22.5 C
Prizren
E shtunë, 26 Korrik, 2025
Home Blog Page 6411

Vendimet e mëdha kërkojnë guxim!

0

Agron Halitaj

Ditën kur Gjykata Kushtetuese nxori konstatimin se shumë prej parimeve të Marrëveshjes për Asociacionin/ Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe (AKS) – nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, vetëm pak metra larg nga selia e Kryeministrisë, u organizua një ndejë. Ç’është e vërteta, gostia ishte paracaktuar më herët nga Ministria e Punëve të Jashtme, që drejtohet nga zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi. Aty u mblodhën zyrtarë të lartë të shtetit, diplomatë vendës e të huaj, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe medieve.

Nikoqiri, siç e do rendi, e mbajti një fjalim përshëndetës. Foli pak për “sukseset” e Ministrisë dhe të Qeverisë, por për t’i vënë kapak asaj që foli, u përkujdes shefi i tij. Me zë të ultë dhe pa e zgjatur shumë, edhe ky e përmbylli fjalimin duke i uruar sukses parafolësit jo si ministër, as zëvendës por si president i ardhshëm. E tëra përfundoi me duartrokitje dhe cakërrim gotash, thua se s’kishte ndodhur gjë.

E, në fakt, për diçka të ngjashme me atë që kishte ndodhur atë ditë, në vjeshtën e vitit 2010 Fatmir Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit. Pas tij, po për çështje kushtetutshmërie, në pranverën e vitit 2011, nga Presidenca ishte larguar edhe Behgjet Pacolli.

Me gjithë mospajtimet që patën me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Sejdiu e Pacolli, e respektuan këtë institucion. Por, këtë standard nuk arriti ta ruajë Mustafa- në dy raste brenda një qarku kohor prej më pak se dy vjetësh: në rastin e parë kur Gjykata Kushtetuese nuk e njohu të ligjshëm zgjedhjen e tij si kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe, në të dytin, kur po e njëjta Gjykatë nxori aktgjykimin se marrëveshja të cilën e kishte nënshkruar në Bruksel për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, bie ndesh me aktin më të lartë juridik të shtetit.

* * *

Praktikat e mëhershme kanë dëshmuar se sa herë që nuk janë shfrytëzuar momentumet për ta marrë një vendim të drejtë, pasojat kanë ardhur duke u shtuar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijoi bazë të mjaftueshme juridike, politike e morale që Mustafa të jepte dorëheqje. Me një akt të tillë ai do t’i kryente shërbim shtetit që, si nënshkrues i një marrëveshjeje që e prish rendin kushtetues, jo vetëm se nuk do të ishte zbatues i saj, por edhe do ta zhvleftësonte atë. Vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme, të cilat do të nxirrnin dikë tjetër në krye të Ekzekutivit, të pangarkuar me obligimet e krijuara nga një marrëveshje kundërkushtetuese.

Krahas kësaj do të evitohej mundësia e krijimit të praktikës që pushteti të bije sa herë që atë e kërkon opozita. Zotimi në respektim të vendimit të Gjykatës nën pretendimin se kështu ishin marrë vesh edhe në Bruksel, është vetëm farsë politike për t’iu shmangur përgjegjësisë në shkelje të Kushtetutës. Garancitë se Qeveria nuk do të lejoj që AKS ta cenoj rendin kushtetues, nuk mund të jenë të besueshme kur kihen parasysh këto pesë gjëra:

-E para: Marrëveshjen nuk e ka dërguar në Kushtetuese Qeveria, por presidentja.

-E dyta: Gjykata Kushtetuese nuk e ka vlerësuar (mos)përputhshmërinë e statutit të Asociacionit me Kushtetutën, ashtu siç përcaktohet në Marrëveshje, por vet Marrëveshjen.

-E treta: Statuti për Asociacionin nuk mund të hartohet pa u ndryshuar marrëveshja

-E katërta: Për t’u ndryshuar marrëveshja, duhet të pajtohet edhe Serbia e Brukseli.

-E pesta: Marrëveshja për AKS-në është instrument i Marrëveshjes së parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, e cila ndonëse e ka marr bekimin e Kuvendit, nuk është trajtuar fare nga Gjykata Kushtetuese, çka lë për të dyshuar se edhe ajo bie ndesh me rendin kushtetues të shtetit.

Realisht, s’ka se si të jetë në harmoni me Kushtetutën krijimi i një entiteti etnik me fuqi ekzekutive brenda një shteti multietnik që funksion mbi parimin e pushteteve të ndara. Zaten, Asociacioni bie ndesh me vet Pakon e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilës është i ndërtuar sistemi kushtetues yni.

* * *

Tani, kur momentumi për të dhënë ‘vullnetshëm’ dorëheqje është humbur, gjasat për të shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme vetëm sa janë rritur. Kjo për faktin se opozita tash e ka në duar “armën” e kushtetutshmërisë kundrejt të cilës mund të përgjigjesh vetëm me aparatin e dhunës. E, dhuna shkakton destabilitet që pashmangshëm, në një moment të caktuar, i detyron palët në konflikt të ulen rreth tryezës për t’u marr vesh.

Shembullin e kemi jo më larg se në shtetin fqinj- Maqedoninë. Pas skandalit të përgjimeve dhe protestave të vazhdueshme, Nikolla Gruevski u detyrua të ulët në bisedime me liderin opozitar, Zoran Zaev, përfshirë edhe liderët shqiptarë. Kështu, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian u caktua koha e zgjedhjeve të parakohshme për prillin e këtij viti.

Pjesëmarrja masive e qytetarëve në protestën e 9 janarit në Prishtinë, është inkurajim i opozitës që të mos ndalet derisa të detyrojë partnerët qeverisës të ulën në bisedime të ngjashme. Opozita aktuale nuk është se paraqet ndonjë alternativë për krijimin e një shteti ligjor, kur dihet se dy nga tri partitë e opozitës së bashkuar, AAK dhe Nisma, drejtohen nga njerëz që janë bashkëfajtorë në keqqeverisjet e pasluftës. As Vetëvendosja nuk mund ta ndërtojë Republikën për sa kohë që i injoron simbolet e shtetit e përderisa nuk po arrin të prodhoi argumente të qëndrueshme se di të menaxhojnë me pushtetin që i është besuar në komunën ku është e sistemuar administrata shtetërore. Por, qytetarët, duke mos pasur zgjidhje tjetër, i janë bashkuar kauzës politike të opozitës, me shpresën se me ndërrimin e kësaj qeverie do të ndërrohet edhe mendësia në të qeverisur. Në një stad, kur revolta politike është e mishëruar me elemente të pakënaqësive të shumta qytetare, Qeveria duhet ta ketë parasysh se stabilitetin nuk mund ta siguroj me rezistencë policore.

Nuk do të ishte e drejtë sikur e gjithë përgjegjësia për shkallën e lartë të varfërisë, papunësisë, izolimit, korrupsionit, krimit të organizuar e mungesës së zhvillimit të kënaqshëm ekonomik, t’i faturohet Mustafës. Ai, në fakt, e ka marr drejtimin e Qeverisë me këto telashe.Përgjegjësia e drejtpërdrejt e Mustafës bie të marrëveshja për Asociacionin, përkatësisht në shkeljen e Kushtetutës, që bëri me anë të nënshkrimit të saj.

Homologu i tij italian, Matteo Renzi, pothuajse një vit më herët ka paralajmëruar se do të jap dorëheqje vetëm nëse gjatë referendumit nuk i kalon reforma kushtetuese. Paraprakisht e ka pranuar se nëse e humb referendumin, atëherë përvoja e tij politike konsiderohet e dështuar. As që bëhet fjalë për shkelje.

Në situatën e tanishme, David Lloyd George do të udhëzonte shefin e Qeverisë së Kosovës: “Mos kini frikë të ndërmerrni një hap të madh nëse është e nevojshme. Nuk mund ta kaloni humnerën me dy hapa të vegjël”. Ndërsa, John Kennedy do t’i shpjegonte se fjala “krizë”, në gjuhën e shkruar kineze, përbëhet nga dy simbole- ku njëri përfaqëson rrezikun e tjetri mundësinë.

Pse të mos shfrytëzohet simboli i fundit, pasi veç ekziston edhe në krizën tonë politike- mundësia për arritje të marrëveshjes për zgjedhje?

Kërkohet vetëm guxim!

Anëtarët e LDK-së prijnë në Kuvendin e Malishevës

0

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar “Fletënotimin” i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 31 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën janar-dhjetor 2015. Qëllimi i publikimit të këtij “Fletënotimi” është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Malishevës në periudhën janar-dhjetor 2015, notim ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.

Anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës Malishevës gjatë kësaj periudhe janë: Valon Hoti (LVV) me 18.7 %, Ahmet Rrahmanaj (PDK) me 17.5 % dhe Januz Kastrati (LDK) me 14.5 %. Ndërsa anëtarët që nuk kanë treguar asnjë rezultat në të gjitha kategoritë janë dhe janë vlerësuar me 0 % janë: Floriana Demaj (IQM) me 0.0 % Liridona Maloku (IQM) me 0.0 %, dhe Florentina Zulfaj (IQM) me 0.0 %.

Gjatë kësaj periudhe, kuvendarët e Malishevës ngritën 469 çështje, prej të cilave 75 % nga fushat me interes për qytetarët ndërkaq 25 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Malishevës.

Anëtarët e LDK-së prijnë për nga inicimi i çështjeve me 33.0 %, të përcjellë nga anëtarët e LVV-së dhe PDK-së me 25 % të çështjeve të ngritura. Lidhur me ngritjen e çështjeve, anëtari më aktiv ka qenë Valon Hoti (LVV) me gjithsejtë 22.0 %, i përcjellë nga Ahmet Rrahmanaj (PDK) dhe Januz Kastrati (LDK) me nga 19.0 % përkatësisht 16 % të çështjeve të ngritura.

Sa i përket pyetjeve të bëra nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës drejtuar ekzekutivit komunal, në këtë periudhë janë bërë gjithsej 83 pyetje. Nga këto, 17 % kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Malishevës dhe 83 % kanë qenë të lidhura me interesin e qytetarëve të kësaj komune.

Edhe në parashtrimin e pyetjeve, anëtarët e LDK-së prijnë gjatë kësaj periudhe me gjithsej 34 % , të pasuar nga anëtarët e LVV-së me gjithsej 30 % të pyetjeve të përgjithshme.

Sa i përket nivelit të pjesëmarrjes në diskutime për pikat e rendit të ditës prinë Ahmet Rrahmanaj (PDK) me 17 % i përcjellë nga Valon Hoti (LVV) dhe Januz Kastrati (LDK) me nga 14 % përkatësisht 13 % të pjesëmarrjes në diskutime.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si subjekt politik i përfaqësuar me 8 anëtarë ka shënuar nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në diskutim enë seancat e mbajtura në periudhën janar-dhjetor me 29 %, e përcjellë nga subjekti i PDK-së me 28 % të diskutimeve të përgjithshme.

Kjo është vajza nga Malisheva, që mbeti e vdekur nga aksidenti në Kroaci (Foto)

0

Familja nga Malisheva e cila u aksidentua sot në Kroaci është familja e Xhavit Isak Krasniqit nga fshati Tërpezë e Ulët i cili me bashkëshorten Zyhrien dhe fëmijët Fjollën, Fatjonin e Alisën po udhëtonin nga Kosova për në Slloveni.

Burime nga familja Krasniqi e kanë konfirmuar aksidentin për ONLINE dhe kanë njoftuar se vajza e cila ka vdekur në këtë aksident është Fjolla Krasniqi(e cila shihet në fotografinë me këtë tekst).

Familja po kthehej nga pushimet dimërore që i kishin bërë në vendlindje me rastin e festës së Vitit të Ri.

Mediat kroate kanë njoftuar se aksidenti ka ndodhur në kilometrin e 137-të në magjistralen A1, ne vendin Otocci ne Kroaci rreth orës 11:00.

Vajza e vogël e familjes, Alisa 6 vjeçare është në rrezik për jetën, dhe ka marr trajtime mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm në Ogulin prej nga sipas mediave kroate është transferuar në Zagreb.

Shkaku i aksidentit ishte humbja e kontrollit në veturën Ford me targa sllovene.

Prindërit dhe djali janë në gjendje më të mirë, ka thënë mjekja kujdestare në Ogulin.

Më poshtë mund t’i shihni disa fotografi nga aksidenti, të publikuara nga mediat kroate:

Alisa

Investimet në shkolla

0

Në bazë të një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Karitasit Zviceran dhe MASHT-it, ka filluar pajisja me mjete të nevojshme për nxënësit parafillor edhe të komunës së Prizrenit.

Një gjë e tillë është bërë sot në SHFMU “ Mustafa Bakiu”, ku është organizuar një solemnitet rasti, në të cilin morën pjesë zyrtarë të pushtetit lokal në Prizren dhe përfaqësues të Karitas-it zviceran.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, me këtë rast falënderoi donatorët dhe shtoi se “pajisja me mjete të nevojshme për punë me fëmijët parashkollor ka një rëndësi të veçantë në përgatitjen e tyre për edukim dhe arsimim dhe të mirëfilltë në të ardhmen”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Karitas-it zviceran, Kreshnik Basha , tha se në kuadër të këtij projekti përveç pajisjeve të shkollave me mjete përkatëse të edukimit parashkollor do të realziojmë edhe aktivitetin e trajnimit të pedagogëve.

Në SHFMU “Mustafa Bakiu” Karitas-i ka bërë pajisjen e klasës me inventar shkollor , ndërkaq në fund të vitit 2015 ka investuar edhe në tre shkolla tjera ngjashëm :”Fatmir Berisha” në Prizren, “Zef Lush Marku” në Velezhë dhe “Nazim Buduri” në Hoçë të Qytetit.Të gjitha këto investime kapin vlerën prej 20 mijë eurove.

Ndërkaq, sot solemnitet rasti kishte edhe në SHFMU “ Emin Duraku” në Prizren, me ç’rast është bërë përurimi i tri paraleleleve të edukimit parafillor, investim ky nga organizata turke TIKA.

Pjesë e kësaj ngjarje ishin zyrtarë të qeverisë lokale si dhe përfaqësues të këtij institucioni shkollor. Kryetari i komunës, Ramadan Muja, shprehu falënderime në adresë të organizatës turke TIKA, “e cila e ka financuar këtë projekt, në përgatitjen sa më të mirë të gjeneratave të reja për një të ardhme më të ndritur të tyre”, theksoi ai.

Drejtori i arsimit, Nexhat Çoçaj, tha më tej se organizata TIKA investime të ngjashme ka realizuar deri më tani në tri shkolla të Grykës së Lumbardhit, dhe sot ndjehemi të lumtur që po hapim 2 dhoma mësimi për njomakët prizrenas të komunitetit shumicë dhe një dhomë për fëmijët e komunitetit turk, ku numri i gjithmbarshëm i parafillorëve do të jetë 90, bëri të ditur ai.

Këtë ngjarje e vlerësoi tejet të rëndësishme për punë cilësorë në këtë institucion edhe drejtori i shkollës, Rrahim Bekteshi. Organizata turke TIKA, në SHFMU “Emin Duraku” ka investuar në rregullimin e :- tri dhomave për parashkollor me të gjitha pajisjet, një viedopreojektor , kompjuter, këndin e lojërave dhe nyjet sanitare.Vlera e investimit kap shumën e mbi 40 mijë eurove.Pjesë e kësaj ngjarje ishte paralajmëruar të merr pjesë edhe ministri i arsimit, Arsim Bajrami,i cili në orët e fundit kishte anuluar ardhjen e tij./TV Prizreni/

Gjykata hedh poshtë refuzimin e aktakuzës nga ish-rektori Hasani

0

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar edhe sot procesi gjyqësor kundër ish-rektorit dhe ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit dhe dy të tjerëve, Hakif Veliu, ish-shef i zyrës së prokurimit në Universitetin e Prishtinës dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana.

Gjatë kësaj seance gjyqësore është hedhur poshtë refuzimi i aktakuzës nga të dyshimtit.

Gjyqtarja Afërdita Bytyqi refuzon kërkesat e mbrojtjes së Hasanit dhe të tjerëve për hedhje poshtë të aktakuzës.

Sipas saj, kjo çështje duhet të kalohet në shqyrtim gjyqësor dhe të procedohen provat e propozuara nga prokuroria si dhe nëse do të ketë edhe prova tjera me qëllim që të zbardhet dyshimi i bazuar nëse të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Prokurorja Drita Hajdari ka thënë se e kupton tendencën e mbrojtësve për kundërshtimin e akuzës, por aktakuza sipas saj është e mbështetur në prova të sigurta.

Bajram Tmava, avokat mbrojtës i Hasanit, tha se nuk ka asnjë provë direkte për të mbrojturin e tij.

Sipas tij, “aktakuza bazohet në supozime siç është se Hasani që prokuroria e konsideron të akuzuar, si rektor i universitetit kontratën e ka dërguar në Tiranë, por me asnjë provë nuk e vërteton këtë rrethanë dhe çështja e fundit është se aktakuza bazohet edhe në mbrojtjen e të bashkakuzuarve dhe nga dispozita e nenit 264 është e qarte se fajësia nuk mund të vërtetohet në bashkëfajësi.

Rikujtojmë se Hasani nga prokuroria akuzohet se në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës ka kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Prokuroria pretendon se kjo i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare për numrin e njëjtë të shërbimit.

Seanca fillestare e këtij gjykimi është mbajtur më 8 dhjetor./Kallxo.com

Thaçi shtyn anëtarësimin në KE për t’i shpëtuar Speciales

0

Pavarësisht se janë krijuar të gjitha parakushtet, që Kosova të aplikojë dhe të marrë votat e mjaftueshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjë që do ta bënte më të lehtë edhe krijimin dhe funksionalizimin e të gjitha trupave përcjellëse të Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të luftës, analistët politikë dhe njohësit e rrethanave aktuale në Kosovë konsiderojnë se pozicionimi i Hashim Thaçit në pozitën e ministrit të Jashtëm dhe të zëvendëskryeministrit të Kosovës, po shfrytëzohet edhe për zvarritjen e qëllimshme të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KE.

Kjo zvarritje, sipas tyre, po bëhet vetëm e vetëm që me këtë proces të zvarritet funksionalizimi i Gjykatës Speciale, derisa lideri i PDK-së Thaçi, që përflitet si një nga figurat qendrore që do të gjendet para kësaj Gjykate, të zgjidhet në pozitën e presidentit dhe mbase me këtë të fitojë edhe një lloj imuniteti të përkohshëm artificial nga trajtimi para Speciales. Deputeti Adem Salihaj, nga LDK-ja, konsideron se pas situatës dramatike, me plot vështirësi të miratimit në Kuvend të Gjykatës Speciale, tani akti tjetër i themelimit dhe funksionalizimit të saj po vihet në pikëpyetje, pikërisht për shkak të pengesave që dyshohet se po dalin si pasojë e situatës së mjegullt që po e krijon MPJ-ja e drejtuar nga Hashim Thaçi.

“Ne patëm vështirësi serioze për ta kaluar në Kuvend Gjykatën Speciale. Pas marrjes së vendimit, ne vlerësuam se u hap rruga për formimin e saj. Megjithatë formimin e Gjykatës Speciale po e mbulon një vello misterioziteti dhe mungesë e madhe transparence. Tash topi është te ministri i Punëve të Jashtme. Asnjë informatë zyrtare nuk e kemi se çka po ndodh. Sipas asaj që kemi dëgjuar nga mediet, Holanda nuk ka pranuar që në territorin e saj të formohet Gjykata Speciale, për arsye se Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës. Ne nuk e dimë se cilat janë arsyet që Hashim Thaçi dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk e kanë përgatitur vendin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Lidhur me këtë çështje mungon transparenca totale”, thotë deputeti i LDK-së Adem Salihaj. /Kosova Sot

Cameron: Jam rritur me muzikën e David Bowie-it

0

Kryeministri britanik David Cameron ka shkruar sot në llogarinë e tij në Twitter se vdekja e yllit të muzikës, David Bowie është një humbje e madhe.

“Jam rritur duke dëgjuar dhe shikuar gjeniun e pop-it, David Bowie”, ka shkruar shefi i Qeverisë britanike.

Ai njëherit e ka quajtur Bowie-në mjeshtër të ri-shpikjes.

Legjenda e muzikës David Bowie ka ndërruar jetë sot në moshën 69 vjeçare pas një beteje 18 mujore me kancerin.

Cameron-twitter

Doruntinë Maloku: Dua drejtësi për babin tim!

0

Deputetja nga radhët e LDK-së, Doruntinë Maloku ka kërkuar sërish drejtësi për vrasjen e babait të saj Enver Malokut.

Ajo në një postim në Facebook ja thënë se janë bërë plot 17 vjet! ! 6 mijë e 205 ditë! 148 mijë e 920 orë!, dhe krejt çfarë kërkon është vetëm drejtësi.

Lexoni postimin e plotë të saj:

A ia vlen ta përsëris thirrjen për drejtësinë që po mohohet? Në veshin e kujt do të bie zilja e ndërgjegjes? A dëgjon kush? Apo të gjithë janë të shurdhër?!

17 vjet! 6 mijë e 205 ditë! 148 mijë e 920 orë!

Për mua, një jetë e tërë në kërkim. Për shumë nga ju, thirrje monotone e përvitshme.

Dua drejtësi!

Aq më bën për qetësinë tuaj që prishet! Fare s’më bën për asgjë. Veç drejtësi dua për Babin tim! Asgjë më pak e as më shumë sesa të vërtetën!

Mallkuar qofshi, ju që e vratë dhe ju që e dini e po e fshihni të vërtetën! Unë besoj në Zot. Dhe e di se një ditë, jo shumë larg nga sot, do t’u shoh në sy, të gjithëve!

Në gjyq! Maskarenj!

Ka vdekur legjendari David Bowie

0

Këngëtari legjendar, David Bowie, ka vdekur pas një beteje të gjatë me kancerin. Ai ishte 69 vjeç.

Lajmi është dhënë në faqen e tij zyrtare të Facebook dhe është konfirmuar nga Revista Rolling Stone.

“David Bowie ka vdekur paqësisht sot, i rrethuar nga familja e tij, pas një beteje 18 muajshe me kancerin”, thuhet në deklaratë.

Bowie ishte një nga zërat më origjinalë të rock & roll’it për pesë dekada.

I lindur më 8 janar 1947, ai u shfaq në vitet gjashtëdhjetë si një nga zërat më të fuqishëm të gjeneratës së tij. Në çdo album, sillte pjesë të gjenialitetit të tij.

Hitet e ti “Space Oddity”, “Changes”, “Fame”, “Heroes”, “Let’s Dance” dhe “Where Are We Now?”, mes tjerash, janë të pavdekshme dhe ndikimi i tij në botën e muzikës ishte i pamatshëm.

Bowie gjithashtu ka gëzuar një karrierë të gjatë si një aktor, me role të paharrueshme në “The Man Who Fell to Earth”, “Labyrinth”, “The Hunger, Twin Peaks: Fire Walk With Me” dhe “The Prestige”.

Dy ditë para vdekjes, ai ka publikuar albumin më të ri “Blackstar”.

Dy vjet nga mbledhja e qeverive shqiptare në Prizren

0

Janë bërë dy vjet që nga mbajtja e mbledhjes së parë ndërmjet dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.

Më 11 janar 2014, mbledhja u vendos të mbahej në qytetin e Prizrenit, dhe nga atje të dy krerët e qeverisë Edi Rama dhe Hashim Thaçi, e cilësuan këtë mbledhje si “takim që shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës.”

Ky takim po ashtu u cilësua nga dy kryeministrat si historik i cili ndodhte për herë të parë në historinë e dy shteteve.

Në këtë datë u nënshkrua “deklarata për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.

Kjo marrëveshje përfshinte fushën e transportit dhe infrastrukturën dhe bashkëpunimin tregtar.

E po ashtu u pajtuan që të themelohet edhe një fond i përbashkët për Luginën e Preshevës.

Shqipëria dhe Kosova, po përgatiteshin që të mbajnë edhe mbledhjen e dytë në nivel të lartë. Me 23 mars të vitit 2015, u takuan sërish por tash Kosova përfaqësohej nga një kryeministër tjetër, Isa Mustafa.

Kryefjala e mbledhjes së dytë të dy qeverive ishte thellimi i partneritetit strategjik i Shqipërisë me Kosovën, i cili në një vit kishte njohur progres të rëndësishëm edhe në fushën e politikës së jashtme.

Në këtë mbledhje u nënshkruan këto marrëveshje, memorandume dhe protokolle:

1. Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.

2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.

3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.

4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.

5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.

6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.

7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.

8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.

9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.

10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.

11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.