19.8 C
Prizren
E hënë, 16 Qershor, 2025
Home Blog Page 5962

“Thaçi Brothers & Co, ktheje pasurinë e vjedhur”

0

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! zhvilluan një aksion simbolik në lidhje me marrëveshjen e dëmshme të demarkacionit me Malin e Zi.

Në këtë aksion që u krye afër banesës ku jeton presidenti Hashim Thaçi, ata në disa pankarta kanë shkruar “Thaçi Brothers & Co, ktheje pasurinë e vjedhur, mos e fal tokën e Kosovës”.

Aktivistja Teutë Rrusta tha se Thaçi nuk mund ta falë tokën e Kosovës, madje ai duhet ta kthejë pasurinë e vjedhur bashkë me vëllezërit e tij.

“Sot kemi ardhur në një pikë që nuk kemi pse i diskutojmë faktet që dëshmojnë humbjen e një pjese të territorit të Kosovës nga marrëveshja për demarkacion. Ajo çfarë duhet vënë në pah vazhdimisht është lidhja në mes të fatit të Hashim Thaçit në politikë përmes faljes së territorit”, tha Rrusta.

Hashim Thaçi ka shumë prona, pasuri e rrjet të organizuar për këtë gjë. Në ndërkohë që ai fal tokë të Kosovës që të bëhet president, dhe nuk e pranon gabimin në mënyrë që të vazhdojë të jetë president. Ndërkohë, atij i duhet të mbetet president që të mos jetë prapa grilave.

“Thaçi e përdor pozitën e Presidentit për t’u arratisur nga burgu”, shtoi ajo.

Qeveria Mustafa, nga dy kushtet kryesore për liberalizim përmend vetëm njërin, atë të demarkacionit, por kushti tjetër nga BE-ja është luftimi i korrupsioni dhe krimit të organizuar.

Nuk do të lejojmë, në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim që të ratifikohet kjo marrëveshje. Ne do ta përdorim tërë kapacitetin tonë mendor e organizativ për ta penguar një gjë të tillë.

Punonjësi i skenës – ylli i festivalit

0

Nico Terrein, një teknik i ekipit që merret me dritat në Festivalin e Garorock në Marmande të Francës është kthyer në yllin e show-it para mijëra personave.

Ai kishte dalë në skenë dhe po komunikonte me shenja me pjesën tjetër të ekipit për të përcaktuar edhe ndriçimin, por turma filloj ta imitonte në çdo lëvizje.

https://youtu.be/abGGoceFMUM

El Chapo mund të jetë arratisur sërish

0

Në Meksikë qarkullon prej ditësh si thashetheme, por ka nga ata që e bejnë të sigurt. Bosi i narkotrafikut El Chapo Guzman mund të jetë arratisur për herë të tretë nga burgu. Ende lajmi nuk konfirmohet zyrtarisht, por sipas “Daily Star” lajmi ka mbushur rrjetet sociale.

El Chapo është dënuar me 20 vjet burg në vitin 1993 për vrasje dhe trafik droge.

Herën e parë u arratis në vitin 2001 ku arriti të korruptojë disa gardianë të burgut të sigurisë së lartë ku ai vuante dënimin.

Qeveria e SHBA ofroi 5 milionë dollarë për gjetjen e tij. Ai u arrestua në vitin 2014 në një tunel. Sërish ai u arratis me anë të një tuneli.

Tani ai është transferuar në një burg të sigurisë së lartë në kufi me SHBA-të, por janë të shumtë ata që besojnë se ai ka ikur sërish nga qelia.

Ballkani do të përballet gjatë me radikalizmin

0

Luftëtarët e huaj të grupit militant, Shteti Islamik, i përbëjnë edhe qindra qytetarë nga Ballkani. Disa prej tyre janë vrarë në zonat e luftës në Irak dhe Siri, të tjerë janë kthyer.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Joby Warrick, libri i të cilit “Flamujt e Zinj – Rritja e ISIS-it”, ka fituar çmimin Pulitzer, çmimi më i lartë në gazetarinë amerikane, tregon se çfarë i ka nxitur qytetarët e rajonit të Ballkanit t’i bashkohen organizatës më famëkeqe terroriste.

“Disa prej tyre janë ndikuar nga propaganda në internet, disa nga radikalizmi i ngadalshëm, i cili ka zënë vend në këto rajone gjatë 10-15 vjetëve të fundit. Këto janë zona që s’kanë pasur ndonjë lëvizje islamike ose krah radikal të Islamit, derisa nuk kanë nisur luftërat civile në vitet 1990”, thotë Warrick.

Në muajin mars, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se janë rreth 70 qytetarë nga Kosova, të cilët gjenden në vatrat e luftës në Siri dhe Irak.

Sipas shifrave zyrtare në Bosnje, 188 qytetarë të këtij vendi kanë shkuar për të luftuar në Siri – 50 prej tyre janë vrarë dhe 47 janë kthyer. Ngjashëm ka ndodhur edhe me dhjetëra qytetarë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia.

“Disa nga këta njerëz kthehen tani, pak të zhgënjyer, sepse nuk e kanë gjetur veten te Shteti Islamik. Megjithatë, ky është një problem, me të cilin Ballkani do të përballet për kohë të gjatë, sepse atje ka ndodhur një proces i radikalizmit, pjesërisht për shkak të Shtetit Islamik”, thotë Warrick, i cili flet edhe për origjinën e problemit në Kosovë dhe Shqipëri.

“Ka qenë ajo periudhë kohore në mes të viteve 1990, kur misionarë vahabi kanë shkuar në Shqipëri dhe në Kosovë për të ngritur xhami e medrese. Ata rekrutonin studentë të rinj dhe i dërgonin në Arabinë Saudite ose, në disa raste, në Turqi për trajnime fetare”.

“Disa nga këta individë janë kthyer në shtëpi dhe kanë ngritur xhamitë e tyre. Jam takuar me disa nga këta njerëz në burg në Shqipëri dhe ata janë në favor të ngritjes së mini-shteteve islamike në gjithë Ballkanin”, thotë Warrick.

Sipas tij, grupi militant Shteti Islamik, në formën që ka aktualisht, është rezultat i transformimit të një kryengritjeje të gjatë sunite, e cila ka pasuar pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003.

Warrick thotë se Shteti Islamik nuk daton nga viti 2014, kur ka nisur të pushtojë territore, porse farat e tij janë mbjellë më shumë se një dekadë më parë.

Warrick e lidh lindjen e tij me, siç thotë, gabimet që janë bërë kur SHBA ka ndërhyrë në Irak, “e papërgatitur për të menaxhuar një vend dhe e papërgatitur për të trajtuar konflikte etnike”.

Warrick thotë se në këtë mënyrë “është hapur dera për disa karaktere vërtet të këqija”, të cilat kanë nisur diçka që sot njihet si Shtet Islamik.

Grupit ekstremist, me kalimin e kohës, i janë bashkuar qindra shtetas të Azisë Qendrore dhe Rusisë dhe thuhet se rusishtja është gjuha më e folur nga militantët, pas arabishtes.

Warrick thotë se Shteti Islamik aktualisht numëron rreth 20,000 luftëtarë. /REL

Tri vajza dhe pronarja në pranga për prostitucion

0

Policia e Tiranës ka identifikuar dhe zbuluar një bar – restorant dhe hotel i cili mëse shumti përdorej edhe si shtëpi publike.

Policia arrestoi tri vajza që punonin si prostituta së bashku me pronaren e hotelit në Bërzhitë. Ky rrjet prostitucioni menaxhohej nga pronarja e hotelin në periferi të kryeqytetit.

Të arrestuarat gjatë operacionit “Deep 4” janë: A.SH-pronarja; S.H- 31 vjeç; A.H-24 vjeç dhe N.Z -39 vjeç.

Ushtria kineze përforcohet me aeroplanin masiv

0

Ushtrisë kineze i është shtuar një aeroplan i madh ushtarak, që është i pari i këtij lloji i ndërtuar në Kinë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kinës e ka quajtur këtë “si hap të rëndësishëm” për projeksionet ajrore të Kinës.

Aeroplani Y-20 mund të mbajë deri në 200 tonë dhe zyrtarisht hyri në shërbim të mekurën, shkruan CNN.

Ky aeroplan është i dizajnuar që të transportojë njerëz e mallra në distanca të gjata dhe në mot të vështirësuar.  Ai mund të fluturojë nga 4500 kilometra deri në 8 mijë kilometra, në varësi të peshës dhe sa është i mbushur.

Ky pritet të jetë hapi i parë i një plani për modernizimin e ushtrisë kineze./Insajderi.com

Udhëtim në Tiranë

0

Tiranë. Rrugë nën hijen e pemëve. Godina shumëngjyrëshe. Ngjyra për të fshehur mizerjen, për një jetë të re, një epokë të re. Kryebashkiaku i saj artist vendosi kështu, në fillim të viteve 2000. Prej atëherë, shiu, pluhuri i ndërtimeve dhe kalimi i viteve i kanë zbehur fasada e pikturuara. Megjithatë, ngjyrat mbizotërojnë gjithnjë në këtë qytet-dëshmitar lufte dhe diktature, dëshmitar i një tranzicioni që duket se kërkon të vazhdojë deri në përjetësi. Ngjyra, të cilat nuk përzihen me njëra-tjetrën, ashtu si artistët e këtij qyteti. Nga njëra anë, në Tiranë ka iniciativa të mrekullueshme artistike. Nga ana tjetër, sinergjia që do t’i përmblidhte këto iniciativa individuale në një skenë të mirëfilltë artistike, duket të mos jetë shfaqur ende.

Arsyet janë të shumta. Si fillim, artistët kanë përballë tyre një treg me potencial të ulët. Iniciativa private mungon tërësisht. Interesi i galerive dhe i koleksionuesve mbetet i përmbajtur dhe mbi të gjitha i drejtuar më tepër nga dëshira për të pasur, sesa për të vlerësuar. Rrethi i ngushtë i atyre që kërkojnë të investojnë në art, i ka sytë të kthyer nga skenat ndërkombëtare, si mënyra e vetme për t’i dhënë vlerë koleksionit të tyre. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë u përket, gjithashtu, edhe institucioneve publike, të cilat nuk u kanë dhënë arteve pamore hapësirën që meritojnë. Mjaft artistë ia kanë dalë të depërtojnë në skenën perëndimore dhe veprat e tyre kanë paraqitur më shumë interes jashtë vendit sesa brenda tij. Ky konstatim i ka bërë vetë artistët të jenë mjaft kritikë, një pozicionim që duket qartazi në shprehjen e tyre artistike dhe mbi të gjitha në mungesën e tyre të qëllimshme nga debati publik dhe evenimentet artistike të organizuara nga Ministria e Kulturës, e cila po tenton të kapë kohën e humbur.

Për t’iu rikthyer prodhimit të mirëfilltë artistik, vërejmë se kërkimi i një identiteti të vërtetë vazhdon, por mungesa e stabilitetit historik dhe politik, duket ta vështirësojnë këtë proces. Konfuzionin e krijuar e gjejmë pikërisht edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve: drejtori i saj, Artan Shabani, tenton të krijojë një linjë të re muzeore, për një koleksion të përbërë kryesisht nga vepra të realizmit socialist. Galeria nuk ka buxhet për blerjen e veprave bashkëkohore. Drejtori i saj pozon krenar përpara kamerave dhe mikrofonave, për fotografi që postohen në faqen e Galerisë në Facebook. Ai është njohës i mirë i Francës, i verës, i Rivierës franceze, por kur e pyesim për emrat e artistëve bashkëkohorë që kanë ekspozuar në Galeri, ai ndjen nevojën të konsultojë kompjuterin e tij dhe në vend të përgjigjes na nis një leksion historie të artit shqiptar, duke u nisur që nga epoka otomane. Duket të shprehë plotësisht edhe ai vetë këtë rrugëtim të vështirë drejt gjetjes së një identiteti. Piktori, ish-kryebashkiaku dhe aktualisht Kryeministri Edi Rama është i kudondodhur në organizimin e aktiviteteve artistike. Ndërkohë, këto aktivitete duket se përjashtojnë prodhimet e artistëve vendas. Në “Qendrën për hapje dhe dialog”(COD), e cila u përurua vitin e shkuar në ambientet e Kryeministrisë, Kryeministri ka ftuar artistë shumë të rëndësishëm si Philippe Parreno, Carsten Höller, Liam Gillick dhe Thomas Demande. Përveç ndërkombëtarit Anri Sala, asnjë artist tjetër shqiptar nuk ishte i ftuar në këtë aktivitet të kësaj qendre të re, e cila prezantohet sipas vetë Edi Ramës, si “një hapësirë ku kultura, politika dhe artet mund të bashkëjetojnë”. Vetë Rama ka pasur disa ekspozita personale në 2015-n. Njëra prej tyre ishte dhe ekspozita e tij në galerinë “Michael Schultz”, në Berlin, ku u ekspozuan jo më pak se 115 vepra të artistit të kthyer në politikan. Iu drejtuam kështu artistëve vendas, për të kuptuar më mirë gjendjen e tyre. “Pasi realizmi socialist nuk ishte më i imponuar si stil, skenën artistike e kapi një nxitim për t’i treguar Perëndimit se edhe ne dinim të bënim si ata”, pranon artisti Alban Hajdinaj. “Dhe është pikërisht ky nxitim, ky padurim, që e bëri prodhimin tonë artistik sipërfaqësor dhe jopersonal. Këtë gjë e kam kuptuar me kohën”, vazhdon ai. Që atëherë, qëllimi i tij artistik iu kthye brendësisë. Në rrugëtimin e tij introspektiv, ky artist, i cili ka përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen e Venecias dhe ka ekspozuar në Qendrën Pombidou, në Paris, nuk resht së ngrituri pyetje mbi ekzistencën e mirëfilltë të elementëve që përbëjnë kulturën shqiptare dhe arsyet e kësaj ekzistence. “Kam përshtypjen se, edhe pas dyzet vitesh rrënimi në artin që ne prodhonim, ne nuk e kuptuam atë çka në të vërtetë është realizmi socialist”. Kësaj çështjeje ai tenton t’i përgjigjet përmes veprës së tij të fundit “Realizëm Socialist Antikomunist” (2015). Për t’iu përballur një nevoje jo shumë të argumentuar, gjatë dekadës së fundit, sheshet dhe rrugët e Shqipërisë u mbushën me monumente, në homazh të ngjarjeve historike ose personazheve që kanë luajtur rol të rëndësishëm në rezistencën antikomuniste. Megjithatë, artisti vëren se stili i këtyre veprave mbetet ai i realizmit socialist, i përdorur në atë kohë në lavdi të heronjve komunistë. A jemi çliruar, pra, nga ky zhanër, nga idetë dhe mesazhet e tij? Artisti nuk e ngre këtë pyetje. Përmes fotografive që thjesht dëshmojnë ekzistencën dhe stilin e këtyre veprave, ai konstaton një përgjigje, e cila do të jetë e vlefshme vetëm nëse pyetja bëhet publike. “Është çështje identiteti”, pranon ai.

Këtë identitet të paqëndrueshëm, ai e dokumenton në videon e tij “Alisa dhe Sara” (2006), e cila na prezanton me dy vajza të vogla në kopshtin e shtëpisë së tyre. Vajzat luajnë duke recituar me përpikëri vargjet e Kuranit, megjithëse nuk kuptojnë asnjë fjalë të tyre, dhe menjëherë më pas luajnë catch, disiplinën spektakolare amerikane, të cilës ia njohin të gjithë lojtarët dhe stilet. Vepra e Hajdinajt është e mbushur me kontraste të tilla, të cilat formësohen vetëm nëse ndeshen me reflektimin e spektatorit. Ky qëllim paraqitet qartazi në veprën e tij “Back Side Collection” (2009), ku ai ekspozon një pjesë të koleksionit të përhershëm të Galerisë kombëtare, mbrapsht, me shpinë nga publiku, duke u pozicionuar kështu në mënyrë mjaft skeptike, mbi vlerën dhe identitetin e këtij koleksioni, por dhe të prodhimit artistik të vendit të tij, të cilin nuk e konsideron si të sinqertë me të shkuarën dhe të ardhmen e tij. Në këtë vepër qartazi politike, artisti zgjedh “anën tjetër”. Ai zgjedh të mohojë këtë kulturë, por dhe etiketimet zyrtare, duke propozuar “të mbrapshtën” e tyre. Vetë ai, duket t’i ketë kthyer kurrizin angazhimit kolektiv, fajtor, sipas tij, për një qëndrim që shtiret sikur interesohet për artin. Ai mbetet shumë kritik mbi punën e kryer nga institucionet dhe shumë skeptik për sipërmarrjet e reja. “Unë përqendrohem në punën time personale”, thotë Hajdinaj. “Kuptova shumë shpejt që në art nuk mund të flitet për karrierë, sidomos në Shqipëri, ku strukturat nuk ekzistojnë. Është politika dhe mediat ato që ndërtojnë karriera, dy elemente që unë si individ, i kam mohuar prej kohësh”. E megjithatë, në atë çka ai nuk do ta quajë “karrierë”, ai ka hasur personazhe të rëndësishme të artit botëror, si kuratori Harald Szeemann, tek merrte pjesë në ekspozitat e tij. “Pas bashkëpunimit tonë të parë, ai më ftoi dhe në ekspozita të tjera, por u largua shumë shpejt nga jeta”, pranon me keqardhje artisti.

Një artist tjetër konceptual shumë interesant, Gentian Shkurti është përzgjedhur gjithashtu në mjaft takime artistike, pas paraqitjes së tij në një prej ekspozitave të fundit të Szeeman-it, “Blood and Honey”. Në kundërshtim me introspektivën e Hajdinajt, ngacmimet e Shkurtit orientohen drejt impaktit të artit mbi të tjerët. Video e tij “Colorblind” (2004) u projektua në Qendrën Pombidou, në 2011-n, krah filmit “Give me the colours” të Anri Salës, gjatë ekspozitës “Premtimet e së shkuarës”. Ndërkohë që Sala flet për transformimin e Tiranës në një qytet plot ngjyra, nga piktori-kryebashkiak i saj i famshëm, Shkurti mundohet t’ia tregojë ndryshimin e madh një daltoniani, përmes të bardhës dhe të zezës. Me këtë vepër kontestuese, artisti nuk i kundërvihet vetëm punës së kryebashkiakut Edi Rama. Ai kundërshton, mbi të gjitha, profesorin tij gjatë viteve të studimeve në Akademinë e Arteve. “Ka qenë profesori më i mirë që kam pasur,” pranon Gentiani. “Na propozonte gjëra të tjera, larg konformizmit didaktik të kohës. Tashmë ai është kryeministri Rama. Jam i bindur se profesori im Edi, do të ishte kundërshtari i tij më i fuqishëm”.

Ngjyrat si simbole, por gjithashtu si mënyrë e të shprehurit, duket të jenë në qendër të punës së artistit. Gentiani ka përfaqësuar gjithashtu Shqipërinë në Bienalen e Venecias, me veprën e tij “Pikturë Demokratike” (2011). Një titull befasues për një vepër arti. Ngjyrat e përdorura në të reflektojnë me përpikëri rezultatin e një sondazhi të kryer nga artisti mbi ngjyrën e preferuar të pjesëmarrësve në këtë sondazh.

Gentiani na rrëfen histori të shumta, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë naivitetin e kontakteve të para mes artit shqiptar dhe hapësirës perëndimore. “Në vitin 2003, puna ime u përzgjodh në Festivalin e Locarno-s. Në vend të isha i pari që do vraponte për në këtë festival, unë thjesht dërgova veprat dhe vetë qëndrova në Tiranë, për të vazhduar montazhin në kanalin televiziv ku punoja. Vetëm pas përfundimit të festivalit, kuptova se çfarë kisha humbur”. Thotë plot auto-ironi ky artist, veprat e të cilit janë tejet prekëse.

Artisti nuk ngre pyetje primare. Përkundrazi, ai heton vërtetësinë e çdo përgjigjeje që paraqitet si e padiskutueshme. Kështu, ai prezanton veprën “Vargje Patriotike” (2004), në të cilën një aktor duket të ketë ereksion gjatë kohës që reciton disa poema patriotike. “E përse jo?” pyet artisti. Vepra e tij e fundit, ende në vazhdim e kthen Shkurtin drejt fëmijërisë së tij, e cila i vjen në ndihmë për të arritur një stampim natyral të autoportretit të tij, mbi një gjethe mullage, përmes reaksioneve të ndryshme të klorofilit. Me siguri ka qenë ky ngacmim i fëmijërisë që solli dhe veprën “Conform” (2015), të cilën artisti ia ka dorëzuar para pak kohësh koleksionit “Imago Mundi” të themeluesit të markës omonime, Luciano Benetton.

Ledia Kostandini është një artiste tjetër që na tërheq vëmendjen. Kostandini ka braktisur studiot dhe përshkon fshatrat e Shqipërisë, në kërkim të hapësirave për instilacionet e saj. “E kam ndier shumë herët nevojën për t’iu larguar tendencave artistike, që të mund të propozoj vepra, për mendimin tim, më të sinqerta dhe më pranë njerëzve”, thotë artistja. Ndaj dhe e hasim tek endet maleve ose arave të braktisura, ku ajo ndërhyn në peizazh me instilacionet e saj, shpeshherë me ngjyra fluo, që simbolizojnë falsen dhe industrialen. Në këtë iniciativë, sfida e saj kryesore është shpjegimi i qëllimit të saj artistik banorëve ose pronarëve të terreneve që ajo përzgjedh. “Mbetet shumë e vështirë të flasësh për art bashkëkohor me njerëz që janë rritur larg jetës moderne, duke pasur si element të vetëm artistik muzikën që thurin vetë. Një herë më është dashur t’u shpjegoj disa pronarëve në tri minuta çfarë është arti dhe përse kisha përzgjedhur terrenin e tyre, ndërkohë që ata përlesheshin me asistentin tim, pasi mendonin se kishim ardhur për t’iu rrëmbyer terrenin. Si përfundim, u bëmë miq dhe ata ishin krenarë për transformimin e ndërtesës së tyre të braktisur në një instalim që tashmë vizitohet nga publiku dhe është shfaqur në botime ndërkombëtare”. Këta njerëz, artistja i quan “bashkëpunëtorë”, të cilët kontribuojnë njësoj sa ajo në veprën përfundimtare. “Jam shumë e tërhequr”, shpjegon ajo “nga arti spontan, i krijuar në mënyrë të pandërgjegjshme ose rastësore. Puna ime është të evidentoj atë çka ekziston, por dhe ta vendos atë në kontekste të reja”. Pas një rezidence artistike në Nju Jork, ajo kthehet në Shqipëri duke pasur në valixhe një pasqyrë të gjetur përtokë e që i tregon qiellin përpara këmbëve të saj. Këtë pasqyrë, artistja e përdor për serinë e saj When I look into the mirror (2014), ku ajo propozon mbivendosjen e imazheve që përballen. Prodhimi final mbetet fotografia, jo si formë e të shprehurit artistik, por si një dëshmi e veprës.

Mungesa e strukturave kushtuar artit është më se e qartë në Shqipëri dhe përbën një burim demotivimi për artistë të shumtë. Nëse një pjesë e tyre e kalojnë kohën duke shprehur, verbalisht dhe jo në vepra, keqardhjet për këtë situatë, talente të vërteta ushqehen nga kjo atmosferë për të krijuar një art që të shkakton reflektime thelbësore. Megjithatë, nevoja për mbështetje institucionale mbetet flagrante. Mjaftoi që Ministria e Kulturës të investonte në një pavijon më mirë të vendosur në Bienalen e Venecias 2015, dhe Shqipëria, e përfaqësuar nga Armando Lulaj, me veprën e tij “Albanian Trilogy”, u rendit mes pesë pavijoneve më të mira: një premtim i bukur për një vend, i cili ka shumë për t’i ofruar skenës kombëtare dhe ndërkombëtare.

* Marrë nga revista franceze për artin bashkëkohor “Prussian Blue”/Shqip

Mersini-Hougton në DOKU:TECH

0

DOKU:TECH Edicioni Special mirëpret Laura Mersini-Houghton, kozmologen shqiptaro-amerikane, e cila do të prezantoj teorinë e saj mbi Multiuniversin- teoria e pakrahasueshme e universit tonë si univers paralel me shumë të tjerë, të cilën ajo e ka mbrojtur përballë shkencëtarëve me ndikim global si: Michio Kaku, Neil Turok dhe Andrei Linde.

Laura Mersini-Hougton është kozmologe dhe fizikante teorike, profesoreshë e asociuar në Univerzitetin e North Carolina në Chapell Hill. Ajo është mbështetëse e teorisë së multiverseve, e cila thotë se universi ynë është vetëm një nga shumë të tjerë që na rrethojnë. Ajo ka argumentuar se anomalitë strukturale në universin tonë më së miri shpjegohen nga tërheqjet gravitacionale të ushtruara nga universet tjera. Mersini-Houghton kreu bacherlorin e saj në Univerzitetin e Tiranës, Shqipëri, dhe Masterin në Univerzitetin e Maryland. Ajo u doktoratua në vitin 2000, nga Univerziteti i Wisconsin-Milwaukee.

DOKU:TECH Edicioni Special po ashtu do të shpalos programin për DOKU:TECH-un e sivjetmë, folësit të cilët janë po thuajse në rrugën e tyre për në Prizren, të gatshëm të ndajnë përvojat e tyre me audiencën dhe t’i sfidojnë mendjet e tyre, si dhe të gjitha përgatitjet e ekipit rreth organizimit të kësaj konference.

“DOKU:TECH solli folës të rangut botëror për t’u bashkuar me mendjet më të ndritura në teknologji nga gjithë regjioni Ballkanik.” – Elizabeth Stark, Stanford, Ligjëruese në Yale, Themeluese e StartBitcoin./

Shuhet piktori Vilson Kilica

0

Vilson Kilica, një nga emrat më të njohur të arteve pamore në Shqipëri ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 84-vjeçare.

Ai është një nga krijuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare që fillon nga viti 1950 e deri në ditët tona, sidomos për periudhën e gjatë të viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Mbas studimeve në Akademinë e Artit në Leningrad, Vilson Kilica kthehet në atdhe për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në kulturën dhe artin shqiptar. Kilica ishte themeluesi dhe dekani i parë i Institutit të Arteve në Shqipëri – sot Universiteti i Arteve. “Piktori i Popullit”, Kilica i përket brezit të nderuar të artistëve të artit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX. Emri dhe vepra e tij do jenë pjesë e historisë së arteve pamore shqiptare. Vepra e tij krijuese ruhet dhe ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, në GA, Fier; në koleksionin e familjes dhe në koleksionistë privatë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ndodhen 40 vepra të piktorit të viteve 1960-1989. Veprat e artistit janë pjesë e linjës aktuale muzeore të GKA-së.

“U nda nga jeta Piktori i Popullit, Vilson Kilica, mik i shtrenjtë dhe i paharrueshëm që jetoi me ngjyrat duke e ndarë bujarisht dijen e tij me të rinjtë”, do të shkruante në faqen e tij në “Facebook”, Kryeministri Edi Rama.

Valencia do kthimin e Matas

0

Valencia është duke menduar që ta rikthej ish-yllin e tyre, Juan Matan, raportojnë mediat spanjolle.

Mata gjatë kësaj verë do të largohet nga Manchester Unitedi, pasi që Jose Mourinho nuk llogaritë në shërbimet e spanjollit.

Sipas mediave iberike, drejtuesit e klubit nga ‘Mestalla’, janë duke përgatitur ofertën për Mata-n, i cili pikërisht nga Velancia ishte transferuar në Angli.

Spanjolli është i gatshëm të pres gjitha ofertat, por duket se lojtari preferon rikthimin tek Valencia.