18.8 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025
Home Blog Page 6822

Shqetësimet rreth Speciales, të gabuara

0

Shqetësimet rreth ngritjes së Gjykatës Speciale për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë janë të gabuara. Kështu ka deklaruar Drejtori i Grupit të Studimit të Politikave në Ballkan, Marko Prelec.

Drejtori i Grupit të Studimit të Politikave në Ballkan, Marko Prelec thotë se shqetësimet mbi ngritjen e Gjykatës së Posaçme për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë janë të gabuara.

“Së pari, nëse institucionet e Kosovës dhe instucionet ndërkombëtare si UNMIK-u dhe EULEX-i do të kishin bërë një punë më të mirë në sjelljen para drejtësisë të njerëzve të akuzuar për disa nga krimet që kanë krijuar bazën e raportit të Dick Martit, që janë krime reale që kanë prekur serbët dhe shqiptarët, ne sot nuk do të flisnim fare për këtë. Së dyti, nuk ka asrsye për të besuar se ka një ndryshim në ritmin e njohjeve për shkak të raportit të Dick Martit ose përpjekjeve për të ngritur Gjykatën e Posaçme. Vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë bërë atë për shkak të shqetësimeve të tyre të brendshme. Në disa raste këto vende ndeshen me lëvizje seperatiste brenda territorit të tyre dhe për këtë arsye nuk kanë njohur Kosovën. Vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, janë vende të cilat tradicionalisht kanë qenë aleate të Serbisë. Së treti gjykat do të krijohet në një mënyrë apo tjetër. Është e qartë se qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar është ngurtësuar. Tani gjuha e komunitetit ndërkombëtar është e qartë, nëse Kosova nuk e miraton ligjin për ngritjen e Gjykatës së Posaçme, atëherë Këshilli i Sigurimit të OKB-së do ta themelojë atë”.

Në lidhje me mungesën e pëparimit në çështjen e liberalizimit të vizave, zoti Prelec tha se qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për plotësimin e kushteve të BE-së për këtë çështje. Ai thotë se Kosova është pa fat pasi tani për shumicën e votuese në vendet e BE-së migrimi është një çështje e debatueshme dhe më pak popullore.

“Vendet e BE-së po tregohen më të kujdesshme dhe duan që Kosova të plotësojë me përpikmëri të gjitha kushtet. Por, nga ajo që kam parë unë, Kosova nuk po diskriminohet në këtë proces. Është përgjegjësi e qeverisë së Kosovës që të zbatojë atë që i kërkohet asaj sa i përket ndërtimit të institucioneve të forta të zbatimit të ligjit, ashtu si vendet e tjera”.

Ndërsa, pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme, është një problem për paranadalimin e të cilit qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë.

“Shtrirja e këtij problemi në Kosovë nuk ka dallim shumë të madh me atë në vendet e Bashkimit Evropian të cilat gjithashtu kanë një numër të të madh të popullsisë që i përkasin fesë islame. Kosova ka një numër të vogël qytetarësh që kanë shkuar në luftërat në Lindjen e Mesme në krahasim me Bosnjen, një vend tjetër i rajonit. Ky është një problem për të cilin qeveria mund dhe duhet të bëjë më shumë për ta parandaluar”.

Drejtori i Grupit të Studimit të Politikave në Ballkan, Marko Prelec thotë se arsyet e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja në Lindjen e Mesme janë nga më të ndryshmet, duke përfshirë arsyet ekonomike, si dhe bindjet politike e fetare. /Zëri i Amerikës/

Kosova mos të mbajë pozicion të ngrirë

0

Zëvendëskryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Fadil Demaku, ka thënë se zhvillimet e fundit në Kumanovë kanë qenë të papranueshme.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e duhura që gjërat të shkojnë drejt zgjidhjes e jo të vazhdohet me pozicionet e ngrira dhe të moskomunikimit.

“Ne nuk jemi në pozitë të favorshme derisa nuk dihet qartë fati i qytetarëve tanë të përfshirë në atë konflikt”, tha Demaku për ‘Epokën e re’.

Ai duke folur për raportimin që bën të hënë në këtë komision ministri Hyseni dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, në lidhje me rastin në Kumanovë, sipas tij, nga ky raportim nuk doli diçka e re.

Skandal: Kosovarët shesin spermë dhe vezore në Maqedoni

0

Mjekëve kosovarë u është ofruar një mundësi për të përfituar para të majme jashtligjshëm nga referimi për “dhurim” të spermës së kosovarëve përmes një bashkëpunimi, që profesionistëve shëndetësorë ua ka ofruar klinika për IVF “Newborn Clinic” me seli në Shkup të Maqedonisë.

Ndonëse ligjet në fuqi të Kosovës parashohin masa të ashpra për kompensim në këtë veprimtari, spitali maqedonas ka ofertuar një numër të madh të mjekëve kosovarë, kryesisht gjinekologë.

Përmes një shkrese të shkruar në gjuhën shqipe, me shumë gabime logjike dhe drejtshkrimore, të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri” nga burimet e veta, stafi mjekësor profesional inkurajohet që të dërgojnë pacientë të interesuar për “dhurimin” e spermës, qelizave vezë, si dhe për kryerjen e procedurave të fekondimit artificial, të njohura si IVF.

Në këtë shkresë, e cila është e nëshkruar nga drejtori mjekësor i “Newborn Clinic”, Birol Aydin, iu bëhet me dije mjekëve kosovarë që për çdo pacient të interesuar për dhurimin e spermës, mjekëve që referojnë pacientët iu jepen nga 250 euro./Zëri/

Gruevski: Maqedonia nuk dorëzohet!

0

Kryeministri maqedonas dhe kreu i partisë VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, tha se ‘Maqedonia nuk dorëzohet, Maqedonia është e fuqishme’.

“Me materiale të krijuara dhe hyrje të gënjyeram Zaev mendonte se do të na frikësojë me banda terroristësh, mendonte se do të gjunjëzohemi dhe do të dorëzohemi, por sonte e morrën përgjigjen ‘Maqedonia nuk dorëzohet, Maqedonia është e fuqishme’”, tha kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski në mitingun e sontëm të partisë së tij para Kuvendit.

“I kanë thënë, dhe ky në mënyrë naive besonte dhe fliste se për 3 ditë do të biem me kokë të ulura. Dhe ja sot, 3 muaj më vonë, të bashkuar si asnjëherë më parë, të fortë si çeliku, s’ka dorëzim, Maqedonia është e fuqishme! Maqedonia është e vendosur, Maqedona fiton sërish”, tha Gruevski.

Ai tha se Maqedoninë nuk lejon ta udhëheqë nj ëpolitikan sikur Zoran Zaevi dhe se ai njeri asnjëherë nuk do të bëhet kryeministër i këtij vendi. /Zhurnal.mk/

Zemaj: LDK nuk do ta përkrahë Thaçin të zgjidhet president me votë të popullit

0

Deputeti LDK-së, Armend Zemaj, në emisionin “Rrokum Rroll’ në Tv Rrokum, ka thënë se asnjëherë nuk do të ndalen në kërkim të zbardhjes së vrasjeve politike si të periudhës së luftës ashtu edhe të pasluftës.

Zemaj ka thënë se Ligjit për përgjimet i është dhënë përkrahje në parim. Sipas tij e mira është se çdo përgjim do të bëhet me urdhër të gjykatës.

Sa i përket zgjedhjeve në parti ai ka thënë se mundet ende të kontribuoj për LDK-në, duke shtuar se nuk do të kandidojë për kryetar të LDK-së, por do t’i mbështet njerëzit që mund ta çojnë LDK-në përpara si në aspektin profesional e struktural të saj.

Ndërsa, duke folur për zgjedhjen e presidentit me votë popullore, Zemaj ka thënë se nëse Thaçi bëhet president me votë popullore, LDK s’duhet ta përkrahë.

“LDK-ja nuk do ta përkrahë as kandidatin e PDK-së, as AAK-së e as kurrkujt për president, sepse LDK-ja mund ta zgjedh kandidatin e saj për president”, ka thënë Zemaj.

Të mërkurën protestojnë familjarët e kosovarëve që luftuan në Kumanovë

0

Të mërkurën më 20 maj në mesditë është thirr protestë në Prishtinë. Kjo është bërë nga familjarët e siç thuhet ish-luftëtarëve të UÇK’së që luftuan në Kumanovë. Ata thonë se kanë mbështetjen e organizatave të luftës dhe veteranëve, dhe kërkesë kryesore për institucionet e Kosovës kanë mbrojtjen e kosovarëve të arrestuar në Maqedoni.

Komunikata e plotë:

Thirrje për protestë

Të nderuar, bashkëkombës,

Ne familjarët e ish luftëtarëve të UCK-së që luftuan për drejtësi dhe dinjitet të shqiptarëve në betejën e Kumanovës, të mbështetur nga organizatat e luftës, veteranët, studentët, miqtë, bashkëluftëtarët e familjarëve tanë, organizojmë protestë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me këto kërkesa:

– Kërkojmë urgjentisht nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të ndërmarrin veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve të vet që janë të arrestuar e që po torturohen nga regjimi sllavo maqedonas dhe servilet shqiptarë në institucione.

– Kërkojmë urgjentisht që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë veprimet konkrete në identifikimin dhe sjelljen e trupave që ranë dëshmorë për liri dhe drejtësi të shqiptarëve në Maqedoni.

– Ne protestojmë në shenjë revolte ndaj institucioneve tona, të cilat për më shumë se një javë qëndrojnë indiferent ndaj qytetarëve të vet, të cilët vriten, rrahën, e torturohen nga regjimi policor e diktatorial i Maqedonisë.

– Ne protestojmë në shenjë revolte ndaj deklarimeve të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, që i quan terrorist ish luftëtarët e lirisë. Ata djem nuk kursyen asgjë nga vetja për lirinë e shqiptarëve në Kosovë, Luginë të Preshevës e Maqedoni.

Shqiptarët janë mësuar të jetojnë me dinjitet. Shqiptarët asnjëherë nuk pranuan dhe nuk do të pranojnë të jetojnë të nëpërkëmbur. Dinjiteti dhe liria e bashkëkombësve tanë në Maqedoni është përgjegjësi e të gjithë neve. Patriotizmi e përkushtimi i djemve tanë për kombin shqiptarë është dëshmuar nga veprat e tyre. Ata kanë qenë pjesë e çdo lufte çlirimtare duke e mbajtur gjallë ëndrrën tonë për bashkim të trojeve etnike shqiptare.

Ftojmë të gjithë ata që e ndjej veten shqiptarë të bëhen pjesë e kësaj proteste.

Protesta mbahet të mërkurën me dt: 20.05.2015, përpara objektit të Qeverisë, te teatri Kombëtar.

Ora: 12:00

Lavdi dëshmorëve të kombit!

Nuk ka raste me ethe hemorragjike

0

Në Kosovë ende nuk është shënuar asnjë rast me ethe hemorragjike. E me ethe hemorragjike nuk ka as raste në komunat e Malishevës, Rahovecit, Suharekës dhe Klinës, komuna këto që njihen si më endemikët.

Këto informacione u dhanë sot gjatë një takimi që pati Këshilli i ri Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve hemorragjike Krime Kongo në Kosovë.

Megjithatë, në takim, është kërkuar kujdes i shtuar nga ana e qytetarëve, sidomos për periudhën: mesi i majit-mesi i qershorit 2015, në zbatim të masave preventive, me qëllim të parandalimit të rasteve të Etheve hemorragjike.

Në takim u raportua për aktivitetet e edukimit dhe vetëdijesimit shëndetësor të ndërmarra në komunat më të rrezikuara nga ana e IKSHP-së, masat e repelimit të shtazëve dhe dezinsketimit të shtazëve nga ana e Agjensionit të Ushqimit e Veterinës, aktivitetet e dezinsektimit sekektiv nga Komuna e Malishevës si dhe aktivitetet e tjera të ndërmarra edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Ministria e Bujqësisë.

Sipas komunikatës për media, këto masa do të vazhdojnë përgjatë tërë periudhës që është më e ndjeshme sa i përket mundësisë së shfaqjes së Etheve hemorragjike.

Ndërkohë, në takim thuhet se është bërë e ditur se MSh dhe SHSKUK kanë siguruar terapi për raste eventuale të sëmundjes si dhe Klinika Infektive i ka kapacitetet e caktuara për të trajtuar në mënyrë specifike rastet eventuale të të prekurve nga Ethet hemorragjike.

Gjithashtu, në takim, u raportua se numri i pickimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është lehtësisht më i vogël.

Përfundon pa marrëveshje takimi mes liderëve, Zaev dhe Gruevski nesër në Strasburg

0

Nuk lëvizin bisedimet pa dorëheqjen e Gruevskit, kështu që ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete takimi mes liderëve. Mësohet se Zaev dhe Gruevski nesër nisen për në Strasburg.

Ndryshe pas përfundimit të pauzës nga takimi i dytë i liderëve Gruevski, Zaev, Ahmeti dhe Thaçi, nga LSDM thonë se tani për tani nuk ka kushte për bisedime.
Nga partia e Zaevit janë të vendosur , duke shtuar se mbeten në kërkesën e tyre për dorëheqje të tërë qeverisë, dhe pastaj formimit të qeverisë kalimtare pa

Nikolla Gruevskin me të cilën do të definohej korniza për dialogun.

Sipas LSDM, propozimi i Ahmetit në takimin e sotëm ka qenë si në takimin paraprak, i vendosur në formë të shkruar, me të cilën propozohet rinovim i qeverisë dhe formim i grupeve punuese me të cilat do të shqyrtoheshin kërkesat tjera të opozitës.

Familja Jashari mbështet rivarrimin e Isa Boletinit në Boletin

0

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, familja e heroit Isa Boletini dhe qytetarët e Mitrovicës, kanë marrë mbështetjen edhe të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, për rivarrimin e eshtrave të heroit Boletini, në vendlindjen e tij në Boletin.
Në një takim që kishte sot me Rifat Jasharin në Prekaz, kryetari Bahtiri mori mbështetje të plotë në përpjekjet që po bën për të realizuar në mënyrë sa më madhështore e dinjitoze rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini.

“Unë nuk do të pajtohesha që ndonjë anëtar i familjes time të varroset jashtë vendlindjes, kur për këtë ekzistojnë mundësitë. Mirëpo, qëndrimin e familjes tonë lidhur me këtë çështje do ta bëjë të ditur Murati”, tha Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, transmeton Telegrafi.

Edhe Murat Jashari, duke e bërë të ditur qëndrimin zyrtar të familjes Jashari lidhur me këtë, ka thënë se familja e tij mbështet vendimin e kryetarit Agim Bahtiri e të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, si dhe kërkesën e familjes së Isa Boletinit e të qytetarëve të Republikës së Kosovës e më gjerë, që rivarrimi i eshtrave të heroit Isa Boletini, të bëhet në vendlindjen e tij në Boletin, e jo gjetiu.

Edhe gjatë ditës së hënë, shumë intelektual të njohur, pjesëtarë të shoqërisë civile, përfaqësues të fshatrave të Shalës së Bajgorës e më gjerë, i kanë dhënë mbështetje të fuqishme kryetarit Bahtiri, si në takime të drejtpërdrejta, ashtu edhe përmes telefonit, por edhe familjes së heroit Isa Boletini, që të mos lejojnë në asnjë mënyrë që ky personalitet i shquar i kombit të rivarroset larg vendlindjes së tij.

Ndërsa, Agim Bahtiri edhe sot ka thënë se është i bindur se Qeveria e Kosovës do të anulojë vendimin e Këshillit Organizativ, që vet e ka formuar, për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini në Vlorë.

Sipas tij, qeveria së bashku me institucionet tjera të vendit dhe ato komunale, do të përgatisin ashtu si duhet ceremoninë e rivarrimit të kësaj figure të madhe të shqiptarisë, në vendlindjen e tij në Boletin. /Telegrafi/

Kuturisjet letrare të znj. Çuli

0

(Shënime për romanin “Engjëj të armatosur” të Diana Çulit)

Nga Agim Baçi

Nëse letërsia do të mbetej vetëm si një përgjigje e pyetjeve “Kur?” dhe Ku?”, nuk do të kalonte kufijtë e gazetarisë. Më së shumti janë pyetjet “Pse?” dhe “Si?”, që plotësojnë arsyetimin e përfshirjes sonë në rrëfim, pasi i japin mundësi letërsisë të krijojë një kohë tjetër, që e tejkalon kohën e të shkruarit. Përgjithësisht, nuk ka patur rëndësi thuajse për askënd nëse ka qenë i vërtetë apo jo Hamleti, Madamë Bovaria, Ana Karenina, Xha Gorioi, Don Kishoti, Shvejku, Çiçikovi apo dhjetëra e dhjetëra të tjerë personazhe që sot janë bërë pjesë e jetës sonë, pavarësisht se kujt kohe apo gjuhe i përkasin. Mesazhi dhe si kanë ardhur ata deri tek ne ka mbetur më i rëndësishmi, ndaj ata vijojnë të kenë kohën e vet, që ka qenë për shumëkënd edhe koha e tij në lexim.

Ndërkaq, në letërsinë që synon të zbardhë disa ngjarje të ndodhura, ose që kërkon t’u referohet atyre, siç ndodh me romanin e Diana Çulit te “Engjëj të armatosur”, që rrotullohet rreth historisë së pushkatimit të Ramize Gjebresë më 5 mars të vitit 1944, kërkohet padyshim edhe një qasje që nuk mund të shmangë dot dokumente apo dëshmi, që fatmirësisht janë tashmë publike. Por duket se Çulit, e shkuara e saj si letrare dhe skenariste në diktaturë, ia ka lënë pasojat e krijimit të një teksti ideologjik. Aq shumë ka parë dhe menduar ajo filma në ish-Kinostudion “Shqipëria Sot”, sa vijon të mendojë se figura e një ballisti është po ajo që është gatuar në kuzhinën e diktaturës, që i jepte si antishqiptarë apo tradhtarë.

“Fakti që ballistët thoshin lart e poshtë se partizanët kishin dalë në mal për dëfrime dhe jo për të çliruar atdheun nga pushtuesit, i kishte përforcuar edhe më ndjenjat e tij moraliste në këtë pikë dhe nuk mund ta falte askënd që do të shkelte betimin partizan…. Hitoja dyshonte se, përveç gjermanëve, disa nga të ballit kishin gisht në këtë vrasje dhe për këtë arsye i urrente”. (“Engjëj të armatosur”, Diana Çuli, f. 119-120)

Më së paku znj. Çuli mund të kishte shfletuar dokumentet e botuara rreth ngjarjes, sidomos dokumentet historike të botuara nga Vasfi Baruti, i cili jep edhe linjën e Mugoshës si ideator i vrasjes së Gjebresë për shkak të qëndrimeve të hapura anti- Jugosllave të saj. (E ëma e Ramizesë, Safia, ishte nga Kaçaniku i Kosovës).

Autorja edhe mund t’i ikte asaj ngjarjeje e të krijonte një tjetër histori, me fantazinë e saj, duke udhëtuar në mënyrë imagjinare në një mal tjetër. Gjithsesi, e shkuar 15 vite pas ndryshimit të sistemit (shkruar më 2005, botuar më 2009) ajo duhet të kishte disa pikëpyetje më të rëndësishme lidhur me Luftën, e cila ka mbetur vetëm në versionin e ish-Kinostudios, ku ajo vetë ka kontribuar me skenarë filmash ideologjikë. Mosreflektimi vihet re edhe në paradokset që vijojnë të jenë edhe në rrafshin e ideve politike të asaj kohe. P.sh, partizani i Çulit, Aleksi, mendon si një docent me përgjigjen e tij politike që i bëhet nga togeri italian që pas kapitullit bashkëjeton me luftën partizane.

“Me lirinë ju do sillni komunizmin, – vazhdoi togeri. -Nuk ju shqetëson kjo ndopak?

-Liria është diçka e ndryshme, – tha ai i menduar. – Nuk lidhet aq shumë me sistemin politik” (“Engjëj të armatosur”, Diana Çuli, f. 79)

Një përgjigje e denjë për Izajah Berlin me librin e tij “Idetë politike të shekullit XX dhe katër esse për Lirinë”. Ky dialog, në një majë mali, është një paradoks që nënkupton pakujdesinë e autores lidhur me situatën e vërtetë të dialogjeve, që mund t’i kish marrë fare mirë nga dokumentet e botuara të mbledhjeve partizane, që tashmë janë të hapura.

Duhet pohuar, struktura stilistike, e përzgjedhur nga Çuli, si një histori e treguar nga shumë persona, është një stil i këndshëm, që të jep mundësinë që të ndërtosh disa versione të ngjarjes. Edhe gjuha e përdorur është e përzgjedhur. Edhe si ngjarje, mbetet ndër më intrigueset që ka ndodhur në kohë lufte, pasi ka qenë një thashethemnajë prej 45 vitesh, ngaqë jo pak miq u prekën nga ajo histori. Por autorja nuk i ka dhënë asnjë rëndësi asaj që po gatuhej, se çfarë po trokiste për shqiptarët. Madje nuk i ka dhënë jetë as asaj loje që u luajt nga ish udhëheqësit e diktaturës mbi atë histori. Ndoshta edhe për shkakun se ka besuar për shumë vite me radhë në atë ideal dhe se të dërgoje dikë në vdekje ishte një punë e thjeshtë. Dhe këtë bindje ia përforcon qëndrimi ende denigrues ndaj Ballit Kombëtar, apo luhatjet debatuese mbi të drejtat e grave, a thua se po diskuton jo në majë mali në vitin 1944 por në 2005 në Rogner, me lëvizjen feministe.

“Ne gratë e kemi më të vështirë të ecim përpara, i tha Luiza një ditë Agimes, në një diskutim rreth barazisë së ardhshme gjinore që predikonin komunistët”. ( “Engjëj të armatosur”, Diana Çuli, f. 150)

Çuli ka tentuar që përmes Dorothesë (Ramizesë), të japë asosacionin e Doruntinës së baladës së njohur. Por në rrëfimet e saj nuk ka asgjë që ta lidhë as me amanetin, as me domosdoshmërinë për të kuptuar fjalën e dhënë. I gjithë romani tenton të pikturojë një këndvështrim tjetër për luftën, por që nuk ka rrokur frymën e vërtetë të debateve brenda formacioneve dhe popullatës, madje fatkeqësisht duke mbajtur ende qëndrime të gatuara dikur në ish-Kinostudio. Më shumë autorja ka humbur në legjendat e zonës, që pavarësisht se mund të jenë interesante, dhe herë-herë janë rrëfyer këndshëm, nuk ndjehen si pjesë e natyrshme të asaj që po ndodhte në një nga gjyqet më të çuditshme dhe kriminale, që la jo pak gjurmë jo vetëm në atë kohë, por edhe për shumë vite, duke ardhur deri në ditët e sotme si një ngjarje që ja vlen të zbardhet e të njihet, sepse bashkë me të zbulohen dhe shumë anë të errëta të Luftës dhe protagonistëve të saj.

Natyrisht autori ka të drejtë të ndërtojë një version të vetin dhe nuk gjykohet as për mënyrën se si i ekzekuton personazhet e as se si i dashuron. Por kur tendenca është zbardhja e një ngjarjeje shumë të përfolur dhe shmangen dokumentet e bëra publike tashmë mbi të, duket se kemi të bëjmë me një këmbëngulje për ta parë në mënyrë ideologjike një histori tragjike me sfond të pastër politik, ose që ishte domethënia e asaj që do të vijonte më pas mes miqve të dalë nga lufta, me gjyqe false dhe ekzekutime makabre. Megjithatë, ndoshta Çuli thjesht ka dashur të theksojë konceptet që ka mbrojtur për shumë vite në kohën e rinisë së saj, ndaj kuturisjet e saj letrare janë pjesë e rrethit të saj ideologjik, pa e kapërcyer dot kufirin e të menduarit në liri.

Një pafuqi e kuptimit të lirisë që vlen për ta studiuar psikologët dhe sociologët, e natyrisht edhe studiuesit e letërsisë, të cilët duhet të nxjerrin në pah të keqen që mbjell njeriu i prangosur në mungesën e guximit.