën e monorakut, bashkëpunonin me kundërshtarët. E ç’bëri ahere Dionisi? – e ngrohu paksa tonin Presidenti. – Dionisi i ftoi oborrtarët në gosti. Po cilin uli përkrah vetes? Uli Damokleun, oborrtarin më të bindur. Me porosi të mbretit, sipër kokës së këtij njeriu ishte lidhur një shpatë, që rrinte pezull. Dhe dihet tashmë çfarë e mbante shpatën. Vetëm një qime nga bishti i kalit. Le t’u hynin drithmat rebelëve, le ta shihnin me sy se ç’fije e hollë e ndante kokën e tyre nga pushteti i mbretit. Sepse mjaftonte…

Me pultin në dorë, Presidenti e preu fjalën. Me gjasë, kishte shtypur ndonjë buton, pasi ndërkaq dëgjova kërkëllimën që mbante varur llambadarin. Duke dalë nga vrima e rozetës, zinxhiri u zgjat dhe, befas, atë katananë me bronzinën si majë hushte tani e kisha më afër.

Ndoshta si unë, edhe dy zotërinjtë ndodheshin për herë të parë Dhomën e Këshillimit, sepse të tre reaguam të trembur. Duke tërhequr karriget mbrapa, secilit na shpëtoi një britmë e mbytur. Nuk kisha mundësi ta shihja veten, por pashë se në fytyrat e tyre s’po hiqej shfytyrimi. Ndoshta mendonin se, po të kishte rënë llambadari mbi mua, si zor t’u shpëtonin brirëve të tij edhe kokat e tyre.

Heshtje tjetër nuk pati, pasi Presidenti foli sërish. Ai u kërkoi ndjesë zotërinjve, ngaqë mbledhjen e bordit të ngushtë e kishte mbajtur në atë mjedis privat. Pastaj shtoi:

–  Por tashmë, meqë e kemi marrë vendimin që ju propozova, mund të largoheni.

Dhe sapo mbetëm vetëm, më foli në emër:

– Pa kujtohu, Enkel Hakani, si u shprehe në atë intervistën tënde?! Ti the se ishte përdorur forcë e tepruar, kur situata mund të zgjidhej ndryshe. Po ahere, përse nuk e zgjidhe ndryshe?! Si Shef i Dekorit, Harmonisë dhe Paqes Shpirtërore ti ishe pikërisht në pozitën për ta zgjidhur. Mirëpo, kur llape para gazetarëve, nuk mendove se po rëndoje Shefin e Sigurisë së Territorit. Përse nuk funksionoi harmonia mes jush?! Si e harrove ashtu interesin global të kompanisë?! Po kujdesin për paqen time shpirtërore në ç’djall e çove?! Ti shkelmove të gjitha përgjegjësitë e tua, Enkel Hakani!..

Përballë këtij sulmi të furishëm, si të mos e kisha pësuar pak më parë, zinxhiri më gjeti përsëri të papërgatitur. Dhe kësaj here krëkëllima ishte më e fortë, sepse zinxhiri u lëshua vrullshëm. Sa e ndanin tani majën e bronzinës nga koka ime, një apo dy pëllëmbë?!… Mos jam përfshirë nga emocionet, më shkoi nëpër mend, ç’ngjyrë kanë marrë sytë e mi, e ka pikasur Presidenti alarmin tim?

Isha ende në këtë pështjellim, kur dëgjova zërin e tij:

– Në rrëzën e degëzimit nga ana jote është vendimi. Pres ta lexosh.

Zgjata krahun dhe e shqita pusullën. Aty shkruhej: “Vërejtje e rëndë me paralajmërim për pushim nga puna.” E ndjeva se kisha arritur ta përmbaja veten. Nuk fola as në çast, as ndërsa nxirrja nga xhepi stilolapsin. E ktheva pusullën së prapthi dhe hodha një shënim, të cilin e nënshkrova.

Të nesërmen, në blogun e kompanisë u njoftua pushimi im nga puna. Gazetarët më telefonuan menjëherë. I thirra në konferencë shtypi dhe, për fat të mirë, kolegët e dikurshëm nuk më lanë në baltë. Atyre u zbulova të vërtetën e shënimit, që kisha nënshkruar të mbrëmshmen. Për të mos cënuar privatësinë e pronarit, nuk pohova se e kisha zbuluar origjinën e emrit të kompanisë. As fola për llambadarin me zinxhir, por u përqendrova te Dionisi i Sirakuzës. E rikrijova me hollësi gostinë, ku mbreti ftoi oborrtarët e tij. Duke u ndalur te përdorimi që i bëri oborrtarit më besnik, i qëndisa nga vetja ca përshkrime situatës me shpatën pezull, atë shpatën me majë të mprehtë që qëndronte varur në një qime kali. Pastaj pyeta ballazi:

– E çfarë do të bënte oborrtari i gjorë, nëse mbreti shtronte një gosti të dytë?

Mediat u përgjigjën me tituj të ndryshëm. Por mua më ka mbetur në mend ai i gazetës më të madhe: “Damokleu jep dorëheqjen”.

Deputeti gjerman: Vuçiç ishte përgjegjës për dhunën dhe sulmin ndaj KFOR-it në Veri

0

Për ish ministrin e shtetit gjerman, dhe aktualisht udhëheqësin e komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë, Michael Roth, nuk ekziston asnjë dyshim se personi përgjegjës për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Veri të Kosovës, është Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Vuçiç është përgjegjës për këtë turmë brutale që sulmoi ushtarët e KFOR-it dhe kjo është arsyeja pse serbët kaluan vijën e kuqe. Kjo është krejtësisht e papranueshme,” deklaroi Roth në një takim me gazetarë gjatë vizitës së tij në Kosovë, duke shtuar se ideja e një “Serbie të madhe” destabilizon Kosovën, por edhe Bosnjën dhe Hercegovinën.

Deputeti gjerman gjithashtu e cilësoi sulmin e ndodhur me 29 maj në Veri – veçanërisht në Komunën e Zveçanit, pasi serbët sulmuan KFOR-in që ruante kryetarin shqiptar të spozgjedhur në zgjedhjet që u bojkotuan nga qytetarët serbë – si “sulmi më brutal” qysh nga lufta në Kosovë.

“Po jetojmë në shekullin 21. Nuk do prisja kurrë që një turmë të sulmonte ushtarët e KFOR-it, sepse KFOR-i nuk është përfaqësues i vendeve koloniale. KFOR-i u ftua nga Qeveria e Kosovës që të merrte përgjegjësinë për paqen dhe stabilitetin në vend dhe ajo situatë, sinqerisht, ishte e neveritshme”, deklaroi përfaqësuesi i Bundestagut.

Roth sërish foli për pikëpamjet e tij të njohura për “udhëheqjen e guximshme të liderëve (Kurtit dhe Vucic-it)” dhe nevojën për të kapërcyer sa më parë polemikat.

29 maj, 2023: Protesutesit serbe sulmojne KFOR-in

Ai, njëjtë siç ka bërë edhe Gjermania në të kaluarën në nivele të ndryshme përfaqësimi, deklaroi se pret “vendosjen e një baze të përbashkët për pajtim dhe besim të ndërsjellë”, si dhe prit një “dinamikë të re” në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës pas takimit të nivelit të lartë më 14 shtator.

Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Roth shtoi se “nuk është e pamundur të krijohet një zgjidhje pragmatike”, edhe pse është kundër një “Republikës Srpska 2.0 në Kosovë”, rrezik që e ka theksuar vazhdimisht Qeveria e Kosovës.

Sa për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, Roth pohoi se “Kosova mund të llogarisë në ndihmën e Gjermanisë”.

Roth ishte një nga nënshkruesit e letrës së përbashkët të disa parlamentarëve dhe politikanëve evropianë, të cilët kërkuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shtet të fuqishme evropiane që të rishqyrtojnë politikën me qasje të butë të perëndimit ndaj Serbisë.Albanian Post

Asociation “Loyola-Gymnasium” shpall një vend të lirë për mësimdhënës/e të gjuhës angleze