13.5 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 547

Dëshmitarja thotë se vrasja në “Kobra City” s’ndodhi për mospagesën e faturës, deklaron se njëri i akuzuar e hoqi CD e kamerave

0

Në gjykimin ndaj Dibran Hoxhajt dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen në lokalin “Kobra City”, dëshmitarja A.S., e cila ishte punëtore në lokal, tha se i akuzuari Roland Susuri e kishte larguar CD-në e kamerave të lokalit dhe se të njëjtin e ka parë me armë. Tha se fatura prej 400 euro nuk ishte arsyeja e vrasjes.

“E kam pa Rolandin tu e heq prej rryme, u tërheq një CD, madje vetë më ka thanë ‘çka po i hapë sytë’…Rolandi alltinë e ka pas”, deklaroi dëshmitarja S., raporton “Betimi për Drejtësi”.

 

 

Deklarata e dëshmitares A.S., vazhdoi në sesionin e pasdites, pasi që e kishte përfunduar dëshminë dëshmitarja tjetër, e cila kishte dëshmuar në seancë të mbyllur për publikun.

Paraprakisht, dëshmitarja A.S., tha se ishte kërcënuar nga i akuzuari Susuri përmes të dashurës së tij, pasi që A.S., e kishte përmendur Susurin në deklaratën e dhënë në Prokurori.

 

 

A.S., tha se ditën kritike kishte parë armë tek të dyja grupet- edhe tek ai i tani të ndjerit që vinin nga Kukësi, por edheh tek grupi i Roland Susurit.

Sipas dëshmitares, pas dy ose tre minutave që Dibran Hoxhaj ishte futur në lokal dhe ua ka ngritur zërin punëtorëve të lokalit (burrave) se si e kanë lejuar që të shkatërrohet lokali, në ato momente kishte arritur Policia.

Gjithnjë sipas A.S., vrasja nuk ka ndodhur si rezultat i mospagesës së faturës prej 400 euro, por për shkak se ish-e dashura e të akuzuarit Susuri ishte prekur nga tani i ndjeri V.C.

Ajo tha se i akuzuari Susuri i kishte kërkuar tani të ndjerit të mos e prek atë vajzë dhe të mos i bëjë video, por sipas saj, kërkesa nuk ishte respektuar dhe se V.C., e ka shtyrë Susurin dhe i ka kërkuar takim me Dibran Hoxhajn.

“Tani personi i ndjerë i tha mos më prek dhe e ka citu se don me taku dajën Dibran”, deklaroi S.

Më pas, me të filluar ballafaqimi me deklaratën e dhënë në Prokurori, A.S., tha se disa pjesë të shkruara si në deklaratë, nuk janë thënie të saj dhe as vetë nënshkrimi.

Më pas, dëshmitarja kërkoi të ndërpritet seanca për arsye familjare, kërkesë e cila iu aprovua nga trupi gjykues.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

Në aktakuzë, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Nga një pikë që mban shpresat gjallë

0

Dukagjini dhe Suhareka ndanë nga një pikë në një përballje të rëndësishme për mbijetesë në Superligën e Kosovës. Rezultati 1:1 i la të dyja skuadrat me shpresa për të shpëtuar nga rreziku i barazhit.

Mysafirët e Suharekës kaluan të parët në epërsi me golin e Mevlan Zekës në minutën e 11-të, por Dukagjini reagoi menjëherë. Faton Neziri barazoi pas 9 minutash dhe siguroi një pikë të vlefshme për ekipin e tij.

Me këtë barazim, Dukagjini arrin në 36 pikë dhe mban vendin e shtatë, duke qenë vetëm tri pikë larg barazhit. Suhareka qëndron në vendin e nëntë me 33 pikë, po aq sa Llapi që ndodhet një pozitë më lart.

Prizreni mbyll seminarin dyditor: Lumbardhi 101 – Si të jetojmë në botën e lumit

0

Me një forum reflektues dhe diskutime të hapura për të ardhmen e lumit Lumbardh, përfundoi të shtunën seminari dyditor Lumbardhi 101 në Kino Lumbardhi, në Prizren.

Gjatë këtyre dy ditëve, pjesëmarrës nga fusha të ndryshme ndoqën ligjërata, prezantime dhe bashkëbisedime mbi rëndësinë e lumit si pjesë e jetës urbane, ekologjike dhe kulturore, përcjell PrizrenPress. Seminari kulmoi me diskutime frymëzuese nga Bledar Pulaj, Asl?han Demirta?, Ovidiu ?ichindeleanu dhe Lena Violetta Leitner, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja dhe vizione për zhvillim të qëndrueshëm.

Ngjarja u organizua në bashkëpunim me Universitetin e Danimarkës Jugore dhe Universitetin e Prizrenit, dhe u mbështet nga European Cultural Foundation dhe programi ‘EJA Kosovë’ i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Aktivitetet e Fondacionit Lumbardhi mbështeten në mënyrë institucionale nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Rockefeller Brothers Fund./PrizrenPress.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës sonte mban koncert në Prizren

0

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se sonte (e martë) nga ora 19:30 do ta mbajë koncertin e radhës me Orkestrën Frymore të Filharmonisë, në Autostrada Hangar- Prizren.

Nën dirigjimin e Dario Salvit dhe me pjesëmarrjen e violoçelistit virtuoz Konstantin Manaev, orkestra do të sjellë Koncertin për violonçel dhe orkestër frymore nga kompozitori Friedrich Gulda.

Po ashtu, orkestra do të interpretojë edhe vepra nga: Peter Josef von Lindpaintner (Uvertura “Joko”), Adolphe Adam (Uvertura “Mbreti i Yvetot-it”) dhe Ralph Vaughan Williams (Suitë me këngë popullore angleze)./PrizrenPress.com

Prizren Masters Cup 2025, nis turneu i veteranëve në ‘Përparim Thaçi’

0

Sot, fillon Prizren Masters Cup 2025, turneu i veteranëve i organizuar për nder të 10 vjetorit të themelimit të K.V.F. Prizren Masters. Ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, duke përfshirë veteranët e kombëtares së Shqipërisë, Kosovës, dhe të klubit organizator.

Ky turne shënon një moment të rëndësishëm në historinë e këtij klubi dhe do të bëhet një ngjarje tradicionale vjetore për qytetin e Prizrenit./PrizrenPress.com

Komiteti për Komunitete përgëzon organizimet vullnetare në fshatrat e Malishevës

0

Komiteti për Komunitete, si organ i Kuvendit të Komunës së Malishevës, ka mbajtur sot mbledhjen e katërt të rregullt, ku janë diskutuar disa çështje me rëndësi për komunitetin. Në pikën e fundit të rendit të ditës, kryesuesi i komitetit, Amrush Helshani, ka shprehur mirënjohje për të gjitha vendbanimet ku qytetarët janë të organizuar vullnetarisht në shërbim të komunitetit.

“Organizimet vullnetare në disa nga fshatrat e komunës sonë janë të jashtëzakonshme dhe po bëjnë një punë të lavdërueshme në shërbim të komunitetit, përfshirë mirëmbajtjen, rregullimin dhe ruajtjen e hapësirave publike, formimin e grupeve vullnetare si dhe organizime të tjera të ngjashme”, ka deklaruar Helshani, duke shprehur falënderim publik në emër të Komitetit, përcjell PrizrenPress.

Gjatë mbledhjes, është bërë edhe një prezantim i punës së Zyrës për Ndihmë Juridike në Malishevë. Prezantimi është mbajtur nga përgjegjësi i kësaj zyreje, Agron Kastrati, i cili ka sqaruar procedurat për përfitimin e këtyre shërbimeve, kategoritë përfituese si dhe fushat juridike në të cilat ofrohen këshillime dhe ndihmë. Sipas Kastratit, gjatë vitit 2024 kjo zyrë ka trajtuar gjithsej 222 raste të natyrave të ndryshme./PrizrenPress.com

E treta, e vërteta

0

“Play-off”-i i ProCredit Superligës vazhdon të prodhojë ndeshje shumë interesante.

Sfidat çerekfinale sollën dramë e adrenalinë deri në fund, derisa për tu kualifikuar në gjysmëfinale duhet të zhvillohen edhe ndeshjet e treta.

Seria çerekfinale është 1:1.

Të mërkurën Sigal Prishtina ndeshet me Vëllaznimin, në ndeshjen vendimtare për tu kualifikuar tutje.

Ndeshja e parë në kryeqytet përfundoi me fitoren e vendasve 71:69, edhe pse mysafirët po fitonin me katër pikë, një minutë pa përfunduar sfida. Ndërkohë, përballja tjetër në Gjakovë solli sërish adrenalinë, ku bardhekaltrit kishin epërsi deri në 21 pikë, por u përmbys nga kuqezinjtë, që triumfuan 90:73.

Në takimin tjetër ndeshen dy skuadrat verdhezi, Golden Eagle Ylli dhe Peja. Ndeshjen e parë e fituan pejanët në Therandë 71:77, derisa të dytin në Pejë, e fituan therandasit 66:75.

Në gjysmëfinale kualifikohet skuadra që shënon dy fitore, derisa për finale duhen tri fitore. Për tu shpallur kampion duhen katër fitore./PrizrenPress.com

Sfida e parë e Playout-it

0

Sonte zhvillohet ndeshja e parë e “Play-out”.

Keku dhe Bora do të përballen dy herë dhe skuadra që është më e mirë në të dy sfidat do të jetë anëtare e ProCredit Superligës për edicionin e ardhshëm.

Në ndeshjen e parë, e cila fillon nga ora 19:00, Keku është vendas, ndërkohë, që takimi i kthimit zhvillohet në palestrën ‘1 Tetori’.

Keku ishte finalist i Ligës së Parë të Meshkujve, ku në finale pësoi nga Gralenad, derisa Bora u rendit e shtata në elitën e basketbollit për të luajtur në “Play-out”./PrizrenPress.com

Dragashi mbështet fshatrat fqinj të Shqipërisë me shërbime shëndetësore falas dhe përmirësim të infrastrukturës rrugore

0

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesen e Kuvendit, Arijeta Skeraj, mirëpritën dje në një takim miqësor drejtorin e Qendrës Mjekësore në Zapod, Dr. Elton Palushi, i shoqëruar nga kryetari i fshatit Orgjost,  Avni Ferati, dhe përfaqësuesi nga fshati Pakishtë, Vullnet Vllaçaj, përcjell PrizrenPress.

Me këtë rast, drejtori i Qendrës Mjekësore në Zapod, Elton Palushi, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tij për mbështetjen e Komunës së Dragashit ndaj banorëve të fshatrave fqinj të Shqipërisë, me theks të veçantë trajtimin e barabartë dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore pa pagesë për këta banorë nga QKMF në Dragash.

Ndërkaq, kryetari i fshatit Orgjost, Avni Ferati, kërkoi thellimin e bashkëpunimit me Komunën e Dragashit lidhur me përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidh fshatrat kufitarë të Shqipërisë me Komunën e Dragashit, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.

Në anën tjetër, kryetari Xheladini u shpreh i gatshëm për të ofruar mbështetjen institucionale nga ana e Komunës së Dragashit, duke theksuar se përkrah çdo iniciativë që ka për qëllim mirëqenien e banorëve të fshatrave nga të dyja anët e kufirit./PrizrenPress.com

AKP ju fton të merrni pjesë në shitjen e 13 aseteve në regjionin e Prizrenit

0

 

Në kuadër të Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.71, AKP ofron një portofol të pasur me 71 asete të shpërndara në të gjithë Kosovën. Ato përfshijnë toka bujqësore, parcela ndërtimore, objekte afariste, depo si dhe asete të luajtshme.

Rajoni i Gjilanit përfshihet me 5 asete të shpërndara në komunat e Ferizajt, Vitisë dhe Gjilanit. Dy prej këtyre aseteve dallohen për mundësitë e shfrytëzimit komercial, ndërsa tri të tjerat janë të karakterit rezidencial – të gjitha të pozicionuara në zona me potencial zhvillimi.

Në Mitrovicë dhe rrethinë janë ofruar gjithsej 6 asete në shitje, duke përfshirë tre lokale afariste, një depo dhe tri parcela, të përshtatshme për zhvillim banimi. Asetet ndodhen në Mitrovicën e Jugut, Skenderaj dhe Drenas, duke hapur mundësi për investime lokale në banim dhe infrastrukturë.

Në rajonin e Pejës, oferta është veçanërisht e larmishme: 17 asete në total, prej të cilave 16 janë parcela toke që mund të shfrytëzohen si për banim, ashtu edhe për qëllime komerciale. Këto asete shtrihen në Pejë, Istog, Deçan dhe Klinë. Po ashtu, në Istog është përfshirë edhe një objekt afarist prej 180 metrash katrorë, i cili përfaqëson një mundësi të gatshme për investime.

Prishtina kryeson me numrin më të madh të aseteve të ofruara, gjithsej 30 prona, të shpërndara në zona me interes të lartë si Hajvali, Graçanicë, Podujevë, Shtime, Lipjan, Obiliq dhe vetë kryeqyteti. Këtu përfshihen 28 parcela të konsiderueshme, me sipërfaqe nga mbi 90 ari deri në 10 ari, të gjitha me potencial të madh për zhvillim banimi apo biznesi. Lista përfshin gjithashtu një objekt afarist dhe disa asete të luajtshme, duke përbërë një ofertë gjithëpërfshirëse për investitorët.

Në jug të Kosovës, rajoni i Prizrenit përfshihet me 13 asete në total, të shpërndara në Rahovec, Suharekë, Dragash dhe Prizren. Në këtë listë gjenden nëntë parcela toke dhe tri lokale afariste, duke e bërë rajonin një mundësi tërheqëse për zhvilluesit që kërkojnë të investojnë në zona me potencial ekonomik dhe çmime ende të volitshme.

Publikimi i çmimeve orientuese konsiderohet një hap i rëndësishëm për të rritur besimin e investitorëve.

Ofertat e mbyllura për njësitë në kuadër të Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.71 duhet të dorëzohen më 16 prill 2025, në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand” në Prishtinë, nga ora 10:00 deri në 12:00. Çdo ofertë duhet të shoqërohet me depozitën përkatëse dhe tarifën e aplikimit, sipas kushteve të përcaktuara për secilin aset. Hapja e ofertave do të bëhet po atë ditë, duke filluar nga ora 12:30. Ndërkohë, palët e interesuara mund të informohen më gjerësisht dhe të vizitojnë fizikisht pronat në dispozicion për shitje.

Për më shumë informacion, mund të kontaktoni AKP-në në adresën: Rr. “Dritan Hoxha” Nr.55, 10000 Prishtinë, Kosovë, ose në numrat e telefonit +383 (0) 38 500 400, ext. 1090 apo ext. 2059.

www.pak-ks.org