30.4 C
Prizren
E shtunë, 12 Korrik, 2025
Home Blog Page 5590

Aventura me ushtrinë, fatale për Thaçin

0

Tërheqja e lehtë e presidentit Thaçi nga insistimi i tij pamatur dhe i pakoordinuar me faktorin ndërkombëtar për avancimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, insistim që u pa me shumë rezerva dhe u kritikua nga analistët politikë dhe të sigurisë, tani po vlerësohet si një pozicion në defensiv, i cili do t’i kushtojë shumë shtrenjtë në karrierën e tij të ardhme politike. Analistët politikë, madje vlerësojnë se presidenti i tanishëm i Kosovës do të mbetet në historinë e figurave politike të Kosovës si një nga presidentët më të dështuar dhe të izoluar, jo vetëm nga spektri i brendshëm politik, por tani edhe nga sjellja injoruese dhe izolimi ndërkombëtar, pikërisht për shkak të dështimit të tij në diplomaci dhe papjekuria politike, që kulmoi së fundi me insistim të anashkalimit të Kushtetutës në formimin e ushtrisë së shtetit.

Analisti politik, Florim Zeqa, thotë se veprimet e papjekura dhe të pamatura politike, mosqëndrueshmëria në veprime dhe mosmbajtja e fjalës së dhënë janë elemente, që e karakterizojnë Hashim Thaçin, figurën më kontroverse politike të pasluftës në Kosovë. “Pas urdhrit të Hashim Thaçit si kryeministër i vendit kokë në vete, dhënë Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU) më 25 korrik 2011 për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit dhe tërheqjes pak orë më pas, ku e gjitha përfundoi me fatalitet, me djegien e dy pikave kufitare në veri dhe humbjen e jetës së policit Enver Zymberi, ndërsa veprimi i tij i fundit gjoja për transformimin e FSK-së në ushtri (për konsum të brendshëm politik) pa konsultim paraprak me spektrin politik vendor dhe ndërkombëtar, si dhe tërheqja e fundit nga insistimi i pamatur dhe i pakoordinuar me faktorin ndërkombëtar për avancimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, e bëjnë Hashim Thaçin njërin prej figurave më të papjekura politike të Kosovës dhe presidentin më të dështuar në rajonin e Ballkanit, të izoluar jo vetëm nga spektri i brendshëm politik, por tani edhe nga sjellja injoruese dhe izolimi ndërkombë- tar, pikërisht për shkak të dështimit të tij në diplomaci, ku pasojat prapë do të jenë fatale, mosbërja me ushtrisë edhe për një kohë të gjatë dhe vazhdimi i izolimit ndërkombëtar të Kosovës”, theksoi ai.

Aventurë me pasoja

Analisti Ridvan Emini dëshiron të besojë se presidenti Thaçi me dërgimin e Projektligjit për shndërrimin e FSK-së në ushtri i ka testuar partitë politike sa janë të gatshme të votojnë një gjë të tillë, pikërisht kur dihet se pozita dhe opozita janë prej vitesh në një krizë të thellë, prandaj ky veprim, mbase ka qenë i qëllimshëm për të provuar, nëse politika kosovare mund të bashkohet për tema të mëdha të interesit nacional. Sido që të jetë, Emini thotë se synimi me seriozitet i transformimit të FSK-së në ushtri, pa koordinim me ndërkombëtarët, nëse ka qenë i tillë, mbetet një aventurë e dëmshme për presidentin e venit.

“Nëse presidenti një veprim të tillë e ka bërë me synimin e plotë për transformimin e FSK-së pa koordinim me SHBA-në dhe vendet e tjera mike, mendoj se ka bërë një hap të gabueshëm, i cili mund t’i kushtojë vendit, por edhe karrierës së tij politike, por nëse një gjë të tillë e ka bërë për të ‘matur’ gatishmërinë e partive politike, ai ka arritur të marrë një mesazh pozitiv. Një lojë e tillë mendoj se është mjaft e ndjeshme dhe si e tillë mund ta kthejë atë në një humbës. Por, se çfarë do të ndodhë më tutje, do ta kemi dëshmitar kohën”, tha analisti Ridvan Emini.

United kërkon Hysajn

0

Manchester United po konsideron seriozisht blerjen e Elseid Hysaj nga Napoli, teksa “djajtë” kanë nevojë për një mbrojtës krahu për sezonin e ardhshëm. 23-vjeçari nga Shqipëria ka filluar të vlerësohet si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në Serie A, që kur Napoli e bleu nga Empoli, për 5 milionë euro në vitin 2015. Hysaj ka luajtur 76 ndeshje në dy sezone në “San Paolo”.

Në momentin që Jose Mourinho ka vendosur për largimin e Matteo Darmian, Ashley Young dhe Luke Shaw, faqja e njohur në internet “Goal.com” zbulon se “djajtë” kanë vënë në krye të listës së merkatos emrin e kapitenit të kombëtares shqiptare, në ndeshjen e fundit ndaj Bosnjes, Elseid Hysaj. Ai mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes. Hysaj ka koleksionuar 29 ndeshje me përfaqësuesen kuqezi.

Duke braktisur librat, të rinjtë po humbasin kontaktin me historinë

0

Nga Xhejms Flin

George Orwelli mendonte se një shteti manipulues do i duhej që të rishkruante historinë. Gabohej. Nëse njerëzit nuk e njohin historinë, ata janë tashmë mendjerobëruar. Kur kohët e fundit u kërkova studentëve të mi që të vlerësonin një tiran të shekullit të njëzetë, sipas zgjedhjes së tyre, 80% e tyre nuk mundeshin të pikasnin një (“Mendoj se mund të ketë qenë dikush i quajtur Hitler në Rusi…”). Universitetet arsimojnë për profesione: mund të jesh i mirë në operacionet në tru, apo në dramën në spanjisht, dhe të mos jesh më i pavarur intelektualisht, se sa një skllav mesjetar.

Mund të përftosh njohuri të përafërta në kohën e lirë duke lexuar histori popullore (si Barbara Tuchman) ose romane të mëdhenj që hedhin dritë mbi një periudhë të historisë (Erik Maria Remark). Megjithatë, bota e ri e argëtimit pamor është duke i joshur njerëzit, që t’i largohen zakonit të leximit të librave seriozë.

Të dhënat në Amerikë që mbulojnë periudhën nga 1984 deri në 2004 tregojnë se përqindja e 17-vjeçarëve që rrallëherë lexojnë për kënaqësi (rrallë ndonjëherë ose kurrë) u rrit nga 9 në 19; përqindja e atyre që lexonin pothuajse çdo ditë u ul nga 31 në 22.

Mund të mendoni se universiteti ofron një antidot – por e vërteta është që ai rezulton të jetë kundërproduktiv.

Të dhënat, po në Amrikë, tregojnë se 49 % e studentëve të shkollës së mesme lexonin pak (më pak se një orë në javë) ose asgjë për kënaqësi; kjo shifër për ata në universitet në vitin 2005 ishte 63%. Siç mund të pritet, aftësia e tyre për të lexuar prozë po bie. Shifra e atyre që morën një diplomë dhe që mund të lexonin me një aftësi të arsyeshme ra benda një dekada (1992-2003) nga 40 në 31%.

Këtë fenomen e kam përjetuar edhe vetë, në një rast kur vizitova librarinë në lagjen time. Një djalë i ri më ndihmoi të gjeja një libër dhe e pyeta nëse e kish lexuar ndonjëherë autorin. Ai mu përgjigj: “Në fakt nuk kam lexuar asnjë libër që kur mbarova studimet për anglisht”.

Ky nuk është as një problem i kufizuar vetëm tek arsimi. Një qeveri dhe një media e cekët e përcaktojnë botën, për njerëz që jetojnë vetëm në fluskën e të tashmes. Ata që nuk kanë njohuri për të kaluarën mund të bëhen cinikë dhe të thonë: “Ndoshta të gjithë po gënjejnë”, por nuk mund të ngrihen në nivelin e qytetarit ideal që t’u thotë të “ndalen”.

Nuk njoh ndonjë universitet që merret me këtë problem, përveçse japin kurse të kotë të historisë së qytetërimit perëndimor për edukim të përgjithshëm. Asnjë prej tyre nuk ka kurse që u japin të rinjve mjetet për t’u bërë qenie njerëzore autonome, si dhe t’u ilustrojnë që, çdo gjë që u mësohet e arrin atë objektiv.

Xhejms Flin është Profesor i Shkollave të Psikologjisë në Universitetin e Otagos, Zelandë e Re / Geo – Bota.al

Hape derën, jam ai politikani…

0

Shkelqim  Hysenaj 

“Kanë kaluar katër vjet që kur jemi parë për herë të fundit. Fatkeqësisht nuk më ka rënë puna këndej pari, në lagje, afër shtëpisë tënde e as nga qyteti. Kam pasur shumë punë për këto katër vjet. A të kujtohet iniciativa ime për shtrimin e asfaltit? Beso, kam provuar shumë herë, por nuk me dëgjonte kryetari. Por tash’ të premtoj se mandatin e ri do të bëhet!”

Edhe pse duket një bisedë imagjinare, është një monolog neveritës që thuhet rregullisht në një mënyrë monotone çdo katër vjet, ose dhe më herët nëse nevoja e lyp. Dhe një takim mes një politikani dhe qytetari pas pak muajsh do të ketë këtë përmbajtje.

Me apo pa dëshirë, qytetarët do të detyrohen t’i takojnë ata që nuk i mbajtën premtimet e dhëna para katër viteve; që i zgjodhën dhe pavarësisht se i mallkojnë gjatë gjithë mandatit” do t’i zgjedhin sërish por jo për të përfaqësuar interesat e një zone e qa më pak të një populli. Por sepse kanë vendosur të bëjnë dikë të lumtur dhe të pasur.

Do të dëgjohen sërish të njëjtat premtime, të cilat bien si gurë në kurrizin e atyre që pavarësisht të gjithave vijojnë të shpresojnë të presin, se kush e di….”ëndrra amerikane” mbetet një vend pune, përë ata që sapo u diplomuan, për ata që kanë vite që fshijnë pluhurat e diplomës, dhe për më shumë të tjerë që përpiqen të mbajnë familjen e tyre në mënyrë sa më dinjitoze.

Por në dyert e këtyre do të trokasin të njëjtit njerëz, me të njëjtën fytyrë – të pacipë, duke kërkuar e më pas premtuar. Një kërkesë që shkon dhe më larg se sa një marr’ – dhënie. Pasi sapo marrin ata harrojnë të japin, dhe përderisa dhe vetë qytetarët harrojnë që kanë dhënë votën e tyre, të vetmen gjë që kanë në dorë dhe që është shumë e nënvlerësuar, atëherë rrethi vicioz do të vazhdojë të jetë i tillë. Çdo katër vjet, ose dhe më shpesh.

Deputetët, kandidatët për deputetë, militantë e përfaqësues, brenda një kohe të shkurtër do të pikturojnë vendin tënd ndryshe nga sa e ka parë deri tani, duke zbuluar gjëra që ti si dije që ekzistonin dhe pse ekzistojnë. Dhe përballë problemeve të shumta zgjidhja kërkohet gjetkë, tek 40 mijë kosovarë që kanë braktisur nënshtetësinë e tyre brenda një periudhe një vjeçare, tek mijëra të rinj që ëndërr kanë një vizë pune, larg ambicieve apo investimit personal që kanë bërë. Tek profesionistë që ndoshta do të dëshironin t’i shërbenin vendit të tyre, por vendi i tyre nuk i shërben më atyre..

Ata që mbesin këtu dhe që bëjnë përpjekje për të ndërtuar dicka, zhgënjehen, braktisen, pengohen. Dhe mbështetjen e premtuar nga përfaqësuesi që ka zgjedhur nuk do ta gjejne asnjëherë, dhe ky është fakt. Mandati nuk është një kohë që të zgjedhurit e shfrytëzojnë për të realizuar premtime, për të tërhequr rininë në iniciativa për të mirën qytetare apo për të përmirësuar jetën e komunitetit. Jo! Mandati shërben për tu pasuruar, dhe me një pjesë të vogël të kësaj pasurie ndërtohet fasada pak ditë para zgjedhjeve për të gënjyer sërish, me një mënyrë tjetër, për të marrë një mandat të dytë.

Por pavarësisht dëshpërimit dhe urrejtjes që një kategori e të rinjve kanë ndaj politikës dhe politikanëve, në fund ata janë të detyruar që t’iu afrohen atyre. Madje një pjesë e madhe e të rinjve mendojnë se afërsia me politikanët do të mund t’iu garantojë një vend pune, kështu në fushata zgjedhore, shumica e aktivistëve janë kryesisht të moshës së re. Por politikanët që qeverisin Kosovën janë kryesisht të njëjtë, ata të vjetrit që kanë kaluar nëpër sisteme të ndryshme, që funksiononjë në klane. Pakkush mund t’i afrohet klanit të tyre sepse ata që i rrethojnë kryesisht janë të lidhur për interesa e shpesh herë kanë edhe borxhe nga e kaluara apo nga e ardhmja e përbashkët në biznes. E në këtë të fundit kanë shndërruar edhe zgjedhjet, duke kërkuar votën qytetare pas një lloj platforme. Si për ironi platformat e shumicës prej partive politike kanë nga 10 deri në 15 faqe dhe ponëse shihen të gjitha me kujdes, aty gjen vetem tema të përgjithshme, sic është fuqizimi i rinisë, krijimi i vendeve të punës apo edhe kjo shakaja e integrimeve evropiane.

Ka aq pak seriozitet në atë se si partitë politike i trajtojnë qytetarët. Kjo pasqyrohet tek 60% i qytetarëve që nuk ju përgjigjen zgjedhjeve, jo vetëm se janë mashtruar nga politika, porse padyshim, shumica prej tyre janë lodhur nga niveli minimal i përmbajtjes së platformave apo programeve të tyre qeverisëse. Mbase së shpejti do të vijë koha kur edhe politika do ta kuptojë se Kosova nuk është një kope delesh, por tashmë janë ata që e kanë kuptuar se prej 17 vitesh po gënjehen.

Ndoshta së zhpej8ti, këto zhgënjime e dëshpërime do të përkthehen në një votë kundër politikbërësve të interesave personale – dhe pro një populli që në këtë rast “Nuk e meriton politikën/qeverinë/partitë që ka”

*Editorial nga debati i organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe studentë të universitetit publik “Hasan Prishtina”. Ky editorial paraqet vëzhgimet e autorit, dhe jo domosdo përputhet me qëndrimet e organizatorëve të debatit publik, KDI dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

“Gjenerali…” i Kadaresë, libri më i njohur shqiptar në botë

0

Përdoruesi BackFoward në rrjetin social Reddit ka krijuar hartën letrare të botës me librat që ose janë më të njohurit nga secili shtet, ose janë veprat më të rëndësishme dhe të përkthyera.

Turqia pa dyshim e ka Orhan Pamukun dhe librin “Unë jam e kuqja” në këtë listë, ndërsa “Lufta dhe Paqja” nga Tolstoy është libri më i njohur në Rusi.

Shqipëria figuron në këtë hartë me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” nga Ismail Kadare, ndërsa Franca, sipas përdoruesit të pasionuar pas letërsisë, identifikohet me “Les Miserables” – Të Mjerët, nga Victor Hugo, shkruan KultPlus.

Romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” zhvillohet rreth një gjenerali italian, i cili është dërguar në Shqipëri për të gjetur eshtrat e ushtarëve të rënë italian gjatë kohës të pushtimit të Shqipërisë. Detyra kryesore e gjeneralit është kërkimi dhe gjetja e eshtrave të një koloneli, i cili u zhduk pa gjurmë në një fshat të vogël shqiptar. Rrethanat e zhdukjes të kolonelit e ndërlikojnë shumë situatën. Pas shumë mundimeve të kota, eshtrat a kolonelit nuk u gjetën.

Dhimitër Anagnosti e bazoi filmin e tij “Kthimi i ushtrisë së vdekur” mbi romanin e Kadaresë.

“Koha” në ditën e saj dhuron 13 mijë libra

0

13 mijë ekzemplarë me rreth 70 tituj të ndryshëm Grupi “Koha” ia ka dhuruar bibliotekave në tërë vendin si dhe atyre jashtë vendit me të cilat Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka bashkëpunim.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në mes të drejtuesve të Bibliotekës dhe Grupit “Koha” u tha se ky është një lajm i mirë për dashamirët e librit ngase ata do të kenë mundësinë që t’i kenë në dorë profile të ndryshme të librave të historisë, politikës, monografisë etj.

Drejtori i Bibliotekës, Fazli Gajraku, duke iu falënderuar drejtoreshës së Grupit Koha për librat e dhuruara, ndër të tjera tha: Sot është një lajm jashtëzakonisht i mirë për të gjitha bibliotekat e Kosovës dhe po ashtu edhe për bibliotekat jashtë Kosovës që do të kenë fatin të kenë gjithë koleksionin e Grupit Koha. Biblioteka ka marrë përsipër me i nda në të gjitha bibliotekat këtu dhe jashtë vendit. 13 mijë ekzemplarë po iu dhurohen Bibliotekave. Mos të harrojmë edhe në vitin 2012 e njëjta kompani ka dhuruar 30 mijë ekzemplarë. Po flasim për një profil të botuesit ndër më të njohur në vend, i cili ka botuar prej librave referal e monografik deri në fushën e historisë, politikës etj. Që pothuajse rrumbullakësojnë gjithë interesimin e profileve të ndryshme të lexuesve. Falënderoj Flakën për këtë kontribut, Grupi Koha dorëzon ekzemplarët e durueshëm në mënyrën më të mirë dhe është shembull se si botuesi ka ndjeshmërinë ndaj bibliotekës nacionale sepse e dimë që ekzemplarët e detyrueshëm është palca kurrizore e nuk bënë pa të.

Po më vjen mirë që jemi mbledhur sërish edhe pas 5 vjetëve, në 20 vjetorin e gazetës “Koha Ditore”, për hir të lexuesve besnikë dhe të devotshëm që i kemi, u shpreh drejtoresha e Grupit Koha, Flaka Surroi. Kemi parë të rrugës që sërish ta bëjmë një donacion për bibliotekat në vend si dhe jashtë vendit me të cilat ka bashkëpunim Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bodani”. Besojmë se jemi në gjendje të prodhojmë libra me përmbajte të rëndësishme të cilat do t’i shërbejnë edhe të huajve të kuptojnë pak më tepër për kulturën tonë historinë tonë. Fundi i fundit për ti njohur autorët tanë. Janë 13 mijë ekzemplarë librash 60 -70 titujve e botuar në pesë vitet e fundit kohëve të fundit. Ju premtojmë se do të vazhdojmë me këtë trend edhe në të ardhmen sepse librat e kanë vendin tek lexuesit e jo në librari. edhe botuesit e tjerë të mos i mbajnë livrat në depo por kopjet e pa shitura ti dhurojnë bibliotekave. Nuk kemi fitime aq shumë e dimë këtë megjithatë duhet të vazhdojë ky aktivitet. Do të shihemi brenda tre vjetëve, kur ta festojmë 20 vjetorin e KTV-së.

Haxhi Avdyli: Hashim Thaçi dhe Shpend Ahmeti, e kanë të përbashkët mashtrimin

0

Kryetari i LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, i ka quajtur ‘mashtrues ‘ presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Ai tha se Thaçi i mashtroi qytetarët për formimin e ushtrisë, kurse Ahmeti tregoi se i pëlqen llukësi në jahtë të Budvës.

“Disa liderë të dehur nga mania e lavdisë , vrapojnë që në errësirë të formojnë ushtri në kohën e globalizimit të ombrellës së NATO-s, dhe pastaj një javë ia shpërlajnë trurin popullit, duke i thurur lavde vetes, e në javën e dytë zbythën në guackën personale të mjerimit politik”, shkruan Avdyli në Facebook, transmeton PrizrenPress.

Sipas tij, Thaci me këtë veprim e ka “futur bishtin nën shalë”.

”Lider i mjerë, i padijshëm që ndërton kulla me letra që fryma e mëngjesit ia rrëzon , e pastaj futë bishtin nën shalë duke harruar rrahagjoksin e para një jave”.
Avdyli ka komentuar edhe qëndrimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit në jahtë në Budvë.

“ Mashtruesi, që ‘Koka Kolën’ e pin zero, dhe që nuk hipë në xhip, por në autobusë, del që dallaveret e dyshimta për kifle e qumësht i bën në jahtë” .

E përbashkëta e Thaçit dhe Ahmetit, sipas tij, është mashtrimi.

“E përbashkëta e tyre është mashtrimi ,papërgjegjësia, çjerrja e maskave dhe djersitja”./PrizrenPress.com/

Rahoveci përkujtoi 106 martirët e vrarë në Pastasellë

0

Në fshatin Pastasellë të Komunës së Rahovecit, u përkujtuan 106 civil të vrarë më 31 mars të vitit 1999. Në 18 vjetorin e kësaj masakre u tha se këta martirë që po përkujtohen sot, u vunë në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, në fjalën e tij thekoi se në mars të vitit 1999 fshati Pastasellë ishte shndërruar në një çerdhe strehimi për mijëra banorë që iknin nga komuna të ndryshme në kërkim të shpëtimit. Mirëpo, më 31 mars të atij viti, forcat serbe, në mënyrën më mizore vranë e masakruan 106 civil të pafajshëm.

Duke i ngushëlluar familjarët e të vrarëve, ministri i Financave Avdullah Hoti tha se ngushëllimi më i mirë për këto familje është puna për krijimin e një jete më të mirë për ta.

Ndërsa, në emër të familjarëve foli Jeton Krasniqi kryetar i këshillit të fshatit Pastasellë. Ai tha se sot kur po përkujtohet 18 vjetori i kësaj masakre, askush deri më tani nuk ka dhënë përgjegjësi për krimin e kryer.

Më 31 mars të vitit 1999 forcat serbe vranë dhe masakruan 106 civil që ishin strehuar në luginën e fshatit Pastasellë. Në mesin e tyre kishte edhe fëmijë të moshës 14 vjeçare. Më 21 prill, forcat serbe i zhvarrosin të gjithë duke i dërguar në drejtime të panjohura. Pas përfundimit të luftës eshtrat e tyre janë gjetur nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë. /PrizrenPress.com/

Rummenigge: Real Madrid është numri një

0

Karl-Heinz Rummenigge tashmë e ka një sy dhe një vesh nga çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, ku Bayern Munich do të përballet me Real Madridin.

Bosi i klubit gjerman foli për një duel gjigantësh, në kolonën e tij për revistën zyrtare të Bayernit, por u dorëzua në objektivin e caktuar: “Nëse ju më pyesni mua për rangun aktual të futbollit europian, menjëherë mund të them se Real Madridi është numri një. Reali është një mit, të gjithë e dinë dhe e pranojnë këtë gjë. Trofetë e shumtë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të fituar nga ky klub, përbëjnë rekord më vete, ndërsa galeria e yjeve që kanë veshur fanellën e bardhë nis nga Di Stefano e vazhdon deri te Cristiano Ronaldon. Sa për dy ndeshjet e Champions-it të Bayern Munich kundër “Los Blancos”, mendoj se faktori-trajner është në favorin tonë. Me Carlo-n në drejtim, ne mund të përballemi më mirë në këtë sfidë, që është më e vështira, deri më tani, këtë sezon. Ne jemi shumë të ngazëllyer që do të përballemi dy herë me këtë klub legjendë. Me tre artistë në sulm, Ronaldo, Benzema dhe Bale, me një qendër të fushës të pabesueshme, Modric-Kroos, si dhe një mbrojtje, që gjithashtu, di të luftojë ashpër, Real Madridi vazhdon të mbetet i njëjtë me atë që Carlo Ancelotti fitoi finalen e vitit 2014 të Champions-it, kundër Atletico Madrid.”

Marchisio: Iniesta, lojtari që admiroj te Barcelona

0

Claudio Marchisio ka shpallur Andres Iniestën, si futbollistin e Barcelonës, që ai respekton më shumë. Mesfushori katalanas ka pasur një karrierë të shndritshme, duke fituar katër tituj të Ligës së Kampionëve dhe tre Botërorë për Klubet me Barcelonën, si dhe Kupën e Botës e dy Kampionate Europiane me kombëtaren iberike.

Megjithatë, 32-vjeçari ka qenë disi në hijen e yjeve të tjerë në ekip, me Lionel Messin, që vazhdon të tërheqë më shumë vëmendje. Por Marchisio ka folur me admirim për yllin e Spanjës, duke këmbëngulur se ai është një lojtar me të vërtetë i veçantë, një plus i madh për Barcelonën.

“Lojtari i Barcelonës, që e admiroj më shumë, është Iniesta, pasi ai ka talent të pafund,” – ka thënë mesfushori italian për “JTV”.

Italiani do të ketë mundësinë për t’u përballur me Iniestën përsëri, kur të takohen në çerekfinalen e Champions-it, pasi e bënë këtë gjë edhe në finalen e këtij kompeticioni në vitin 2015, e cili e pa skuadrën nga “Camp Nou” të ngrinte një tjetër titull europian. Marchisio, megjithatë, thotë se skuadra e tij nuk është në kërkim të ndonjë hakmarrjeje:

“Edhe pse Liga e Kampionëve ka ardhur gjatë një kohe delikate në kalendarin e Seria A, adrenalina na jep energji të pabesueshme fizike dhe mendore. Ju nuk keni nevojë shumë për t’u përgatitur për një ndeshje kundër Barcelonës. Ky nuk do të jetë një shans për hakmarrje, pas finales së vitit 2015. Qëllimi ynë është për të arritur në finale e Cardiff-it dhe të fitojmë trofeun.”