Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veseli Gutaj, mbajti sot konferencën përmbyllëse të projektit “Avancimi i cilësisë në Komunën e Prizrenit”, ku u prezantua raporti nga vlerësimi rapid i shkollave, duke shpalosur të dhëna të vlefshme për përmirësimin e sektorit të arsimit.
“Ky projekt synon të ndërtojë një sistem arsimor më të fuqishëm dhe të përgjegjshëm, duke iu përgjigjur sfidave dhe nevojave të shekullit XXI,” deklaroi drejtoresha Gutaj gjatë fjalës së saj.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të shkollave, ekspertë të arsimit dhe zyrtarë komunalë, të cilët diskutuan hapat e ardhshëm drejt ndërtimit të një sistemi më gjithëpërfshirës dhe cilësor për gjeneratat e ardhshme.
Gjykata Themelore në Prishtinë, pas propozimit të prokurores speciale,, Merita Bina-Rugova ka konsideruar të lexuara deklaratat e dëshmitarëve, Alketa Sadiku dhe Hasime Idrizi, për çka paraprakisht mbrojtësi i të akuzuarit Dibran Hoxha, avokati Florent Latifaj e kundërshton duke pretenduar se shkelet parimi i gjykimit të drejtë.
“Aprovohet propozimi i prokurores speciale ashtu që lexohen deklaratat e dëshmitares Alketa Sadiku dhe Hasime Idrizi”, tha gjykatësi i rastit, Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht gjykatësi Krasniqi tha se gjykata ka dërguar ftesën për seancë përmes policisë por se dëshmitarët nuk janë gjendur në adresat e shënuara.
Për çka prokurorja Bina-Rugova propozoi që të lexohen këto deklarata duke pretenduar se kjo mundësi është e lejuar me dispozitat ligjore.
Këtë propozim të prokurores e kundërshtoi avokati Latifaj duke sqaruar se dëshmitarët duhet të ftohen në seancë e nëse dështohen të sigurohen prokurorja të heqë nga deklarata e dy dëshmitarëve.
Avokati Latifaj tha se tashmë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka ndërtuar standard që dëshmitarëve të mos u lexohet deklarata ku janë përmendur edhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Tutje, Latifaj shtoi se edhe vet Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka specifikuar se gjykimi i drejtë dhe në kohë të arsyeshme i referohet të drejtave të akuzuarit që të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve.
Gjithashtu edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë deklaruan se mbështesin deklarimet e avokatit Latifaj.
Më pas trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurores që të konsiderohen të lexuara deklaratat e dëshmitarëve dhe duke shtuar se gjykimi ndërpritet për të vijuar me seancat e radhës ku pritet të dëgjohen dëshmitarët.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.
Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.
Sot, në orën 17:00, në Rahovec zhvillohet ndeshja e parë e finales së Ligës së Parë të Kosovës në basketboll, mes KB Grapeland dhe KB KEK-u. Kjo përballje është pritur me interes të madh nga tifozët e të dyja skuadrave, raporton PrizrenPress.
Gjatë këtij sezoni, KB Grapeland dhe KB KEK-u janë takuar tri herë, me bilancin 2-1 në favor të KB Grapeland. Në xhiron e gjashtë, KB Grapeland fitoi në Obiliq me rezultat 85-74. Më pas, në finalen e Final 8 të Kupës së Ligës së Parë, KB Grapeland triumfoi bindshëm me rezultat 83-62, duke u shpallur kampion i Kupës. Në përballjen e fundit të sezonit të rregullt, KB KEK-u arriti fitore me rezultat 82-75 në Rahovec.
Finalet priten të jenë emocionuese, duke pasur parasysh traditën e pasur të Rahovecit në basketboll dhe përpjekjet e Obiliqit për të rikthyer lavdinë e dikurshme. Për këtë ndeshje, dyert e palestrës në sektorët Veri dhe Jug do të jenë të hapura për të gjithë tifozët, duke përfshirë edhe ata mysafirë./PrizrenPress.com
Gjoni Palokaj, një luftëtar i suksesshëm i arteve marciale të përziera (MMA), të shtunën në Dortmund, me përkrahjen e bashkëatdhetarëve të tij, pret fitoren e radhës. Të gjitha biletat për ngjarjen janë shitur 48 orë para meçit. Diaspora shqiptare është shumë e interesuar të ndjekë ngjarjen nga afër dhe të mbështesë Palokajn.
Gjoni Palokaj është një luftëtar profesionist shqiptar i arteve marciale të përziera (MMA). I lindur më 13 shkurt 1995 në Hanover, Gjermani, me prejardhje nga fshati Velezh i Prizrenit, ai garon në kategorinë e peshës pendël (66 kg) dhe ka një rekord profesional prej 10 fitoresh dhe 3 humbjesh.
Gjoni filloi rrugëtimin e tij në MMA nën udhëheqjen e xhaxhait dhe trajnerit të tij, David Palokaj, themelues i Fightschool Hannover. Davidi ka një karrierë të pasur në MMA, Luta Livre BJJ dhe boks, me eksperiencë të gjerë stërvitore në Brazil, të cilën e ka përcjellë me sukses te Gjoni.
Në vitin 2023, Gjoni nënshkroi kontratë me OKTAGON MMA, një nga organizatat më të mëdha të MMA-së në Evropë. Ai ka shënuar fitore të rëndësishme në këtë organizatë, përfshirë një fitore me vendim unanim kundër Karol Ryšavý më 9 nëntor 2024. Aktualisht, ai është në një formë shumë të mirë dhe po pret me entuziazëm përballjen e tij të ardhshme me Novakun në Oktagon 69./PrizrenPress.com
Sonte, në ora 19:00, në palestrën “Karagaçi” në Pejë, do të zhvillohet ndeshja e dytë gjysmëfinale të Play-Off-it të Superligës së Femrave, përcjell PrizrenPress.
KBF Bashkimi, pas fitores bindëse 127:55 ndaj KBF Penzës në ndeshjen e parë gjysmëfinale, kërkon të mbyllë serinë dhe të sigurojë vendin në finale.
Nga ana tjetër, Penza synon të reagojë dhe të mbajë gjallë shpresat për kualifikim./PrizrenPress.com
Mundësitë që ofron Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren për studentët e rinj janë prezantuar nga Qendra e Karrierës dhe Alumnit para nxënësve të Gjimnazit “Loyola”.
Në kuadër të këtij aktiviteti, nxënësit e gjimnazit janë informuar për programet e studimeve, mundësitë për bursat studimore dhe aktivitetet tjera dedikuar studentëve, raporton Telegrafi.
Takimi, sipas njoftimit, është hapur nga Milot Krasniqi, i cili ka theksuar rëndësinë e edukimit të lartë dhe mundësitë që universiteti ofron për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve. Gjithashtu ka prezantuar programet e ndryshme të studimit, të cilat sipas tij “janë të dizajnuara për t’iu përshtatur kërkesave të tregut të punës dhe nevojave të studentëve”.
Ndërkaq Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Serdan Kervan, ka paraqitur mundësitë e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe rëndësinë e tyre për studentët që kërkojnë të zhvillojnë karrierën e tyre në një shkallë globale. Ajo ka vënë në pah mundësitë e shkëmbimit dhe përfitimin e njohurive nga universitetet partnere, raporton Telegrafi.
Përfaqësueset e Parlamentit Studentor, Bleona Buduri dhe Samire Karavidaj, kanë ndarë përvojat e tyre si studente të këtij universiteti, duke theksuar mundësitë që studentët kanë për të zhvilluar aktivitete të ndryshme jashtë programit akademik.
Të pranishmit, sipas njoftimit nga Qendra e Karrierës dhe Alumnit, janë njoftuar për mundësitë e ndryshme të bursave, që janë të hapura për studentët e merituar, përfshirë ato bazuar në suksesin akademik. /Telegrafi/
Dy herë ishte planifikuar që drama “Gjashtë kundër Turqisë” të shfaqet në teatrin e qytetit të Prizrenit. Por të dyja shfaqjet janë anuluar. Autori Jeton Neziraj fajëson për këtë Turqinë.
Një teatër i rinovuar, por bosh
Teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren është rinovuar së fundmi dhe shkëlqen në pamjen e tij të re. Një rrugicë e shkurtër e lidh atë me urën e vjetër prej guri, një nga pamjet më të fotografuara të këtij qyteti piktoresk në jug të Kosovës.
Megjithatë 380 karriget e reja veshur me kadife të kuqe mbetën të papërdorura dy herë, një herë në dhjetor të vitit 2024 dhe herën e dytë në mars 2025. Në të dyja rastet ishte planifikuar të shfaqej drama “Gjashtë kundër Turqisë” e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj.
“Që nga momenti kur teatri njoftoi për këtë shfaqje, ai u bë shënjestër e sulmeve, e kërcënimeve dhe e presionit nga persona të ndryshëm në rrjetet sociale”, tregon Neziraj. Sipas tij, kërcënimet erdhën nga minoriteti turk në Prizren.
Një nga zërat kundër shfaqjes ishte Ertan Simitçi, anëtar i asamblesë komunale dhe kryetar i partisë së vogël turke “Levizja Novatore”. Ai i ka dërguar një letër kryetarit të bashkisë së Prizrenit ku kërkon ndalimin e shfaqjes, me argumentin se ajo ishte kundër interesave të Turqisë.
Por presioni nuk erdhi vetëm nga komuniteti turk i Prizrenit. “Kryetari i Prizrenit u vizitua nga Konsullata Turke në Prizren dhe nga Ambasada Turke në Prishtinë”, thotë Neziraj, duke shtuar se beson se ata i kërkuan atij ta ndalonte shfaqjen.
Një komunitet me lidhje të forta me Turqinë
Prizreni është qyteti i dytë më i madh i Kosovës, me rreth 90,000 banorë. 10% e popullsisë janë turq etnikë, të cilët kanë një histori 500-vjeçare në këtë qytet. Marrëdhëniet e tyre me Turqinë janë shumë të afërta – në vitin 2015, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u shpall “qytetar nderi” i Prizrenit.
Historia e gjashtë mësuesve turq
Drama e Jeton Nezirajt “Gjashtë kundër Turqisë” bazohet në një ngjarje të vërtetë që tronditi Kosovën në vitin 2018. Gjashtë mësues turq, të cilët jepnin mësim në një shkollë të financuar nga lëvizja e Fethullah Gülen, u arrestuan në Prishtinë dhe u dërguan në Turqi.
Turqia e fajëson Fethullah Gülenin për tentativën për grusht shteti në vitin 2016 dhe i ka përndjekur mbështetësit e tij. Dhjetëra-mijëra vetë janë burgosur dhe pasuritë e tyre janë konfiskuar.
Edhe gjashtë mësuesit e deportuar nga Kosova u burgosën në Turqi. Ngjarja shkaktoi zemërim ndërkombëtar, dhe OKB-ja kërkoi lirimin e tyre të menjëhershëm. Në Kosovë pas skandalit, ministri i Brendshëm dhe shefi i Shërbimit Sekret u detyruan të japin dorëheqjen.
Në dramën e tij Neziraj trajton këtë rast, por thekson se kritika e tij nuk kufizohet vetëm tek Turqia. Ai shprehet se e ka shkruar këtë vepër për të denoncuar “shtetet autoritare dhe qeveritë që shtypin qytetarët e tyre përmes dhunës dhe terrorit”.
“Demokracia është si një tramvaj”
Pavarësisht mesazhit më të gjerë të dramës, lidhja me Turqinë është e qartë. Në vepër, një nga personazhet kryesore, i quajtur “Tayyip Efendi”, thotë: “Demokracia është si një tramvaj – zbret kur arrin në destinacion.”
Kjo është një deklaratë e vërtetë që Erdogan e ka bërë në vitin 1998, kur ishte kryebashkiak i Stambollit. Për këtë atë e dëbuan nga posti dhe e burgosën për 10 muaj. Sot Erdogani është në pushtet prej më shumë se 20 vjetësh dhe i godet kritikët e tij me dorë të fortë.
Aktorët u larguan nga frika e arrestimit
Neziraj kishte planifikuar që në shfaqje të merrnin pjesë edhe aktorë turq, por ata e braktisën projektin nga frika se mund të arrestoheshin në Turqi.
“Dy aktorë turq, një nga Stambolli dhe një nga Berlini, pasi lexuan skenarin e parë, vendosën të largohen nga projekti. Ata kishin frikë se do t’i burgosnin pas shfaqjes”, tregon ai.
E suksesshme në Prishtinë, e ndaluar në Prizren
Drama është shfaqur me sukses dhe pa asnjë protestë në Prishtinë, në një teatër privat. Por në Prizren, gjithçka është ndryshe.
Komuna e Prizrenit mohon se ka ndërhyrë për ndalimin e shfaqjes. “Programimi i shfaqjeve dhe menaxhimi i aktiviteteve artistike janë përgjegjësi ekskluzive e teatrit”, thuhet në deklaratën e komunës. Megjithatë Neziraj nuk ka shpresë se do të ketë një datë të re për shfaqjen. “Edhe nëse e planifikojmë përsëri, ata do të gjejnë gjithmonë një arsye për ta ndaluar”, thotë ai. Tani ai është duke kërkuar një teatër alternativ në Prizren, ndaj të cilit kryetari i komunës dhe përfaqësuesit turq nuk kanë ndikim.
“Censura nuk ka vend në teatër”
Flamur Krasniqi, punonjës i teatrit të qytetit, është i zhgënjyer. “Mezi po e prisja këtë shfaqje, veçanërisht sepse kemi një komunitet të fortë turk në Prizren. Nuk besoj se të gjithë turqit e Prizrenit ndajnë të njëjtin mendim me Erdoganin ose politikanët e Turqisë.”
“Teatri është vendi ku duhet të diskutohen ide të ndryshme, revolta dhe debate. Nëse ka censurë në teatër, atëherë pse ekziston si institucion?”, thotë ai.
Edhe Mergim Çobanaj, i cili banon pranë teatrit, mendon se qeveria e Kosovës tregoi dobësi përballë presionit turk. “Turqia është mysafire në këtë vend, nuk ka të drejtë të ushtrojë presion. Kjo shfaqje duhet të jepet.”
Ministria e Kulturës e Kosovës dhe Ambasada Turke në Prishtinë nuk dhanë përgjigje për këtë çështje, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga DW.
“Është raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë brenda shtëpisë së ankuesit mashkull kosovar ku kishin demoluar dhe nga aty dyshohet se kanë marrë dy armë zjarri për të cilat kishte leje përkatëse. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.