12.3 C
Prizren
E diel, 9 Nëntor, 2025
Home Blog Page 6057

Kënga “Work” e Rihanna-s ishte e Alicia Keys

0

Këngëtarja 28 vjeçare, Rihanna, ka zbuluar se kënga e saj e ardhshme do të jetë “Love on the Brain”.

Por ajo çfarë nuk dihej deri më tani është se hiti i saj “Work” për pak nuk i është dhënë artistes tjetër.

Punuesi i këngës, PartyNextDoor, ka thënë se kënga për pak do t’i jepej këngëtares Alicia Keys për shkak se kompania diskografike e Rihanna-s nuk shqetësohej edhe aq shumë në atë kohë për muzikën e Karaibeve.

Fëmijët vetëvrasës

0

Sulmuesi vetëvrasës, i cili shpërtheu eksplozivët e tij të shtunën në një dasmë kurde në juglindje të Turqisë, duke vrarë së paku 54 veta, është thënë fillimisht se ka qenë fëmijë i moshës 12-14 vjeç, pjesëtar i grupit ekstremist Shteti Islamik.

Autoritetet turke më pas i kanë tërhequr deklaratat, duke thënë se nuk kanë ende të dhëna të konfirmuara për autorin.

Shteti Islamik, megjithatë, ka një histori të përdorimit të fëmijëve si armë. Ai i dërgon ata në vdekje të mbërthyer me eksplozivë ose i vë në vija të frontit në Irak dhe Siri.

Grupi ka një ushtri me fëmijë, të cilën e quan “të vegjlit e kalifatit”, i edukon në shkollat e veta, i indoktrinon me versionin e vet radikal të Islamit dhe i detyron të kryejnë akte të dhunshme. Disa video të Shtetit Islamik kanë treguar djem duke vrarë kundërshtarë të grupit me prerje koke ose të shtëna.

Një nga sulmet më vdekjeprurëse, të kryera nga një fëmijë i lidhur me Shtetin Islamik, ka ndodhur në një stadium futbolli në Bagdad, në mars të vitit 2015. Sulmuesi, rreth 16 vjeç, ka hedhur veten në erë, duke vrarë 29 veta dhe plagosur 60 të tjerë. Gati gjysma e të vrarëve kanë qenë po ashtu fëmijë.

Praktika, megjithatë, nuk është e kufizuar vetëm te Shteti Islamik. Ajo përdoret edhe nga grupe të tjera militante.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) kanë raportuar për rritje dramatike të përdorimit të fëmijëve si sulmues vetëvrasës nga Boko Harami. Në një raport të publikuar muaj më parë, UNICEF ka thënë se një në pesë sulme vetëvrasëse në Nigeri, Kamerun dhe Çad, ku Boko Harami është i pranishëm, kryhet nga fëmijët.

Në Nigeri, Human Rights Watch ka thënë se prejse Boko Harami ka nisur sulmet në vitin 2009, ka rekrutuar qindra e ndoshta mijëra fëmijë dhe dhjetëra sish, shumica vajza, i ka përdorur si kamikazë.

Rrjeti terrorist global Al Kaida ka po ashtu histori të rekrutimit të fëmijëve dhe trajnimit të tyre për t’u bërë sulmues vetëvrasës.

Udhëheqësi i Al Kaidës në Irak, Abu Musab al-Zarqawi, i ka përdorur adoleshentët si sulmues vetëvrasës, në luftën kundër pushtimit amerikan në Irak, përpara se të vritej në vitin 2006.

Në territoret palestineze, Hamasi, Xhihadi Islamik dhe grupet e tjera militante udhëheqin kampe verore, në të cilat indoktrinojnë fëmijët palestinezë me ideologji të dhunshme anti-izraelite.

Këto grupe nuk kanë dërguar fëmijë në misione vetëvrasëse, edhe pse gjatë kryengritjes së dytë palestineze në fillim të viteve 2000, disa palestinezë 16-vjeçarë kanë hedhur veten në erë.

Gjatë valës aktuale të dhunës, dhjetëra adoleshentë palestinezë kanë kryer ose janë akuzuar për sulme me thika kundër izraelitëve. Autori më i ri i një sulmi të tillë ka qenë vetëm 11 vjeç. Sulmuesit besohet se kanë vepruar individualisht dhe se nuk janë dërguar nga grupe të organizuara.

Po ashtu në Jemen, njërin nga vendet me popullsinë më të armatosur civile, djemtë shpesh mësojnë se si të përdorin armët nga mosha e re. Në konfliktin aktual të Jemenit, forcat e parregullta edhe nga qeveria, edhe nga rebelët kanë përfshirë të rinj në radhët e tyre.

Alepo në katastrofë të paparë humanitare

0

Shefi për ndihma i Kombeve të Bashkuara, Stephen O’Brien, paralajmëroi se Siria është kriza më e madhe humanitare e kohës sonë dhe se bëhet fjalë për “garë kundër kohës” për të shpëtuar qindra civilë të rrethuar.

“Në Alepo, shohim një katastrofë humanitare, të paparë ndonjëherë gjatë pesë vjetëve të konfliktit sirian”, tha O’Brien përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai kërkoi armëpushim 48-orësh në Alepo, në mënyrë që ndihmat humanitare të arrijnë të gjitha zonat.

O’Brien tha se OKB-ja është e gatshme të dërgojë 70 kamionë me ndihma atje, posa të marrë garancitë e nevojshme për siguri.

Mbi 250,000 njerëz janë të rrethuar në Alepo, në disa zona nga forcat qeveritare dhe nga rebelët. /REL

Everton heq dorë nga Hart

0

Everton është tërhequr nga gara për të nënshkruar me gardianin e Mancheser City, Joe Hart.

Anglezit i është thënë që mund të largohet nga Etihad Stadium, pasi Pep Guardiola vendosi të transferojë Claudio Bravo nga Barcelona.

Por Everton nuk do të paguajë 7 milionë funte për ta transferuar gardianin e Tre Luanëve, megjithëse forma e Maarten Stekelenburg lë shumë për të dëshiruar.

Liverpool huazon Sakho

0

Mamadou Sakho mund të huazohet para përfundimit të afatit kalimtar.

Francezi nuk ka luajtur qëkur dështoi në testin e dopingut në fund të edicionit të shkuar dhe gjatë parasezonit të skuadrës u dërgua në shtëpi.

Pasi ka humbur fillimin e kësaj kampanje, Jurgen Klopp ka vendosur që ta huazojë për këtë edicion.

Arsenal do mbrojtësin e Monacos

0

Marcel Tisserand është bërë cak i Arsenalit këtë afat kalimtar.

Lojtari ka projektuar një transferim tek Espanyol, pas dështimit për të siguruar një vend tek skuadra nga Ligue 1.

Por marrëveshja ka mbetur pezull, ndërsa Tisserand favorizon kalimin në Emirates Stadium.

United shet edhe një tjetër talent

0

Manchester United ka shituar Tyler Blackett në Reading.

Skuadra e Readingut ka njoftuar se ka nënshkruar me futbollistin e Manchester Unitedit, Tyler Blackett.

Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e Readingut, ndërsa Blackett bëhet lojtari i radhës që largohet nga Jose Mourinho, pas Love, Mcnear, Kane, Wilson dhe Januzaj.

“Jemi të lumtur të ju njoftojmë se kemi nënshkruar kontratë tre vjeçare me futbollistin e Unitedit, Tyler Blackett”, thuhet në njoftimin e Readingut.

Kthetrat e politikës e kapën edhe policinë

0

Mbase jo në masën sikurse që janë prokuroritë dhe gjykatat e vendit, por edhe Policia e Kosovës si duket nuk përjashtohet nga ndikimi i politikës ditore. Ani pse llogaritet si njëri nga institucionet më kredibile dhe të besueshme, së bashku me FSK-në. Por, analistët, deputetët opozitarë dhe njohësit e fushës së drejtësisë, ngritin dilemën dhe dyshimin se as ajo nuk ka shpëtuar nga kthetrat e politikës, pasi në Policinë e Kosovës ka individë të politizuar aq shumë, saqë ata urdhrat i marrin nga shefat e tyre të politikës, apo nga eprorët vartës të të cilëve janë. Veç kësaj ata thonë se meqë policia po vazhdon të jetë e atakuar nga politizimi ajo edhe s’po mund ta thotë fjalën e vet në drejtim të luftimit të krimit e dukurive të tjera negative. Andaj, në këtë drejtim është shtruar edhe pyetja se cilat janë problemet e pengesat e mëdha që po shkakton policia e ‘politizuar’, si dhe mungesa e një policie speciale gjyqë- sore, që të kryente punën e hetimeve të mirëfillta të prokurorisë dhe drejtë- sisë në Kosovë?

“Pastrimi fillohet me policinë, kalohet në hallkat e tjera” Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se çështja e paraqitur lidhur me atë se a kemi polici, e cila është e mbështetur në ligj dhe në bazë të tij e zhvillon veprimtarinë hetuese, sipas tij, është një çështje shumë delikate dhe e mprehtë për situatën nëpër të cilën po kalon Kosova. Por, pavarësisht kësaj, Kelmendi mendon se të gjithë mekanizmat e shtetit në këtë pozicion siç jemi në një mënyrë apo tjetrën janë të politizuar për faktin, siç tha, se kemi të bëjmë me një sistem politik, i cili i ka kapur të gjithë mekanizmat e shtetit, duke arritur që t’i fusë mendimet dhe qëndrimet e veta nëpërmjet njerëzve, të cilët i ka dërguar nëpër instancat e tilla si në polici, po ashtu në prokurori dhe gjykata në përgjithësi, duke bërë që të ketë një sistem që nuk e lufton krimin e organizuar, korrupsionin e dukuritë e tjera negative të shoqërisë, të cilat janë të mbërthyera dhe kjo rrjedh nga dy faza kryesore.

” Faza e parë se kemi të bëjmë me mekanizma ku njerëzit e vendosur nga ana e qeveritarëve që janë aktualisht në pushtet vijnë nga ish-regjimi, të cilët kanë një të kaluar jo të pastër morale politike, për shkak të veprimtarive të ndryshme dhe dëmshme që kanë kryer në kuadër të regjimit të tillë dhe shumë lehtë të shantazhuar nga ana e pushtetarëve. Së dyti kemi atë se pushtetarët kanë vendosur njerëzit e vet të ndryshëm nga ish-regjimi i tillë, por që vijnë nga struktura të tilla politike që i kanë vendosur në polici, prokurori dhe gjykata. Meqenëse i tërë mekanizmi që është në Kosovë dhe që ka për qëllim luftimin e dukurive negative dhe ndërtimin e shtetit ligjor, është i kapur, është shumë vështirë që vetëm një mekanizëm të zbatojë nëse nuk bëhet spastrimi i të gjithë kuadrit, të gjitha këtyre tri instancave shtetërore edhe të policisë, edhe prokurorisë dhe gjykatës, pasi nuk mund të krijohet një situatë shumë e favorshme nëse kemi gjykata, prokuroi e polici jo të pastër”, shprehet Kelmendi. Sipas tij, çdo çështje fillohet me policinë, kalon nëpër hallkat e tilla duke shkuar tek prokuroria, duke ngritur aktakuza nga ana e kësaj të fundit tek gjykata kompetente.

Kësisoj, Kelmendi ka nënvizuar se duhet të bëhet në tërësi një spastrim total si i policisë, prokurorisë, por edhe gjykatave dhe rrjedhimisht edhe një spastrim i listave të të gjithë njerëzve që merren me politikë në mënyrë që të shikohet e kaluara e tyre, pasi në të kundërtën nuk do të ketë mundësi që të krijohet një politikë e pavarur, demokratike ku sundon ligji. “Shpeshherë shtrohet mendimi se duhet të krijohet edhe një polici speciale gjyqësore sikurse në vendet e ndryshme, por në vendet e zhvilluara demokratike nuk ka polici gjyqësore, por ka polici vetëm që bën zbatimin e vendimeve të gjykatave, pasi policia duhet t’i ketë mekanizmat e ndryshëm policorë për fushat e veçanta dhe të caktuara, të cilat bashkëpunojnë ngushtë njëra me tjetrën në drejtim të luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit e dukurive tjera negative, ashtu sikurse i kanë policitë e vendeve të zhvilluara”, është shprehur Kelmendi.

8 vjet pa bërë seks

0

8 vjet martesë i kam kaluar me prindërit e burrit. Ai shkoi në Perëndim një muaj pasi ishim martuar. Në këto 8 vjet të vetmet herë që e shihja ishin dy javë gjatë festës së Vitit të Ri. Në atë kohë ai kishte pushim nga puna dhe vinte në Kosovë, ndërsa kohën tjetër jetonte atje. Në 8 vjet ai nuk ka qenë kurrë për mua dhe çdo gjë që ka ndodhur këto kohë e kam kaluar e vetme, çdo sëmundje, mërzi, konflikt me prindërit e tij, çdo gëzim dhe hidhërim.

Gjatë kohës që ai vinte në shtëpi nuk kishim as shumë mundësi për intimitet, pasi ishim me njerëz në shtëpi dhe ai duhet të qëndronte me prindër se kishte mall, thua se për mua nuk kishte mall. Imagjinojeni se sa rrallë ka qenë intimiteti ynë, saqë unë nuk kam arritur të mbetem shtatzënë dhe të kisha një fëmijë, të paktën, t’i përkushtohesha atij. I kam kërkuar gjithmonë që të më merrte me vete, por ai më thoshte se nuk e bënte dot, pasi prindërit e tij janë të vjetër dhe kanë nevojë për ndihmë në shtëpi. Gjithmonë më ka mbajtur me shpresën se edhe këtë vit do të qëndronte andej, sa të kursente edhe disa para më shumë dhe do të kthehej këtu, përgjithmonë.

E mbyllur në shtëpi me dy pleq
Nuk kisha zgjidhje edhe pse jeta ime ishte e njëjtë me atë të vjehrrës sime, e cila është 72 vjeçe. Vitin që shkoi ka pasur probleme me punë dhe dokumente dhe as për Vit të Ri nuk erdhi. Kjo e rëndoi edhe më shumë gjendjen time, jo vetëm se kisha mall për të, por edhe sepse ndihesha si e braktisur. Imagjinoni: t’i kaloni vitet më të bukura të jetës e mbyllur në shtëpi me dy pleq. I thashë se do të aplikoja për vizë që të shkoja te ai, por më tha se nuk kisha ku të rrija atje, meqë ai rri në banesë me dy shokë. Unë nuk shkova dot, por as ai nuk erdhi, edhe pse kaloi një vit që nuk jemi takuar.

Unë jam 26 vjeçe dhe, më besoni, jam thuajse në depresion. Jam tmerrësisht e mërzitur dhe më duket vetja si një shërbëtore në shtëpinë e prindërve të tij. Për fatin tim të mirë bashkëshorti im pranoi që të kërkoja punë, të cilën edhe e gjeta, gjë të cilën më parë nuk ma ka lejuar. Tetë orë të ditës i kaloj në rrobaqepësinë ku punoj, por aty stresohem edhe më shumë kur shoh shoqet e mia që dalin, që kanë burrat në shtëpi, dikush ka fëmijë, ndërsa unë jam si qyqe e vetme me dy pleq në shtëpi, të cilët kanë nevojë vetëm për shërbim. Gjatë kësaj kohe, kur bëja rrugën për në shtëpi, shihja një burrë që më vinte nga pas dhe më ngacmonte. Nuk i kisha kthyer kurrë përgjigje, derisa një ditë më tha se nuk e meritoja jetën që bëja dhe se burri im ishte idiot që më linte mua vetëm. Të them të drejtën, nuk durova dot pa reaguar dhe u ktheva dhe e shikova në sy. Mendova që ai kishte të drejtë dhe i thashë se nuk ke ç’të bësh kur të qëllon fati i keq. Që nga ajo ditë ai më përshëndet çdo ditë dhe unë nisa t’ia ktheja përshëndetjen. Një ditë nuk e di çfarë më tha truri, por pas pune dola me të. Prindërit e burrit i lajmërova dhe u thashë se do të vonohesha në punë. Qëndrova gjatë me të dhe iu betova vetes se do të ishte e vetmja herë. U pendova më pas për atë që kisha bërë, por ishte e kotë: ajo që ndodhi nuk kthehej pas.

Tani e vuaj shumë atë që kam bërë edhe për faktin se durova 8 vjet pa burrë në shtëpi… Prindërit e burrit e kanë kuptuar që nuk jam mirë, por ata mendojnë se jam mërzitur për burrin tim dhe i thonë atij në telefon që të vijë sa më shpejt. Mua më tmerron kthimi i tij, pasi kam frikë se ai mund ta kuptojë atë që kam bërë, apo ta marr vesh në ndonjë mënyrë tjetër.

Rahovec: Kolegët nderojnë gazetarët e zhdukur

0

Gazetarët serbë nga shoqata e gazetarëve të Serbisë e Kosovës për të pestën herë vendosën një pllakë kujtimi për dy kolegët e tyre të zhdukur në Rahovec gjatë luftës.

Pllaka u vendos në vendin mes fshatrave Zoçisht e Hoçë e Madhe të Rahovecit, aty ku para 18 vjetësh u zhdukën gazetarët e Radio-Prishtinës Gjuro Sllavuj e Ranko Pereniq.

Në pllakë, shqip dhe serbisht shkruan “Këtu më 21 gusht 1998 u rrëmbyen kolegët tanë gazetarë. I kërkojmë ata”.

Anëtarët e shoqatave kërkuan që të ndriçohen rastet e gazetarëve të zhdukur dhe të vrarë.

“Nga ky vend këtu kërkojmë që të formohet komision i veçantë për hetimin e vrasjes dhe rrëmbimit të gazetarëve. Ne jemi të bindur se nuk bëhet fjalë për vrasje ose rrëmbim të përkryer, por është në pyetje mosinteresimi i përkryer i atyre që e kanë për detyrë ndriçimin e vrasjes së gazetarëve,” tha sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë Nino Brajoviq.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë në Kosovë Budimir Niçiq tha se organet e rendit nuk u japin përgjigje për gazetarët e zhdukur.

“Me vite flasim dhe me këtë përfundon, por nuk do të pushojmë së foluri e së pyeturi dhe së kërkuari përgjigjet-deri ku kanë shkuar hetimet? Ku janë kolegët tanë? Cili është fati i tyre?’ tha Niçiq.

Gazetarët Sllavuj e Pereniq ishin zhdukur kur kishin shkuar për ta realizuar një kronikë në lidhje me atë se a ishin kthyer murgjit në manastirin ortodoks të Zoçishtit.

Në korrik e gusht Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vizitoi memorialët e civilëve të vrarë serbë në Grackë të Lipjanit dhe Gorazhdevc të Pejës, duke dhënë mesazhe pajtimi dhe kundër krimeve.

Por shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq tha se nuk po shoh sinqeritet në këto vizita, ndërsa nga shqiptarët pati reagime se Thaçi nuk duhet të përkulet para memorialëve ku shkruan se këta persona u “vranë nga terroristët shqiptarë”. /Kallxo.com