25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Vlerat e munguara

Blerim Shala

Thuhet që njeriu, të mirat e tij kryesore, që përfaqësohen në trajtë të lirisë, rinisë dhe shëndetit, i çmon sa dhe si duhet, vetëm kur i humbë ato, apo, kur nuk i ka më.

Katalogu i këtyre vlerave sipërore njerëzore, natyrisht, mund të pasurohet tutje, ta zëmë, pos tjerash, me ato të sigurisë dhe të dashurisë, por vështirë që mund të mëdyshet konkludimi që shfaqë mungesën e gatishmërisë së njeriut për t’i çmuar sa duhet vlerat e tij thelbësore, sa janë ato.

Vlera themelore e njeriut si individ, dhe i shoqërisë njerëzore, gjithsesi është liria.

Këtë e dimë fare mirë ne shqiptarët e Kosovës. Apo, ndoshta duhet shtuar: E kemi ditur. Në të kaluarën. Kur nuk e kemi pasë.

Sidoqoftë, duket që ky mendim për të mirat që humben, për tu vlerësuar më pas ashtu si duhet, është një konstatim që është i qëndrueshëm dhe shumë i sakt, kur në Kosovë, në shtetin dhe shoqërinë kosovare, po shënojmë dhjetëvejtorin e vdekjes së Presidentit Rugova. Zatën, pesha dhe rëndësia e mirëfilltë një politikani dhe një burrshtetasi, hetohet vetëm kur ai nuk është më. Nëse atëherë vlera e tij pëson ngritje, del që në të gjallët e tij, ai ka bërë veprime të cilat kanë ndikuar, për të mirë, në zhvillimet në një vend.

Presidenti Rugova pra, po i mungon Kosovës më shumë se kurrë, që prej 21 janarit të vitit 2006 e këndej. Për më shumë, këtij vendi, po i mungojnë edhe disa arritje a vlera të tjera politike dhe shoqërore, që i kishim në atë janarin e acartë të para dhjetë viteve, të cilat më nuk i kemi. Ndërsa vduket që vetëm tash po ua dimë rëndësinë e tyre të madhe për fatin tonë: si individ dhe si kolektiv.

Në atë kohë pra, në janarin e vitit 2006, e dinim shumë mirë, si politikë dhe si shoqëri, ku jemi, dhe çka duam të mbërrijmë. Ishim të prerë në synimin tonë legjitim, për ta bashkuar lirinë e Kosovës me pavarësinë, me bërjen e shtetit të Kosovës. E dinim poashtu që Kosova nuk ka tjetër udhë ndërkombëtare, pos asaj që bashkon shtetin e Kosovës me familjen e shteteve anëtare të Paktit NATO dhe të BE-së. E dinim, gjithsesi, çfarë ka qenë dhe çfarë duhet të jetë roli i SHBA-së në Kosovë.

Në janarin e vitit 2016, thuaja të gjitha këto të mira që i krijuam ne vetë dhe në bashkëpunim me Perëndimit, ose janë në stadin e mëdyshjes thelbësore, ose madje, kanë pësuar një zbehje të madhe.

Nuk është çudi që po rritet numri i diplomatëve dhe politikanëve perëndimorë, të cilët na kanë ndihmuar aq shumë në ato vitet e çlirimit dhe të pavarësisë, të cilët po pyeten: Çka po ndodhë kështu me ne (me shqiptarët e Kosovës)? A a është e mundur që këtupari nuk po kuptohet dot që ngjarjet e muajve të fundit nuk kanë si të mos kuptohen si kontestim i shtetit të Kosovës?

Natyrisht, një tjetër e mirë sipërore e para dhjetë viteve që nuk është më, është ai pozicioni ndërkombëtarë i Kosovës, veçmas në rajon dhe në BE. Rrëfimi për statusin e Kosovës ishte njëri prej mbizotëruesve në Botë në atë vit, por edhe në vitet e mëpasme, tok me një situatë shumë të qartë, e cila në një anë i klasifikonte Kosovën dhe Perëndimin, e në anën tjetër Serbinë.

Shumëkush mund të thotë këtu që këto dy rrethana, të sivjetme dhe ato të para dhjetë vjetëve, nuk krahasohen dot, gjë që është e vërtetë. Por nuk ka fjalë që tani, pozicioni ndërkombëtarë i Kosovës nuk është ai çfarë ka mundur të jetë.

Më në fund, Ballkani, Evropa dhe Bota e këtij janari, thuajse nuk kanë gjë të përbashkët me atë të vitit 2006-të. Asgjë më nuk është si ka qenë. Viti 2016-të është një kombinim i epokës së Luftës së Ftohtë, thyerjes së madhe të vitit 2001 (pas sulmeve terroriste), dhe ngjarjeve që dëshmojnë hutinë mbizotëruese në Bruksel për drejtimin që duhet të marrë Bashkimi Evropian.

Por gjithë këto zhvillime në Evropë dhe në Botë, thuajse nuk na bëjnë fare përshtypje në Kosovë. Nuk kemi ne qasje në to. Por ato kanë gjithsesi qasje në ne.

Kosovës pra po i mungon shumë Presidenti Rugova. Gjithsesi, Kosovës po i mungon shumë vetëvetja, apo Kosova që e kishim si vlerë supreme politike dhe shoqërore dhjetë vjet më parë.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)

Më Shumë

Prishja e busollës  

Blerim Shala Asgjë më nuk është si ka qenë më para. Madje, as Evrovizioni. Festivali i këngës evropiane, i cili kësaj here u mbajt në Malme ...

Totaj: Ndërtimi i shtegut drejt Kalasë ruan trashëgiminë kulturore dhe rrit zhvillimin turistik të Prizrenit

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, bëri të ditur se vazhdojnë punimet në ndërtimin e shtegut të ri, me gurë, që shpie për në Kalanë...

Lajmet e Fundit