Në Prizren, përkatësisht në rrugën e “Peshkatarëve”, mbrëmë është arrestuar një person pasi që gjatë kontrollit te i njëjti është gjetur dhe konfiskuar arma e llojit “BERETA” me 7 copë fishkë të kalibrit të panjohur, shkruan PrizrenPress.
Policia njofton se i njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/
Policia e Kosovës thotë se nuk ka elemente inkriminuese në rastin e pankartës të vendosur në hyrjen e fshatit Mushtisht të Suharekës me fotografitë e shtëpive të djegura të fshatit gjatë luftës në Kosovë.
Një zëdhënës i Policisë së Kosovës në Prizren, Hazir Berisha, i tha Radios Evropa e Lirë se “policia nuk ka gjetur elemente të veprës penale, meqë bëhet fjalë për lirinë e shprehjes së qytetarëve që nuk është e ndaluar dhe e kundërligjshme”.
Pankarta, me përshkrimin, “Kjo është çka kanë lanë pas veti kur u larguan nga Mushtishti serbët lokal“, u vendos në kohën e paralajmërimeve të kthimit të serbëve të zhvendosur në këtë fshat dhe në prag të një feste serbe.
Vendosja e pankartës ka shkaktuar një valë reagimesh të udhëheqësve politikë serbë, përfshirë edhe Ministrinë për komunitete dhe kthim. Reagimeve, të hënën, iu bashkua edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, nga radhët e Listës Srpska, Branimir Stojanoviq, që duke e dënuar “vendosjen e pankartës, theksoi përkushtimin për kthimin e serbëve në fshat”.
Ai tha se numri më i madh i banorëve ka shprehur gatishmërinë për kthimin e serbëve, por “vendosja e pankartës nga persona që nuk janë nënshkruar, flet se kthimi i serbëve nuk është diçka që e duan të gjithë”.
“E dimë se në vitin 1999 shumëçka e rëndë ka ndodhur në ato hapësira. Shprehim keqardhje për të gjtiha viktimat dhe nuk duam t’i mohojmë. Por, nuk pranojmë kualifikimin se të gjtihë serbët janë fajtorë për këtë” ,tha Stojanoviq dhe shtoi se “përpjekjet për kthimin në Mushtisht do të vazhdojnë”.
Ai bëri thirrje banorëve të Mushtishtit që të përmbahen dhe që ardhjen e serbëve me 28 gusht në festën e tyre dhe përgjithësisht kthimin e serbëve mos ta shohin si kërcënim. /REL/
Përfaqësuesja e Kosovës, do t’i fillojë kualifikimet për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” më 5 shtator të këtij viti kundër Finlandës si mysafire.
Mirëpo, nuk ka stadium ku t’i zhvillojë ndeshjet si vendës.
Asnjëri prej stadiumeve të ekipeve kosovare nuk i plotëson kushtet që kërkon FIFA dhe UEFA për zhvillimin e takimeve ndërkombëtare.
Në mungesë të një fushe me dimensione standarde dhe kushte të pranuara për lojë, djelmoshat verdh e kaltër do t’i presin kundërshtarët në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Aty do të ndeshen kundër Kroacisë më 6 Tetor, shkruan Gazeta Fjala.
“Nuk do të jetë e lehtë që të organizohen ndeshjet jashtë Kosovës, por e kemi edhe ndihmën e organeve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe autoriteteve të vet stadiumit. Por, ne besojmë se edhe kjo brengë do të marrë fund kur të përfundojnë punimet në Prishtinë e Mitrovicë”, thotë për Gazetën Fjala, Fazli Berisha, zëdhënës i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Përveç kushteve të tjera infrastrukturore që kërkojnë stadiumet kosovare, një kriter bazë janë edhe dimensionet e fushës ku zhvillohet loja.
Në rregulloren e FFK-së për edicionin 2016/2017, neni 32 për terrenet futbollistike, shkruan se UEFA parasheh proporcionet maksimale të fushës të jenë 120 x 80 metra.
Proporcionet që parasheh UEFA, nuk i plotëson asnjë stadium në Kosovë.
Mirëpo, disa prej stadiumeve të ekipeve kosovare i plotësojnë kriteret e proporcioneve minimale që parasheh UEFA e që janë 105 x 68 metra dhe 100 x 64 metra.
Dimensione pothuajse të ngjashme për sezonin e ardhshëm, i ka lejuar edhe IFAB (Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit), i cili për ndeshjet ndërkombëtare parasheh dimensionet maksimale 110 x 75 metra, si dhe ato minimale 100 x 64 metra.
Prishtina nuk i di dimensionet e stadiumit
Kampioni i Kosovës, Feronikeli, ka bërë një investim prej rreth 700 mijë eurosh në stadium si donacion i Bashkimit Europian, derisa dimensionet e fushës edhe pas rindërtimit janë 105 x 68 metra.
Ndërkohë, tek klubi i Prishtinës, nuk kanë janë në dijeni se sa janë dimensionet e fushës në stadiumin e tyre.
I kontaktuar nga Gazeta Fjala, një zyrtar i ekipit prishtinas ka thënë që nuk ka dijeni se sa kanë qenë dhe sa janë dimensionet e fushës, por që FFK-ja i ka informacionet për dimensione, pasi këta të fundit janë në mbikëqyrje të rindërtimit.
Në anën tjetër, FFK-ja në përgjigjen për Gazetën Fjala, nuk kanë dhënë ndonjë shifër të saktë, por kanë thënë se sa i përket dimensioneve të fushës, ato kanë qenë në bazë të standardeve të lejuara dhe do të jenë edhe pas rindërtimit në përputhje me standardet e UEFA-s.
Ndërsa, kanë shtuar se zyrtarë të ekipit prishtinas kanë mungesë të dhënash rreth dimensioneve të fushës.
Kurse, kriteret minimale të dimensioneve të stadiumeve për garat vendore, i plotësojnë edhe stadiumi i Gjilanit, Drenicës, Besës, Llapit, Flamurtarit dhe KEK-ut.
Ndërkaq, Trepça, Trepça ’89, Drita e Vëllaznimi nuk japin të dhëna.
Në të gjitha këto stadiume do të mund të zhvillohen takime ndërkombëtare të përfaqësues së Kosovës, nëse ato arrijnë t’i plotësojnë standardet e kërkuara UEFA dhe FIFA.
Kërkohen investime në stadiumet ekzistuese
Më 3 dhe 13 Maj të këtij viti, Kosovës iu hapën dyert për të luajtur në futbollin ndërkombëtar, duke u pranuar në këto dy organizata të futbollit.
Ndërkaq, më 9 Qershor, Këshilli për Çështje Emergjente i UEFA-s, vendosi që Kosova të jetë pjesë e grupit l për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Rusia 2018?.
Por, brenga e përfaqësueses është stadiumi, i cili është premtuar nga Qeveria e Kosovës por që nuk do të jetë gati me fillimin e ndeshjeve të përfaqësueses.
Megjithatë, derisa, Kosova do t’i luaj takimet në ”Loro Boriçi” të Shkodrës, investimet në terenet futbollistike do të vazhdojnë.
Përveç investimeve në stadiumin e Prishtinës, në FFK bëjnë të ditur se investime do të ketë edhe në Mitrovicë, Pejë e Gjilan.
”Paralelisht MKRS ka ndarë mjete për aftësimin me standarde edhe për stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Ndërkohë, janë ndarë mjetë edhe për stadiumet në Pejë dhe Gjilan. Ndërsa, FFK-ja do të agazhohet që përmes projekteve dhe donacioneve nga UEFA dhe FIFA, të bëjë përmirësimin e infrastrukturës në futboll varësisht nga prioritet që do të përcaktohen”, bën të ditur Berisha. /Gazeta Fjala/
Demarkacioni, demarkimi apo delimitimi, janë nuanca të terminologjisë profesionale kur kemi të bëjmë me përcaktimin e vijës kufitare në mes dy shteteve. Të gjithë qytetarët e Kosovës, tashmë e kanë kuptuar se dikush nga krerët e Kosovës, me vendim të dikujt nga jashtë Kosovës, po tenton t’ia legjitimojë Malit të Zi nja 8300 hektarë tokë, njësoj siç ia falën Maqedonisë para do vitesh mbi 2500 hektarë. Metodat dhe format e trysnisë së Presidentit dhe kryeministrit që po i përdorin ndaj deputetëve janë anakronike, nga kohët e kaluara të sistemeve diktatoriale.
Po pse e gjithë kjo trysni?
A mos Presidenti dhe Kryeministri po e shesin ‘vatanin’? A mos ata po përfitojnë materialisht për vete? Siç po dëgjohet nëpër kuluare. Unë mendoj se jo. Ata vetëm po e respektojnë marrëveshjen e Rambujesë, sipas së cilës Serbia është sovrane mbi Kosovën e të cilën shqiptarët e kanë nënshkrua me vetëdëshirë.
Më 17 shkurt 2008, në seancën “solemne” të parlamentit të Kosovës, Hashim Thaqi në cilësinë e Kryeministrit e lexoi deklaratën në të cilën ndër të tjera thuhej: “… shpall Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”. Në atë tekst sintagma ‘SOVRAN’ mungonte, pikërisht për faktin se sovraniteti mbi Kosovën i ishte lënë tjetërkujt, në këtë rast Serbisë.
Ne mund të pimë çaj pa na shqetësuar policët serb, kufijtë e Kosovës më nuk i ruan armata serbe, madje as e jona, degradimin urbanistik të qyteteve e bëjmë vetë pa ndihmën e Serbisë, kontaminimi i rrugëve dhe shesheve të qyteteve me muzikë rome e shitës ambulantë të kinkaleve të krijon përshtypjen se gjendesh në panagjyret rome të qyteteve serbe. Sistemi i ekonomisë, i arsimit, i shëndetësisë… janë në kolaps. Akterët e aferës PRONTO kanë tjera prioritete. Të gjitha këto vetëm sa e gëzojnë Serbinë, në këtë drejtim na ka lënë të lirë. Por për çështjet madhore të shtetit, sovrane është ajo.
Marrëveshja e Rambujesë është përplot enigma, paqartësi dhe sekrete që me ngulm po fshihen nga ne populli i zakonshëm. Po të ishte qeveria e Kosovës sovrane mbi territorin e vetë, si ka mundësi që veriu i Kosovës të mos i bindet? Si ka mundësi që rojat e urës në Mitrovicë, të cilët bënë spastrimin e asaj pjese nga shqiptarët; vranë civil, me eksploziv hodhën në erë objekte banimi e xhamia, vranë policë në detyrë, zaptuan banesat e shqiptarëve, në një kohë që financoheshin nga Qeveria e Kosovës? Si ka mundësi që po ato roja të urës, me një vendim të përnjëhershëm, (gjakovarët do të thoshin: filhall vendim) të shndërrohen në policë të Kosovës?!!! Se për kë do të punojnë ata policë me uniformë të Policisë së Kosovës, nuk është e vështirë t’ia qëlloni. A ka mundësi që institucionet e Kosovës, me vetëdëshirë të aprovojnë ligje absurde që ua njeh exteritorialitetin të gjitha manastireve ortodokse dhe lagjeve e fshatrave serbe (Rahovec, Hoçë e Madhe, Prizren)? Madje iu morr toka varfanjakëve të Deçanit dhe iu fal manastirit. Si ka mundësi që një kishë e ndërtuar në kohen e luftës, për inat të shqiptarëve, mu në kampusin e Universitetit të Prishtinës, të qëndrojë ende në këmbë? Absurditetet e këtilla janë të pafundme. Sa vetëtorturuese duket e gjithë kjo!
Po t’i merrnin të gjitha këto vendime e veprime qeveritarët dhe deputetët tanë me vetëdëshirë, do të më jepej e drejta t’i quaj, te e pakta, argatë të Serbisë. Mirëpo, unë shpresoj se këtë po e bëjnë për shkak se po i detyron një marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar nga vetë shqiptarët. Në këtë rast më jepet e drejta t’i quaj të ligj dhe të paditur.
Këto ditë Kosovën e vizitoi miku i shqiptarëve, nënkryetari i SHBA-ve Xho Bajden. Ai në konferencën për shtyp, duke u kthyer kah Presidenti Thaqi tha: “Ju po thoni se kufiri është në rregull dhe se po e kundërshton një pjesë e vogël, andaj do të duhej të ratifikohej”. E keni gënjyer kryetar! Kufiri as nuk është në rregull dhe as nuk po kundërshtohet nga një pjesë e vogël e qytetarëve. Ju e dini shumë mirë këtë. Miqësitë nuk thuren mbi gënjeshtra, gënjeshtarët nuk kanë miq.
Kryetari dhe Kryeministri, nuk ka ditë që nuk e përsërisin nga disa herë refrenin demagogjik: “asnjë metër katror nuk e humb Kosova me këtë demarkacion”. Ky refren bajat e fyen inteligjencën kombëtare, përveç atyre që zhvatin nën bishtin e institucioneve. Me këto veprime jeni konsumuar aq shumë, sa barsoletat për ju nuk kanë të sosur.
Vrojtuesit më të vëmendshëm të gjeopolitikës rajonale me lehtësi kanë mund ta vërejnë se Malit të Zi, tokën e Kosovës po ia fal Serbia, ashtu siç ia fali Maqedonisë. E keni vënë re se si liderët e Serbisë asnjëherë nuk janë prononcuar për vijën kufitare Kosovë – Mali i Zi. E dini pse? Sepse e di se këtë vendim të saj do ta implementojë masha e saj në Kosovë. Strategjia e saj afatmesme është që në një të afërme jo të largët, ta gllabëroj Malin e Zi me hatër ose me zor. Në atë rast, arsenali luftarak i saj do të zdirgjej shpatijeve të Bjeshkëve të Nemuna deri në Kuqishtë. Çfarë pasojash do të mund të kishte territori i Kosovës (që ka mbetur sa një sofër vend) nga ato pozicione, nuk është vështirë të imagjinohet.
Gjatë rrugëtimit të tyre drejt lirisë në këto dekadat e fundit, shqiptarët kanë bërë shumë gabime; kanë nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë e cila e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, kanë pranuar Pakon e Ahtisarit, kanë pranuar gjashtë pikat e Ban Ki Munit. Të gjitha këto janë hartuar në Beograd, sepse as Ahtisari e as Ban Ki Muni nuk mund t’i njohin specifikat detale të raporteve Serbi-Kosovë. Me aq përpikëri, ata nuk i njohin as problematikat e vendeve të veta. Është naive ta besosh këtë. ‘Marifetet’ e Serbisë vetëm sa kanë filluar, ato më të dhimbshmet ende nuk i kemi parë. Prandaj, vetëm revidimi i të gjitha këtyre marrëveshjeve mund të na shpëtojë nga sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën, megjithëqë është shumë vështirë, sepse të gjitha këto marrëveshje e dokumente i kanë firmosur përfaqësuesit “legjitim” të shqiptarëve.
Edhe më herët Evropa ka sjellë vendime që kanë peshuar rëndë mbi kurrizin e trojeve shqiptare: Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Marrëveshja e Versajës. Veçse ka një dallim. Asnjëra nga këto marrëveshje nuk e mban firmën e shqiptarëve. Të gjitha ato vendime janë sjellë me argumentin e të fortit, pa miratimin e përfaqësuesve shqiptarë. Kjo na jep të drejtën të kërkojmë revidimin e të gjitha vendimeve që të tjerët i kanë marrë në emër tonin.
Shpresoj se më 1 shtator 2016, në mesin e deputetëve të shumicës do të gjenden deputetë që ende mbajnë të fshehur një grimë dinjitet dhe ta refuzojnë ratifikimin e kufirit me Mailin e Zi, sepse kështu siç është duke shkuar, nuk do të na lënë vend as sa për një kolibe qeni. Është koha e fundit të mësohemi ta mbrojmë atdheun.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Visar Ymeri, në një intervistë për gazetën “Shekulli” përsëriti qëndrimin e prerë të opozitës dhe të partisë që ai drejton se ndarja e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk duhet të kalojë, sepse Kosovës i merrem më shumë se 8200 hektarë tokë.
Ymeri tha se VV do të vendosë në dispozicion të procesit kapacitetin e saj njerëzor e logjistik në funksion të ndalimit të versionit aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin.
Pavarësisht debatit të hapur të disa ditëve më parë kur u pa dhe njëherë më shumë se “Demarkacioni” çalon, qeveria vendos të dërgojë projektligjin për votim në kuvend. Janë më shumë 8200 ha nga territori i Kosovës që sipas atyre që kundërshtojnë këtë demarkacion do i kalojnë pa të drejtë Malit të Zi. Cili do të jetë hapi i radhës i opozitës?
Kjo marrëveshje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk është se thjesht çalon, kjo është tërësisht e jashtëligjshme dhe antikombëtare. Është e jashtëligjshme sepse kjo marrëveshje është nënshkruar në kundërshtim me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, të miratuar në 25 qershor 2015, e cila rezolutë e detyronte qeverinë që para se të nënshkruante marrëveshje të tillë të njoftonte Kuvendin. Ky njoftim nuk ndodhi kurrë, ndaj qeveria ka shkelur ligjin dhe ka kryer një farë puçi institucional, duke e vendosur veten mbi Kuvendin. Kjo në një republikë parlamentare nuk mund të ndodhë. Përveç kësaj, kjo marrëveshje për demarkacion ia zvogëlon territorin Kosovës me së paku 8200 hektarë. Ekspertë të ndryshëm, profesorë e akademikë, gjeografë, gjeodetë, hartografë, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare e të kufijve, nga Kosova e Shqipëria, kanë dëshmuar përmes shumë dokumenteve se ky demarkacion është dëmtim i rëndë për integritetin territorial të Kosovës. Harta të të gjitha burimeve, harta të Kosovës, të Jugosllavisë, të vetë Malit të Zi, harta të përdorura zyrtarisht nga agjenci të SHBA dhe BE, të gjitha këto dëshmojnë se demarkacioni nuk është se vetëm çalon, por e gjymton Kosovën në çdo aspekt. Sigurisht, ne nuk jemi kundër një procesi të drejtë të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Por ky proces duhet të jetë transparent, në përputhje me ligjet e kushtetutat të dyja vendeve, dhe në përputhje me interesat kombëtare. Ne nuk duam asnjë centimetër tokë që nuk është e jona. Por nuk do të lejojmë të na merret asnjë pëllëmbë e Kosovës së çliruar me gjakun e dëshmorëve.
Lëvizja VV do ta vërë në dispozicion gjithë kapacitetin e saj njerëzor e logjistik në funksion të ndalimit të versionit aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin. Janë 205 mijë qytetarë që kanë hedhur firmën e tyre në peticionin kundër Marrëveshjes; janë organizuar dhjetëra protesta ku qytetarët edhe kanë demonstruar kundërshtimin e tyre; kemi po ashtu debatin e organizuar së fundi në Kuvendin e Kosovës midis Komisionit Shtetëror në njërën anë, dhe profesorëve profesionistëve të fushës në anën tjetër. Qeveria i ka humbur të gjitha argumentet.
Pas atij debati çdo laik e ka kuptuar që kjo Marrëveshje është e dëmshme. Të përballur me presionin popullor, koalicioni qeverisës u detyrua ta shtyjë miratimin deri më 1 shtator. Koalicioni i krimit të organizuar i ka humbur të gjitha betejat e zhvilluara rreth kësaj çështjeje deri më tash. Do të humbasin edhe kësaj radhe.
Do të vlejë në këtë rast shprehja, që çdo mjet i përdorur për të ndaluar padrejtësitë do të jetë i ligjshëm?
Nuk ka krim më të rëndë ndaj një vendi se sa cënimi i territorit. Ky është një ligj universal në botën e kombeve e të shteteve, dhe popujt shpallin luftë për të ndalur cënimet territoriale. Prandaj, ne jemi të detyruar t´i kundërvihemi këtij krimi e ta ndalim atë, që të parandalojmë përplasje të tilla e përkeqësime të marrëdhënieve mes dy vendeve. Fatkeqësisht, ligjërimi shqiptar mbi ngjarjet historike është pasiv dhe përtac. Ne u kemi thurur lavdi dëshmorëve, i kemi mallkuar tradhtarët, por këto kontradikta historike i kemi lënë të fjetura athua se po tregojmë përralla mbi një botë imagjinare. Si qëndron politika shqiptare përballë Hasan Prishtinës të cilit i ndërton lapidare gjithandej?!
Mos vallë, dëshmorët po i ngrijmë në bronz pikërisht që kujtimi për veprat e tyre të mbulohet nga vepra e politikanëve që inicuan tenderët e lapidarëve. Nëse midis nesh pajtohemi gjerësisht për vendin e Ahmet Zogut e Esat Toptanit në histori për shkak të pazareve të tyre në dëm të arealit shqiptar, çfarë themi atëherë për ata që nënshkruan Marrëveshjen e Kufirit Detar me Greqinë, apo Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e zi?! Historia nuk mund të jetë koleksion kronologjik i fakteve. Nëse ka një rol emancipues historia, atëherë ky është përmes aktualizimit të ngjarjeve e figurave në kushtet e rrethanat tona. Demarkacioni nuk duhet të kalojë kurrsesi, sepse Kosova nuk ka tokë për të falur! Demarkacioni nuk do të kalojë sepse Kosovën ka kush ta mbrojë!
Përdorimi i gazit lotsjellës, përveç shtyrjes së marrjes së vendimeve duket se nuk po jep ndonjë efekt frutdhënës, është menduar ndonjë protestë alternative?
Shtyrja e marrjes së vendimeve është më mirë se marrja e vendimeve kriminale kundër kombit. Pra, një farë rezultati ne e kemi pasur, pasi po të mos kishte ndodhur protesta e aksioni në Kuvend kjo marrëveshje kaq e dëmshme do të ishte miratuar që një vit më parë. E kësaj radhe, ne do ta bllokojmë këtë Marrëveshje dhe nga brenda përmes aksioneve të deputetëve, dhe nga jashtë përmes demonstrimit popullor. Ju sigurojmë se kreativiteti nuk do të mungojë e nuk na ka munguar kurrë.
Edhe protestat më të fundit duket se nuk kanë tërhequr shumë vëmendje. Cila është arsyeja e kësaj apatie të opinionit publik sipas jush?
Protesta gjithëpopullore ne si VETËVENDOSJE! nuk kemi thirrur tash sa kohë. Nuk besoj se kemi të bëjmë me ndonjë abstenim popullor karshi ngjarjeve, përkundrazi qytetarët janë çdo herë e më të vëmendshëm. Sa i përket protestave të thirrura në Prishtinë nga shoqëria civile, unë mendoj se kemi të bëjmë me pasivitetin që e sjellin muajt e verës, gjë që ka qenë njëjtë gjithmonë. Pastaj, nuk duhet të harrojmë se protesta është frymë, por është edhe logjistikë, dije organizative, taktikë e strategji. Është naive të mendosh se mjafton të publikohet një skandal dhe protestat nisin vetë. Neve jemi duke e vënë në punë gjithë trupin tonë të aktivizmit në shërbim të protestave e veprimeve kundërshtuese që do t´i ndërmarrim kundër demarkacionit.
Jeni ende i mendimit se aleanca e opozitës po funksionon dhe do të mund të jetë një forcë qeverisëse e gatshme për të drejtuar vendin?
Në këtë moment e vetmja gjë e rëndësishme për ne është ndalimi i Marrëveshjes për Demarkacionin. Ne po punojmë që rreth kësaj kauze të krijojmë një front sa më të gjerë politik e shoqëror. Por, ne e dimë se me këtë Qeveri vetëm marrëveshje të tilla mund të presim. Andaj, këtë front politik e shoqëror e shohim edhe në perspektivën e ndërtimit të një alternative që do të hapte shtigje e horizonte të reja për të ardhmen e vendit. Jemi të hapur për bashkëpunime, por vetëm aty ku shohim vullnet për punë e për sakrificë në të mirë të vendit.
Sa politika shqiptare po i përgjigjet interesave të vendit, dhe të atyre që e kanë zgjedhur këtë politikë qeverisëse?
Qëndrimi politik i shtetit shqiptar karshi Kosovës dhe çështjes kombëtare përgjithësisht, nuk ka qenë asnjëherë me i avancuar sesa qëndrimet që ka mbajtur faktori ndërkombëtar mbi këto çështje. Kjo vlen për qeverisjet nga të dyja forcat kryesore politike. Por nuk do të duhet të ishte kështu. Pa qenë sentimental dhe pa llogaritur hiç në ndjenja dashurie mes shqiptarëve, me racionalitet të ftohtë ekonomik e social, Kosova e Shqipëria mund të funksionojnë veç si të bashkuara. Si të ndara do të prodhojnë vazhdimisht probleme për veten, për njëra-tjetrën, për rajonin e për Evropën.
Sa më shpejt ta kuptojnë këtë qeveritarët në Shqipëri, aq më mirë do të ishte. Edhe modelet qeverisëse po ashtu lënë shumë për të dëshiruar. Ne po jetojmë në një kohë kur status quoja e konsensusit neoliberal, e mbledhur politikisht rreth qendrës po pëson trandje të pakthyeshme. Kjo doktrinë po e humbë terrenin edhe brenda akademisë. Ne besojmë se alternativa më e mirë tash për tash është koncepti i shtetit zhvillimor. Një zhvendosje e tillë herët a vonë duhet të ndodhë edhe në Tiranë, por fatkeqësisht deri tani e shohim se si ende mbizotëron një e majtë e rrugës së tretë, që s´është gjë tjetër pos një neoliberalizëm i veshur me ngjyrë të purpurt.
Dëmtues të imazhit të Shqipërisë morën shtetësinë Anëtarë të Vetëvendosjes, shtetas shqiptarë të Shqipërisë, ende nuk kanë të drejtë të shkelin në territorin e Kosovës, po ndërmerret ndonjë hap për të ndryshuar këtë vendim?
Është interesant pasiviteti i Qeverisë së Tiranës në këtë drejtim. Shumë prej personave që në Kosovë bëjnë fushata publike e mediatike kundër Shqipërisë, duke ia ulur asaj imazhin e kredibilitetin e duke provokuar shqiptarët e Kosovës me idenë se “Shqipëria nuk i do”, kanë marrë shtetësinë e Shqipërisë prej këtyre qeveritarëve. Ambasada e Kosovës në Tiranë duket tërësisht e pafuqishme ndaj kësaj agjende të rrezikshme që dëshiron të na përçajë kombëtarisht. E në këtë rast, edhe pse Kosova po vepron arbitrarisht ndaj disa qytetarëve shembullorë, intelektualë, të cilët nuk e kanë shkelur asnjë ligj, Tirana hesht me një heshtje të turpshme. Sa i përket Qeverisë së Kosovës, ajo gjithnjë e më shumë po i ngjan qeverive kuislinge që kemi pasur në kushtet e pushtimit. Ne kemi ngritur procese gjyqësore nëpër gjykatat respektive, por pak gjë mund të pritet nga kjo. Gjithsesi, mobilizimi kundër këtij regjimi jep përgjigje edhe për këtë pyetje si për shume pyetje të tjera.
Tri biseda të reja të Adem Grabovcit, me persona të paidentifikuar, dëshmojnë fuqinë e tij që kishte mbi secilin institucion gjithandej Kosovës. Grabovci me strukturën e tij politike, ishte autoritet dhe kriter i vetëm që dikush të vendosej aty ku i konvenonte partisë. Përveç kësaj, Grabovci kishte autoritet të vendoste edhe për statusin e veteranit të UÇK-së. Kjo dëshmohet me serinë e XVI-të të përgjimeve telefonike.
Pos për caktimin e njerëzve nëpër të gjitha bordet e ndërmarrjeve në gjithë Kosovën, Adem Grabovci kishte fuqi për të vendosur edhe për statusin e veteranëve.
Një bisedë telefonike me një person të paidentifikuar, Grabovci e udhëzon t’i dorëzojë dokumentet për status të veteranit të UÇK-së, pasi atij i kërkohej ndihmë për ta bërë një gjë të tillë.
Bashkëbiseduesi i shpreh shqetësimin Grabovcit se në Deçan nuk po ia pranojnë statusin. Garanton se do të merret me këtë çështje.
Kjo bisedë telefonike të cilën e sjell Insajderi, bashkë me dy tjera me persona jo publik, dëshmon për manipulimin me listat e veteranëve. Numri i veteranëve me lista zyrtare të verifikimit ka arritur mbi 50 mijë, derisa me listat e pasluftës të nënshkruara nga vetë ish-komandanti, Agim Çeku, numri i veteranëve ishte rreth 17 mijë.
Shumëfishimi i listës së veteranëve, ka ndikuar që Kosova të rrezikohet nga një krizë buxhetore dhe t’i rrezikojë raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Në këto tri biseda që sjell Insajderi në serinë e XVI-të, Grabovci rikonfirmon fuqinë e tij dhe të PDK-së për të vendosur për gjithçka.
Grabovci, flet në këtë bisedë për Valonin, një person që e kishte vendosur në një bord në Rajonin e Dukagjinit. Për këtë person kishte folur edhe me Ismetin, i cili e këshillonte Grabovcin që të vendoste njerëzit e tij, në ndërmarrjen e Radoniqit e cila kishte tre milion euro të hyra vjetore. Biseda është publikuar në serinë e XIII-të të Dosjes së Shefave.
Biseda tjetër flet për një bord në Prizren. Grabovci dhe bashkëbiseduesi flasin për një person me mbiemrin Basha, të cilin e konsiderojnë të tyre dhe se puna është e kryer.
Për këtë çështje, Grabovci kishte udhëtuar në Prizren.
“Atë Bashën, që e kem pa…”, thotë Grabovci.
“ E ki t’garantume ata, ski çka aty…”, ia kthen bashkëbiseduesi.
“E çka m’thanë, çka m’thanë, çka m’thanë jo po përsëritet a s’di çka…”, vazhdon Grabovci.
“S’ka shansa, s’guxon kërkush me përsëritë ata…, se ajo u kry procedura, veç me e intervistu… Po, po, veç, veç kur të thrrasin n’intervistë… Jo, ata, atë tjetrën, ata për atë…, qata që ke than, Hajrinin ke thanë, atë ajo anulohet…”, thotë bashkëbiseduesi.
Grabovci, i thotë bashkëbiseduesit që ta kthejnë këtë person me emrin Hajrin dhe mos ta ngucin.
“Hajrinin, ma ktheni! Mos ma ngucni Hajrinin”, urdhëron Grabovci.
Bashkëbiseduesi e garanton Grabovcin se Hajrini nuk do të ketë asnjë telashe.
“Jo, Hajrini dihet. Hajrini vjen n’vend pune, aty ai shkon. Shumë djalë i mirë, me t’vërtetë qaj Basha, që the ti”, shton bashkëbiseduesi.
Ndërkohë, biseda vazhdon për Nehatin. Bashkëbiseduesi thotë se i duhej dikush i fortë siç ishte Nehati.
“Po edhe se na duhet qaty, me kanë dikush i fortë, i mirë”, shton bashkëbiseduesi.
“Okej, u bo shoqit…”, konfirmon Grabovci.
Në bisedën e dytë që sjell Insajderi, Grabovci flet me një person të cilin e këshillon të konkurrojë në tri vende, përfshirë Bordin e Hekurudhave. Paraprakisht në krye të kësaj ndërmarrje, kishin vendosur ta emëronin, Agron Thaçin nga Vitia.
Pasi e pyet Grabovci, bashkëbiseduesin se çka ka të re, ai i raporton se i ka kryer procedurat e konkurrimit siç e kishte udhëzuar Grabovci.
“Qatje i kom kry, qato që t’pata thanë”, i thotë Grabovcit, ai.
“Edhe qata dashta me e marr konfirmimin prej teje a osht, se ktu mo s’i qita hiç se…”, thotë bashkëbiseduesi, i cili paraprakisht kishte pasur një pozitë të lartë në ndërmarrjet publike, por donte ndërrim të vendit të punës.
“N’kta, ktu s’i kom qit, veç, veç, n’qata që t’pata thanë. A je i lirë sot a mujm mu taku”, e pyet Grabovcin, ai.
“Po qiti ti, qiti nja dy vena.., qaty n’et qillojnë. Na po fokusohem qikha ku… Ku m’ki thanë ti, e tani, bisedojmë bashkë”, udhëzon Grabovci.
“Ani, ani pra ta boj. E n’kta, n’kta ku jom kon si kom qit hiç. Tri i kom qit nalt atje… N’qata, qata që t’kom thanë edhe n’Hekurudha”, vazhdon bisedën ky person.
“Ëhë, ëhë…, okej, hajde, hajde, bisedojmë”, thotë Grabovci.
Ish-shefi i Shefave, Adem Grabovci në bisedën e tretë që sjell Insajderi, flet me një person tjetër. Ai thotë se ka dy oferta për Valonin, për dy borde. E porosit bashkëbiseduesin që të flas me Valonin, se ku dëshiron të sistemohet, sepse siç thotë ai, këtë mund ta bëjë pa asnjë problem.
“… ej, ai Valoni, a osht i interesum, kshtu a ka interes t’veçantë dikun, apo n’cilin t’bahet”, e pyet, Grabovci, bashkëbiseduesin.
“Jo, n’cilin t’bahet, ose n’tujrave ose n’kto, ku t’bjen n’to, n’dyjat ai ka konkurs”, sqaron ky person i paidentifikuar.
“Pyte, pyte, nëse ka qef ma t’veçantë diçka, le, le tum tregon… mu ba, bahet”, garanton Grabovci.
“Ani pra, se shihemi nesër prama edhe t’kallxoj, a u bo”, thotë bashkëbiseduesi.
Ndërkohë, biseda vazhdon për një person nga Restovicë e Deçanit që do të aplikonte për statusin e veteranit.
“Hej, shef…, e për ata, për veteran, për atë nipashin a ke mujt naj sen, jo a? Për ata t’Rostovicës që tha i kom dorëzu dokumentat”, pyet bashkëbiseduesi.
“Për çka”, thotë Grabovci.
“Për veteran i luftës që ka qenë. Me ju pranu…”, sqaron ai.
“Le t’i merr dokumentat ai… ai le ti merr dokumentat, le t’i çon n’shoqatë atje, tyben as s’jom marrë me to”, udhëzon Grabovci.
“Po, po i ka dorëzu krejt, po mos pi hjekin kta Deçani, naj sen tha. Ku me ditë a i kanë çu ata”, thotë bashkëbiseduesi.
Biseda e parë
Grabovci: Alo.
X: Adem, m’ke thirrë?
Grabovci: Po, pak ma herët.
X: Po, se kom ni, jom kanë n’kerr.
Grabovci: N’Prizeren.
X: Po?
Grabovci: Atë Bashën, që e kem pa…
X: E ki t’garantume ata, ski çka aty…
Grabovci: E çka m’thanë, çka m’thanë, çka m’thanë jo po përsëritet a s’di çka (nuk kuptohet)…
X: S’ka shansa, s’guxon kërkush me përsëritë ata…, se ajo u kry procedura, veç me e intervistu.
Grabovci: Po a?
X: Po, po, veç, veç kur të thrrasin n’intervistë.
Grabovci: Ëhë…
X: Jo, ata, atë tjetrën, ata për atë…, qata që ke than, Hajrinin ke thanë, atë ajo anulohet…
Grabovci: Hajrinin?
X: Se Hajrini (nuk kuptohet)…
Grabovci: Hajrinin…
X: Hajrini (nuk kuptohet)
Grabovci: Hajrinin, Hajrinin, ma ktheni, mos ma ngucni Hajrinin.
X: Jo, Hajrini dihet. Hajrini vjen n’vend pune, aty ai shkon, shumë djalë i mirë, me t’vërtetë qaj Basha, që the ti.
Grabovci: Nehati.
X: Po edhe se na duhet qaty, me kanë dikush fort i mirë.
Grabovci: Okej, u bo shoqit..
X: Qishtu shefi.
Grabovci: Haj, niherë se shihum.
X: Shihem. Tung, tung.
Grabovci: Hajt, hajt.
Biseda e dytë
Grabovci: Alo.
X: Tungatjeta.
Grabovci: Edhe e jotja.
X: A jeni, a si je a?
Grabovci: Qe gjallë. Si je ti?
X: Mirë.
Grabovci: Ça i ki puntë?
X: Nom bre mirë.
Grabovci: A je lodh?
X: Jo bre qishtu kapak.
Grabovci: Ka je kshtu?
X: Valla, kah Peja qiknej, menova me dal kah Prishtina. Qysh je ti, a çka po bon a?
Grabovci: Mirë, mirë, nuk o keq, qishtu.
X: Ka je kon do ditë?
Grabovci: Paj, n’Bruksel, e n’Romë, do takime i kem pas, nifarë delegacioni.
X: Ani, ani.
Grabovci: Ti?
X: Që, unë qishtu.
Grabovci: Ça ka tre ka ti?
X: Qatje i kom, kry, qato që t’pata thanë.
Grabovci: Ëhë…
X: Edhe qata dashta me e marr konfirmimin prej teje a osht, se ktu mo s’i qita hiq se (nuk kuptohet)
Grabovci: Qysh?
X: N’kta, ktu s’i kom qit, veç, veç, n’qata që t’pata thanë. A je i lirë sot a mujm mu taku?
Grabovci: Kqyri mos po…, se unë qata t’thash mos je ksajde, mos po shkoj për kha, në Prevallë, t’hamomit, e kem nifar…
X: Aha…
Grabovci: Po qiti ti, qiti nja dy vena, (nuk kuptohet) qaty n’et qillojnë. Na po fokusohem qikha ku…
X: Po…
Grabovci: Ku m’ki thanë ti, e tani, bisedojmë bashkë.
X: Unë, për nja ni orë e gjysë muj me kanë atje, po ti sigurisht nashta ki naj punë.
Grabovci: Sidoqoftë, sidoqoftë, ti ma bon ni telefon.
X: Ani, ani pra ta boj. E n’kta, n’kta ku jom kon si kom qit hiç. Tri i kom qit nalt atje.
Përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor kanë përfunduar dhe çdo është gati për hapjen e shkollave më 1 shtator. Kështu është e bërë e ditur në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të udhëhequr nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, e ku janë diskutuar edhe çështje tjera që kanë të bëjnë me aktivitetet e përditshme të drejtorive komunale.
Drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Avdi Morina, ka njoftuar se drejtoria, i ka bërë të gjitha përgatitjet për 1 shtator, dhe në bazë të të dhënave nga drejtoritë e shkollave, janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2016-2017.
Morina, po ashtu ka bërë të ditur, se në shkollimin e mesëm, kanë mbetur pa e regjistruar rreth 300 nxënës, të cilët do të kenë mundësinë të regjistrohen duke filluar nga sot, për tri ditë me radhë (22,23 dhe 24 gusht 2016), të cilët mund ti paraqesin dokumentet për regjistrim në klasën e dhjetë.
Pas fillimit të vitit shkollor, në Malishevë do organizohet një shkollë verore, që do të zgjatë dy ditë. Kështu ka njoftuar drejtoresha për kulturë, rini dhe sport, Blerta Krasniqi.
Ajo ka bërë të ditur se do të organizohet një shkolle verore, dy ditore, në Qendrën Rinore në Malishevë dhe në Qendrën e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë. /PrizrenPress.com/
Këngëtarja 32 vjeçare ka marrë një propozim në prapaskenë nga një djalë gjashtë vjeçar gjatë koncertit të saj në stadiumin MetLife në natën e shtunë në East Rutherford, N.J.
“Jam fejuar sot”, i ka thënë Miranda turmës.
“Është një djalë i vogël diku këtu i quajtur Sebastian. Ai më kërkoi të martohem me të dhe unë i thashë PO”.
Ajo shtoi: “Kur ai erdhi të më takoj dhe përshëndes, ai u ul në gjunjë dhe ishte një zotëri i vërtetë. Ky do të jetë propozimi im më i preferuar ndonjëherë. Ne e meritojmë këtë”.
“Unë i thashë Po, por ai duhet të presë 25 vjet. Ky djalë i ëmbël është një zotëri i vërtetë”, ka shkruar Miranda më vonë në Instagram së bashku me një fotografi të bukur, të cilën ju mund ta shihni më poshtë.
Leonardo DiCaprio dhe e dashura e tij Nina Agdal, janë fotografuar të përqafuar në New York.
Aktori 41 vjeçar dhe modelja 24 vjeçare dolën për një darkë me një mik të tyre, ku më vonë janë parë duke u shëtitur nëpër rrugë së bashku, shkruan JustJared.
Leonardo dhe Nina ishin përfshirë në një aksident në Hamptons, por kjo fotografi na dëshmon se dyshja është shumë mirë pas aksident dhe se asnjëri prej tyre nuk ka pësuar ndonjë lëndim të rëndë.