12.3 C
Prizren
E martë, 11 Nëntor, 2025
Home Blog Page 6028

Dosja e Shefave XXVI: Frikësimi i drejtorit të PTK-së

0

Hashim Thaçi, Besim Beqaj e Adem Grabovci kishin vendosur që në krye të PTK-së të sillnin, Nuredin Krasniqin. Por, Krasniqi duhej të zbatonte urdhrat e atyre që po e sillnin në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit. Ai, nuk do të guxonte të merrte asnjë vendim. Para emërimit, Grabovci e kishte ftuar Krasniqin në zyrë. Sipas përshkrimit të vetë Grabovcit, Krasniqi ishte i frikësuar.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të PTK-së, nuk do të guxonte të merrte asnjë vendim pa lejen paraprake të Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt.

Nuredin Krasniqi, ishte zgjedhur për ushtrues detyre në vitin 2011 pas largimit të Shyqyri Haxhës nga kjo pozitë.

Caktimin e Krasniqit, e kishin bërë ish-kryeministri, Hashim Thaçi, ish-ministri i Ekonomisë, Besim Beqaj dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Këto veprime konfirmohen nga dy përgjime telefonike të Besim Beqajt me Adem Grabovcin, që Insajderi i sjell në serinë e XXVI-të Dosjes së Shefave.

Në serinë e XII-të të Dosjes së Shefave, Insajderi ka publikuar bisedën e parë për këtë çështje. Për të emëruar Krasniqin në krye të PTK-së, Grabovci e Beqaj kishin autorizime të plota prej Hashim Thaçit.

Beqajt i duhej mendimi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi, se kë do ta emëronte për ushtrues detyre të PTK-së. Ai, së bashku me Thaçin e Grabovcin do t’ia diktonin Bordit të PTK-së, që vazhdon të drejtohet nga Rexhë Gjonbalaj, emërimin e Nuredin Krasniqit për ushtrues detyre. Krasniqi është mik i afërt i Xhavit Halitit.

“Edhe ni çështje, nëse e sheh kta sot, kryeministrin… Nesër Bordi i PTK-së, duhet me marr vendim për ushtrues detyre”, thotë Beqaj.

“Okej okej, sot bisedoj me to”, i përgjigjet Grabovci.

“Bisedo me to, do të thotë jonë tri katër çështje t’cilat duheni me marr vendim sot që mos me…”, vazhdon Beqaj.

“Hajt se kur takohum bisedojmë bashkë jarani jem”, thotë Grabovci.

Kjo bisedë është zhvilluar më 12 dhjetor 2011. Një ditë më vonë, ata flasin për të njëjtën çështje.

“Qe unë, do biseda t’u i bo, qashtu qysh…, unë jom qashtu qysh bisedum dje, qysh ke bisedu ti edhe me atë dostin e unë e krejt…”, thotë Grabovci.

“Po de”, përgjigjet Beqaj.

Grabovci tregon se e ka thirrur në zyrë, Nuredin Krasniqi. Tregon se ai kishte frikë.

“E thirra edhe vetë kta, se kta u tutshin. N’zyrë e kom qitu… E, po ja thom edhe kti do, do llafe, se duhet…”, shton Grabovci.

Beqaj thotë se duhet të takohen sepse kështu ka urdhëru edhe shefi, duke aluduar tek Hashim Thaçi.

“Duhet me u taku edhe unë me to, se m’ka thonë edhe shefi… Edhe duhet m’i thanë që as ni vendim… Thuja, lirisht, as ni vendim. As ni hap gjatë ushtrimit t’detyrës, veç ka me ushtru detyrë”, kërkon Beqaj, teksa merr konfirmimin nga Grabovci.

“Okej, okej. Ani a del ti sot mrena dite, a qysh”, pyet Grabovci.

“Unë besoj që dal sot mrena ditës, po e kisha taku nëse dal, kah ora dy e kom ni takim…N’mujsha mu forcu deri qatëherë, po dal edhe e takoj pak”, vazhdon më tej, Beqaj.

“Ani, kah ora dy pe, pe lajm n’daq dalim n’drekë, bashkë”, përgjigjet Grabovci. /Insajderi.com

Policia: Vetëvendosje dje kishte përgatitur sulm terrorist

0

Policia e Kosovës dyshon se Lëvizja Vetëvendosje gjatë së enjëtës kur pritej të votohej Marrëveshja për Demarkacionin kishte përgatitur sulm terrorist.

Sipas raportit të policisë me vendim të Gjykatësit të procedurës paraprake ishin kontrolluar depo dhe lokale përcjellëse në një parking-depo, afër Termokosit në Prishtinë me C`rast kishin konfiskuar 56 canta krahu me mjete molotovi.

Bastisja ka ndodhur rreth orës 8:00, gjatë së cilës ishin konfiskuar çantat e krahut me shishe të ndryshme të mbushura me materie të lëngët e cila dyshohet te jete benzinë.

“7 çanta me kavanoza të mbushur me te njëjtën materie, 1 çante dhe një pako me shishe te zbrazëta, 5 bidona të plastikes 10 litërsh të mbushur me te njëjtën materie, 2. hinka, 30 shishe ngjyre pinku, të mbushura, 5 paketa me shishe te ndryshme te mbushura me te njëjtën materie, 1 qese me sfera qelqi, 1 paket me kartela identifikues te ndryshme “. 21 sprej me ngjyra, 2 qakan, 2 çanta dhe një qese me gur, 10 pjese metalikë ne forme ylli, 14 mjete te ndryshme piroteknike, 7 pajisje nga plastika te improvizuar për gjuajtje, 27 ambalazhe me ngjyre 0.7 kg. 1 ambalazhe me ngjyre prej 18 litrave, 1 pako me gozhda, 1 qese me maska te rëndomta, 7 megafona, 1 çante me pjesë te imta plastike dhe 29 çanta te zbrazëta”, shkruan në raportin e policisë.

Rasti po hetohet nga njësitet përkatëse policore. /Insajderi.com

Kapja e drejtësisë errëson Republikën

0

Ani pse Kosova relativisht mirë e ka të rregulluar çështjen e përzgjedhjes së krerëve të drejtësisë, përfshirë edhe të sistemit gjyqësor e atij prokurorial, e që përafërsisht është një procedurë e ngjashme që aplikohet në shumicën e shteteve demokratike, problemi qëndron tek ndërhyrjet politike në emërimet e tyre, dhe dërgimi i njerëzve të saj në këto poste në drejtësi. Kjo praktikë mjaft negative që e ka përcjellë sistemin e drejtësisë që nga pas lufta, ka bërë që të anashkalohen dhe të lihen jashtë këtij sistemi njerëzit e pavarur dhe profesionistë, derisa të favorizohen dhe t’u jepet përparësi atyre që kanë afinitete apo afërsi politike me njerëzit e fuqishëm të politikës brenda shtetit. Kështu kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët edhe kanë veçuar se kjo klasë klanore i ka mbushur gjykatat dhe prokuroritë me militantë të vet joprofesionalë, duke i shkelur dhe duke mos i dhënë hapësirë e mundësi përgatitjes profesionale të të kualifikuarve dhe njerëzve të dijes.

Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se politikanët e Kosovës janë përgjegjësit e krimit politik dhe të korrupsionit ekonomik në vend, derisa, sipas tij, kjo strukturë nuk do ta kishte këtë shtrirje kaq të thellë dhe gjithëpërfshirëse, sikurse nga oligarkët të mos jetë kapur Gjyqësia, Prokuroria dhe segmente të tjera të drejtësisë. ” Paralel me sektorin e drejtë- sisë, kapja e shtetit është përhapur në sektorin e sigurisë, dhe dalëngadalë kanë prekur çdo pjesë të sistemit shtetëror, duke u involvuar edhe në firmat dhe gjigantët e mëdhenj ekonomikë dhe tregtarë”, theksoi ai.

Besimi i tepruar te ndërkombëtarët Sipas Dibranit, nga kjo lidhje e ngushtë klanore kanë përfituar kryesisht të afërmit dhe të njohurit, teksa në anën tjetër nuk kanë mundur të vijnë në shprehje ata që kanë dije dhe dinjitet. “Nëse këtë analogji për një çast e kthejmë te diskutimi publik për demarkacionin, që ka ndodhur më 3 gusht 2016, besoj se në atë diskutim secili qytetar ka vërejtur se ekspertët dhe shkencëtarët nuk lejoheshin të flisnin dhe t’i kontribuonin këtij vendi, ngase njerëzit e aftë dhe ata të dinjitetshëm nuk lejohen të marrin poste të larta, sepse oligarkët e dinë se përballja e parë e tyre duhet të bëhet me ta, prandaj gjendja ka ardhur deri këtu sa në shprehje vijnë nepotizmi dhe veprimet e tjera antiligjore dhe antidemokratike. E, nëse këtyre gjërave nuk iu ka besuar deri më tani ndonjë pjesë e qytetarëve, është afera e përgjimeve telefonike ajo, e cila e qartësoi këtë, por edhe shumë dilema të tjera për të cilat vetëm kemi paragjykuar”, u shpreh ai. Së këndejmi, Dibrani ka nënvizuar se nuk është vetëm drejtësia ajo ku janë vendosur njerëzit e oligarkëve dhe të strukturave politike, por kjo ka ndodhur kudo në pozita me ndikim, si në borde e komisione shtetërore, derisa në anën tjetër shtresa qytetare dhe profesionistët duhet të presin duke u lutur se në këtë vend, “do të bëhet mirë?!”, ka vijuar më tej ai.

“Pastaj një gjë që shqetëson është besimi i tepruar te ndërkombë- tarët, se çdo emërim po bëhet me bekimin e tyre dhe të Amerikës, prandaj askush nuk merr guximin t’u thotë matrapazëve mjaft, pasi ata me perfiditet po i përdorin, përkatësisht janë duke e keqpërdorur ndikimin e BE-së dhe ndikimin amerikan në Kosovë”, theksoi Dibrani.

Radhën e ka “Zajednica”

0

Dështimi i djeshëm i ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës po cilësohet nga ekspertët dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, si një sukses i madh në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të shtetit të Kosovës, për të cilin veprim meritat kryesore i shkojnë këmbënguljes njëvjeçare dhe kundërshtimit opozitar, por pa nënç- muar edhe rolin konstruktiv ndërmjet vetë deputetëve jo të paktë të pozitës dhe grupit të deputetëve të pavarur, që në momentin më kritik ditën të rreshtohen në mbrojtje të interesit nacional. Sidoqoftë pas tërheqjes së Demarkacionit nga procedura parlamentare nga ana e Qeverisë, një sfidë tjetër për këtë përbërje të Qeverisë mbetet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin sipas ekspertëve duhet vepruar me maturi dhe me shumë kujdes.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, AdlumRamadani, tha për “Kosova Sot” se procesi i shtet ndërtimit pa dyshim se nuk do përfundojë vetëm me sfidën e Demarkacionit apo përcaktimit të vijës kufijve me vendet fqinjë, ngase përcaktimi i vijës është domosdoshmëri për shtetin e Kosovës në nivel ndërkombëtar, por edhe në atë rajonal pasi që pikërisht këto përkufizime gjeografike do ta përfaqësojnë Kosovën në institucionet ndërkombëtare, por njëkohësisht zgjedhin çështjet territoriale mes shteteve fqinje. Sipas tij, pala serbe ka intensifikuar lëvizjet në pjesën veriore të Kosovës, ku përmes ndikimit të shtrirë atje nga Beogradi zyrtar po përcjell agjenda politike, të cilat në javët në vijim do krijojnë kushte për jetësimin e Asociacionit të komunave serbe.

përpara Ramadani thotë se politika shtetërore është e atillë që përmes konsensusit të krijojë kushte të favorshme të dyanshme për zgjidhje të çështjeve të ndjeshme që mund të rrezikojnë stabilitetin e brendshëm të shtetit, ndërkaq me rastin e Asociacionit do të ofrohet zgjidhja që i njëjti me rastin e jetësimit do i hap dyert palës kosovare me urën e Ibrit, por edhe me forcat e armatosura.

“Pa dyshim se këto lëvizje politike do të përcillen me zëra të ashpër qoftë nga krerët opozitarë, qytetarët dhe vetë shoqëria civile, pasi që Asociacioni si i tillë do të pavarësohen komunat serbe, të cilat qëndrojnë nën petkun e Serbisë dhe kjo pa dyshim se nuk qëndron në favor të Kosovës. Veprimet e fundit të aktorëve politikë në të vërtetë kanë krijuar një smog politik, pasojat e të cilave do ndikojnë në zgjatjen e procedurave shtetndërtuese, pastaj të anëtarësimeve në mekanizma ndërkombëtarë dhe në njohjet e reja për të cilat edhe siç jemi në dijeni kanë stagnuar tash e dy vite prej që shteti i Kosovës filloi të ballafaqohet me kriza të brendshme politike dhe institucionale”, tha Ramadani për “Kosova Sot”.

Ai tha se me imponime nuk mund të vihet në asnjë rezultat pozitiv. Edhe për njohësin tjetër të kësaj fushe Albinot Malokun, sfida kryesore të Kosovës që po marrin ende vëmendjen e opinionit publik po vazhdojnë të jenë shënjimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit e Zi, si dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në vendin tonë. “Pasi nuk patëm kalim të marrëveshjes së shënjimit të vijës kufitare në Kuvendin e Kosovës, po e njëjta do të bëhet pengesë për kalim në tema tjera. Konform kësaj, mendoj që pa përmbylljen e kësaj teme nuk mundet që Kosova ta miratojë marrëveshjen për Asociacionin”, tha ai për “Kosova Sot”.

Tekstet shkollore janë pastruar nga gabimet

0

Zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci-Demaj ka bërë me dije se gjatë rishikimit të teksteve nga klasa e parë deri në të nëntën ka pasur gabime nga më të ndryshmet.

Në një intervistë për ‘Epokën e re’, ajo ka thënë se në rishikimin e teksteve ka pasur gabime të natyrës teknike, gabime shtypi, por ka pasur edhe gabime profesionale në definicione të ndryshme.

Anila Statovci-Demaj ka thënë se këtë vit nuk kanë ndërhyrë në rishikimin e kopertinave të teksteve.
Ajo ka treguar se “Abetarja” është e unifikuar dhe sipas ekspertëve nuk ka nevojë për ndryshime.

Poçet e ndriçimit në Kalanë Prizrenit, vendosen ditën, shkatërrohen natën

0

Thyerja e poçeve për ndriçim në shtigjet që dërgojnë në Kalanë Prizrenit janë kthyer në dukuri. Qytetarët që e vizitojnë shpesh këtë zonë shprehen të brengosur për këtë fenomen që po i jep një imazh të keq qytetit turistik, derisa fajësojnë organet e rendit që nuk po bëjnë më shumë në kapjen e autorëve,shkruan Gazeta Kosova Sot. “Autoritetet komunale çdo ditë i vendosin të reja dhe befasisht në mëngjes shumicën e tyre i kemi të thyera”, tregon Bashkim Gashi. Të njëjtin shqetësim e ka edhe Sadik Çollapeku, me profesion mësues.

Nuk ka asnjë pistë hetimi

Nga ana tjetër, policia në Prizren ende nuk ka asnjë pistë hetimi lidhur me thyerjen e poçeve elektrik në shtegun e ecjes për në kala të qytetit. Rreshteri Vesel Gashi tha se edhe pse ai shteg është në shërbim të qytetarëve, megjithatë po dëmtohet nga qytetarët e pandërgjegjshëm. Për këtë fenomen janë informuar edhe zyrtarët komunalë. Për këtë është shprehur i shqetësuar edhe drejtori i Turizmit, Haxhi Seferqaj.

“Pas dëmtimeve të rënda që janë bërë në Kalanë e Prizrenit, duke e dëmtuar ndriçimin e kësaj pike më të njohur turistike jo vetëm për Prizrenin, por ndoshta për gjithë Kosovën, është dëmtuar edhe imazhi i qytetit”, ka thënë Seferqaj, i cili me këtë rast ka apeluar te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit për gjetjen e autorëve. Sipas tij, ajo që e bën këtë dukuri me shqetësuese, është fakti që institucionet përgjegjëse, të cilat janë të obliguara që të sigurojnë pasurinë publike, nuk e kanë parë të udhës të ndërmarrin as një hap apo veprim në lidhje me ruajtjen e kësaj pasurie, të përbashkët qytetare, edhe përkundër shkresës njoftuese zyrtare të cilën Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik i ka drejtuar organeve gjegjëse, në këtë rast Policisë së Kosovës dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren. Ai ka njoftuar se shuma e mjeteve, të cilat janë investuar nga Komuna në ndriçimin dekorativ të Kalasë, ka kushtuar hiç më pak se 17.959 euro.

Mesazh i keq për turistët

“Dëmtimi i qëllimshëm i ndriçimit të kalasë, jo vetëm që varfëron buxhetin e Komunës së Prizrenit, i cili sigurohet nga taksapaguesit tanë, por përcjell edhe një mesazh negativ, e jo civilizues, tek të gjithë turistët dhe vizitorët e qytetit tonë”, thotë Seferqaj. Ai bën me dije se tashmë ka ndarë edhe një buxhet shtesë për rregullimin e atij shtegu. Autoritetet komunale të Prizrenit janë zotuar publikisht se këtë vit do të ofrojnë përkrahje financiare për funksionimin e Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit, e këtu edhe për ndriçimin e rrugës për në kala.

(Kosova Sot)

Shkelet një biçiklist në Prizren (Video)

0

Në lagjen “Arbana” në Prizren është goditur me vetur një biçiklist.

Pas aksidentit vozitësi është ndalur në vendngjarje, ndërsa viktima është dërguar menjëherë në Qendrën Spitalore të Prizrenit, ku i është dhënë ndihma mjekësore.

Viktima është i moshës mbi 60 vjeçare dhe ka pësuar lëndime në pjesë të ndryshme të trupit, por sipas mjekëve gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë. /TV Prizreni/

GODITET NGA NJË VETURË NË LAGJEN ARBANA NJË I MOSHUAR QË NGISTE NJË BIÇIKLETË Rreth orës 10:15 minuta të së enjtes në rrugën magjistrale Prizren – Gjakovë në lagjen Arbana, është goditur nga një veturë një biçiklist në afërsi të zonës së këmbësorëve. Pas aksidentit vozitësi është ndalur në vendngjarje, ndërsa viktima është dërguar menjëherë në Qendrën Spitalore të Prizrenit ku i është dhënë ndihma mjekësore. Viktima është i moshës mbi 60. vjeçare dhe ka pësuar lëndime në pjesë të ndryshme të trupit, por sipas mjekëve gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë. Në vendngjarje ka dalur vetëm një polic, i cili ka proceduar me rastin…

Gepostet von Televizioni Prizrenit am Donnerstag, 1. September 2016

Viti 1940: Shqiptarë, serbë dhe italianë

0

Një ndër librat e parë që u jepet të lexojnë diplomatëve italianë për Shqipërinë dhe Ballkanin është libri jo fort i njohur në Tiranë, “Jugosllavia dhe Shqipëria: kujtime të një diplomati”, i botuar në Romë në vitin 1947, nga diplomati Carlo Umilta.

Në 20 maj të vitit 1940, pas një marrëveshje të Ministrisë së Jashtme në Romë dhe Luogotenentit të Përgjithshëm në Shqipëri Jakomoni, diplomati Carlo Umilta ngarkohet me detyrën e Komisarit Civil për Kosovën dhe Dibrën, rajone të pushtuar nga trupat italiane në lindje dhe veri të Shqipërisë, si dhe mendohej të aneksoheshin në Mbretërinë italiane. Komisari civil i Duçes kishte në letra “detyrën eskluzive të mbante qetësinë mes ortodoksëve dhe myslimanëve dhe t’u përgjigjshim nevojave të tyre, sidomos në tregti dhe furnizime”.

Megjithatë ai do të shkëlqente si një nga funksionarët më realistë italianë për të analizuar gjendjen e pushtimit dhe administrimin, si dhe për të parë nëse është i mundur aneksimi real i vendit. Dhe konstatimi i parë para dorashka i diplomatit Umilta është se, “Aneksimi i Dibrës dhe Kosovës ishte e arsyeshme sepse kishte popullatë shqiptare dhe myslimane. Dhe bashkimi i Shqipërisë dhe Italisë nuk ishte një gabim. Ajo që ishte gabim nga ana jonë ishte se nuk i lamë autonomi ekonomike të nevojshme një popullate që atëherë po gëzonte një liri të paparë kurrë më parë, si dhe gabimi për ti dhënë modelin tonë të qeverisjes një vendi të sapo dalë nga feudalizmi. Këto gabime favorizuan opozitën, në Shqipëri dhe në gjitha rajonet kundër trupave tanë”.
Pa pasur frikë fare, ai përcjell relacionin e tij duke theksuar se aneksim i Shqipërisë në Mbretëri ishte një gabim. Ai shkruan se Shqipëria nuk ishte gati të bashkohej me Kosovën sepse autoritetet shqiptare nuk kishte kishin as mësues për të dërguar në shkolla, as gjykatës apo nënpunës për mbledhjen e taksave. “Në këto anë nuk u gjend edhe një shqiptar mësues për të mësuar gjuhën shqipe; ndonjë mësues u soll nga Tirana, por me pak rezultate”, i shkruan Carlo Umilta zyrës së Romës. Bashkimi i shqiptarëve ishte konceptuar të ndodhte përmes armëve dhe jo përmes dijes.
Prizreni

Vizita e parë e Komisarit Civil të Musolinit për Kosovën dhe Dibrën, është Prizreni ku trupat italiane ishin strehuar në tre kazerma të mira që Jugosllavia kish ndërtuar në periferi të qytetit dhe dukeshin të reja.
Umilta e përshkruan qytetin e Prizrenin në ’40 si qytet të qetë dhe me shumë biznese. “Qyteti ishte realitivisht i qetë, me shumë dyqane të hapura dhe mjaftueshmërisht të furnizuara pavarësisht kalimit të ushtrive, si fillim ajo Jugosllave në ikje, më pas ajo gjermane e italiane që e kaloi dhe e pushtoi në pak javë. Popullata e saj në festë nga çlirimi dhe për ardhjen time, nga e cila prisnin një shpërndarje të misrit dhe të kripës që mungonte. Vendi ishte e kompozuar nga shqiptarë muhamedanë në mizerje dhe pak sllavo-ortodoksë – padronë të vjetër – që përbënin kësisoj borgjezinë e funksionarëve dhe të tregtarëve të një farë rëndësie, së bashku me klerin ortodoks”.

Megjithatë ndër gjërat e para që konstaton në Prizren, diplomati italian Umilta, ishte se mungonin shërbimet publike (ujësjellës, spitale, shkolla etj) dhe se shqiptarët kishin shumë pak kulturë menaxhimi të punëve publike. “Përpara ardhjes sime dhe direkt pas okupimit, ushtarët tanë nuk kishin menduar të ndryshonin ndonjë gjë të madhe në organizimin e shërbimeve publike, kështu që Bashkia kishte kaluar në duart e disa myslimanëve shqiptarë, si Kryetari i Bashkisë dhe një këshilli bashkiak, por i gjithë aparati i zyrave, në çdo fushë si gjendja civile, shkollat, spitalet, mbledhja e taksave etj ishte e përbërë nga sllavët, që nuk e toleronin varësinë nga administratorët e rinj dhe që rezistenca e hapur pasive dhe jo pak akteve sabotimi e bënin më të vështirë jetën e vendit”, i raporton ai Romës.

Sipas diplomatit italiane , Qeveria shqiptare në ‘40 nuk kishte asnjë numër të mjaftueshëm personash praktikë në shërbimet publike për ti dërguar në territorin e ri, që qeverisej akoma me ligjet jugosllave, as persona të besuar që të njihnin gjuhën serbe, për ti vënë në vend të sllavëve “të pabesë” dhe për të aplikuar një legjislacion që për ta ishte komplet e re. Dhe sipas tij kishte një arsye. “Shqiptarët kanë qenë, për gjatë 30 viteve, kaq të keqtrajtuar, të shfrytëzuar, të vjedhur nga sllavët, që tani nuk donin t’ia dinin dhe preferonin të refuzonin çdo shërbim publik, edhe atë të kujdesit mjekësor, veçse të mos ishin afër armiqve shekullorë. Kishin filluar duke larguar një sërë njerëzish, dhe të tjerët u kishin reduktuar apo përgjysmuar pagat, ndërsa të tjerëve iu përgatitej e njëjta gjë”, nënvizon ai në raport.

Një ndodhi në Pejë
Pas qytetit të Prizrenit, Komisari civil i Duçes viziton komunat e Gjakovës, Pejës drejt Malit të Zi dhe këtu gjen të njëjtën situatë. Në raportin e tij dërguar Ministrisë së Jashtme të Italisë shkruhet, “Natën e datës 8-9 qershor të 1940 kishte pasur një shkëmbim të madh zjarri, por nuk dihej nëse ishin sllavët apo shqiptarët. Mëngjesin e datës nëntë kishte një treg të rëndësishëm në qytet dhe një numër i madh fshatarësh kishin ardhur të shisnin ç’të mundin. Komandanti ushtarak i qytetit me një mungesë kriteri shumë të çuditshme dha urdhrin patrullave të pozicionuara në dalje të rrugëve që të çonin në shesh dhe në treg të ndalonin çdo shqiptarë që mbërrinte, ta kontrollonin, nëse gjendeshin armë ta shoqëronin në kazermë. Në pak orë, u ndaluan dhe u arrestuan më shumë se një qind shqiptarë, që s’kishin ndonjë armë të madhe, por thika e biçakë të zakonshëm për bukë e mish. Rrugët dhe sheshet e Pejës ishin plot me gomarë të paudhë plot me kova me zarzavate e fruta që priteshin të shiteshin. Padronët e tyre, që nuk kuptonin arrestit e arrestit bënin zhurmë në oborrin e kazermës ndërsa qytetarët e Pejës po merrnin nga kovat çdo gjë që gjendej. Nga bashkia u njoftova për ngjarjet dhe shkova direkt tek koloneli komandat i zonës për të pyetur rreth arsyeve të kësaj zallamahie. Dukej e pabesueshme, por koloneli nga të shtënat e një nate me parë donte të burgoste gjysmë rajon për të gjetur përgjegjësit. Pasi një debati të madh e binda të kërkonte urdhra nga komandanti i tij në Prizren, dhe kështu pasdite u liruan shumë të burgosur fshatarë që pa thika dhe pa gomarë dhe pa zarzavate mundën të ktheheshin në shtëpi, dhe besoj për shumë muaj i kanë qëndruar larg tregut të Pejës”.
Dibra e Madhe

Në një tjetër vizitë në Dibër, Komisarit Civil për Kosovën dhe Dibrën, Umilta shkruan për Romën këto fjalë: “Në të gjithë këtë pjesë të Dibrës që shkela pëllëmbë për pëllëmbë për disa javë, sllavët ortodoksë ishin maqedonë dhe si të tillë nuk kishte pretekste ndaj serbëve, që e kishin aneksuar në 1913, një reformë agrare siç kishin bërë në Kosovë. Maqedonasit dhe shqiptarët jetonin për shekuj në qytete, në fshatra dhe jo në një armoni të madhe, por jo me ndonjë armiqësi të ashpër, paçka se të dyja palët konsideronin veten si indigjen të vendeve në luftë me njëri tjetrin dhe lufta fetare dhe sociale kishte gjetur një modus-operandi mes njëri tjetrit, që shfaqej me një bashkëpunim të heshtur. Dyqanet e qytezës ishin të furnizuara dhe fshatrat ishin të punuara. Nuk ishte e vështirë në fshatra të gjeje shqiptarë, sllavë dhe shqiptarë që flisnin mes tyre. Ndërsa në administratën publike dhe komunale, funksionarët serbë të dërguar nga qeveria jugosllave ishin larguar ose kishin shkuar pas trupave, kësisoj zyrat ishin bosh dhe në rrëmujë”.

Sipas tij, maqedonasit nuk ishin sigurisht të kënaqur që komandoheshin nga shqiptarët, por nga frika që kishin nga trupat italiane çdo gjë kishte kaluar pa ndonjë zhvillim. Kërkesa e tij më e madhe për qeverinë e Tiranës dhe Romës ishte të gjendeshin njerëz që të njihnin gjuhën serbe, pasi të gjitha ligjet që ishin në fuqi ishin të shkruara serbisht dhe nuk mundej që me një lëvizje të hynin direkt legjislacionin shqiptar. Ai kthehet në Tiranë një program për ndarjen e kompetencave ushtarake nga ato civile dhe e dërgon në Romë. Nuk merr përgjigje.

Çamëria
Në një marrëveshje mes qeverisë së Romës dhe qeverisë së Tiranës u vendos që rajoni në jug të Shqipërisë, një pjesë e malit të Pindit dhe Janinës deri në Prevezë duhet të ishte e Shqipërisë ,si pjesë e saj integruese me emrin Çamëri dhe të krijonim një Komisar të Lartë, në të cilin ishte emëruar diplomati shqiptar Xhemil Dino, me origjinë nga Preveza dhe vjerri i kryeministrit shqiptar, Bej Verlacit. Diplomati italian Umilta shkruan në libër se shqiptarët ishin shumë të gëzuar nga kjo zgjidhje, por veçanërisht aneksimi i Kosovës dhe Dibrës rriste më shumë se një të tretën territorin e Shtetit shqiptar dhe rriste territoret e pasura me minerale në miniera dhe tokën bujqësore për agrikulturë, si dhe dyfishonte popullatën. Ndërsa “Për Çamërinë mendimet ishte pak jo të dakortësuar sepse, përveçse rajoni nuk ishte shumë e pasur, thuhej se popullata, që një kohë kishte qenë shqiptare dhe myslimane, tani ishte kryesisht greke dhe ortodokse, me pak arumunë, sidomos në zonën e Grevenës dhe të Pindit dhe kishin frikë për një ndikim të madhe të ortodoksisë në Mbretëri. Se cilat ishin arsyet që kishin përcaktuar që qeveria jonë të kishte një projekt të tillë, as unë, dhe as shumë shqiptarë dhe italianë, në Romë dhe Tiranë, nuk e morëm kurrë vesh. Por Çamëria do të shikohet më pas që gjërat morën një rrjedhë tjetër”. Ministria e Jashtme e Romës e ngarkoi Carlo Umiltan të bënte një xhiro inspektimi në rajon që do të duhej të quhej Çamëria dhe që më pas do të aneksohej Shqipërisë. Në raportin e tij, ai shkruan se, në Kastoria, Gravena e Metzovo nuk kishte shqiptarë dhe banorët vendas nuk donin të bashkoheheshin me Shqipërinë. Ndërsa në Janinë, sipas tij, “qyteti dukej komplet grek, por më një minoritet të dobët shqiptarësh myslimanë. Në Janinë nuk ishte e nevojshme marrja shumë në pyetje; mjaftonte të shikoje njerëz për të kuptuar që asnjëri nuk do të adoptohej me aneksimin me Shqipërinë… Ideja për ti aneksuar me Shqipërinë ishte absurd dhe gjithë ai popull do të rebelohej. Edhe këtu nuk kishte pse të ndalohesha kaq shumë. Të njëjtat informacione dhe të njëjtat perceptime pata në vizitat e mia në Artë dhe Prevezë, qytete që kishin pësuar bombardime të mëdha. Në këto qytete, kishte edhe disa shqiptarë myslimanë, por edhe këta përveç grekëve të pyetur, nuk pata përgjigje ndryshe dhe se donin të qëndronin pjesë e Greqisë dhe refuzonin çdo ide të bashkimit me Shqipërinë. Përkundrazi, disa shqiptarë me folën në Prevezë, atdhe i familjes Dino, bejlerë të mëdhenj në kohën e Turkut, dhe me shtuan se edhe ata myslimanë, nuk kishin asgjë kundër personale me Xhemil Dinon, që siç thashë ishte përcaktuar nga Roma si Komisar i Lartë për Çamërinë dhe që ata as që e njihnin fare. Edhe nëse Dino do të shkonte aty ku kishte shtëpinë këta shqiptarë nuk do ta prisnin mirë sepse nuk kishin kujtime të mira me familjen e tij”. Diplomati italian Carlo Umilta pas një muaji vizita në terren arrin në konkluzionin se, “nga situata e dhënë në vendet që vizitova, përgjigjet e dhëna nga kaq shumë njerëz që ishin pyetur dhe sugjerimet e ushtarakëve tanë tregonin se për Çamërinë nuk duhet të flisnin më sepse konvenonte të mos ndryshimin gjë as dislokimin e trupave tanë… Pavarësisht dhimbjeve të Xhemil Dinos dhe atyre që kishin interes në projektin e Çamërisë, qeveria jonë aprovojë plotësisht konkluzionet e mia dhe arriti të bindë qeverinë shqiptare të pamundësisë për ta aneksuar pse i binte në kontrast me opinionin e popullatës që ishin rezidentë dhe që do të ishin viktima pa ndonjë rëndësi të madhe”.

Dy vëzhgime për serbët dhe shqiptarët

Në fund të librit të tij, diplomati Carlo Umilta i lejon vetes të bëjë një gjykim dallues mes shqiptarëve dhe sllavëve. Ai shkruan se, “ Serbia dhe Jugosllavia kishin lindur dhe ishin rritur me një nacionalizëm kafshëror, që nuk shikonte as historinë dhe as gjeografinë dhe kalon mbi çdo caku moral, drejtësie dhe kuptimit të të drejtave të tjetrit, vetëm për të arritur qëllimet e tyre imperialiste. Kjo sjellje e tyre e ka një origjinë, që përveç karakterit sllav, ka të bëjë me nënshtrimin shekullor të serbëve nga Turqia, që u rriti zemërimin patriotik dhe religjioz, që ishte me zanafillë tek imperializmi bizantin dhe ka të bëjë me nënshtrimin e atyre vendeve nga idetë dhe predikimi i Cirilit dhe Metodit. Këto sllavë, simpatikë kur janë të shkolluar, bëhet edhe të arsyeshëm dhe të pasjellshëm nga ideologjia e tyre; megalomania që nuk njeh kufij,dhe nga një pasion i verbër, madje i sinqertë. Ndër shqiptarët nuk kanë pasur kurrë një pavarësi të plotë dhe të vërtetë. Që nga inkorporimi i Perandorisë Romake deri tek ajo osmane, nuk patën kurrë një autonomi, pasi u kthyen edhe myslimane dhe fanatikë, ndërsa një minorancë e vogël mbetën katolikë ose ortodokse. Në kohët e fundit Turqit konsideronin katër vilajete, të Shkodrës, Janinës, Shkupit dhe Manastirit, ku pjesa më e madhe e popullatës ishte shqiptare dhe myslimane, ndërsa minorancat ishin serbe, malaziasve, maqedone ortodoksë. Në zonën e Janinës shqiptarët e myslimanët ishin pothuajse zhdukur krejt; atë që mbetën morën fenë ortodokse dhe nuk njihen nga grekët as nga emrat”.
Lavdrim Lita është gazetar, studiues dhe përkthyes.

Përkujtohet “Epopeja e Vrrinit”

0

Është përkujtuar sot 18-vjetori i “Epopes së Vrrinit ”.

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, tha se kjo ngjarje dëshmoi sakrificën sublime të luftëtarëve të lirisë për çlirimin e vendit.

“ Vendi ku prehen dëshmorët duhet të jetë udhërrëfim për brezat e rinj se sa shumë gjak është derdhur për të jetësuar aspiratat shumë shekullore të popullit tonë”, tha Muja, transmeton TVPZ.

Kryetari i degës së OVL të UÇK-së, Selim Krasniqi, tha se “ Epopeja e Vrrinit” është ndër ngjarjet kryesore të luftës çlirimtare në zonën e Prizrenit.
Rapshine Berisha –Shemsidin,i motra e dëshmorit , Salajdin Berisha dhe Isa Berisha familjar i Heroit, Xhevat Berisha, në këtë ditë përkujtimi për më të dashurit e tyre thanë ndërkaq se ndjehen krenarë për veprat e patriotëve të shquar të cilët ranë herokisht në Lez me 1 shtator 1998.

Pas Landovicës, janë vendosur buqeta lulesh para shtatores së Heroit të Kosovës, Xhevat Berisha në ‘Shatërvan’, ndërkaq janë bërë vizita edhe në fshatin Lez, ku ndodhet lapidari i dëshmorëve, si dhe janë përkujtuar të rënët për liri nga fshati Kushnin.

Të premten duke filluar nga ora 11:00 minuta do të bëhen nderime para lapidarit të dëshmorëve në fshatin Jeshkovë./PrizrenPress.com/

 https://www.facebook.com/prizreni.tv/videos/1845411315682064/

 

Zvicra ‘sulmon’ Kosovën për Xhakën, Shaqirin e Behramin

0

Federata e Futbollit e Zvicrës ka kritikuar rëndë homologen e Kosovës për mos respektim ndaj futbollistëve të tyre si: Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Behramin e Shani Tarashajn.

“Situata aktuale vuan nga mungesa e qartësisë në rregullore. Federata Zvicerane kërkon që kjo situatë të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur. Fatkeqësisht, FIFA dhe UEFA nuk u janë përgjigjur kërkesave tona”, thuhet në njoftimin e Zvicrës.

“Federata Zvicerane e Futbollit sheh me keqardhje që prioriteti i drejtuesve kosovarë ka qenë të rekrutojnë lojtarë për kualifikueset e Kupës së Botës, në vend që të përforcojnë themelet e Federatës së tyre”, vazhdon njoftimi.

Federata e Zvicrës pretendon se lojtarët të cilët e kanë përfaqësuar Zvicrën në ‘Euro 2016’ kanë luajtur me helvetikët pas pranimit të FFK-së në FIFA dhe në këtë mënyrë nuk kanë drejtë ta përfaqësojnë Kosovë.