12.4 C
Prizren
E enjte, 14 Maj, 2026
Home Blog Page 633

Dy të akuzuar për organizimin e garës automobilistike ku humbën jetën tre persona, deklarohen për (pa)fajësinë e tyre

0

Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Arlind Syla ka pranuar fajësinë, ndërsa i akuzuari Irfan Hoti nuk ka pranuar fajësinë, në rastin ku të njëjtit po akuzohen për organizimin e garës automobilistike në dhjetor të 2023-ës në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, ku mbetën të vdekur tre persona.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, Genc Nixha, të pyetur nga kryetarja e trupit gjykues Ajsera Skenderi lidhur me pranimin e fajësisë, i akuzuari Arlind Syla ka deklaruar se pranon fajësinë, ndërsa i akuzuari tjetër Irfan Hoti ka deklaruar se ndjen keqardhje për rastin dhe se nuk pranon fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më vjen keq për atë se çka ka ndodhur, por nuk pranoj fajësinë”, tha i akuzuari Hoti.

Por, pranimi i fajësisë nga Syla është refuzuar nga gjykatësi Skenderi me arsyetimin se kemi të bëjmë me veprën penale të kryer në bashkëkryerje.

Në fjalën hyrëse, prokurori Nixha ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktakuzës së ngritur, duke u bazuar në ekspertizën e trafikut rrugor, mbi ekspertizën e gjendjes teknike të automjeteve, ekspertizën e trafikut rrugor si dhe të ekspertit mjeko-ligjor Burim Morina, si dhe raportet e autopsisë të viktimave L.S, N.B dhe M.D., raportet policore të cilat do të vërtetojnë zhvillimin e garës nga të akuzuarit.

Ndërsa, përfaqësuesja e palës së dëmtuar Emin Delia, avokatja Edona Sina, në fjalën hyrëse ka deklaruar se mbështet fjalën e prokurorit, duke shtuar se të akuzuarit nuk kanë asnjë lloj pendese për atë se çfarë ka ndodhur dhe se  i akuzuari Hoti vazhdon ende ngasjen e njëjtë nëpër qytet, duke theksuar se për familjen Delija mbetet një situatë e rëndë kur sheh një situatë të tillë.

Ajo gjithashtu ka shtuar se është dëshmuar se edhe me dhjetëra kundërvajtje për mënyrën e ngasjes së të akuzuarve nuk kanë pasur asnjë rol pozitiv në ndryshimin e sjelljes së të akuzuarve.

E njëjta tha se gjykimi është shpresë për drejtësi për familjen Delija dhe gjithashtu në përçimin e mesazhit në shoqëri lidhur me sa jemi të mbrojtur ne si qytetarë nga personat të cilët ngasin automjete në këtë mënyrë.

Ndërsa në fjalën hyrëse, i dëmtuari Leutrim Syla, deklaroi se nga shkresat e lëndës do të vërtetohet se Irfan Hoti, edhe pse duke e vozitur veturën e të ndjerit Nue Bibaj, pas aksidentit të shkaktuar, i njëjti nuk është ndalur të ofrojë ndihmë.

“Përkundrazi, ai ka ikur nga vendi i ngjarjes, duke lënë veturën e të ndjerit në një parking “Shell”, ku e konsiderojmë se në fund do të kemi nevojën për plotësimin e dispozitivit të aktakuzës për veprën penale “mosdhënia e ndihmës””, tha ai.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Muhamet Shala, deklaroi se i mbrojturi i tij ka pranuar fajësinë, edhe pse është refuzuar nga ana e gjykatës për shkaqe procedurale, duke shtuar se në rrethana të tilla i akuzuari nuk mund të bëjë më shumë se të pranojë fajësinë për atë që po akuzohet.

Në fjalën hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Irfan Hoti, avokati Blerim Mazreku, ka deklaruar se sipas provave të propozuara do të vërtetohet se, në kundërshtim me ligjin, kanë vepruar edhe 50 persona të tjerë, të cilët kanë qenë pjesëmarrës si shikues brenda trafikut.

Ai gjithashtu shtoi se në shkresa nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se Irfan Hoti ka organizuar ndonjë garë automobilistike të jashtëligjshme dhe se të gjithë dëshmitarët e propozuar nga ana e prokurorisë kanë sqaruar se nuk kanë qenë pjesë e ndonjë takimi lidhur me caktimin e ndonjë gare.

Ndërkaq, i dëmtuari, në cilësinë e dëshmitarit, Bellmando Pali, në pyetjet e prokurorit Nixha tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori. Ai tha se se në natën kritike është takuar te garazha e të akuzuarit Syla me të ndjerin L.S dhe se janë nisur në drejtim të Prizrenit.

Gjithashtu, ai ka treguar se vetura e tij ka marrë pjesë në garë, të cilën e ka ngasur i akuzuari Syla me pretekstin se është një vozitës më i mirë. Ai ka theksuar se me të njëjtin kanë pasur dhe ende kanë marrëdhënie shoqërore.

Po ashtu, ai deklaroi se gjatë garës akuzuarit Hoti dhe Syla, kanë humbur kontrollin e makinave, duke shkaktuar aksidentin, ku si pasojë, ai është goditur dhe ka mbetur pa ndjenja.

Tutje, i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, Megjit Zena, ka deklaruar se me të akuzuarin Hoti janë në lidhje familjare dhe, i pyetur nga prokurori, ka deklaruar se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori.

I pyetur nga pala e dëmtuar, Leutrim Syla, në lidhje me atë nëse i akuzuari Hoti ka qenë pjesë e garës, ai ka deklaruar se i njëjti ka qenë garues në natën kritike dhe gjithashtu ka shtuar se gara ka qenë e organizuar nga i akuzuari Syla.

Edhe i dëmtuari Sabir Zena, në cilësinë e dëshmitarit, ka deklaruar se me të akuzuarin Hoti ka lidhje familjare, duke theksuar se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2024 nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 dhjetor 2023, rreth orës 22:30, në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, nga aksi rrugor “Prizren-Veri” në drejtim të aksit rrugor “Prizren-Jug”, ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, të akuzuarit Arlind Syla dhe Irfan Hoti në bashkëkryerje veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Aktakuza thotë se ata paraprakisht organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që i akuzuari Syla, duke drejtuar automjetin e tij, rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, ndërsa i akuzuari Hoti duke drejtuar automjetin e tij, rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës së kundërligjshme, me ç’rast duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre në shpejtësi jashtëzakonisht të madhe (sipas vlerësimit të ekspertit 170 km/h), i akuzuari Syla humb kontrollin mbi drejtimin e veturës, duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës.

Në aktakuzë thuhet se me këtë rast kishte goditur automjetin tjetër “VW Golf” që ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë e kësaj, godet këmbësorët për vdekje N.B., M.D., dhe L.S., të cilët ishin duke ndjekur zhvillimin e garës.

Sipas aktakuzës, në të njëjtën kohë u shkaktoi lëndime të rënda trupore të dëmtuarve M.Z., dhe B.P, si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët po ashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme. Aty thuhet se këto lëndime u konstatuan sipas akt-ekspertimeve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të 29 janarit 2024.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, par. 5 lidhur me par. 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Ministri gjerman e merr një kavanoz me ajvar për 17 vjetorin e pavarësisë të prodhuar nga “Gratë e Krushës”

0

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka shkruar në Facebook se i ka dhënë dhuratë të vogël mirënjohëse ministrit gjerman Cem Özdemir.

Atij iu dha dhuratë një kavaoz ajvar nga “Gratë e Krushës”.

Kjo pasi Özdemir, tri vite radhazi merr pjesë në shënimin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Një kavanoz ajvar nga “Gratë e Krushës” në 17-vjetorin e Pavarësisë Një dhuratë e vogël mirënjohjeje nga Kooperativa Bujqësore “Gratë e Krushës” për një mik të vërtetë të Republikës tonë, Ministrin Cem Özdemir, i cili tri vite radhazi merr pjesë në shënimin e përvjetorit të Pavarësisë së Republikës sonë në Berlin, si një nga ministrat e rrallë evropian të Bujqësisë të shteteve mike që vizitoi Krushën e Madhe. Një kavanoz ajvar që është bërë sinonim i sakrificës dhe rezistencës. Një simbol i duarve të arta të nënave tona, të cilat historikisht dhimbjen e shndërruan në shpresë jete dhe një simbolikë e të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës, kujtimi për të cilët është pjesë e vetëdijes tonë kombëtare dhe kolektive. E bekuar qoftë rruga e Republikës tonë me miqtë tanë”, ka shkruar ai në Facebook. /Gazeta Express

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Marketing

Kliko linkun:https://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/653245074050170

Pse Ismail Qemali dha dorëheqje nga kryesimi i qeverisë së përkohshme më 22 janar 1914?

0

Nga: Evarist Beqiri

Për të triumfuar, kemi nevojë për udhëheqës të frymëzuar nga idealizmi, udhëheqës me vizione madhështorë, që ëndërrojnë të pamundurën dhe luftojnë për t’i bërë ëndrrat realitet; që mund të ndezin shpirtin e popullit me zjarrin e shpirtit të tyre. Udhëheqësi i momentit, kushdo qoftë ai, është thjesht një mjet, që përdoret derisa të konsumohet dhe më pas lihet mënjanë; dhe nëse ai vlen diçka, nuk do të shqetësohet më shumë kur ai të “thyhet” sesa një ushtar që sakrifikon jetën e tij për fitoren / Theodore Roosevelt, ish-president i ShBA-së

Një vend që nuk ka memorie, është një vend që nuk ka të ardhme. Dorëheqja e Ismail Qemalit nga posti i kryeministrit të parë të Shqipërisë në Vlorë, më 22 janar 1914, mbetet edhe sot e gjithë ditën një nga ngjarjet më domethënëse, por edhe më të keqkuptuara në historinë e Shqipërisë. Por le të përpiqemi të kuptojmë arsyen, pse!?

Më 2 janar 1914, vetëm pak ditë para dorëheqjes së tij nga kryesimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali i shkroi një letër prefektit të Elbasanit, Aqif Pashës. Në këtë letër Ismail Qemal Vlora analizonte me një qartësi mbresëlënëse situatën politike në vend dhe tregonte rrugën drejt së ardhmes:

Shqipërinë e shpëtuam, i bindëm tërë mbretëritë ta pranojnë se Shqipëria siguron ekuilibrin ballkanik dhe prandaj është e domosdoshme për paqen botërore të Evropës dhe me ndihmën e perëndisë, nuk ka mbetur vend për ndonjë rrezik që të na shqetësojë në të ardhmen. Por, për ne ka mbetur vetëm një çështje që na shqetëson: ne nuk e durojmë dot njëri-tjetrin dhe, e mirë apo e keqe, çdo gjë që bëjmë në anën tonë, has në vështirësi dhe sjell pasoja.

Sa për ekzistencën e Shqipërisë, që jua kemi njoftuar herët a vonë, të gjitha mbretëritë e mëdha ekzistencën e saj e konsiderojnë të domosdoshme dhe janë të vendosura unanimisht dhe me një mënyrë të prerë që t’ia plotësojnë tërë nevojat e saj, saqë të mos mbetet e shtrënguar të varet e të lidhet me ndonjë anë. Po, për fat të keq, ai bashkim që ndodhet në mes të mbretërive të mëdha, midis nesh mungon. Megjithëkëtë, atdhetarët duhet të mos dëshpërohen, mbasi të zotërit e vullnetit të mirë dhe të iniciativës, do të shpëtojnë atdheun e tyre edhe nga kjo fatkeqësi. Në mes të këtyre patriotëve në shkallë të parë dhe vendin më kryesor e keni zënë zotëria juaj.

Shqipëria në rast se nuk tregon zotësinë e saj që të rrojë si komb ballkanik, nuk mundet të rrojë si mbretëri – po kjo vallë si duhet të realizohet? Më parë duke pasur një formë qeverimi që ta bëjë kombin tonë të rrojë në harmoni të përbashkët me mbretëritë perëndimore dhe e dyta në krye të këtij qeverimi duhet të ketë një sovran, i cili, duke qenë i pajisur me një aftësi të mirë, me fisnikëri dhe me cilësi të shkëlqyera, të mundet të lidhë marrëdhënie miqësie me mbretëritë e Europës.

Ata njerëz që dëshirojnë të na privojnë nga këto dy mirësira, pa dyshim meritojnë emrin intrigantë dhe tradhtarë dhe propaganda e tyre, burimi dhe shkaku i së cilës le të jetë si të jetë, duhet të mallkohet nga ana e të gjithë atyre që pretendojnë se janë besnikët e popullit dhe të atdheut. Unë e di, Esad Pasha dhe pasvajtësit e tij, lartësinë e tij princin, në një anë po e ftojnë në një mënyrë tepër tërheqëse dhe patriotike, nga ana tjetër, po përpiqen të dredhin e të përdredhin intriga kundër tij dhe më mirë të themi, kundër teorisë sonë politike dhe filozofike. Në një krah anojnë të ngrehin marrëdhënie intime me Stambollin dhe kësisoj duan të sigurojnë fuqinë dhe interesat vetjakë nën maskën e myslimanizmit, dhe në krahun tjetër, nuk mungojnë të marrin çdo iniciativë për t’i shërbyer armikut tonë, i cili përpiqet të na copëtojë atdheun.

Misterin e këtyre gjërave të vërteta ua kam njoftuar hollësisht atyre që duhet t’u njoftoheshin dhe me ndihmën e zotit shpresojmë se qëllimet e tradhtarëve, nuk do të realizohen. Mënyra e pritjes së princit dhe vendi ku do të qëndrojë, do të caktohen nga ana e atdhetarëve dhe brenda kushteve legjitime që i kërkon interesi i atdheut. Mbi këtë çështje, me delegatët e kontrollit jemi në një mendim …

Liderët e farkëtojnë lidershipin te hollësitë e vogla. I ashtuquajturi “komploti i Beqir Grebenesë” u nxit nga xhonturqit, të cilit synonin të ruanin sërish kontrollin mbi Shqipërinë, duke shfrytëzuar situatën e vështirë pas luftërave ballkanike dhe paudhësitë e disa bejlerëve shqiptar. Kaosi i krijuar në Shqipërinë e Mesme nga Esad Toptani dhe pasvajtësit e tij ishte një tjetër faktor që i hidhte benzinë zjarrit. Prandaj, Ismail Qemali e zgjidhi krizën e krijuar me dorëheqjen e tij. Me këtë akt, që shpalos virtuozitetin e lidershipit të tij, Ismail Qemali synonte që t’i jepte mundësi KNK-së, që të bashkonte vendin nën një qeverisje unike. Ai u bë kështu edhe dorëheqësi i parë. Pra, edhe themeluesi i institutit të dorëheqjes në politikën shqiptare.

Dorëheqja e Ismail Qemalit krijoi një boshllëk, i cili nuk mund të mbushej nga administrata e KNK-së. Ismail Qemali së bashku me familjen e tij u largua nga Vlora drejt Italisë e më tej në Francë. Pavarësisht situatës dramatike, ai nuk e humbi optimizmin dhe e shikonte largimin si të përkohshëm. Ai i këshilloi njerëzit e tij që të vazhdonin të bashkëvepronin me njëri-tjetrin “se një ditë do të vinte ora e bardhë e fatit të Shqipërisë”.
Ky është teksti i plotë i procesverbalit ku pasqyrohet zyrtarisht dorëheqja e Ismail Qemalit:

Sot, më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u mblodh në prani të Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Beut. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, i bindur se rruga e vetme për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë, që sundon në vend është krimi i një qeverie të vetme për të gjithë Shqipërinë, dhe, meqë në rrethanat e tanishme ky qëllim mund të arrihet vetëm nëse ai e kalon pushtetin në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit si përfaqësues i Fuqive të Mëdha, në prani të ministrave të tij ia përsëriti Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit kërkesën e paraqitur më parë, që ky Komision të marrë përsipër këtë detyrë dhe të marr pushtetin në duart e tij. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit çmon me respekt ndjenjat atdhetare nga është nisur Shkëlqesia Ismail Qemal Bej në veprimet e tij, e pranon këtë delegim pushteti dhe, me autorizimin përkatës të Fuqive të Mëdha, merr përsipër në emër të qeverisë që përfaqëson administrimin e Shqipërisë.

Nënshkruar: Ismail Qemali, Nadolny, Petroviç, Krajewski, Harry Lamb, Leoni, Petriaew.
Shqiptarët e ndershëm, të hidhëruar e mirëkuptuan sakrificën e Ismail Qemalit. Me keqardhje ata e pranuan këtë akt. Ata shpresonin që largimi i Ismail Qemalit nga drejtimi i vendit, do të ishte i përkohshëm. Në telegramin dërguar Ismail Qemalit, më 23 janar 1914, patriotët elbasanas shprehen: “Me gjithë shpirt ju lutem të pritni urimet e nxehta të tonat për burrënijën e atdhetarien që dëftyet. Kjo therori me të vërtetë ju gjanë asaj burrënie që ngrite flamurin për të parën herë në Vlonë. Këto dy punë nuk ka me t’i harrue Shqipënia kurrë”.

Patriotët lushnjarë e shprehën keqardhjen e tyre për dorëheqjen e Ismail Qemalit, me telegramin e datës 23 janar 1914, në këtë mënyrë:

Lajmi i hidhur i largimit nga kryesia e Qeverisë Kombëtare të një atdhetari të madh si shkëlqesia juaj, që e ka bërë jetën fli për shpëtimin dhe pavarësinë e Shqipërisë, u prit me keqardhje të thellë nga ana e gjithë popullit. Gjesti i Shkëlqesisë S’uaj që synon bashkimin e kësaj copëze Shqipërie, ka bërë të dështojnë qëllimet djallëzore të disa keqdashësve të kombit, të cilët në të kaluarën e në të tashmen nuk i kanë kursyer tradhëtitë për ta bërë Shqipërinë viktimë të interesave të tyre personale të poshtra, është glorifikuar dhe nderuar prej të gjithëve. Është e plotë shpresa për ta parë në një kohë shumë të afërt Shkëlqesinë Tuaj përsëri në atë post të shenjtë dhe me shumë nderime ju puthim duart tuaja të ndershme.

Bashkëpunëtori i tij besnik, Aqif pashë Elbasani, në telegramin dërguar Ismail Qemalit, shkruan se: Gjesti atdhetar i Shkëlqesisë Suaj u shton një fletë lavdie shërbimeve të larta atdhetare të bëra nga ju. Meritoni nderime dhe me këtë rast adhuroj Shkëlqesinë tuaj.

Ismail Qemali do t’i shkruante gazetës franceze “Le Matin”, të martën e 3 shkurtit 1914, duke reaguar ndaj një shkrimi të botuar pak kohë më parë në gazetën italiane “La Tribuna” lidhur me dorëheqjen e tij:

Nëse u kërkova Fuqive të Mëdha që të lejojnë përfaqësuesit e tyre të marrin qeverinë e Shqipërisë deri në ardhjen e princit, kjo ishte vetëm për një qëllim thjesht patriotik dhe me miratimin e lartë të tyre.

Ismail Qemali u largua nga Vlora dhe shkoi për të pushuar pak kohë në Nicë, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri në maj 1914. Prej andej ai ndiqte me kujdes ngjarjet në Shqipëri. Zhvillimet e mëpasshme në Shqipëri do t’i jepnin atij plotësisht të drejtë. Ai ishte zhgënjyer me zgjedhjen që bënë Fuqitë e Mëdha, në caktimin e një sovrani anonim. Kjo pasqyronte mungesën e vëmendjes së tyre ndaj Shqipërisë. “Në politikë, ajo që parashikohet nuk ndodh kurrë”, thoshte Ismail Qemali. Por, ai paralajmëroi Princ Vidin, për pasojat e vendimeve të tij të gabuara.

Princi i ri u vendos në Shqipëri. Ai përzgjodhi si kryeqytet dhe si rezidencë mbretërore Durrësin, të cilin Ismail Qemali e shikonte si më pak të përshtatshmin. Ai vijoi me vendime të tjera të gabuara, të cilat do të përshpejtonin fundin e mbretërimit të tij të shkurtër. Akti i parë i tij, ende pa zbritur në tokën shqiptare, ishte ai i emërimit të Esad Pashë Toptanit, si ministër i Luftës dhe si gjeneral i parë i Shqipërisë. Madje ishte vetë Esadi ai që e priti në bregun e Durrësit, më 7 mars 1914. Gjithsesi, Ismail Qemali e përkrahu Princ Vidin, pavarësisht se e dallonte paaftësinë e tij.

Në intervistën e dhënë për gazetarin italian Arnaldo Cipolla, natën e 22 janarit duke u gdhirë 23 janari 1914, Ismail Qemali thotë se çështja “Grebeneja” dhe dorëheqja e tij nuk kanë asnjë lidhje: “Ardhja e Princ Vidit”, tha ai, “nënkupton domosdo se nuk do të ekzistojë asnjë qeveri e përkohshme shqiptare”. Ismail Qemali vijoi më tej duke u shprehur se: “Është një lloj manie që keni ju dhe kolegët tuaj për të përzier dy çështje që s’kanë të bëjnë me njëra-tjetrën: njëra që lidhet me komplotin e xhonturqve dhe tjetra me pezullimin e qeverisë. Jua përsëris se nuk ka absolutisht asgjë të përbashkët mes fantazive të xhonturqve, që nuk mund të ringjallen kurrë në Shqipëri, dhe dorëheqjes së qeverisë”.

Fjalët e Ismail Qemalit në përfundim të intervistës shpalosin gjendjen e tij shpirtërore, në çastet e largimit nga atdheu, ku ai sapo kishte krijuar shtetin modern shqiptar. Ai i shpjegon gazetarit arsyen e vërtetë pse po ikte:

Nevoja për pushim, jo arsye tjetër. Më besoni, jam tmerrësisht i lodhur! Përpiquni të mendoni se çfarë barre të madhe ka në shpinë qeveria e përkohshme, një qeveri e varfër dhe e keqtrajtuar, se çfarë pune ka bërë ajo për të mirën e vendit, që nga dita e paharruar kur u shpall pavarësia në atmosferën e dhimbshme të shkaktuar nga bllokada greke, e deri më sot. Ishim ne që e ushqyem atë flakë të parë e të ndrojtur të lirisë. Na e njihni këtë meritë, para se të përfundojë misioni ynë.

Ismail Qemali thotë se, në ditët që i paraprin ardhjes së Princ Vidit, pozita e tij nuk ishte aspak e këndshme, dhe citon thënien proverbiale që përshkruante më së miri gjendjen e tij: “Proverbi juaj i krishterë nemo prophetia in patria (nuk ka profet, në vendin e vet) është më i vërtetë se kurrë në tokën tonë të dhimbshme. Por unë nuk jam lypsar në kërkim të bamirësve”.

Në librin e tij Ben Kendim, i botuar në Londër në vitin 1924, ushtaraku, diplomati, punonjësi i shërbimit sekret dhe deputeti britanik Aubrey Herbert, rrëfen një histori tepër domethënëse për mendësinë e mbrapshtë të politikës shqiptare. Aubrey Herbert ishte mbrojtësi i çështjes shqiptare në skenën politike britanike. Pas qëndrimit në Vlorë dhe takimit me Ismail Qemalin, ai rrëfen edhe për takimet e zhvilluara me Dervish Himën dhe Esad Toptanin, në Tiranë, më shtator të vitit 1913, lidhur me të ardhmen e Shqipërisë:

Dervish Hima, një burrë i madh, brutal, shërbyes i Esad Pashës, dhe mënyrë sjellje dhe fjalor si ajo e Turqve të Rinj.

Dervish Hima: Le gouvernment d’ismail Kemal est maudit (Qeveria e Ismail Qemalit i ka ditët e numëruara dhe nuk zgjat shumë.)

Aubrey Herbert: Ayez la bonted d’expliquer, je nouve en prie (Kini mirësinë që të ma shpjegoni, ju lutem).

Dervish Hima: Il n’a pas fait une route. Il n’a pas donne abandomment a manger a douze mille refugees. Il faut avoir un nouveau gouvernement (Nuk ka ndërtuar rrugë. Nuk u ka dhënë për të ngrenë 12 mijë refugjatëve. Na duhet një qeveri e re).

Aubrey Herbert: Nuk do ishte më mirë që të përqendroheshit që të ushqenit refugjatët, dhe të mendonit për përmirësime sado të vogla, por të domosdoshme, sesa merreni me konflikte politike?

Biseda me Esad Pashën:

Esad Pasha erdhi në drekë. Folëm turqisht në fillim, por aty ishte një shqiptar që fliste në frëngjisht dhe na përktheu.

Esad Toptani: Ismail Qemali është hajdut dhe njeri pa rrënjë. Ç’ka dua unë është që të mbroj Shqipërinë dhe të tërhiqem.

Aubrey Herbert: Ismail Qemali ka të njëjtin opinion për Shkëlqesinë tuaj. Vendi juaj do të ishte më i sigurt vetëm kur ju të dy të merreni vesh dhe jo të ziheni e përçaheni.

Esad Toptani: Diferenca midis meje dhe Ismail Qemalit është se unë jam i sinqertë, kurse ai jo. Unë mund të tregoj më shumë për të.

Aubrey Herbert: Një i huaj nuk mundet që të hyjë në këto çështje. Evropa njeh Ismail Qemalin më mirë sesa Shkëlqesinë tuaj, dhe ajo preferon dikë që njeh, me gabime, në vend të dikujt që nuk e njeh, i cili mundet po ashtu që të ketë gabime.

Esad Toptani: Shkova në Vjenë para disa muajsh ku më premtuan një Princ brenda 10 ditësh. Pastaj shkova në Romë me shpresën se kjo do të ratifikohej, dhe si përfundim kjo nuk ndodhi. Dyshoj se Ismail Qemali u ka thënë italianëve që do ishte më mirë të mos emërohej Princi, që të mos ketë asnjë vështirësi, që ai të veprojë lirisht. Besoj se Ismail Qemali, kërkon me çdo kusht të jetë virtualisht Princi i Shqipërisë, dhe një ditë kjo do të sanksionohet me ligj.

Aubrey Herbert: Për këtë kërkohet miratimi i Komisionit. Pa miratimin e tij, ky ligj nuk ka fuqi.

Esad Toptani: Komisioni dhe diskutimet do të zgjatin disa kohë, dhe ne fund do e pranohet (un fait accompli). Ju nuk i dini problemet që unë kam pasur nga thashathemet se dua të bëhem Princi i Shqiptarëve.

Aubrey Herbert: Po të isha unë në vendin tënd Shkëlqesi, nuk do shqetësohesha nga kjo, sepse ka gjëra të tjera më të këqija që thuhen për ju.

Përkthyesi: Faut-il le dire, si brutalement (Duhet që ta them në mënyrë kaq brutale)?

Aubrey Herbert: Po. Situata aktuale, e pa stabilizuar, dhe mungesa e një dorë e fortë udhëheqëse përbëjnë rrezik, tanimë që edhe vendi është i pushtuar. Planet e Shkëlqesisë tuaj, mua, më duken sikur duan të rrisin këtë pasiguri, dhe duket sikur ju luani lojën e serbëve dhe të grekëve, të cilët kërkojnë që t’ju paraqesin juve në Evropë si një vend i pacivilizuar dhe i përçarë.

Esad Toptani: Unë mendoj që të mbledh burrat më të shquar. Pastaj do të thërrisja Asamblenë e Përgjithshme.

Aubrey Herbert: Domethënë do të marrësh mandat nga i gjithë vendi?

Esad Toptani (heziton): Shqiptarët e Jugut kanë me pak rëndësi se provincat e tjera. Do ta bëja këtë nëse qeveria do të vendoset në Durrës.

Aubrey Herbert: Sikur qeveria të vendoset në Durrës, mundet që opinioni i huaj të thotë se, kjo ndodhi se ju Esad Pasha dominoni Durrësin.

Esad Toptani: Nëse është ky problemi, atëherë le të shkojmë diku tjetër. Nuk dua të përplasem me Ismail Qemalin. Ai është fajtori. Unë besoj shumë tek mbështetja angleze.

Aubrey Herbert: Dhe Shqipëria do ta marr mbështetjen, vetëm atëherë, kur ju personalisht të mos krijoni trazira.

“Esad Toptani”, rrëfen Aubrey Herbert në librin e tij Ben Kendim, “pasi kishte përvetësuar një sasi të konsiderueshme parash në Durrës, i dërgoi një ultimatum Ismail Qemalit në shtator 1913, që selia e qeverisë të zhvendosej në Durrës. Dhe në këtë mënyrë edhe sasia e madhe e parave të ndahej midis tyre. Por, kjo ishte diçka e papranueshme për Ismail Qemalin”.

Esad Toptani me akrabanë e tij dëshironin që të ruanin në Shqipërinë e re, privilegjet e vjetra. Ata ishin me idenë “që gjithçka duhet të ndryshojë, që gjithçka të mbetet siç ishte”. Prandaj, ata nuk ju bashkuan kurrë Ismail Qemalit dhe patriotëve të tjerë në rrugën e vështirë të bashkimit kombëtar.

Duket sikur situata politike e përshkruar më sipër është përsëritur herë pas here përgjatë historisë sonë kombëtare. Kultura e mbrapshtë politike, paaftësia proverbiale për t’u bashkuar si një trup i vetëm dhe paaftësia për të menduar strategjikisht, duke lenë mënjanë interesat e vogla personale për hir të interesit të madh kombëtar, i ka munguar shpesh klasës sonë politike.

Historia që po sjellim më poshtë është metafora më e mirë për të ilustruar mendësinë e ndryshme që karakterizonte Ismail Qemal Vlorën dhe Esad Toptanin. Ajo është një histori që na vjen nga Solomoni, një nga sovranët më të shquar të Izraelit: “Dy gra që jetonin në të njëjtën shtëpi kishin lindur dy foshnje në distancë prej pak ditësh nga njeri tjetri. Për fat të keq një natë njëra prej foshnjave vdes. Nënat nuk po gjenin paqe, se kush prej tyre do ta mbante foshnjën që mbijetoi. Prandaj, vendosën që t’i nënshtroheshin gjykimit të mbretit. Solomoni urdhëroi që t’i sillnin një shpatë që ta ndante fëmijën në mes, në mënyrë që secila prej tyre të mbante një pjesë. Nëna e vërtetë me lotët në sy lejoji që fëmijën ta mbante gruaja tjetër, me qëllimin e vetëm që t’i shpëtonte atij jetën. Në këtë mënyrë iu çor maska gruas tjetër dhe nëna e vërtetë arriti që ta mbante përfundimisht fëmijën e saj”.

Ismail Qemali është kritikuar shpesh për aktin e dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të Shqipërisë. Një gjest ky i rrallë për udhëheqësit edhe sot, sepse është shumë e vështirë të heqësh dorë nga pushteti. Ndërthurja e egoizmit, megalomanisë dhe tiranisë e bëjnë shpesh këtë të pamundur për natyrën njerëzore. Prandaj, dorëheqja e Ismail Qemalit duhet parë jo si dobësi, por si akti më sublim i atdhedashurisë. Ai nuk donte që të përfshihej në atë moment në një luftë pushteti me Esad Toptanin. Pasi kjo luftë e kombinuar me propagandën sllavo-greke, e cila i paraqiste shqiptarët si njerëz me bisht në sytë e opinionit publik evropian, do të ishte vdekjeprurëse për shtetin shqiptarë të porsalindur …

Gjithë liderët e mëdhenj në historinë botërore kanë siguruar arritje të mëdha për vendin e tyre, duke pasur fuqi të mjaftueshme ekonomike e ushtarake, tek e cila mbështeteshin. Ndërsa, Ismail Qemali arriti që të themelonte në Shqipërinë e varfër e të robëruar një shtet, pa pasur as forcën ekonomike as atë ushtarake. Bile i luftuar nga jashtë edhe nga brenda vendit. Por, pikërisht në këto detaje qëndron forca e lidershipit të Ismail Qemal Vlorës.

Në një fjalim të tij të tetorit 1913, Ismail Qemali do të deklaronte para popullit të Vlorës:

Mundet se që atëherë e gjer më sot qeveria nuk i bëri disa gjera që duheshin bërë, apo bëri ligsht disa të tjera; po të jeni të siguruar se punoi ashtu duke mos mundur të sillej ndryshe. Një punë me vleftë të madhe s’mund t’i mohohet qeverisë sonë, të mbajturit lart e flamurit të lirisë. Asht kjo një punë me rëndësi? Po s’ka dyshim! Veç kësaj duhet të vini re përpjekjet që bëri qeveria për të mos lanë të vobektin të vuajë …

Duket se më këto pak rreshta Ismail Qemali, ka përmbledhur më së miri thelbin e trashëgimisë së qeverisjes së tij të shkurtër. Sepse nuk ka rëndësi se sa zgjat jeta e një njeriu. Rëndësi ka mënyra sesi ai i shpenzon vitet e jetës së tij, qofshin ato pak apo shumë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për udhëheqësinë. Nuk ka rëndësi se sa shumë vite qëndron një lider në pushtet. Më e rëndësishme për lidershipin është trashëgimia ideore e shpirtërore që ai lë pas. Të dish se kur është koha e duhur për të hequr dorë është pjesë vendimtare e udhëheqësisë.

Kryeministri i parë i Shqipërisë Ismail Qemali, kishte kuptuar një nga parimet kryesore të demokracisë: gjëja më e vështirë në sistemin demokratik nuk është të fitosh pushtetin, por të dish se kur duhet ta dorëzosh atë. Në shtator të vitit 1913, mbasi e kishte realizuar vizionin e tij për ta parë Shqipërinë të lirë dhe të mosvarme, Ismail Qemali do t’i deklaronte deputetit britanik Aubrey Herbertit:

Unë jam një burrë i vjetër. Unë dua vetëm që atdheu i im të eci me këmbët e veta – dhe pastaj do të jap dorëheqjen. Jam i lodhur. Jam shumë i lodhur.

Aubrey Herbert ushqente simpati për Ismail Qemalin. Ai do të shkruante:

Plaku i shkretë mund t’ia ketë hedhur kujtdo dhe kurdo, por ai ka më shumë burrështetësi në një gisht sesa të gjithë të tjerët së bashku.

Mënyra më e mirë për ta kuptuar një lider është tek fakti se si ai e përdor pushtetin. Pena e Ismail Kadaresë e përshkruan kështu aktin e fundit të Ismail Qemalit:

Themeluesi, jo vetëm i dha lamtumirën gjithë asaj tradite që mund të quhej si tmerri i themeleve, por, si të mos mjaftonte kjo, kishte shkuar më tej. Bashkë me shtetin, e pak kohë pas krijimit të tij, ai kishte themeluar diçka që ndoshta ishte edhe më e vështirë se vetë shteti: dorëheqjen. Ai ishte Dorëheqësi i parë në këtë vend, e ndoshta në krejt gadishullin dramatik.

Psikologia Tasha Eurich, në Harvard Business Review, shkruan se:

Kërkimet sugjerojnë se kur ne e shohim vetveten më qartë, ne kemi më tepër vetëbesim dhe kreativitet. Ne marrim vendime më të mira, ndërtojmë marrëdhënie më të forta, dhe komunikojmë më efektivisht. Jemi më pak të prirur që të gënjejmë, mashtrojmë, dhe vjedhim.

Poeti i shquar vlonjat Fatos Arapi me finesë arrin që depërtojë në thellësinë e shpirtit të plakut fisnik, kur shkruan se: “Sa herë që i afrohem Ismail Qemalit në studimet e mia, ndjej si një dhimbje, si një brengë që e mundon kryetarin e parë të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë së Pavarur.” Poeti me ndjeshmërinë e tij të spikatur e kupton brengën e madhe të Ismail Qemalit, e cila lidhet me pamundësinë për të vijuar punën për realizimin plotësisht të vizionit të tij për bashkimin e përparimin kombëtar.

Ismail Qemali nuk do ta ndalte kurrë luftën për çështjen shqiptare dhe lirinë njerëzore. Motoja e tij ishte, “Mos u dorëzoni kurrë. Kurrë, kurrë, kurrë dhe asnjëherë”. Ai do ta vazhdonte betejën e tij deri ditën e fundit të jetës së tij, duke i përfshirë të gjithë patriotët në sfidën e madhe për ngritjen, bashkimin dhe forcimin e shtetit shqiptar. Në nëntorin e vitit 1917, Ismail Qemali do t’u drejtohej shqiptarëve me këto fjalë:

Nuk do të dyshoj asnjë minutë që të hyj në një luftë të re për të shpëtuar atdhenë tonë të dashur, kur jam i forcuar nga besimi dhe dashuria e bashkatdhetarëve të mij të dashurë dhe nuk dyshonj për fitim të plotë vetëm po të mund t’u gjejnë të gjithë bashkuarë duke lënë mënjanë kundërshtimet dhe grindjet …

Njeriu është mbi të gjitha një qenie shpirtërore. Koha dhe hapësira i bashkojnë shpirtrat njerëzorë, duke mundësuar kështu tejkalimin e sfidave të epokave të ndryshme, të cilat janë vendimtare për fatin e lirisë njerëzore. Providenca është fati. Fati kur i shërben një qëllimi sublim për nga vetë natyra.

Tipari më madhështor i njerëzve të mëdhenj, është aftësia për të lënë mënjanë interesin vetjakë për hir të së mirës publike. Ky ështe një tipar dallues i udhëheqësisë madhështore. Ismail Qemal Vlora është njëkohësisht themeluesi i Shqipërisë moderne dhe themeluesi i institucionit të dorëheqjes në Shqipëri.

Ismail Qemali krijoi diçka që nuk mund të zhbëhej më. Kundërshtarët e tij mund të krijonin çdo gjë tjetër, por kurrsesi të ndërtonin një Shqipëri të re. Shqipëria, krijesa e tij aq e dashur, tashmë qëndronte aty, si dëshmi e pamohueshme e lidershipit të tij virtuoz.

Megjithatë, trashëgimia sublime e Ismail Qemalit, nuk është kuptuar asnjëherë drejtë. Vdekatarët e zakonshëm shpesh harrojnë që pushteti nuk është qëllim në vetvete, por një mjet në shërbim të së mirës publike.

Politikanët tanë harrojnë një nga parimet bazë të udhëheqësisë. Lideri ka mbi vete jo vetëm përgjegjësinë për të ditur se kur është personi i duhur për të udhëhequr, por edhe përgjegjësinë për të ditur se kur nuk është më personi i duhur për të udhëhequr …

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë takohet në Prizren me përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë

0

Përfaqësuesit politikë të komuniteteve jo-shumicë janë takuar në Prizren me Shefin e  Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Kryetari i PREBK-së, Albert Kinolli ka bërë të ditur se liderët e subjekteve politike nga komunitetet jo-shumicë në Prizren kanë diskutuar edhe për zhvillimet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës, raporton Telegrafi.

“Kisha nderin dhe kënaqësinë që me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Shefit të  Zyrës së BE-së, Ambasadori Aivo Orav, të marrë pjesë në drekë pune, se bashku me kolegët lider të komuniteteve tjera jo-shumicë. Ky takim ka shërbyer si një platformë për të diskutuar angazhimin e komuniteteve joshumicë në qeverisjen lokale në Prizren, si dhe zhvillimet paszgjedhore, formimin e institucioneve dhe rolin e komuniteteve joshumicë në skenën politike të Kosovës”, ka bërë të ditur Kinolli përmes rrjeteve sociale.

Ambasadori Orav të mërkurën ka realizuar disa takime gjatë qëndrimit në Prizren. /Telegrafi/

Artistët kosovarë prezantojnë veprat e tyre në Tiranë

0

Nga 19 shkurti deri më 23 shkurt 2025, te Qendra Kulturore Tulla në Tiranë do të prezantohen artistë dhe vepra bashkëkohore nga Kosova me rastin e Javës Kulturore Kosovare.

Kjo ngjarje përkon me 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Java e kulturës kosovare mbështetet nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Tërhiqet shorti i Kupës, duele interesante

0

Të mërkurën në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, është hedhur shoti për fazën çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

Ky short ka sjellë përballje interesante ku përballen Malisheva dhe Llapi, kurse do të përballen edhe rivalet e vjetër, Vëllaznimi dhe Prishtina.

Drita ka punë me Prishtinën e Re, kurse Drenica përballet me Ferizajn. Ndeshjet zhvillohen më 26 shkurt.

Shorti i çerekfinales:

Vëllaznimi – Prishtina

Malisheva – Llapi

Drenica – Ferizaj

Prishtina e Re – Drita

ZPS: Më 4 prill përfundojnë dëshmitë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

0

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka bërë të ditur se nuk do të thërrasë asnjë dëshmitar pas 4 prillit, në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Këtë e konfirmoi prokurori Matt Malling në një konferëncë të mbajtur më 19 shkurt për ecurinë e rastit, ku tha se “4 prilli është data e fundit e parashikuar” për thirrjen e dëshmitarëve.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që katër vjet dhe vazhdimisht kërkesat e tyre për lirim nga paraburgimi janë refuzuar nga gjykatësit.

Gjatë konferencës u bë e ditur se gjatë javës së ardhshme do të dëshmojnë edhe dy dëshmitarë të tjerë, ndërsa për muajin mars u tha se deri më tani është konfirmuar vetëm dëshmia e një personi, megjithë planet për të intervistuar edhe dëshmitarë të tjerë.

Në prill, pasi ZPS-ja të ketë përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ekipet mbrojtëse të katër të pandehurve – të cilët janë deklaruar të pafajshëm – do të paraqesin rastin e tyre.

Në konferencën e sotshme nuk mori pjesë Thaçi, ngjashëm si në atë të fundit, për shkaqe shëndetësore. Tre të akuzuarit e tjerë ishin prezent përmes një video-lidhjeje.

Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, teksa ekipet mbrojtëse vazhdimisht janë ankuar për kohëzgjatjen e këtij procesi.

Në nëntor të vitit të kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”, raporton REL.

Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Publikohet lista e përditësuar e LDK-së, këta janë kandidatët me më së shumti vota

0

Listës i prinë kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, me 94 mijë e 778 vota.

 

Pas tij vjen Doarsa Kica-Xhelili me 38 mijë vota, ndërsa e treta është Hykmete Bajrami me 35 mijë vota.

I katërti në listë është Kujtim Shala me 31 mijë, e i pesti Avdullah Hoti me 26 mijë vota.

Lutfi Haziri, Anton Quni, Jehona Lushaku-Sadriu, Imri Ahmeti, Armend Zemaj, Marigona Geci, Fadil Hadërgjonaj e Besian Mustafa janë kandidatët që radhiten tutje.

 

Parku i Biznesit në Prizren ende i bllokuar nga procedurat ligjore

0

 

Pengesë sipas Komunës së Prizrenit akoma mbetet ligjshmëria e Planit Rregullues të Hollësishëm për këtë zonë sipas Hartës Zonale, bazuar në kërkesat specifike të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në seancën e shkuar të Kuvendit të Prizrenit, sipas procesverbalit, kjo vendimmarrje është rishqyrtuar. Megjithatë në ftesën për mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, që do të mbahet me 27 shkurt 2025, në rendin e ditës sërish figuron pika për shqyrtimin e propozim-vendimit për miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm “Zona e Parkut për Industri të Lehtë në Prizren – Parku i Biznesit”, sipas Hartës Zonale të Komunës së Prizrenit, sipas kërkesave të MMPHI-së.

Udhëheqësi i Njësisë për Komunikimin me Publikun në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha ka deklaruar se komunikimi ndërinstitucional Komunë – MMPHI nuk ka qenë në nivel të kënaqshëm dhe se për këtë arsye organet komunale janë detyruar që disa herë të marrin veprime administrative.

“Për Komunën e Prizrenit pengesat kryesore vijnë nga Qeveria e Kosovës gjegjësisht nga MMPHI-ja për arsye se ata nuk po e shfrytëzojnë edhe një të drejtë të tyre, komunikimin ndërinstitucional. Kuvendi i Prizrenit dy herë këtë politikë publike për funksionalizimin e Zonës Ekonomike ose Parkun e Biznesit e ka votuar, e ka mbështetur me dokumentet që kërkon ligji, dhe krejt kjo pako ka shkuar në Qeveri të Kosovës në MMPHI. Ata në këtë protokoll administrativ kanë gjetje të caktuara, të cilat e kthejnë gjoja se konfirmimi ligjor nuk është në lartësinë ligjore të kërkesës së tyre. Thjeshtë për ne është një komunikim jokorrekt, joprofesional ndërinstitucional për arsye se me lehtësinë më të madhe ministritë e linjës kanë mundur të bashkëpunojnë me DUPH-në dhe kjo procedurë të përmbyllej”, ka thënë Berisha për Telegrafin.

Sipas tij pavarësisht kësaj Komuna do të ndërmerr veprime për ta plotësuar kërkesën e nivelit qendror “me qëllim të funksionalizimit të Parkut të Biznesit në afatin sa më të shkurtër kohor, për ta vënë në funksion të zhvillimit ekonomik lokal, përkatësisht bizneseve prodhuese dhe hapjes së vendeve të reja të punës”.

Në procesverbalin e mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Prizrenit të mbajtur me 19 dhjetor 2024, figuron se propozim-vendimi për miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm “Zona e Parkut për Industri të Lehtë në Prizren – Parku i Biznesit” sipas Hartës Zonale të Komunës së Prizrenit dhe sipas kërkesës së Ministrisë është shqyrtuar dhe miratuar nga anëtarët e këtij organi komunal.

Në këtë seancë, drejtori i DUPH-së, Pranverim Berisha pat theksuar se disa herë kanë kaluar të gjitha fazat për Planin Rregullues të Hollësishëm për Zonën Ekonomike.

“Mirëpo, Ministria ka pasur një kërkesë ku ka kërkuar që të respektohet udhëzimi administrative 2014 përkatësisht në nenin 12, ku thuhet se duhet të futet ose të kompletohet domethënë raporti i shqyrtimit publik”, pat thënë Berisha, me kërkesën që kuvendarët ta kryejnë edhe këtë formalitet.

Kryesuesja Antigona Berisha-Bytyci e pat hedhur në votim këtë propozim-vendim, dhe pat konstatuar se i njëjti miratohet me 20 vota për dhe një abstenim, raporton Telegrafi.

Komuniteti i biznesit në Prizren prej shumë vitesh avokon për funksionalizimin e Parkut të Biznesit.

Zyrtarët komunalë muaj më parë patën theksuar se procedurat ligjore lidhur me Parkun e Biznesit planifikohet të përmbyllen deri në fund të vitit 2024, në mënyrë që prej fillimit të vitit 2025 të nis vendosja e bizneseve prodhuese.

Procesi i krijimit të Zonës Ekonomike në Prizren pati filluar para më shumë se një dekade dhe përgjatë disa mandateve në këtë hapësirë janë investuar mjete të konsiderueshme financiare nga buxheti i Komunës së Prizrenit. /Telegrafi

 

Ndriçimi publik në sheshin e Suharekës rregullohet falë reagimit të qytetarëve

0

Komuna e Suharekës pas raportimit të qytetarëve ka rregulluar ndriçimin publik edhe në një shtyllë elektrike në sheshin e qytetit.

“Pas raportimit të qytetarëve në platformën ndreqe.com, Komuna e Suharekës ka funksionalizuar ndriçimin publik edhe në këtë shtyllë elektrike në shesh të qytetit, e cila ishte prishur”, thuhet në njoftimin e Ndreqe.com.

Ditë më parë, Komuna e Suharekës pati rregulluar ndriçimin publik edhe në disa hapësira të tjera publike, raporton Telegrafi.

Ndreqe.com si platformë ndërmjetëse për zgjidhje më të shpejtë të ankesave lokale, inkurajon qytetarët që edhe më tutje të vazhdojnë raportimin.

Në anën tjetër qytetarët po vazhdojnë të raportojnë në këtë platformë lidhur me parregullsitë eventuale në vendbanimet e tyre, teksa organet përkatëse konform mundësive po ndërmarrin veprime për zgjidhjen e këtyre problemeve.