Në Kosovë sot do të mbajë mot me vranësira, diell dhe reshje shiu.
Në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës thuhet se temperatura minimale do të jetë 10 gradë celsius, kurse ajo maksimale do të jetë 13 gardë celsius.
Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka përkujtuar Behajdin Allaqin, njëri ndër luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 25 vjetorin e zhdukjes së tij.
Kurti ka shkruar një profil të Allaqit, duke thënë ndër të tjera , “Në një periudhë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte në ngritje dhe strukturim e sipër dhe kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për profilin e tij prej aktivisti me mendim të mirëformuar politik dhe prej luftëtari idealist e patriotik, Behajdin Allaqin e zhdukën duke e lënë përherë në mbërje jetën e tij prej çlirimtari.”.
E plotë:
U bë një çerekshekulli prej kur është zhdukur Behajdin Allaqi, aktivisti politik dhe luftëtari i lirisë! Teksa shënojmë ditët e çlirimit të qyteteve tona dhe të vetë Kosovës në qershor të vitit 1999, sot janë bërë 25 vite nga dita e 11 qershorit 1998, kur ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Behajdin Allaqi u zhduk në rrethana të pasqaruara plotësisht. Që nga atëherë nuk dihet saktësisht çfarë ka ndodhur me të, siç deri sot nuk është gjetur as trupi i tij.
Shok në angazhimin e tij politik me figura të njohura si Afrim Zhitia, Fadil Vata e Ukshin Hoti, Behajdin Allaqi ishte anëtarë i organizatës Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Si anëtarë i LPRK-së (LPK-së), Behajdini kishte marrë pjesë në mbledhjet dhe proceset e rëndësishme që themeluan dhe i dhanë formë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për shkak të aktivitetit të tij patriotik, Behajdini u arrestua më 1 gusht 1993 nga autoritetet jugosllave dhe pas një procesi gjyqësor, më 11 nëntor, bashkë me katër shokë u dënua nga Gjykata e Qarkut në Prizren, me dy vjet e tre muaj burgosje, të cilat i vuajti në burgun e Dubravës.
I diplomuar për filozofi dhe sociologji në Universitetin e Prishtinës, Behajdin Allaqi e vazhdoi punën e tij si profesor në gjimnazin e Prizrenit deri më 1998, kur ky themelues i UÇK-së edhe e veshi uniformën e kësaj ushtrie popullore. Në një periudhë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte në ngritje dhe strukturim e sipër dhe kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për profilin e tij prej aktivisti me mendim të mirëformuar politik dhe prej luftëtari idealist e patriotik, Behajdin Allaqin e zhdukën duke e lënë përherë në mbërje jetën e tij prej çlirimtari.
Në kujtim të veprës së lavdishme të heroit të lirisë së Kosovës, Behajdin Allaqit!
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vlerësuar se Shtëpia e të moshuarve në Suharekë paraqet shembull solidariteti njerëzor.
Begaj ka qëndruar këto ditë në Kosovë ku ka marrë pjesë në organizime me rastin e shënimit të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa sot ka viztuar edhe Suharekën.
“Shtëpia e të moshuarve në Suharekë të Kosovës, një shembull i jashtëzakonshem solidariteti njerezor, për të mos i lënë kurrë të ndjehen të vetmuar dhe të margjinalizuar”, ka shkruar ai në Facebook.
“Respekt për humanistin Halil Kastrati dhe mbi 3500 donatorët që e kanë mbështetur!”.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) kanë shfaqur sot ekspozitën e titulluar “Lidhja e Prizrenit”.
Në këtë aktivitet të organizuar me rastin e 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, DPA-ja dhe ASHAK-u risollën në vëmendje prapavijën, orvatjet dhe synimet e kësaj organizate me karakter politik, përmes paraqitjes së dokumenteve të vyera.
Të pranishëm në këtë aktivitet qenë Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido, kreu i ASHAK-ut, Hysen Azemi, dashamirës të historisë dhe qytetarë të shumtë.
Mes materialeve arkivore të ekspozuara në Sheshin e Dëshmorëve, gjendeshin thirrja drejtuar gjithë shqiptarëve për kundërshtimin e copëtimin të trojeve të vendit, si edhe memorandumi dërguar Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, përmes të cilit kundërshtohen vendimet e Kongresit të Berlinit.
Ndërsa ditën e djeshme, më 10 qershor 2023, u mbajt në Manastir Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që erdhi në vazhdën e një tradite solide ndërveprimi mes institucioneve bashkëpunuese, DPA-së, ASHAK-ut, Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH).
Ekspertë dhe studiues të arkivave të këtej dhe përtej kufirit diskutuan mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm./atsh/
Një numër i madh i kompanive, përfshirë ato ndërkombëtare me përvojë e reputacion të lartë, kanë shprehur interesim për ankandin e parë solar të Republikës së Kosovës prej 100MW, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ajo së bashku me kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, kolegët nga USAID Kosovo dhe disa nga investitorët potencialë, janë mirëpritur nga banorët e zonës në tokën e ankandit të parë solar fotovoltaik të Republikës së Kosovës prej 100MË, tek Guri i Kuq dhe Kramoviku i Rahovecit.
Sipas saj, banorët ishin entuziastë për investimin që po vjen dhe të lumtur që kjo tokë jobujqësore që me vite nuk ka qenë në shfrytëzim, tani do të shfrytëzohet për të prodhuar energji elektrike të pastër.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që, në bashkëpunim me USAID, të udhëheq një proces konkurrues fer e transparent. Deri tani kemi pasur numër të madh të kompanive të interesuara, përfshirë kompani ndërkombëtare me përvojë e reputacion të lartë. Ftoj të gjitha kompanitë kosovare e ndërkombëtare, dhe mërgatën tonë që të shqyrtojnë dokumentacionin e aplikimit, ta ndajnë me investitorët potencialë dhe të dërgojnë pyetjet eventuale përmes kanaleve zyrtare sipas udhëzimeve. Për informata, vizitoni: https://reskosovo.rks-gov.net/auction/”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Skuadra arabe Al-Hilal thuhet se ka kontaktuar me agjentin e Neymar për një transferim të mundshëm gjatë verës pasi nuk arriti të nënshkruajë me bashkëlojtarin e tij në PSG, Lionel Messi.
Al-Hilal mësohet se dërgoi një delegacion në Paris të premten për të “testuar ujërat” me agjentët e Neymar për një marrëveshje të mundshme, raporton “CBS Sports”.
Raporti thotë se braziliani mund të pranojë një marrëveshje të ngjashme me atë të Cristiano Ronaldos me Al-Nassr në dhjetor, e cila thuhet se kap vlerën e 200 milionë eurove në vit.
Al-Hilal janë të gatshëm të paguajnë rreth 45 milionë euro për Neymar, me Paris Saint-Germain të vendosur të pranojë një humbje të madhe në fondin e tyre pasi kishin paguar 222 milionë euro për sulmuesin në vitin 2017.
PSG nuk ka marrë ende ndonjë ofertë zyrtare për 31-vjeçarin, i cili ka vuajtur nga lëndimet e njëpasnjëshme dhe aktualisht është jashtë fushës për shkak të një dëmtimi të ligamentit të kyçit të këmbës.
Në 24 orët e fundit në vendin tonë kanë ndodhur 44 aksidente trafiku.
Policia e Kosovës njofton se një aksident ishte me fatalitet, 22 tjerë me persona të lënduar dhe 22 tjerë raportohet të kenë qenë vetëm me dëme materiale.
Brenda 24 orëve të fundit, Policia ka shqiptuar edhe 1509 tiketa trafiku për shoferët që nuk kanë respektuar rregullat e komunikacionit.
Po ashtu, në njoftim thuhet se ka arrestuar edhe 14 persona, ku 11 prej tyre janë dërguar në mbajtje.
Është ndarë nga jeta mësimdhënësja, Gjylferije Shehu.
Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj.
Postimi i plotë
Me pikëllim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të mësimdhënëses Gjylferije Shehu.
Angazhimi ndër vite me punën e saj të mirë ishte frymëzim për shumë gjenerata, znj.Gjylferije ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe do të jeton gjatë në kujtesën tonë.
Në emrin tim dhe DKA në Prizren, shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjen Shehu e Krasniqi, bashkëpunëtorëve të afërt, kolektivit dhe gjithë nxënësve nëpër gjenerata.
Një fëmijë 11-vjeçar vdiq pasi humbi vetëdijen në bordin e një fluturimi të Turkish Airlines në drejtim të Nju Jorkut nga Stambolli, me shërbimet mjekësore që nuk arritën ta shpëtojnë fëmijën pasi avioni bëri një ulje emergjente në Budapest, njoftoi agjencia e lajmeve MTI.
MTI raporton se Shërbimi Mjekësor i Aeroportit u ngjit në vendngjarje pasi avioni TK003 u ul në Budapest të dielën, por fëmija nuk mundi të shpëtohej pavarësisht kujdesit të menjëhershëm mjekësor, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ish-ambasadoriti i Shqipërisë në Francë njëherit njëri ndër personat e afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova, në emisonin “FAKTE me Adnan MERVOCIN” ka komentuar takimin e Rugovës me Sllobodan Millosheviqin.
Mustafaj u shpreh se në momentin kur kishte parë pamje nga ky takim, ku Rugova ishte marrë peng, kishte ndjerë një frikë se mos i njëjti do të humbiste gjithçka që kishte ndërtuar për vite me rradhë.
Kjo frikë e tij, sipas të njëjtit, u shua në momentin kur Rugova kishte vizituar shqiptarët në Maqedoni të cilët i dhanë një përkrahje të jashtëzakonshme.
Pas këtij takimi të bujshëm, Mustafaj tregon se ishte takuar personalisht me Rugovës, ku dhe e kishte pyetur se si ndodhi krejt kjo ngjarje.
“Rugova në atë kohë nuk donte takime me njerëz në Tiranë, të vetmin që ka pritë kam qenë unë dhe e kam pyetur si ndodhi ajo, se ky kurrë nuk e konfirmoi atë që tha “Der Spiegel” por as nuk e kundërshtoi, nuk u mor fare me atë. Më tha “shiko, për të shpëtuar qoftë edhe një jetë shqiptari, unë do të shkoja në takim me dreqin”, këtë gjë ma ka thënë me gojën e tij”, tregoi ish-ambasadori Mustafaj.
Ndërsa, shtoi se fotografia e Rugovës me Millosheviqin “nuk ishte një pozë” që e gëzonte.