21.6 C
Prizren
E enjte, 15 Maj, 2025
Home Blog Page 6805

Aksident në Malishevë, pesë të lënduar

0

Pesë persona janë lënduar në një aksident në mes të dy automjeteve në fshatin Lubizhdë të Malishevës.

Si pasoj lëndime trupore kanë pësuar pesë persona të cilëve u është ofruar tretman mjekësor në QKMF-Malishevë e më pas dy nga të lënduarit janë dërguar në spitalin rajonal në Prizren si dhe dy të lënduarit tjerë në QKUK-Prishtinë.

Sipas mjekut kujdestar gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë.

Është informuar prokurori, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt./PrizrenPress.com/

Përkujtohet dëshmori Përparim Thaçi

0

Sot janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, është përkujtuar në 17 vjetorin e rënies, dëshmori i parë i rënë në luftën e UÇK-së në komunën e Prizrenit, Përpraim Thaçi.

Pjesë e këtyre homazheve ishin familjarë, miq, bashkëveprimtar e bashkëluftëtarë të dëshmorit, si dhe veteran e invalid të UÇK-së dhe përfaqësues të partive politike nga PDK, LVV dhe AAK, të cilët ndaras kanë nderuar jetën dhe veprën e dëshmorit.

Gjithashtu për të nderuar jetën dhe veprën e dëshmorit, ishin të pranishëm në këtë aktivitete përkujtimor edhe drejtues,lojtarë të tanishëm dhe bashkëlojtarë të dikurshëm të dëshmorit nga KF “Liria”.

Osman Qerreti, bashkëluftëtar i Përparimit i njohur me nofkën komandant Çuni, tha se përkujtimi për dëshmorët simbolizon një të kaluar të lavdishme për ata që u flijuan për Lirinë e Atdheut, sepse në vende ku ata prehen të qetë duhet të frymëzohemi për një të ardhme më të mirë për shtetin tonë.

Drejtori i Urbanizmit në komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu, i cili ka qenë bashkëveprimtar i dëshmorit, tha se Përparim Thaçi, ishte një figurë shumëdimensionale, për të cilin nuk kishte barriera drejt angazhimeve për largimin e okupatorit nga trojet tona shekullore, theksoi ai.

Nëna e dëshmorit, Setkia, edhe sot në 17. vjetorin e rënies së birit të saj thotë se e ndjen të njëjtën dhimbje në shpirt kur kishte marr lajmin poër rënien heroike të Përparimit. Por, ajo njëkohësisht ndihet edhe krenare që Kosovës i’a falin djalin, dhe thotë se ndjehet më e lehtësuar kur sheh se po rrespektohet biri i saj me nderime nga shok e miq të tij. Nëna Setkia, thotë se kurrë nuk do të doje të dëgjonte më fjalën luftë, dhe thotë se është ndier e pikëlluar edhe ditën e djeshme me rastin e varrimit të kosovarëve të vrarë në incidentin e Kumanovës.

Pas homazheve në Landovicë, është vizituar edhe vendi i rënies së Përparim Thaçit, në afërsi të fshatit Bëllacërkë, ku para 17 vitesh ai u vra nga forcat serbe, ndërmjet fshatrave Bellacërkë e Xërxë, bashkë me dy shokët e luftës, dëshmorët: Feim Gashi dhe Sakip Bellaqa, në kohën kur po shkonin në aksion. /TV Prizreni/

Shkelet me veturë këmbësorja në Prizren

0

Një këmbësore është goditur me veturë në rrugën “Hoxhe Tahsimi” në qytetin e Prizrenit.

Sipas policisë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në tretman mjekësorë.

I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore, të cilat janë në kërkim të personit të dyshuar. /PrizrenPress.com/

Monumentet kulturore shqiptare, dyfishohen vizitorët

0

Në bazë të botimit të Instat “Shqipëria në Shifra 2014”, një e veçantë në Shqipëri është rritja e numrit të vizitorëve në Monumentet Kulturore.

Kjo shifër pothuajse është dyfishuar brenda një viti.

Nga 55.723 vizitorë që kanë qenë në 2013, ajo ka shkuar në në 110.535 për 2014-n.

Monumentet më të vizituara janë në Gjirokastër, Berat dhe Shkodër.

Eurovizion ndan edhe tri çmime të tjera

0

Mans Zelmerlow jo vetëm që ka fituar në tërësi edicionin e këtij viti, por edhe ka marrë një prej tri çmimeve prestigjioze Marcel Bezençon Awards.

Çmimet që ndahen tash e disa vite jepen në kuadër të festivalit dhe shpërblejnë çmimin e publikut, atë të kompozitorit dhe çmimin artistik.

Zelmerlow, fituesi nga Suedia, ka marrë çmimin artistik, për këngën e tij “Heroes”, e cila edhe u shpall fituese absolute e Eurovizionit 2015. Çmimi i kompozitorit i takoi dyshes nga Norvegjia me këngën “A monster like me”, ndërsa çmimin e publikut e morrën treshja Il Volo nga Italia.

Çmimet Marcel Bezençon Awards zakonisht përafrohen me votimet e jurisë. Vitin e kaluar një prej fitueseve të çmimit ishte edhe Conchita Wurst, fituesja e festivalit. /KultPlus.com/

Sylejman Selimit edhe tetë vjet burg në “Drenica 2”

0

Sylejman Selimi është dënuar me tetë vjet burg në rastin “Drenica 2” ku akuzohej për keqtrajtim të të ndaluarve në Likovc.

Vendimin për këtë rast kundër Selimit dhe nëntë të akuzuarve tjerë e dha Gjykata Themelore e Mitrovicës para pak çastesh.

Kjo gjykatë paraditen e së mërkurës dënoi Selimin me 6 vjet burg për akuzat me të cilat ngarkohej në rastin “Drenica 1”.

Nga gjykata u dënuan edhe nëntë personat tjerë të “Grupit Drenica 2” që akuzoheshin bashkë me Sylejman Selimin. Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku u dënuan me nga 7 vjet burg, ndërsa me 3 vjet burg u dënua kryetari i Drenasit Nexhat Demaku.

Dënimin prej 3 vjetësh gjykata ua shqiptoi edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

Aktakuza ngarkonte Sylejman Selimin, Isni Thaçin, Agim, Bashkim, Selman e Driton Demajn dhe Fadil, Zeqir, Nexhat e Jahir Demakun se një pjesë të veprave penale për të cilat akuzohen, i kanë kryer në një datë të papërcaktuar të shtatorit 1998 në Likovc.

Sipas aktakuzës të ndaluarit janë keqtrajtuar “duke i rrahur ata me grushte dhe shkopinj druri, duke detyruar Dëshmitarin A dhe Dëshmitarin B të rrahin njëri tjetrin, duke e pickuar Dëshmitarin A nga organet gjenitale me një mjet të hekurt dhe tërhequr me të duke e zvarrisur nëpër dysheme”.

Dëshmitari A nga rrahjet në grup, pësoi thyerje brinjësh dhe plagë në organet gjenitale, ndërsa iu lëndua edhe njëri bërryl.

Kur dëshmoi në seancën e “Grupit Drenica 2” më 16 shtator 2014, “Dëshmitari A” tha se nuk do të ndalet duke përmendur të akuzuarin Zeqir Demaku, ndërsa tregoi se kishte kontaktuar me EULEX-in nga viti 2008 deri në 2012-ën.

Sami Lushtaku dënohet me 12 vjet burg, Sylejman Selimi me 6 vjet burg

Kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku nga Gjykata Themelore e Mitrovicës është dënuar me 12 vjet burg për vrasje të kryer gjatë vitit 1998, ndërsa Sylejman Selimi me 6 vjet për keqtrajtim të civilëve gjatë luftës.

Sabit Geci është liruar, ndërsa po vazhdon shpallja e vendimit ndaj të të akuzuarve tjerë të “Grupit Drenica”./Kallxo.com/

Përmbyllet projekti 5 milionësh i trashëgimisë

0

Sot në Prishtinë ka nisur konferenca dy ditore për Trashëgimi dhe Komunitete.

Aty do të bëhet përmbyllja e projektit 5 vjeçar të titulluar “Mbështetja për Promovimin e Diversitetit Kulturor”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës në Kosovë, derisa përfituese ishte Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore pranë kësaj ministrie Vjollca Aliu, ka thënë për Klan Kosova se projekti që kushtoi mbi 5 milionë euro, kishte për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore. Ai është ndarë në katër etapa si dhe ka shërbyer për zhvillimin e kapaciteteve në arsim, vetëdijesim publik, zhvillim ekonomik vendor dhe mirëqenie të komuniteteve.

Në këtë konferencë po marrin pjesë edhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ata të Këshillit të Evropës për Qeverisje Demokratike.

LDK e treta

0

Sondazhet e fundit e nxjerrin si partinë e tretë në vend, sipas NDI-së.

Analistët kosovar vlerësojnë se rënia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të thellohet edhe më shumë nëse kryeministri aktual nuk arrin të shkëputet nga qeverisja e keqe që e ka futur shtetin në korrupsion dhe skandale prej vitesh.

Sipas analistit, Faik Krasniqi kjo rënie e LDK-së vjen nga zhgënjimi i elektoratit rugovian, humbja e tri palë zgjedhjeve dhe hyrja në qeveri me partinë që e ka kapur shtetin.

“Ky koalicion i shkoi më së shumti për shtati Hashim Thaçit dhe PDK-së, të cilët pas gjashtë muajve të bllokadës institucionale arritën që të mbesin prapë në pushtet, e kjo falë këtij lidershipi të LDK-së dhe njerëzve të caktuar brenda saj, që i lidhin interesat biznesore me kapësit e shtetit, PDK-në”, ka thënë Krasniqi, për Kosova Sot.

Dërgohen në Kuvend amendamentet për FAK

0

(I plotësuar) Qeveria e Kosovës ka proceduar për në Kuvend amendamentet për ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Këtë vendim kabineti qeveritar mori në mbledhjen e Qeverisë. Kundër këtyre amendamenteve votuan zëvendëskryeministri nga Lista Serbe, Branimir Stojanoviq dhe njëri nga ministrat e listës.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk po bëhet mbi baza etnike por për gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

A kalon sot në Qeveri Ligji për Forcat e Armatosura?

Sot do të shqyrtohet drafti i Ligjit për transformimin e FSK në Forca të Armatosura të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e vet të radhës, në të cilën, nëse realizohet ajo që paralajmëroi Ministri i Forcës së Sigurisë Haki Demolli, do të shqyrtohet drafti i Ligjit për transformimin e FSK në Forca të Armatosura të Kosovës.

Demolli të enjten e kaluar, në mbledhjen e Parlamentit, në të cilën në rend dite ishin pyetjet e deputetëve, duke iu përgjigjur Donika Kada-Bujupit nga AAK-ja, tha se draft-ligjin për transformimin e FSK-së në FAK ka dy muaj që ia kanë dorëzuar qeverisë.

“Jam i sigurt që Qeveria këto amendamente do t’i shqyrtojë në mbledhjen e ardhshme dhe do t’ia dërgojë Kuvendit për aprovim”, tha Demolli.

Vucic zhvillon sot vizitë zyrtare në Shqipëri

0

Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic do të zhvillojë të mërkurën vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kjo vizitë e kryeministrit serb do të zhvillohet në kuadër të samitit të kryeministrave të Organizatës së Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore ndërsa siç bëjnë të ditur mediat shqiptare, vizita është e ndërtuar e gjitha në bazë të parimit të reciprocitetit.

Sipas agjendës së publikuar bëhet e ditur se Vucic pritet të mbërrijë në Tiranë rreth orës 11:30 ndërkohë më pas pritet të shkojë në Pallatin e Brigadave, ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare e pritjes e ku ai do të pritet nga homologu i tij shqiptar, kryeministri Edi Rama.

Duke filluar nga ora 11:50- deri në 12:45 është paraparë të mbahet takim bilateral i delegacioneve, kryesuar nga dy kryeministrat ndërsa nga ora 12:50-13:20 do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp.

Po ashtu, gjatë kësaj vizite, kryeministri serb do të zhvillojë një takim edhe me presidentin e Republikës së Shqipërisë , Bujar Nishani, kreun e Kuvendit, Ilir Meta dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Vizita e kryeministrit serb, Aleksandar Vucic ka bërë që policia e Shqipërisë të marrë masa të rrepta sigurie me ç’rast policia ka njoftuar se në Tiranë do të bllokohet qarkullimi në disa rrugë.

Po ashtu,Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se për të garantuar sigurinë e kryeministrit të Serbisë, Aleksander Vucic do të angazhohen mbi 1.300 forca policie, nga ta në Tiranë do të jenë 1.090 punonjës, kurse në territorin e qarkut të Durrësit do të angazhohen 220 punonjës policie.

Vucic do të jetë sërish në Tiranë me datën 28 maj, ku do të marrë pjesë në “Vienna Economic Forum”, në Shqipëri.