23.6 C
Prizren
E shtunë, 19 Korrik, 2025
Home Blog Page 6495

Whitesnake sonte në Shkup

0

Rok grupi legjendar, Whitesnake, mban koncert në Shkup të Maqedonisë sonte, më 25 nëntor, në kuadër të turneut botëror.

Biletat, për koncertin që do të mbahet në arenën “Boris Trajkovski” me fillim nga ora 20:00, janë shitur tashmë.

Grupi janë të njohur botërisht me hitet e tyre “Is this love”, “Here i go again”, “Fool for loving you”, “Still of the night” etj. Gjatë këtij turneu ata po promovojnë albumin “The Purple”.

Përveç Shkupit gjatë këtij muaji Whitesnake mbajti koncerte edhe në Zagreb e Beograd.

Shqipëria 25 vjet postkomunizëm, ende me demokraci të brishtë

0

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare “Friedrich Ebert Stiftung” zhvilloi sot në Tiranë, simpoziumin me temë “Shqipëria 25 vite pas komunizmit: rindërtimi i shtetit dhe shoqërisë”, ku morën pjesë personalitete të politikës, shoqërisë civile, publicistikës dhe përfaqësuesit më të lartë të trupit diplomatik në Tiranë, ambasadori i SHBA, Donald Lu, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, dhe ambasadori i OSBE, Florian Raunig.

Pjesëmarrësit që morën fjalën në këtë takim, siç raporton atsh, folën jo vetëm për sfidat e mëdha që ka kapërcyer vendi gjatë këtij 25-vjeçari, por edhe për ato që e presin deri në konsolidimin e plotë të demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut etj.

Ambasadori i OSBE, Florian Raunig gjatë fjalës së tij evidentoi arritjet e Shqipërisë gjatë këtij 25-vjeçari, por tha se ka ende edhe shumë për të bërë.

“Kur hedhim vështrimin pas te 25 vitet e fundit, e kuptojmë që Shqipëria pësoi një ndryshim të pamashëm. Vendit iu desh të përballej me sfida të jashtëzakonshme përgjatë kësaj rruge, si gërryerja e shtetit në anarki më 1997 apo vërshimi i afro 400 000 refugjatëve më 1999 nga Kosova, si dhe me krizën e njohur të piramidave.

Pasi përmendi arritjet që ka shënuar vendi ynë gjatë periudhës postkomuniste, si në aspektin e zhvillimeve të brendshme por edhe në planin ndërkombëtarë të partneritetit, Rauning kujtoi se “Në fillim të viteve 1990, ndërkombëtarët, sikundër edhe shqiptarët, qenë të bindur se një dhjetëvjeçar do të mjaftonte për të ndërtuar një sistem demokracie dhe ekonomi tregu funksionalë dhe të rrënjosur mirë. Mbi dy dekada më vonë, e kuptojmë që na pret edhe shumë punë. 25 vjet mund të mos tingëllojnë shumë në terma të tillë historikë, por në jetën e një individi, 25 vjet janë shumë. Kjo mospërputhje mund të jetë një prej arsyeve që nxisin pyetjen me të cilën vijojmë të përballemi edhe sot, pyetjen kuptueshmërisht të paduruar: edhe sa duhet?”.

Ndërsa apeloi për mobilizm të të gjithë potencialeve që ka vendi ynë për kapërcimin e sfidave drejt integrimit të plotë, siguroi mbështetjen e plotë të OSBE-së ndaj Shqipërisë edhe në vijim.

Policia përgjon Spitalin e Prizrenit! (Foto)

0

Deputeti nga Suhareka nga radhët e AAK-së, Bali Muharremaj, ka denoncuar një rast përgjimi të bërë, siç thotë ai, nga Policia e Kosovës në Spitalin Regjional të Prizrenit.

Përmes një statusi në Facebook, Muharremaj ka thënë se me urdhër të drejtorit të këtij spitali është bërë konfiskimi i çelësave të dhomave të mjekëve me arsyetimin se po e bëjnë dezinfektimin e tyre.

“Aty më pas, siç më kanë informuar qytetarët, po vendosen kamera dhe përgjues nga Policia e Kosovës”, thotë Muharremaj, duke shtuar: “Më habit fakti, si ka mundësi që në dhomat ku kontrollohen qytetarët nga mjekët, të ketë vëzhgim nga organet e rendit”.

“A ka privatësi? A ka kod etik? A jeni t’u e shndërru këtë vend në shtet policor, ku as për shërbimet shëndetësore nuk ka privatësi?”, pyet deputeti Muharremaj.

Për të, si përfaqësues i qytetarëve, kjo është jashtëzakonisht shqetësuese.

“Kjo formë e trysnisë mbi qytetarë duhet të përfundoj. Ndryshe nuk e di qysh ka kuptim Liria e Njerëzve”, ka përfunduar Muharremi postimin e tij duke bashkëngjitur edhe dy fotografi për të cilat pretendon se janë bërë në Spitalin Regjional të Prizrenit ku shihet një pajisje e cila mban mbishkrimin “Policia e Kosovës”.

Policia pergjon Spitalin e Prizrenit Policia pergjon Spitalin e Prizrenit1

Manifestimi i opozitës për 28 Nëntor i qëlluar apo jo!

0

Tri partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Nisma për Kosovën, kanë vendosur që në datën historike të 28 Nëntorit të mbahet një manifestim gjithëpopullor.

Manifestimi publik, siç thonë ata, do të jetë kundër marrëveshjes për Asociacionin dhe asaj për Demarkacionin, ndërkaq opozita do të shpreh pakënaqësinë e saj edhe ndaj Qeverisë, raporton lajmi.net.

Subjektet politike në fjalë, kanë theksuar se nuk do të jetë protestë siç është paralajmëruar, por një manifestim gjithëpopullor, përderisa vazhdimisht janë duke mobilizuar qytetarët që të jenë pjesëmarrës në po këtë datë, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ata kanë garantuar se manifestimi do të jetë paqësor dhe se tubimi sipas tyre nuk do ta rrezikojë sigurinë e askujt.

Por vendimin e opozitës, që një manifestim të tillë ta mbajë pikërisht në datën historike, një festë kjo që festohet në mbarë trojet shqiptare, është vlerësuar si jo korrekt nga analisti i vendit, Belul Beqaj.

Madje ai thotë se Dita e Flamurit është festë e të gjithëve dhe, nuk do të ishte korrekte që ajo të kuptohet si mbështetje vetëm ndaj opozitës.

“Mbajtja e protestës, që disa opozitarë po e cilësojnë si manifestim, është një test jo korrekt i opozitës gjoja se për të vërtetuar mbështetjen masive që e kanë nga qytetarët. Dita e Flamurit është festë e të gjithëve dhe nuk do të ishte korrekte që ajo të kuptohet si mbështetje vetëm ndaj opozitës, por duhet të kuptohet si manifestim gjithë popullor”, tha Beqaj në një prononcim për lajmi.net.

Ndërsa për eskalimin e mundshëm të situatës, Beqaj vlerëson se një gjë e tillë mund të pritet vetëm nga dashakëqijtë që ta përdhosin edhe këtë ditë sublime.

“Por, mendoj se të tillë ka vetëm mes mendjeve të çoroditura të cilat nuk besoj se janë mes njerëzve të opozitës as të pushtetit, por vetëm të atyre që dëshirojnë përdhosjen e shtetit dhe kombit shqiptarë”, ka shtuar ai.

Por mendim ndryshe, ka analisti Nexhmedin Spahiu, për caktimin e manifestimit nga ana e opozitës në datë 28 Nëntor.

Ai, thotë se çështja e tyre që janë përcaktuar për të protestuar është e drejtë e opozitës për ta caktuar datën e protestës, pa marr parasysh nëse kjo është ndonjë ditë e shënuar historike ose jo.

“Protesta si protestë nuk e prish hijeshinë e festës nëse ajo është paqësore, por tash varet se kush e merr përgjegjësinë për ta prishur në qoftë se kjo eskalon në dhunë. Pra varet se kush shkakton incidente, d.m.th organizatorët e protestës apo pushteti i cili tenton ta prishë këtë apo të mos e lejojë mbajtjen e një manifestimi të tillë. Nuk po mundem me paragjyku se kush mundet me prish”, tha Spahiu për lajmi.net.

Data e 28 Nëntorit, sipas tij, është në rregull dhe është e drejtë e gjithë atyre qe e kanë menduar një gjë të tillë.

“Opozita ka menduar që data 28 nëntor është datë e përshtatshme për një protestë që në këtë rast, sipas tij, nënkupton çlirimin e Shqipërisë apo ditën e kryengritjes nëse e marrim 28 nëntorin si ngjarjen kur UÇK-ja është bërë publike në Llaush të Skenderajt dhe në njëfarë mënyrë kjo nuk është vetëm festë e Shqipërisë por edhe e Kosovës për shkakun që me këtë datë kjo mund të konsiderohet si datë e kryengritjes në Kosovë kundër Serbisë. Dhe fakti që opozita e konsideron që pushteti aktual është vegël e Serbisë, natyrisht se e ka këtë dimension”, ka përfunduar ai.

Përndryshe, paralajmërimi i opozitës për mbajtjen e një manifestimi në këtë datë erdhi pas një proteste dy ditore që eskaloi deri në dhunë, ku mes tjerash patë edhe të lënduar.

Nait Hasani: Po krijohen universitete etnike

0

Kryetari i Komisionit për Arsim Nait Hasani tha se po krijohen universitete etnike, teksa foli për universitetet në Mitrovicën Veriore dhe atë Jugore.

Hasani këtë shqetësim të tij e shfaqi para ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, i cili mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Arsim.

Hasani kërkoi të dijë nga ministri nëse në universitetin e Mitrovicës Veriore do të ketë studentë të komuniteteve tjera përveç serbëve.

“Dy universitete publike i kemi në Mitrovicë dhe të dytë i kemi dyetnike. A do të ketë studentë shqiptarë në Universitetin e Mitrovicës Veriore dhe të komuniteteve të tjera dhe ne në universitete publike e kemi edhe gjuhën serbe dhe mund të shkojnë studentët të regjistrohen në çdo fakultet. Në këtë universitet a do të jenë këto mundësi, a do t’i njohë dikush?” pyeti Hasani.

Ministri Bajrami tha se universitetet nuk guxojnë të ndërtohen mbi parime etnike.

“Asnjë universitet nuk guxon të ndërtohet në baza etnike. Tani a do të ketë studentë shqiptarë, boshnjakë, turq, varet se a do të kenë dëshirë, a do të ketë kushte të sigurisë. Ligji ua mundëson. Ligji dhe fryma universitare ndërtohen në frymën e tolerancës ndëretnike, jo në frymën e homogjenizimit etnik,” tha Bajrami.

Bajrami tha se në universitetin e Mitrovicës Veriore mund të ketë profesorë shqiptarë, nëse atje krijohet katedra e gjuhës shqipe, njësoj sikurse edhe në Universitetin e Prishtinës do të ketë profesorë serbë, nëse do të ketë kërkesa për mësim të serbishtes. /Kallxo.com

Një Berat, ministër në qeverinë e re të Turqisë

0

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka publikuar emrat e qeverisë së re të tij.

Ndër emrat e rinj binte në sy edhe ai i Berat Albajrak, dhendrit të Erdogan.

Albajrak u zgjodh parlamentar në Stambol dhe i është besuar Ministria e Energjitikës.

Kryeministër është konfirmuar Ahmet Davutogli.

Ndërkohë që një debat i madh është hapur pas përjashtimit nga qeveria e re e ish-ministrit të Jashtëm dhe Ekonomisë Ali Babaxhan, roli i të cilit është vlerësuar edhe nga Perëndimi.

Përjashtimi i tij ka ardhur pas disa përplasjeve me Erdogan në muajt e shkuar lidhur me çështjen e taksave. /Mapo

Grabitësi plagos me thikë gruan, i vjedh çantën me para

0

Një grua me inicialet J.C. është plagosur me mjet prerës të dyshuar si thikë në qendër të Tiranës, nga një person ende i paidentifikuar i cili i grabiti gruas një sasi lekësh që kishte në çantë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15.00 në rrugën para Bankës së Shqipërisë.

Gjithçka ndodhi në pak sekonda, teksa autori i’u afrua gruas dhe i kërkoi paratë duke e kërcënuar me jetë.

Pasi hasi më rezistencën e saj, grabitësi e ka sulmuar dhe për pasojë e plagosi lehtë në dorë. Ai mundi të marë paratë që ndodheshin në çantë dhe u largua me shpejtësi.

Aktualisht Policia po kryen veprimet hetimore për zbulimin, e më pas arrestimin e autorit të krimit. /Mapo

Një person arrestohet në Prizren

0

Një person është arrestuar në rrugën “Wiliam Woker” në Prizren.

Siç raporton Policia e Kosovës, i dyshuari është arrestuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.

I njëjti është dërguar në burgun e Dubravës. /PrizrenPress.com

Mbetet në fuqi masa e paraburgimit ndaj deputetes Kada- Bujupi

0

Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurës Donika Kada- Bujupi.

Kështu, Apeli ka refuzuar si të pa bazuar, ankesën e avokatit mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPKR.nr.415/2015 , të datës 23.11.2015.

“E pandehura po dyshohet nga ana e prokurorisë, për veprën penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’, nga neni 375 lidhur me nenin 31 të Kodit të Procedurës Penale”, bëhet e ditur një njoftim.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore janë të pa bazuara, ngase prej shkresave të lëndës, respektivisht, prej provave të mbledhura gjerë me tani, rezulton dyshimi i bazuar, se e pandehura ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, dhe se a do të argumentohen këto fakte, është çështje që do të vërtetohet gjatë fazave të mëtutjeshme procedurale.

“Kjo gjykatë i vlerëson po ashtu si të pa bazuara edhe pretendimet e mbrojtjes se e pandehura ka imunitet funksional, pasi që Gjykata e Apelit, nuk është kompetente për vlerësimin e kushtetutshmërisë se Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Një interpretim të tillë e bënë Gjykata Kushtetuese, vendimet e së cilës janë të obligueshme për gjyqësorin. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese AGJ.138/11, çështja e imuniteti sa i përket veprave penale është sqaruar”, thuhet më tej në njoftim.

Gjykata e Apelit, vlerëson se ende ekzistojnë arsye ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, konform nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale, duke pasur parasysh veprimet e të pandehurës të ndërmarra gjatë dy herëve.

“Të gjitha këto tregojnë se ekziston rreziku se po të gjendet e pandehura në liri do ta përsërisë veprën penale, dhe se kjo rrethanë paraqet bazë të mjaftueshme për caktimin e paraburgimit, konform dispozitave te lartë cekura”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Bllokohet “Rruga e Kombit”, shembet dheu

0

Moti i keq i ditëve të fundit ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në rajonin verior dhe verilindor. Mëngjesin e sotëm (24 nëntor) është bllokuar njëra korsi e Rrugës së Kombit dhe shkak janë bërë rrëshqitja e dherave dhe gurësh në këtë segment.

Konkretisht rrëshqitja e dherave ka ndodhur në aksin Fushë-Dukagjin – Kukës. Ndërkohë pritet edhe ndërhyrja e autoriteteve për të pastruar masivin e gurëve.

Në këtë segment rrugor, ku çdo vit fenomeni i rënieve të masivëve të dherave e gurëve është evident, kanë qenë të pranishme duke sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve.

Jo vetëm në rrugën e Kombit, por edhe në rrugë të tjera nacionale e rurale, rrëshqitjet e dherave e gurëve kanë qenë të pranishme si në rrugën Kukës – Krumë, Kukës – Shishtavec e Kukës – Peshkopi.