13.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Ekzekutivi i ri, më së shumti dy vjet

Ndonëse akoma nuk kanë filluar negociatat zyrtare në mes të partive politike për formimin e qeverisë së re, madje me shumë pikëpyetje, nëse do të bëhet apo jo për shkak të ndasive të mëdha politike, analistët theksojnë se çfarëdo improvizimi artificial, që do të bëhet si formë eventuale e marrëveshjes për bashkëqeverisje, për ta anashkaluar edhe një model të ri të krizës së vitit 2014, qeveria e krijuar pas zgjedhjeve të 11 qershorit, do të jetë qeveria më jetëshkurtër në historinë e Kosovës.

Parashikimet e analistëve janë se kjo qeveri do ta ketë vështirë të mbijetojë edhe maksimalisht 2 vite në pushtet, por gjëja e parë, që mund të bëjë kjo qeverisje e brishtë do të jetë interesi se kush do ta “msitnojë” ‘Trepçën’ më shpejt për ta shitur edhe atë, si pasuria e vetme me vlerë që ka mbetur në vend. Qeveria e re mund të rrezikohet jo vetëm nga mungesa e stabilitetit të brendshëm politik, por shpërbërja e saj e shpejtë mund të vijë edhe pas arrestimeve të para nga Gjykata Speciale, gjë që vendin e presin përsëri zgjedhje të reja parlamentare si zgjedhje të parakohshme.

Prof. Muhamet Kelmendi konsideron se në kushtet e funksionimit të një shteti normal dhe stabil, pas çdo procesi zgjedhje, qofshin ato zgjedhje të rregullta, apo të jashtëzakonshme, qeveria do të duhej të ndërtohet për një periudhe kohore prej një legjislature të plotë kushtetuese, por në shtetin e Kosovës nuk është plotësuar akoma një i tillë, dhe lojën për këtë kryesisht e ka luajtur PDK-ja.

PDK-ja i rrëzoi qeveritë e veta

Sipas Kelmendit, që nga shpallja e pavarë- sisë së Kosovës, pas shumë palë zgjedhjesh që është krijuar qeveria, nuk u ka përballuar kohës prej katër viteve. “PDKja çdo qeveri të krijuar e ka shpërbërë sipas interesit të vet, dhe nuk ka lejuar qeveri deri në fund të mandatit. Kështu është bërë me LDK-në fill pas shpalljes së shtetit të Kosovës, të cilën pas tri viteve e ka shpërbërë. Edhe me AKR-në e zgjidhi para tri viteve dhe tash me LDK-në. Kemi kështu një parti, që nuk shikon interesat e shtetit, por të vetat, përkatësisht të klikave që i ka dhe natyrisht se ka mundësi, madje shumë të mëdha, që edhe pas këtyre zgjedhjeve paraprakisht të shkojmë në zgjedhje. Unë këtë nuk e dua. Nuk e dëshiron askush nga qytetarët në Kosovë, por kjo nuk varet nga këto forca. Mirëpo, për aq sa njihen nuk pritet diçka tjetër”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Ndërsa, sipas analistit Haki Abazi, jetëgjatësia e qeverisë së re do të varet, varësisht se si do të jetë kompozicioni i qeverisë së re, dhe vetëm mbi atë bazë mund të konkludohet se çfarë qëndrueshmërie në vota do të ketë. “Një qeveri që varet nga Lista Serbe do të jetë vështirë funksionale dhe do ta sabotojë vetveten apo do të jetë e detyruar që të bëjë kompromise të dhimbshme që e thellon krizën politike dhe ekonomike në vend. Në këtë rast gjithashtu do të ketë një opozitë të fuqishme, që dosido do të sjellë përplasje të mëdha dhe me një përfundim të paparashikueshëm, që do të jenë zgjedhjet e reja. ‘Trepça’ është një prej çështjeve të nxehta, por ka edhe të tjera, siç janë demarkimi i kufijve, liria e lëvizjes, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, lëvizja e lirë e qytetarëve, krijimi i ushtrisë etj.”, ka vlerësuar Abazi për gazetën “Kosova Sot”.

Më Shumë

LDK-ja u vendos “vija të kuqe” të gjitha partive politike për koalicione parazgjedhore

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se ka qenë kryeministri Albin Kurti ai që ka ofruar të shpërndahet Kuvendi,...

Aksidenti me fatalitet në Suharekë, shoferja dyshohet se nga pakujdesia kaloi në shiritin e kundërt dhe u godit me motoçikletën

Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka dhënë detaje lidhur me aksidentin me fatalitet që ndodhi të dielën në Shirokë të Suharekës, ku për...

Lajmet e Fundit