19.7 C
Prizren
E shtunë, 21 Qershor, 2025
Home Blog Page 6226

Opozita sot mban konferencë, nesër protestë

0

Liderët e Opozitës së bashkuar do të mbajnë konferencë për media sot me fillim nga ora 14:00.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën iu drejtohen gazetarëve vetëm një ditë para protestës që pritet të mbahet nesër, me 26 mars.

Plagoset biznesmeni, i bënë pritë

0

Ndonëse policia po heton lidhur me mënyren se si ndodhi plagosja e biznesmentit shqiptar Berhan Vishnja, paraprakisht thuhet se atij iu bë pritë teksa ishte duke parkuar automjetin.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth ores 06-30 pranë kryqëzimit të Zdrales, në afërsi të Stadiumit “Loro Borici”.

Biznesmeni 52- vjeçar ka qenë brenda automjetit të tij dhe ka ndaluar për të parkuar. Në atë moment pranë tij ka kaluar një motocikletë me 2 persona, të cilët pasi i janë afruar e kanë qëlluar disa herë.

Autorët, ende të paidentifikuar kane qenë me kokore në kokë dhe pasi e kanë qëlluar thuhet se janë larguar me shpejtësi.

Policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe për të arrestuar autorët, ndërkohë që ende nuk thuhet asgjë për shkaqet, raporton Panorama.

Fortesa, Celina dhe Brestoci përkujtojnë të vrarët në 17 vjetorin e rënies

0

Sot bëhen 17 vjet kur forcat serbe vranë dhjetëra njerëz në fshatrat Fortesë, Celinë dhe Brestoc të komunës së Rahovecit.

Në fshatin Fortesë, forcat serbe morën jetën e më shumë se 65 personave, prej të cilëve dhjet prej tyre ishin nën moshën dhjet vjeçare, kurse të tjerët kryesisht gra dhe të moshuar.

17 vjet pas, qytetarët e këtij fshati përkujtojnë të rënët për lirinë e Kosovës.

Jo vetëm fshati Fortesë i kësaj komune ka ditën e të rënëve. Brestovci është një fshat tjetër në këtë komunë i cili përjetoi masakër. Në këtë fshat në mëngjesin e 25 marsit forcat serbe vranë 54 persona.

Ndërsa Celina fshat tjetër i po kësaj komune, do të mbajë tubimin përkujtimorë për 75 martirët të cilët u vranë në po të njëjtën datë.

Ata sot do të presin lule nga më të afërmit e tyre.

Nën organizim të këshillit organizativ të këtij fshati do të mbajnë akademi përkujtimore tek varrezat, duke filluar nga ora 13:00.

Zija Çela promovon librin e ri

0

Shkrimtari i njohur shqiptar, Zija Çela, promovon sot në Tiranë një libër me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij.

Bëhet e ditur se libri me tregime “Princi i buzëqeshjes” do të promovohet në Muzeun Historik Kombëtar, me fillim nga ora 11:00.

Çela është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë moderne shqipe.  Për shume vite ai ka punuar në disa revista dhe është fitues i disa çmimeve letrare.

Për lexuesit shqiptarë ai njihet me librat e tij “SOS: Një buzëqeshje”, “Pëllumbat e janarit”, “Lëngata e hënës”, e disa të tjerë.

Çela ka lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës.

Zija Çela-princi i buzeqeshjes

Ceremoni e veçantë për inaugurimin e presidentit të ri

0

Pranim-dorëzimi i detyrës së presidentit nga Atifete Jahjaga te Hashim Thaçi do të bëhet me një ceremoni të veçantë shtetërore, e cila nuk është parë deri më tani.

Kjo ceremoni do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” më 8 prill, një ditë pas betimit të presidentit të ri në Kuvend, e në të pritet të marrin pjesë presidentë nga rajoni dhe Evropa.

Abelard Tahiri, këshilltar i Hashim Thaçit, ka konfirmuar për gazetën “Epoka e re” se tashme disa presidentë e kanë konfirmuar pjesmarrjen në këtë ceremoni.

Prokuroria intervistoi 90 mjekë të dyshuar në rastin “Stentat”

0

Nëntëdhjetë mjekë, kryesisht kardiologë, janë intervistuar deri më tani nga Prokuroria si të dyshuar në rastin e njohur si “Stentat”, ku të dyshuar janë mbi 100 mjekë kosovarë.

“Ju informoj se lidhur me rastin janë duke u zhvilluar hetimet, ku deri tani përveç shumë dëshmitarëve që janë intervistuar, janë marrë në pyetje edhe 90 të pandehur”, ka konfirmuar për “Zërin”, zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Lirodona Kozmaqi.

Ajo ka thënë se pas grumbullimit të të gjitha provave, gjegjësisht pas përfundimit të hetimeve Prokurori i çështjes vlerëson se a ka prova të mjaftueshme, të cilat paraqesin dyshim të bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer vepër penale apo jo dhe pastaj do të vendosë për ngritje ose jo të aktakuzës.

Lidhur me këtë çështje, në këtë fazë nuk kanë shumë informacione në Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës.

Prokuroria: 90 të pandehur u morën në pyetje

Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, ka thënë të enjten për “Zërin” se janë në dijeni se disa mjekë, kryesisht kardiologë janë marrë në pyetje. Ai ka shtuar se deri më tani në lidhje me këtë çështje nuk kanë ndonjë njoftim zyrtar.

“Realisht ne nuk jemi palë që na kërkohet mendim nga organet e drejtësisë. Por individë të caktuar janë marrë në pyetje, besoj nga lista e emrave që tashmë është publike”, ka thënë Gjocaj. /Zëri/

Kobaja, fshati ku dikur kalonin shtigjet e luftës

0

Ky vendbanim është themeluar me të ardhurit nga lagjja Badallaj e Zhurit

“I pari i kësaj lagjeje ka ardhur këtu si bari me stane. Prandaj banorët e këtij fshati janë të një barku dhe një gjaku, duke përjashtuar dy familjet e ardhura, Fanaj dhe Rashkaj”, ka thënë Bislimaj

Fshati Kobajë i Prizrenit konsiderohet si vendbanim i ri. Mr. Orhan Bislimaj tregon se banori i parë i këtushëm është i ardhur nga fshati Zhur, lagjja Badallaj dhe që i përkasin fisit Bytyç.

“I pari i kësaj lagjeje ka ardhur këtu si bari me stane. Prandaj të gjithë fshati janë të një barku dhe një gjaku, duke përjashtuar dy familjet e ardhura, ato Fanaj dhe Rashkaj”, ka thënë Bislimaj. Sipas tij, banorët shquhen për traditën e mikpritjes si dhe festimin e disa festave të vjetra.

“Shënohen dhe festohet me përkushtim akoma dy festat, ajo e Shëngjergjit dhe Shënmitrit”, tregon Bislimaj. Po ashtu, banorët tregojnë respekt edhe për objekte që për ta janë të veçanta, si Tyrbja e Baba Soziut dhe Guri i Zi.

Kobaja me shumë kurbetçinj

Kryetari i këtij fshati, Behxhet Osmanaj, tregon për “Kosova Sot” se fshati Kobajë ka 2300 banorë, kryesisht të ardhur nga fshati Zhur. “Kobaja për shkak të konfiguracionit strategjik gjatë luftës ishte pika kryesore e të gjitha takimeve, sepse kishte rrugë lidhëse në të gjitha anët nga qyteti në fshatra dhe anasjelltas. Prandaj Kobaja luftës i falën dy dëshmorë dhe 21 veteranë lufte. Ishte korridor i UÇK- së”, na thotë Osmanaj, duke shtuar se të parët i kushtuan shumë rëndësi shkollimit të gjeneratave të reja dhe tani ky fshat ka 13 magjistra shkencash. Megjithatë, sipas tij, banorët kryesisht merren me bujqësi, shkruan sot, gazeta Kosova Sot.

Banori Bujar Rramanaj tregon se nga 170 familje sa ka fshati, kurse për fat të keq rreth gjysma e banorëve jetojnë jashtë vendit, siç shprehet ai “me bukën e kurbetit”. Por, ai shprehet se banorët e mbetur po përpiqen të ruajnë traditën e trashëguar nga të partë. “Fshati ka ruajtur në mënyrë fanatike sidomos traditën e dasmave dhe kanagjeqeve”, shprehet Rramanaj.

Ia pa hajrin shtigjeve të luftës

Ndryshe, fshati Kobajë tani ka pasur shumë investime pas lufte. Banorët shprehen se fshatit i është dhënë vendi meritor. Banorët tregojë se përfituan nga iniciativat të gjitha shtigjet e UÇK-së të asfaltohen, andaj edhe fshati Kobajë deshi fati të lidhet në katër anë me asfalt. Prandaj, ajo që e dallon fshatin është infrastruktura e mirë.

“Fshati ka ruajtur në mënyrë fanatike sidomos traditën e dasmave dhe kanagjeqeve”, shprehet Rramanaj

Ekipi i “Shok”-ut, vizitoi fëmijët në Qendrën PEMA të Prizrenit

0

Ekipi i filmit “Shok” që e dërgoi Kosovën për herë të parë në “Oscar” vizitoi fëmijët me aftësi të kufizuara në Qendrën e Kujdesit Ditor PEMA në Prizren.

Ekipi “Shok” u njoftuan me aktivitetet e ofruara në kuadër të PEMA si dhe patën mundësinë të kalojnë kohë dhe të flasim me fëmijët me aftësi të kufizuara.

Producenti Eshref Durmishi dhe skenaristi dhe regjisori i filmit “Shok” Jamie Donoughue, bashk me aktorët Lum Veseli dhe Andi Bajgora treguan gatishmërinë e tyre për promovimin e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara, të drejtën për shërbime dhe edukim cilësor. Producenti Eshref Durmishi theksoi “se jemi të gatshëm të ndihmojmë për të gjetur mënyra për mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, realizimin e të drejtave të tyre për një mirëqenie më të mirë”.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës së Kujdesit Ditor PEMA, Liridona Zogaj theksoi rëndësinë e shtrirjes së qendrave të kujdesit ditor edhe në komunat e tjera. “Ngritja e qendrave te kujdesit ditor është një nevojë themelore për rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara duke minimizuar stigimën që lidhet me aftësinë e kufizuar dhe duke fuqizuar potencialet e tyre për një gjithëpërfshirje aktive në shoqëri”, potencoi znj. Zogaj.

PEMA është organizatë jo-qeveritare e cila ofron shërbime psikosociale me qëllim krijimin e një mjedisi sa më mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe të cenueshëm. Organizata vepron përmes katër qendrave të kujdesit ditor në katër qytete të Kosovës (Ferizaj, Gjilan, Pejë dhe Prizren).

Opozita në Prizren: Të shtunën të gjithë në protestë(Video)

0

Opozita e Bashkuar në Prizren,ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në mënyrë masive në protestën e së shtunës.

Zyrtari i VV-së, Arbër Rexhaj, tha se kjo qeveri me marrëveshjet e arritura në Bruksel, po e dëmton Kosovën.

“Përveç kundërshtimit të marrëveshjeve të dëmshme në Bruksel, qytetarët ftohen edhe për të kundërshtuar fuqishëm keqqeverisjen e vendit, e cila dita ditës, po e rëndon jetën e tyre dhe stagnon zhvillimin e shtetit”, tha Rexhaj.

Sabri Micaj nga BD, Sinan Alija nga Nisma për Kosovën dhe Korab Qerreti nga AAK, ftuan bashkëqytetarët që të përkrahin protestën e opozitës, e cila sipas tyre është vënë në mbrojtje të sovranitetit të tërësishëm të vendit, pasi që qeveria aktuale po e rrezikon të ardhmen e fëmijëve tanë me vendime të dëmshme për shtetin dhe popullin.

Zyrtarët e Opozitës së Bashkuar në Prizren, njoftuan se udhëtimi i organizuar për në protestën që mbahet në Prishtinë, do të bëhet ditën e shtunë në ora 11:00 nga Stacioni i Autobusëve në Prizren/TVPZ/

( Video) OPOZITA E BASHKUAR NË PRIZREN FTON BASHKËQYTETARËT EDHE PËR PROTESTËN E SË SHTUNËS NË PRISHTINËSiç është bërë e zakonshme tashmë para mbajtjes së protestave të Opozitës në kryeqendër, Opozita e Bashkuar në Prizren, përmes një konference për medie sërish ka ftuar prizrenasit për të mbështetur protestën që organizohet ditën e shtunë. Zyrtarë të Opozitës së Bashkuar nga radhët e LVV-së, BD-së, Nismës për Kosovën dhe AAK-së, i kanë bërë thirrje qytetarëve që në numër të madh të përkrahin protestën e paralajmëruar që do të organizohet ditën e shtunë në kryeqendër. Me këtë rast, zyrtari i LVV-së, Arbër Rexhaj, që janë kauza tashmë të njohura nga opozita kundër “Zajednicës “ dhe demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa qytetarët ftohen edhe për të kundërshtuar fuqishëm keqqeverisjen e vendit e cila dita ditës po e rëndon jetën e tyre dhe stagnon zhvillimin e shtetit, theksoi ai. Sabri Micaj nga BD, Sinan Alija nga Nisma për Kosovën dhe Korab Qerreti nga AAK, ftuan bashkëqytetarët që të përkrahin protestën e opozitës, e cila sipas tyre është vënë në mbrojtje të sovranitetit të tërësishëm të vendit, pasi që qeveria aktuale po e rrezikon të ardhmen e fëmijëve tanë me vendime të dëmshme për shtetin dhe popullin , theksuan ata. Zyrtarët e Opozitës së Bashkuar në Prizren, njoftuan se udhëtimi i organizuar për në protestën që mbahet në Prishtinë, do të bëhet ditën e shtunë në ora 11:00 nga Stacioni i Autobusëve në Prizren…

Gepostet von Televizioni Prizrenit am Donnerstag, 24. März 2016

Abuzues e kërcënues

0

IMER MUSHKOLAJ

Pasi ka abuzuar me votat e elektoratit të LDK’së dhe me qeverisjen në Prishtinë, ndërkaq akuzohet edhe për keqmenaxhim të Fondit të Trepërqindëshit, Isa Mustafa po abuzon me situatën fatkeqe të krijuar pas raportimit të gazetarit Vehbi Kajtazi. Ai po shfaqet viktimë, ndërkohë që është kërcënues. Ai po përpiqet ta amnistojë veten dhe keqqeverisjen e tij

Sa do të mund të flitnim për profesionalizëm në rastin kur gazetarët nuk do të kishin raportuar se vëllau i kryeministrit të shtetit të tyre ka kërkuar azil në një vend tjetër? Sa mund të flasim për kredibilitet qeverisës kur kryeministri e thërret në telefon gazetarin që e ka përmendur vëllaun e tij, e fyen dhe e kërcënon? Dhe, sa mund të flasim për përgjegësi politike e morale kur po ky kryeministër abuzon me situatën e krijuar dhe, duke u shitur viktimë, përpiqet të mbulojë gjithë keqqeverisjen e tij dhe të partisë së tij ndër vite? Për më tepër, ai vazhdon të qeveris, pa e ndjerë fare peshën e veprimit skandaloz që nuk do të duhej ta kishte ndërmarrë kurrsesi.

Me raportimin për rastin e vëllaut të kryeministrit, Vehbi Kajtazi i gazetës online insajderi.com nuk ka bërë gjë tjetër, përveç se ka ka vepruar ashtu siç do të duhet të vepronte secili gazetar. Nëpërmjet rrëfimit për fatin e keq të një familjari të të parit të qeverisë, ai ka nxjerrë në shesh pasojat e një sistemi të degraduar e të korruptuar shëndetësie që i shtyn njerëzit të marrin rrugë të vështira në kërkim të shërimit.

Shkrimi nuk ka pasur në shënjestër e as e ka atakuar Ragip Mustafën, edhe pse kryeministri dhe të tjerë rreth po përpiqet ta paraqesë si të tillë. Përkundrazi, ky rast tregon më së miri për qeverisjen e keqe që i është bërë e po i bëhet vendit e veçmas sektorit të shëndetësisë jo veç gjatë mandatit të Mustafës, por gjatë gjithë viteve të pasluftës, kur postet e ministrave të Shëndetësisë i kanë mbajtur kryesisht njerëzit e LDK’së.

* * *

Isa Mustafa e ka humbur arsyen e shëndoshë. Ai reagon kështu, sepse raportimet e tilla ia sjellin ndërmend deklaratat prepotente të bëra në kohën kur mijëra qytetarë braktisnin vendin. “Shumë prej atyre që po ikin kanë iPhone, kanë para dhe kanë pasur rroga të mira”, thoshte atëherë.

Ata mijëra vetë, në mesin e të cilëve edhe familjarë të tij, po iknin nga Kosova e Isa Mustafës, nga Kosova e Hashim Thaçit, nga Kosova që nuk jepte shpresë se do të bëhej më mirë. Ata po iknin edhe për shkak të sistemit të korruptuar e të degraduar të shëndetësisë që mandatin e kaluar udhëhiqej nga një ministër, i cili në vend se të jepte përgjegjësi për dështimet, u shpërblye edhe me një mandat në krye të një tjetër dikasteri, ndërkaq këtë mandat udhëhiqet nga një anonim i dobët i Gjilanit, të cilin për arsye personale e imponoi Lutfi Haziri.

Isa Mustafa fyen e kërcënon gazetarët, sepse janë ata që ia sjellin ndërmend premtimet megalomane e prepotente para dhe veprimet e dëmshme pas marrjes së postit të kryeministrit.

Isa Mustafa fyen e kërcënon dhe më pas shfaqet viktimë, sepse kjo është shkolla qeverisëse e LDK’së që nga themelimi. LDK gjithnjë ka përfituar në situata të vështira, madje edhe në kohë lufte kur krahas masakrave që i kryenin forcat serbe, organizonte “zgjedhje të lira dhe demokratike”. Viktimizimi ka qenë dhe vazhdon të jetë aleati më i madh i kësaj partie.

* * *

Isa Mustafa fyen e kërcënon, në vend se të reflektojë e të marrë përgjegjësi. Ai dhe partia e tij e kanë vënë në “shtyllën e turpit” Vehbi Kajtazin dhe kërkojnë që ai të dënohet. LDK po thotë se ai e paska shantazhuar kryeministrin, e paska degraduar personalitetin e tij dhe dëmtuar imazhin e vendit në botë. Paramendoni, këta njerëz kanë fytyrë të flasin për shantazhe, degradime e prishje imazhi. Këta që kanë zhvatur e zhvatin miliona. Harrojeni Prishtinën e degraduar nga ta, harroni politikanët e korruptuar, harroni kriminelët e hajnat, harrojeni Kosovën e keqqeverisur. Fajtori u gjet! Vehbi Kajtazin edhe mund ta djegim në turrën e druve, por kjo nuk e amniston as Isa Mustafën e as LDK’në nga përgjegjësia. Jo gazetarët e kritikuesit, por keqpërdoruesit e kërcënuesit duhet ndëshkuar. Ata i gjeni në qeveri dhe në LDK. Ndërkaq hipokritëve, të cilët përpiqen ta amnistojnë kryeministrin, duke përmendur bërjen publike të të dhënave personale të vëllaut të tij, nuk iu dëgjua zëri kur në mbledhjen e qeverisë u njoftua se një paciente e sëmurë me kancer po ndihmohej me 10 mijë euro. Si u bëka që identiteti dhe sëmundja e saj të bëhen publike, ndërkohë që ndryshe po u dashka vepruar me vëllaun e kryeministrit? Kërcënimi i Isa Mustafës nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar. Nuk duhet lejuar që skandalin ta kthejë në favor të tij, duke keqpërdorur situatën fatkeqe të një familjari. Nuk mjafton veç të kërkojë falje. Nuk na duhet një kryeministër abuzues e kërcënues./Gazeta Express/